Hulumtimet e fundit përshkruajnë agoninë dhe tërbimin e të qenurit një mirëmbajtëse e shtëpisë ose dado me pagë të ulët. Por jo të gjithë arrijnë të identifikojnë kapitalizmin si fajtor.
Në vitet e 70ta, një grup feministesh që bashkëpunonin nën sloganin “Pagë për punët e shtëpisë” (përfshirë Selma James, Silvia Federici dhe Mariarosa Dalla Costa) dolën me një thënie jashtëzakonisht të saktë për të përcjellë këndvështrimin e tyre mbi punët e shtëpisë të kryera nga kaq shumë gra: “Ata thonë se është dashuri. Ne themi se është punë e papaguar.” Me sa duket, ato nuk e mohuan se punët e shtëpisë pa pagesë mund të ishin një manifestim i dashurisë. Përkundrazi, lëvizja Pagë për Punët e Shtëpisë argumentoi se “asgjë nuk e shtypë jetën tonë në mënyrë kaq efektive sesa shndërrimi i aktiviteteve dashamirëse në punë që i shërben kapitalizmit”. Me fjalë të tjera, problemi qëndronte tek fakti se kujdesi ndaj familjes nën kapitalizëm shprehej si dëshirë e natyrshme e grave, ndërsa në të njëjtën kohë ishte punë që i ngulfatë ato.
Fakti që “ata” – shefat, bashkëshortët, baballarët – në të vërtetë nuk e kanë “gabim” në lidhje me këtë, ilustron fshehtësinë e dhunës që gratë ndeshen në sferën e familjes. Është arsyeja që punëtoret shtëpiake të paguara dhe të papaguara, nënat e paguara dhe të papaguara, ende duhet të luftojnë vetëm për t’u parë si punëtore. Edhe pse të qenit i njohur si punëtor mbetet vetëm një pararendës për fundin e shfrytëzimit të tyre dhe, si rrjedhojë, fillimin e njohjes së një forme të re dhe të ndryshme dashurie.
Nën kapitalizëm, paga për punët e shtëpisë e perceptuar si “dashuri” shpesh i shërben interesave të klasës në pushtet, sepse mund të përdoret për të ulur pagat apo edhe t’i hequr ato në tërësi. Urdhri gjinor për t’u kujdesur “për dashurinë e jo për paranë” errëson aspektet e mprehta, të përsëritura, të padukshme, që harxhojnë energji dhe kufizojnë punën e përfshirë në ndërtimin e hapësirave familjare të çdo lloji. Parimi se disa gjëra “nuk duhet të shiten” bëhet një mënyrë për të maskuar realitetin që, kudo, në çdo rrugë, është bërë për të justifikuar pagimin e ulët ose mospagimin e atyre që bëjnë “shitjen”.
Kështu, lëvizja Pagë për Punë të Shtëpisë, e cila ishte ndërkombëtare, por kishte lidhje veçanërisht të forta me New Yorkun dhe Italinë, nuk ishte aspak për punët e shtëpisë. Përkundrazi: këto feministe ishin kundër saj, kundër pagave dhe kundër gjithë punës kapitaliste për këtë çështje. Platforma e tyre – e cila u riformulua dhe u sqarua nga Federici me formulën “pagë kundër punëve të shtëpisë” – ishte në këtë kuptim shumë larg kërkesës tashmë në rritje që të “vlerësojmë” punën e kujdesit dhe t’i japim “dinjitet” punëve të shtëpisë.
Lëvizja Pagë për Punë të Shtëpisë, shprehte se puna shtëpiake në kapitalizëm ishte thellësisht në mospërputhje me “dinjitetin”. Prandaj, çfarëdo përmirësimi nuk do të arrinte kurrë në qendër të problemit, domethënë që gratë do të jenë gjithmonë të ngulitura në këtë punë, sepse kapitalizmit i duhen ato për të kryer gatimin, pastrimin, strehimin dhe fërkimin e këmbëve, të cilat u mundësojnë punëtorëve të vazhdojnë të punojnë çdo ditë e më shumë, ditë pas dite, ndërsa kapitalizmi gjeneron mbivlerën e përfitimeve. Në vend që ta quajnë këtë punë të pavullnetshme “dashuri”, feministet marksiste e identifikuan atë si riprodhim social dhe Pagat për Punët e Shtëpisë refuzuan nocionin se familja, më shumë se fabrika, është “e natyrshme”. Në të kundërt, perspektiva mbizotëruese e sotme, siç shprehet nga Aleanca Kombëtare e Punëtorëve të Shtëpisë, kërkon të përmirësojë kushtet në mënyrë që familja private, me ushtrinë e saj të punëtorëve të paguar dhe të papaguar, të mund të mbijetojë dhe kështu të vazhdojë të krijojë vende pune “dinjitoze”.
