Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Shumë pak gra kanë mundësinë të shpikin – kjo përbën problem për shëndetin e grave

QIKA 8.7.2021

Linda Griffith, profesore në MIT dhe bursiste e programit McArthur, ka ndërtuar një karrierë të mahnitshme si shkencëtare dhe shpikëse. Një ndër shpikjet e saj përfshin edhe rritjen e veshit të njeriut në një mi. Ajo tani i kalon ditët e saj duke analizuar mekanizmat biologjikë që qëndrojnë në thelb të endometriozës, një sëmundje që shkakton rritjen e indeve të ngjashme me mitrën, jashtë mitrës. Endometrioza mund të shkaktojë dhimbje tejet të rënda, por njëkohësisht diagnostifikohet gabimisht dhe keqkuptohet rregullisht nga mjekët. Kjo sëmundje ka ndikuar jetën e Griffith si dhe jetët e mbi 6 milion grave të tjera në Sh.B.A.

Kërkimet dhe shpikjet e Griffith kanë potencialin të përmirësojnë në mënyrë drastike shëndetin e grave. Mirëpo ekziston një problem. Griffith është grua. Në vitin 2020, gratë përbënin vetëm 12.8% të shpikësve amerikanë që morën patenta dhe historikisht studiuesit burra kanë injoruar tema si endometrioza.

Studiuesit burra kanë tentuar të minimizojnë apo edhe të lënë pas dore plotësisht nevojat mjekësore të grave. Rezultati është se inovacioni është përqendruar kryesisht në ato çështje që burrat zgjedhin t’i hulumtojnë. Në një studim të ri, unë dhe kolegët e mi John-Paul Ferguson dhe Sampsa Samila ilustrojmë që shpikjet e patentuara biomjekësore në Sh.B.A të krijuara nga gratë kanë 35% më shumë gjasa të jenë më përfituese për shëndetin e grave sesa shpikjet biomjekësore të krijuara nga burrat.

Numrat që po shfaqin paragjykimet

Për të përcaktuar se cilat shpikje janë të përqendruara në gra, në burra apo janë neutrale, ne analizuam titullin, abstraktin dhe fillimin e tekstit përmbledhës nga 441,504 patenta mjekësore duke përdorur Indeksuesin e Tekstit Mjekësor të Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë. Indeksuesi përdor të mësuarit makinerik për të kategorizuar temën e tekstit te dokumentit, përfshirë nëse ai ka fokusin në gra apo burra.

Të dhënat tona zbulojnë se shpikjet nga ekipet kërkimore që janë kryesisht ose tërësisht të përbëra nga burrat kanë më shumë gjasa të përqendrohen në nevojat mjekësore të burrave. Në vitet 1976-2010, ekipet me shumicë burra prodhuan qindra më shumë shpikje të përqendruara në nevojat e burrave sesa ato të përqendruara në nevojat e grave. Këta shpikës burra kishin më shumë gjasa të gjeneronin patenta që adresonin tema të tilla si “ereksioni” ose “prostata” sesa “menopauza” ose “qafa e mitrës”. Shpikësit burra gjithashtu synuan të adresojnë sëmundje dhe gjendje si Parkinsoni dhe apnea e gjumit që prekin në mënyrë disproporcionale burrat.

Përfaqësim i pabarabartë  në shpikje

Në anën tjetër, shpikjet e patentuara nga ekipet kërkimore që janë kryesisht ose tërësisht të përbëra nga gratë, kishin më shumë gjasa të përqendroheshin në nevojat e grave në 35 vitet e fundit. Këto patenta kanë më shumë gjasa të adresojnë çështje si kanceri i gjirit dhe preeklampsia pas lindjes dhe sëmundje tjera që prekin në mënyrë disproporcionale gratë si fibromialgjia dhe lupusi. Sidoqoftë, në vitin 1976 vetëm 6.3% e patentave u shpikën nga ekipe me po aq gra sa burra. Deri në vitin 2010 kjo shifër ishte rritur në vetëm 16.2%. Si rezultat, përderisa shpikjet nga gratë kishin më shumë gjasa të ishin të përqendruara tek gratë, patentat e tilla ishin të pazakonta sepse kishte shumë pak shpikëse gra.

Ne zbuluam se nëpër ekipet e shpikësve të të gjitha përzierjeve gjinore, shpikja biomjekësore nga viti 1976-të deri në vitin 2010-të u përqendrua më shumë në nevojat e burrave sesa grave. Llogaritjet tona sugjerojnë që nëse shpikësit burra dhe gra do të ishin përfaqësuar në mënyrë të barabartë gjatë kësaj periudhe, do të kishte pasur edhe 6,500 shpikje më shumë të përqendruara tek gratë. Në terma përqindjeje, përfaqësimi i barabartë do të kishte çuar në 12% më shumë shpikje të përqendruara tek gratë.

