Legjislacioni Roe kundër Wade është i sigurt që do të përmbyset, gjë që mund t’a bëjë abortin të paligjshëm në gati gjysmën e shteteve të SHBA-së. Nëse kjo gjë ndodh, faktet historike tregojnë se jo vetëm që kjo do të prekë gratë personalisht, por do të rrezikojë edhe jetën e tyre profesionale.
Ky vendim, një draft i të cilit u zbulua në Politico në fillim të këtij muaji, ndikon në gjasat e një gruaje për të punuar, çfarë lloj pune ka, sa para fiton, madje edhe ëndrrat e shpresat që i ka për vete. Nga ana tjetër, karriera e një gruaje ndikon pothuajse në të gjitha aspektet e tjera të jetës së saj, duke filluar nga gjasat e saj për të jetuar në varfëri e deri te mënyra se si ajo e sheh veten.
Andaj, kriminalizimi i abortit mund të përmbysë progresin që gratë kanë bërë për dekada në fuqinë punëtore, gjë që ka efekte të shumta për rolin e gruas në shoqëri.
Siç thotë Caitlin Myers, një profesore e ekonomisë në Kolegjin Middlebury, ‘’Lindja e fëmijëve është vendimi i rëndësishëm ekonomik që shumica e grave marrin’’.
Ne e dimë të gjithë këtë për shkak të hulumtimeve të ndryshme se si ndalimet e abortit i dëmtojnë gratë – një hulumtim ky që Myers, së bashku me më shumë se 150 ekonomistë të tjerë, përshkroi në një përmbledhje miqësore për Gjykatën e Lartë në Dobbs kundër Jackson Organizatën e Shëndetit të Grave, rasting e Misisisipit, që me shumë gjasa do t’a përmbysë Roe kundër Wade. Përveç studimeve afatgjata që shikojnë në mënyrë specifike rezultatet e grave të cilat nuk ishin në gjendje të bënin një abort kundrejt atyre që e bënë, ka të dhëna edhe më të forta rreth efekteve negative shkakësore/kauzale të lindjes së fëmijëve tek gratë në përgjithësi.
“Kushdo që ka pasur fëmijë ose ka menduar seriozisht për të pasur fëmijë, e di se është shumë e kushtueshme për sa i përket kohës dhe parave,” tha Lindo, një profesor i ekonomisë në Universitetin e Teksasit. “Pra, sigurisht, kufizimet që e bëjnë më të vështirë për njerëzit që të kenë fëmijë ose të rrisin numrin e fëmijëve që ata kanë, do të ndikojnë seriozisht në karrierën e tyre dhe rrethanat e tyre ekonomike.”
Edhe pse mungon ndalimi kombëtar, masat shtetërore kundër abortit kanë qenë një barrë e madhe për gratë dhe shoqërinë në përgjithësi. Instituti për Kërkimin e Politikave të Grave (IKPG) vlerësoi se kufizimet në nivel shtetëror u kanë kushtuar ekonomive 105 miliardë dollarë në vit në uljen e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, uljen e të ardhurave, rritjen e qarkullimit dhe pushimin e grave në moshë të mirë pune.
Ndalimi i abortit nuk do t’i prekë të gjitha gratë në mënyrë të barabartë. Myers thotë se në rajonet e vendit ku aborti është i ndaluar dhe ku distancat e udhëtimit do të rriten për gratë që të mund të abortojnë, rreth tre të katërtat e grave që kërkojnë të abortojnë do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Kjo do të thotë se afërsisht një e katërta e grave atje – sipas Myers, “gratë më të varfra, më të cenueshme, më të prekura/brishta financiarisht në një zonë të gjerë të Deep South dhe Midwest” – nuk do të marrin shërbimet e tyre të kujdesit shëndetësor.
Përderisa SHBA përballet me një mungesë të vazhdueshme të fuqisë punëtore, vendimi i pritshëm i Gjykatës së Lartë do të përkeqësojë situatën dhe me shumë gjasa do të ndryshojë përvojën e grave në fuqinë punëtore për vitet me radhë që do të vijnë.
1) Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore mund të ulet
E drejta për abort është një forcë kryesore që ka nxitur pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore. Në nivel kombëtar, normat e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore janë rritur nga rreth 40% përpara se Roe kundër Wade të miratohej në 1973, në gati 60% përpara pandemisë (pjesëmarrja e burrave ishte gati 70% në atë kohë). Ndalimet e abortit mund të pengojnë apo edhe të ndryshojnë disa prej këtyre përfitimeve.
Sipas të dhënave nga Studimi Turnaway, profesorja e Universitetit të Kalifornisë në San Francisko, Diana Greene Foster dhe studiuesit e tjerë zbuluan se gjashtë muaj pasi atyre iu mohua një abort, gratë kishin më pak gjasa për t’u punësuar me kohë të plotë në krahasim me ato që kishin bërë një abort. Ky ndryshim mbeti i rëndësishëm për katër vjet pasi këtyre grave iu mohua aborti, një hendek që mund të ndikojë në perspektivat e tyre të punësimit edhe më shumë në të ardhmen.