Të gjitha këto ndërlidhen me fantazinë e kultivuar ndër shekuj – tek e fundit ne po flasim për dashuri, ose të paktën atë që ne e mendojmë si dashuri. Që nga Hirushja, evropianët dhe amerikanët kanë romantizuar përrallat se si “shërbëtoret” e varfra janë ngritur nga toka dhe janë bërë “zonja”. Natyrisht që këto përralla kodojnë lotarinë e logjikës; po sikur, po sikur të më zgjidhte Princ Fisteku dhe unë të mund t’i shpëtoja kësaj haleje? – si dhe ankthin e konsiderueshëm për mosmarrëveshjet.
Nuk është për tu çuditur që industria botuese edhe sot e kësaj dite vazhdon të prodhojë mjete për këtë fantazi konservatore në letërsi dhe memoare. Fantazia romantike mbetet e pandashme nga fantazia klasore. Nuk do të ndalet derisa të hiqet priza, nga poshtë, në komplotin e dashurisë – romancën shtëpiake – të klasës.
Tani për tani, dalloj vetëm gjëmime dhe gurgullima. Konsideroni tre librat më të shitur të kohëve të fundit për punët e kujdesit, të gjitha të bazuara në ngjarje reale, këndvështrimet përkatëse të të cilëve formojnë një lloj trekëndëshi – shërbëtore engjëllore, zonja fajtore dhe një qëndrim tregimtar imagjinar i vendosur midis zonjës dhe dados djallëzore.
Në episodin hapës të mini-serialit të Netflix, Shërbëtorja (Maid), përshtatur nga kujtimet e Stephanie Land të vitit 2019 – puna e vështirë, paga e ulët dhe vullneti i nënës për të mbijetuar – ku protagonistja e klasës punëtore Alex prezantohet si dikush që dëshiron, më shumë se çdo gjë, të punoj për familjet borgjeze dhe një jetë private të saj. Gjatë kohës kur Alex punon si pastruese, shfaqen një mori sekuencash – ku ajo mbyll sytë dhe fantazon veten me vajzën e saj në po atë ambient ku ajo është duke punuar (të keni parasysh një ambient të modeluar mjaft bukur nga klientët e saj) – dhe kjo e shpërfaqë atë si një heroinë; një proletare të pëlqyeshme meqenëse nuk paraqet kërcenim për borgjezinë. Vetëm në fantazitë e Aleksit ajo mbush fytyrën me tortë nga frigoriferi i dizajnuar i klientit të saj. Në realitet, ajo kategorikisht nuk vjedh – madje as ushqimin luksoz që është urdhëruar të fusë në koshin e plehrave. Xhirimet e marra të cilat shfaqin fytyrën e Alex nga afër, na rikujtojnë pamje të ngjashme të shfaqura në serialin “The Handmaid’s Tale”, vetëm se Alex shpërfaqet si një personalitet që kryesisht vuan. Ajo nuk inkubon asnjë hakmarrje.
Se fundmi, bota letrare është afër të pranoj se ka egërsi, errësirë, dëshpërim dhe zemërim në zemrat e atyre që kanë për detyrë të kujdesen për punët në kuzhinë dhe fëmijët e vegjël. Kjo është e vërtetë për ata që janë të punësuar për të bërë këtë punë, dhe është e vërtetë për ata që i punësojnë gjithashtu.
Pasi u nda nga i dashuri i saj banakier dhe shtëpia e tij e lëvizshme, protagonistja e mini-serialit Maid, nënshkroi kontratë si bashkëpunëtore në Value Maids, një biznes i udhëhequr në një kontejner magazinimi pas një lavanderi në Uashington. Pasi la të dashurin e saj, ajo dhe vajza e saj Maddy jetojnë fillimisht në makinën e saj, më pas në dyshemenë e një terminali tragetesh dhe më në fund në strehimore të grave. Një punonjëse sociale e referon atë për punë dhe strehim në strehimore të grave. Megjithatë, kjo ishte mjaft e vështirë për Alex, meqenëse asaj iu desh kohë ta kuptoj se ishte abuzuar nga ish i dashuri i saj. Modestia e Aleksit për të menduar për veten si viktimë – ose partnerin e saj si dhunues – është zemërthyese dhe pasqyron një realitet shumë të zakonshëm.
Alex pranon punën e parë për të pastruar në një shtëpi të një gruaje me ngjyrë ultra pasanike, e cila e urdhëron të renë zemërbutë të ngrihet në këmbë vetëm pak sekonda pasi i ka rënë të fikët nga uria. Më pas ajo refuzon t’i paguajë Alexit 37,50 dollarët që i detyrohet. Megjithatë, në kontrast të dukshëm me shumë histori rreth punëtoreve të keqtrajtuara, Aleksi nuk ushqen asnjë ndjenjë hakmarrëse, asnjë urrejtje, e as ndonjë fantazi hakmarrjeje.
Madje edhe kur shoqja e saj nga strehimorja e motivon atë që të hakmerret duke ia kidnapuar qenin e zonjës që nuk e pagoi, Alex rrëfen krimin menjëherë – ani pse ajo arrin që ta mallkoj atë duke i thënë “Fuck yourself” – ia lë qenin por duke mos ia kërkuar fare pagën e saj të vjedhur. Kurse nga fundi i serialit, kjo zonjë bëhet pseudo-mikja, shpëtimtarja dhe dashamirësja e Aleksit, duke i ofruar asaj bashkëpunim me një kolege elitare, një avokat që e nxjerr Aleksin nga beteja e kujdestarisë së saj.