Identifikimi i nevojave të grave

Ka edhe përfitime tjera kur më shumë gra shpikin. Shpikëset gra kanë më shumë gjasa të identifikojnë sesi trajtimet ekzistuese për sëmundjet specifike si sulmet në zemër, diabeti dhe goditja në tru mund të përmirësohen dhe përshtaten për nevojat e grave. Në të vërtetë, gratë kanë më shumë gjasa të analizojnë nëse idetë dhe shpikjet e tyre ndikojnë ndryshe tek burrat dhe gratë: për shembull, nëse një ilaç ka më shumë efekte anësore tek gratë sesa tek burrat.

Në studimin tonë, ne zbuluam se edhe brenda zonave të ngushta të sëmundjes si dridhjet atriale, gratë kanë më shumë gjasa të shohin mundësi për të synuar shpikjet e tyre për nevojat specifike shëndetësore të grave. Rezultatet tona sugjerojnë që përfaqësimi në rritje duhet të adresojë këto paragjykime të padukshme.

Numri në rritje i grave shpikëse ka filluar të mbyllë hendekun. Në tre nga pesë vitet nga viti 2006-të deri në vitin 2010-të, SH.B.A. dha më shumë patente të përqendruara tek gratë sesa tek burrat. Në fakt, që nga viti 2010-të, ka pasur një sukses në fillet e themelimit nga gratë që krijojnë produkte të reja, duke filluar nga llojet e reja të të mbrendshmeve deri tek pompat e gjirit.

Rikujtoni hapësirat

Rritja e përqindjes së shpikseve që janë gra është e rëndësishme për përmirësimin e kujdesit shëndetësor të grave, por thjesht rritja e numrit të grave shkencëtare nuk është e mjaftueshme. Gjithashtu duhet përmendur që shkencëtaret gra kanë 40% më pak gjasa të komercializojnë idetë e tyre kërkimore sesa shkencëtarët burra. Shkaqet e këtij hendeku gjinor janë të panumërta, nga ndryshimet në mentorim deri tek paragjykimet ndaj grave në fazë të hershme kur përpiqen të komercializojnë idetë e përqendruara tek gratë.

Pavarësisht nga shkaqet themelore, rezultati është që përderisa gati 33% e zbulimeve shkencore të botuara u prodhuan nga ekipet kërkimore shumicë gra në vitin 2010-të, vetëm 16.2% e patentave u shpikën nga ekipet që  ishin me shumicë gra në të njëjtin vit. Ashtu si me shpikjen, ne erdhem në përfundim se zbulimet shkencore nga shkencëtare gra, të matura nga punimet e botuara shkencore, kanë 12% më shumë gjasa të jenë të dobishme për gratë sesa zbulimet nga burrat. Të paktën në terma afatshkurtër, ndihma për shkencëtaret gra që të komercializojnë kërkimet e tyre aktuale  do të rrisnin numrin e grave shpikëse dhe numrin e shpikjeve të përqendruara tek gratë.

Në përgjithësi, zbulimet tona nxjerrin në pah se si pabarazitë demografike tek shpikësit çojnë në pabarazi demografike tek përfituesit. Hulumtime të fundit tregojnë se pacientet e zi përfitojnë nga rritja e numrit të mjekëve të zi. Në përgjithësi vërehen ndryshime pozitive kur mjekët nga radhët e pakicave kujdesen per pacientë që janë poashtu pakica. Kjo sugjeron që bota nuk ka nevojë vetëm për më shumë shpikës si Griffith e MIT, por edhe më shumë shpikëse si Dr. Patricia Bath, gruaja e parë e zezë që ka marrë një patentë mjekësore në SHBA. Shpikja e Bath, një trajtim me lazer për të hequr kataraktat, u frymëzua nga vëzhgimi i saj se amerikanët e zi kishin dy herë më shumë gjasa se amerikanët e bardhë të vuanin nga verbëria.

Qoftë në bazë të gjinisë apo racës, paragjykimet në atë se kush mund të kryej kërkime dhe të komercializojë shpikjet është më shumë sesa çështje e përfaqësimit. Nga kjo gjithashtu përcaktohet se kush përfiton më shumë nga ky progres.

Rem Koning

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://theconversation.com/too-few-women-get-to-invent-thats-a-problem-for-womens-health-162576?fbclid=IwAR1AIkfWAhIKyA7SAONGnkzUFTa4m4T4GCCzo9uUC37AY9846gietBz0poM