Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Sfidat më të mëdha shëndetësore me të cilat përballen gratë gjatë jetës së tyre

QIKA 24.7.2024

Pothuajse gjysma e të gjitha grave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballen me ndonjë formë të sëmundjes së zemrës. Asnjë kërcënim tjetër shëndetësor nuk është më i madh për gratë sesa rreziku kardiovaskular. Në fakt, një nga pesë vdekjet e grave në vitin 2021 ishte për shkak të sëmundjeve të zemrës.

Por, pavarësisht rrezikut që paraqesin për gratë gjatë gjithë jetës së tyre, sëmundjet kardiovaskulare janë gjithashtu një nga sëmundjet më të drejtpërdrejta për të ndërmarrë hapa për të zvogëluar rrezikun. Mënyra më e mirë është të njohësh zakonet e jetesës që mund të ulin rrezikun dhe t’i përfshish ato në jetën tënde sa më herët të jetë e mundur.

“Ne e dimë që dieta e shëndetshme dhe ushtrimet fizike duhet të jenë shtylla kryesore e shëndetit të zemrës”, thotë Kathryn Lindley, një kardiologe në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt. Pastaj janë zakonet që duhet të shmangen, si pirja e duhanit dhe konsumimi i tepërt i alkoolit, për shëndetin më të mirë të zemrës si dhe të përgjithshëm.

Pas sëmundjes së zemrës, shkaktari i dytë më i madh i vdekjeve të grave në SHBA është kanceri. Përderisa nuk është e mundur të testohen të gjitha llojet e kancerit, ekzistojnë skriningje për tre llojet që shkaktojnë më shumë vdekje nga kanceri te gratë, si kanceri i gjirit, mushkërive dhe kolorektal.

Lajmi i mirë është se mos pirja e duhanit, ushqimi i shëndetshëm dhe ushtrimet e rregullta gjithashtu ulin rrezikun e pothuajse të gjitha llojeve të kancerit. Ky stil i jetesës gjithashtu zvogëlon gjasat për zhvillimin e çrregullimeve metabolike, siç janë obeziteti dhe diabeti i tipit 2, dy sëmundje të tjera që po dëmtojnë gjithnjë e më shumë gratë në SHBA.

Të 20-at

Të 20-at tek një grua janë mundësia e saj për të ndërtuar një themel të fortë për shëndetin në dekadat e ardhshme. Kjo nënkupton krijimin e zakoneve të shëndetshme, të mësoni për historinë mjekësore të familjes dhe gjetjen e një ofruesi të kujdesit parësor “që ju i besoni dhe që di se të gjitha pjesët e trupit tuaj janë të ndërlidhura”, thotë Stacey Rosen, një kardiologe në Northwell Health në New York. Ky ofrues mund të jetë një mjek familjar, një gjinekolog, ose një infermier. Ajo që ka më shumë rëndësi është marrëdhënia që krijoni me ta.

Edhe pse shumica e skriningjeve për kancer fillojnë në mesmoshë të grave, parandalimi për ndonjë lloj të kancerit fillon në të 20-at. Arsyeja e vetme që kanceri i qafës së mitrës nuk është më një shkak kryesor i vdekjeve të grave është kombinimi i skriningjeve për kancerin e qafës së mitrës, të cilat fillojnë në moshën 21 vjeç, dhe vaksinës kundër infeksionit papillomavirus (HPV), e cila parandalon jo vetëm kancerin e qafës së mitrës, por edhe kanceret e vulvës, vaginës, gojës dhe anusit. Shkalla e kancerit të qafës së mitrës dhe kancerit të gojës është rritur tek gratë e moshës së mesme, por vaksina HPV, e rekomanduar deri në moshën 26 vjeç dhe në dispozicion për gratë deri në të 40-at, ka potencialin për t’i ndryshuar këto trende në vitet e ardhshme.