2) Nivel më të ulët arsimor
Normat e arsimimit janë themelore për perspektivat e karrierës dhe pagës. Një studim i vitit 1996 nga Joshua Angrist dhe William Evans shqyrtoi shtetet që liberalizuan ligjet e abortit përpara Roe kundër Wade dhe zbuloi se e drejta e abortit çon në norma më të larta në arsim dhe në rezultate në tregun e punës. Profesorja e ekonomisë e Universitetit Amerikan, Kelly Jones, përdori të dhënat e rregullores shtetërore të abortit për të përcaktuar se e drejta ligjore e abortit për gratë e reja që kanë mbetur shtatzënë, rriti arritjet e tyre arsimore për gati një vit dhe gjasat e tyre për të përfunduar kolegjin me rreth 20 pikë përqindjeje. Provat drejtohen/janë të shtyra kryesisht nga ndikimet tek gratë e reja të zeza.
Hulumtime të tjera nga Jones dhe Mayra Pineda-Torres zbuluan se ekspozimi i thjeshtë ndaj kufizimeve të synuara për ofruesit e abortit, ose ligjet e TRAP-it, reduktuan gjasat e adoleshentëve të rinj të zinj për të ndjekur ose përfunduar kolegjin. Nga ana tjetër, arsimi i ulët ndikon për cilat punë janë të kualifikuara gratë.
3) Llojet e punëve që gratë marrin do të jenë më të kufizuara
Të kesh fëmijë ndikon ndjeshëm në llojet e punëve që marrin gratë, shpesh duke i drejtuar ato drejt punëve me kohë të pjesshme ose në profesione me pagë më të ulët. Përderisa një ndalim më i gjerë i abortit është në horizont/ardhje e sipër, shumë shtete kanë miratuar tashmë ligje të TRAP-it që e bëjnë më të vështirë kryerjen e një aborti. Ky legjislacion ka ofruar gjithashtu një eksperiment të natyrshëm për studiues si Kate Bahn, krye-ekonomiste në qendrën kërkimore jofitimprurëse të Uashingtonit për Rritje të Barabarta, e cila zbuloi se gratë në këto shtete kishin më pak gjasa të kalonin në profesione më të paguara.
“Ne dimë shumë nga kërkimet e mëparshme mbi zgjerimin fillestar të pilulave të kontrollit të lindjes dhe kujdesit për abortin në vitet ’70 se, kur gratë kanë pak më shumë siguri mbi planifikimin e tyre familjar, ato thjesht bëjnë zgjedhje ndryshe,” tha Bahn për Recode.
Kjo mund të çojë në më shumë ndarje profesionale – mbi përfaqësimi i grave në fusha të caktuara si kujdesi shëndetësor dhe mësimdhënia, për shembull – që redukton pagat në ato fusha, edhe kur merret për bazë arsimi, përvoja dhe vendndodhja.
4) Të gjitha këto më lart kanë ndikim negativ në të ardhurat
Zvogëlimi i vendeve të punës për gratë, shpenzimi i kohës jashtë fuqisë punëtore, edukimi më i ulët – të gjitha këto dëmtojnë pagën e grave, e cila edhe tashmë është mesatarisht më e ulët se ajo e burrave.
Një punim nga ekonomisti Ali Abboud që konsideronte shtetet ku aborti ishte i ligjshëm përpara Roe kundër Wade zbuloi se gratë e reja që kishin një abort për të vonuar një shtatzëni të paplanifikuar për vetëm një vit, kishin një rritje prej 11 për qind në pagat për orë në krahasim me mesataren. Hulumtimi i Jones zbuloi se e drejta ligjore e abortit për gratë e reja shtatzëna rriti gjasat e tyre për të hyrë në një profesion profesional me 35 pikë përqindjeje.
IKPG vlerëson se nëse kufizimet ekzistuese të abortit do të hiqeshin, gratë në të gjithë SHBA-në do të fitonin mesatarisht 1600 dollarë më shumë në vit. Të ardhurat e humbura nuk prekin vetëm gratë që kanë shtatzëni të padëshiruara, por edhe familjet e tyre dhe fëmijët që ato tashmë i kanë. Nga ana tjetër, të ardhurat ndikojnë në normat e varfërisë jo vetëm tek gratë që duhet të kalojnë shtatzëninë e padëshiruar, por edhe fëmijët e të tyre.
5) Mungesa e së drejtës për abort kufizon synimet e grave për karrierë
Në mënyrë të fshehtë, mungesa e së drejtës për abort kufizon seriozisht shpresat e grave për karrierën e tyre. Duke u bazuar në hulumtimin e ekipit të saj në Studimin Turnaway, Foster zbuloi se gratë që nuk ishin në gjendje të bënin një abort të dëshiruar kishin shumë më pak gjasa të kishin synime njëvjeçare në lidhje me punësimin sesa ato që kishin, me gjasë sepse ato synime do të ishin shumë më të vështira për t’u arritur kur ato kujdeseshin për një të porsalindur. Ato gjithashtu kishin më pak gjasa të kishin synime aspiruese njëvjeçare ose pesëvjeçare në përgjithësi.
Kufizimi i autonomisë së grave mbi të drejtat e tyre riprodhuese përforcon statusin e pabarabartë të grave në mënyra që janë sa konkrete aq dhe kalimtare, tha për Recode C. Nicole Mason, presidente dhe CEO e IKPG.
“Kjo është një ndjenjë shumë psikike, emocionale, psikologjike – të ndjesh dhe të kuptoj se barazitë e mia, të drejtat e mia, janë më pak se homologët e tjerë burra,” tha ajo. “Ligji po e bën të tillë. Gjykata Supreme po e bën këtë.”
Rani Molla
Përktheu: Arianita Kqiku
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.vox.com/recode/23074696/abortion-illegal-supereme-court-women-work?fbclid=IwAR0RazHWe2FlEFdaZ5DwJQIKZX6VbCanWyGGfyb5C1V8ONJYxPNsBbWGCNM