Rrëmbimi i qenit – për pesë minuta – për të zhvatur rrogën tuaj nga një milionere: Çfarë ju bën kjo? Ndoshta duhet të mendojmë si një kodër të rrëshqitshme. Është shumë më mirë të jesh simpatik ndaj klasës sunduese të cilës i shërben: Alex e dëgjon pafundësisht dhimbjen ekzistenciale të Rexhinës – ajo ka shpenzuar 300,000 dollarë për trajtime të pasuksesshme të fertilitetit teksa e kthen anash një triko kashmiri që e veshi gjersa punonte në Ditën e Falënderimeve. Kështu, njohja e begatshme, varka e ëndrrave, virtuozi i kujdesit dhe i dashuri i mundshëm i Alex, Nate, duhet të refuzohet prej saj me arsyetimin se nuk do të pranojë “bamirësi”. Alex nuk dëshiron lëmoshë. Ajo nuk do një burrë të pasur që siguron përkujdesjen për të. Ajo është një shembull i gruas së bardhë punëtore amerikane, sugjeron Netflix, dhe një nënë e përkushtuar me çmenduri.
Përderisa Maid, si në formatin e tij të librit ashtu edhe në atë televiziv, i shmangë lexuesit dhe shikuesit që të përjetojnë, qoftë edhe në kohë të shkurtër, kënaqësitë e hakmarrjes klasore, The Perfect Nanny nga Sliman dhe Women’s Work nga Stack ndajnë një preokupim të madh me potencialin e punëve të shtëpisë të brutalizuara.
Versioni i Netflixit, i cili ka trajtuar kujtimet e Landit në serialin Maid, trajton temën e abuzimit nga partnerit me ndjeshmëri të lartë dhe, ashtu si Stack, këmbëngul se solidariteti kolektiv feminist është gjithçka në luftën kundër dhunës në familje (dhe, si rrjedhojë, dhunës në familje). Por ruan gjithashtu strukturën e Maid-it si një histori Hirusheje, e kompletuar me njerkën e keqe, pa ofruar ndonjë reflektim të qartë mbi pasojat politike të përrallave të tilla.
Menjëherë pas arratisjes së Landit nga varfëria ajo vazhdimisht postonte në rrjete sociale se si, kur po pastronte tualetet, ajo kurrë nuk kishte ëndërruar se një ditë do të jetonte në një shtëpi të saj të madhe e të bukur. Tani, me të dhjetë episodet e Maid dhe me shtëpinë e madhe, duket se një zë pak më i sigurt – madje edhe më vetëkritik – ka filluar të depërtojë në intervistat e Landit. Ajo shprehë se historia e saj e jetës nuk ishte “miti i ëndrrës amerikane për të tërhequr veten nga fundi i tunelit. Unë pata një fat të jashtëzakonshëm dhe shumë nga ky fat erdhi prej privilegjeve që posedova.”
A duhet të ekzistojë puna e mirëmbajtesve/ësve? Është e paqartë se çfarë mendon Land. Pikëpamjet e saj politike, mbeten brenda fushëveprimit të kërkesave nga fushatat e sotme të punëtorëve shtëpiak në Shtetet e Bashkuara.
Ajo që nuk është e mundur – siç thonë autoret e Abolicionizëm. Feminizëm. Tani. (2022) – është reforma e marrëdhënies klasore neokoloniale që feministet kritike mbi racën të shekullit të njëzetë e quajnë “shtresëzimi” i punës riprodhuese. A lejohet që të bëhet temë diskutimi çështja e klasës nga mini-serialet Maid dhe Squid Game? Se si këto narrativa komerciale e mirëmbajnë pushtetin e borgjezisë pa e vënë asnjëherë në pikëpyetje!
Megjithatë, është e qartë se – nga kriza që puna e kujdesit gjatë COVID-19 ka nxjerrë në pah kaq fatalisht – pyetja mbizotëruese e ngritur në lidhje me famën e Maid është se si mund të bëhet një hulumtim më i thellë për të vënë në pah pozitën e punëtorëve të kujdesit. Me fjalë të tjera, jo vetëm për të, po për të gjitha “shërbëtoret” e tjera; çfarë ndodh me vetë institucionin e shërbëtorit? Thonë se është dashuri. Ne, së bashku, mund të këmbëngulim që një dashuri më e mirë se kjo është e mundur.
Sophie Lewis
Artikulli origjinal: https://www.bostonreview.net/articles/how-domestic-labor-robs-women-of-their-love/?fbclid=IwAR0m6NlD1Jrk4zihIN6HNSuxFcrwLl4ZRIIAzuhYeXhmmSMGIOuxb4DQI54
Ky artikull është përkthyer me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kudër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, ATRC dhe BIRN Kosova.