Të 30-at

Derisa shumë njerëz fillojnë të krijojnë një familje në të 20-at e tyre, një numër në rritje i grave presin deri në të 30-at për të mbetur shtatzënë. Nëse jeni duke planifikuar një shtatzëni, fillimisht duhet biseduar me gjinekologun tuaj përpara se të mbeteni shtatzënë “kështu ju mund të shihni se çfarë ju nevojitet për të përmirësoni shëndetin tuaj përpara se të mbeteni shtatzënë”, thotë Jill Rabin, një gjinekolog në Northwell Health në Nju Jork. Nëse shtatzënia nuk është pjesë e planeve tuaja, “atëherë ju duhet të përdorni kontracepsion nëse jeni duke kryer marrëdhënie seksuale”, thotë ajo.

Gjatë shtatzënisë tuaj, keni parasysh se sa e ngushtë është lidhja midis shëndetit të zemrës dhe shëndetit riprodhues te gratë.

“Është e rëndësishme të kuptojmë se pikat e rëndësishme riprodhuese në jetën tonë, si shtatzënia dhe menopauza, janë vërtet të ndërlidhura me shëndetin tonë kardiovaskular”, thotë Lindley. Disa nga komplikimet më të zakonshme të shtatzënisë, si pre-eklampsia, diabeti gestacional dhe lindja e parakohshme, rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru më vonë në jetë.

“Mos harroni se si këta faktorë janë një mundësi për të identifikuar dhe trajtuar rrezikun afatgjatë kardiovaskular, që rrjedhimisht mban njerëzit në rrugë drejt shëndetit afatgjatë të zemrës”, thotë ajo.

Të 40-at

Kur gratë hyjnë në të 40-at, rreziku i tyre për kancer dhe sëmundje kardiovaskulare fillon të rritet. Tani është koha për të vlerësuar shëndetin tuaj aktual dhe për të kërkuar mënyra për ta përmirësuar atë përpara se të hyni në menopauzë, atëherë kur bëhet më e vështirë të humbni peshë dhe të flini mjaftueshëm, thotë Rosen. “Është një kohë e rëndësishme për të prioretizuar tensionin e gjakut, kolesterolin, peshën dhe aktivitetin fizik”, thotë ajo.

Është gjithashtu një kohë e rëndësishme për të filluar kontrollet për kancerin e gjirit dhe të zorrës së trashë. Nëse keni histori familjare të këtyre kancereve, ndoshta keni filluar të bëni kontrolle disa vite më herët. Por shumica e grave duhet të bëjnë mamografinë e tyre të parë në moshën 40 vjeç dhe pastaj të vazhdojnë t’i bëjnë çdo dy vjet.

Kontrollet për kancerin e zorrës së trashë fillojnë në moshën 45 vjeç, dhe megjithëse gratë kanë disa mundësi për kontrollet e kancerit kolorektal, mënyra më e mirë për parandalim është me kolonoskopi, thotë Rajeev Jain, një gastroenterolog në Texas Digestive Consultants në Dallas. “Ndoshta 90% e vdekjeve nga kanceri kolorektal janë të parandalueshme nëse do t’i kishim kontrolluar në mënyrë të duhur dhe do të kishin bërë një kolonoskopi të cilësisë së lartë”, thotë ai.

Të 50-at

Dekada e pestë e jetës së grave zakonisht dominohet nga menopauza.

Duke filluar në një moshë mesatare prej 51 vjeç, menopauza ndodh kur një grua nuk ka pasur menstruacione për të paktën një vit. Menopauza dhe perimenopauza, periudha nga fillimi i simptomave deri në ndalimin e menstruacioneve, përfshijnë ndryshime në pothuajse çdo sistem brenda trupit të një gruaje.

“Rrugëtimi i çdo personi do të jetë ndryshe”, thotë Asima Ahmad, një specialiste e endokrinologjisë riprodhuese dhe fertilitetit dhe shefe e mjekësisë në Carrot Fertility, por ndër ndryshimet që gratë mund të përjetojnë më së shumti janë vështirësitë në gjumë, valët e nxehtësisë, djersitjet gjatë natës, lodhja, metabolizmi i ngadalësuar, ndryshimet e humorit, thatësia vaginale, shtimi në peshë, dhimbjet e kokës, ndryshimet në dëshirën seksuale dhe problemet me përqendrimin.

Dy nga këto simptoma, valët e nxehtësisë dhe djersitjet gjatë natës, mund të jenë tregues të një kërcënimi tjetër të madh për shëndetin e grave në të 40-at, si sëmundjet e zemrës. Gratë nën moshën 60 vjeç që kanë një numër dhe intensitet më të madh të valëve të nxehtësisë dhe djersitjeve gjatë natës kanë gjithashtu një rrezik më të madh për infarkt të zemrës ose goditje në tru.

Të 60-at

Shëndeti i zemrës duhet të vazhdoj të jetë fokusi për gratë që hyjnë në moshën 60 vjeç dhe më tej. Një dietë e shëndetshme, aktivitetet aerobike dhe ushtrimet për forcimin e muskujve, të cilat gjithashtu mbrojnë eshtrat tuaja në momentet kur fillojnë të dobësohen, mbeten pjesët kyçe për mbrojtjen e zemrës dhe trurit. Por është gjithashtu e rëndësishme të njihni një infarkt nëse ndodh.

“Gratë shpeshherë kanë frymëmarrje të shkurtër, që shoqërohet me dhimbje në gjoks, dhimbje në kurriz, dhe një lodhje që është e lehtë për t’u injoruar”, thotë Rosen. “Nëse diçka nuk është në rregull, kontrollohuni sepse kjo periudhë fillon të bëhet e rrezikshme për gratë”.

Një pjesë tjetër e rëndësishme e trupit që meriton vëmendje është pelvisi. Ndoshta keni dëgjuar se duhet të “bëni ushtrimin Kegel”, por shumë gra nuk e kuptojnë plotësisht sa e rëndësishme është shtrëngimi i muskujve pelvik. Muskujt pelvik mbështesin fshikzën, mitrën dhe zorrët, dhe përforcojnë hapësirat vaginale, uretrale dhe anale. Me kalimin e moshës, dhe veçanërisht nëse keni pasur shtatzëni, këta muskuj gradualisht mund të dobësohen, duke rritur rrezikun e rënjës së organeve pelvike. Rreziku bëhet edhe më i madh pas menopauzës, me humbjen e estrogenit.

Rënia e organeve pelvike, ku një apo më shumë organe pelvike shtrihen në vaginë, ndodh në gjysmën e grave, dhe mospërmbajtja urinare që lidhet me dobësimin e muskujve pelvik është arsyeja kryesore për të cilën gratë hyjnë në shtëpitë për të moshuar, thotë Rabin. Por ju mund të bëni ushtrime për të forcuar këto muskuj.

“Unë rekomandoj që njerëzit të ushtrojnë forcën e muskujve pelvik çdo dekadë të jetës së tyre, dhe kështu, nëse e mbajnë atë sa më të fortë të jetë e mundur, ata kanë më pak gjasa të kenë rënie të organeve dhe mospërmbajtje urinare”, thotë Rabin.

Nëse të gjitha këto rekomandime ju duken shumë, përqendrohuni në një gjë fillimisht. Askush nuk mund të ndryshojë zakonet brenda një nate, por çdo ndryshim pozitiv është një hap drejt një jete më të shëndetshme.

Tara Haelle

E përktheu: Anita Vllahiu

Shkrimin origjinal mund ta gjeni në: https://www.nationalgeographic.com/science/article/health-challenges-women-adulthood-20s-30s-40s-50s-60s?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTAAAR31nBNuD3mtlPOX3yPtraT13rZTDlDIG9PcGm8yrcpGIfqoj6rTIW4h548_aem_3YF9wzzKjp-ZG3ycYJe0wg