Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Sigurisht që Sindromi Paramenstrual ekziston. Por, pse nuk ka ende shërim?

QIKA 25.5.2021

Shkrimtari Frank Bures ngjalli polemika me artikullin e botuar në Slate të quajtur “A është Sindormi Paramenstrual (SPM) i vërtetë?”

Për rreth 75% të grave të grave me menstruacione që përjetojnë Sindromin Paramenstrual (SMP), pyetja në titull ishte e pakuptimtë dhe fyese. Sigurisht që SPM është i vërtetë, thanë shumë gra të cilat përjetojnë simptoma të tilla si ngërçet, fryrja e barkut, nervoza, lodhja dhe depresioni për çdo muaj. 

Argumenti i Bures nuk është aq i ngathët sa tituli. Ai citon hulumtime që sugjerojnë se SPM dhe çrregullimi disforik para menstrual i njohur si PMDD mund të jenë “të ndërtuara kulturalisht” sesa një pashmangshmëri rreptësisht biologjike. 

Hulumtimi që citon Bures është mjaft interesant. Duket se ka ndryshime ndërkulturore në mënyrën se si gratë raportojnë për përvojat e tyre me SPM gratë kineze raportojnë se janë më të ndjeshme ndaj të ftohtit, ndërsa gratë amerikane jo. Gratë amerikane raportojnë simptoma negative emocionale, ndërsa gratë kineze jo. Një studim zbuloi se gratë që mbështesin rolet tradicionale gjinore kanë tendencë të përjetojnë më shumë shqetësime menstruale. Një studim tjetër zbuloi se sa më gjatë që gratë e pakicave etnike të jetojnë në SHBA, aq më shumë ka mundësi të raportojnë për PMDD.

Por ky hulumtim nuk i përafrohet konkludimit të Bures se “nëse SPM është një sindrom, është me siguri sindrom kulturor”. Siç shpjegon obstetër-gjinekologia, Amy Tuteur, në një postim në blogun e saj si përgjigje ndaj Bures, “këto studime nuk tregojnë se SPM është e ndërtuar në mënyrë kulturore, thjesht mënyra se si gratë përjetojnë dhe flasin për simptomat e tyre mund të ndërmjetësohet kulturalisht. Fakti që reagimi ndryshon midis kulturave nuk është provë se sindroma në vetvete ekziston vetëm në mendjet e atyre që vuajnë.”

Sidoqoftë, Bures shpërfill faktorin më të rëndësishëm kulturor të të gjithëve kur bëhet fjalë për shëndetin e grave: tendenca jonë për të zvogëluar dhimbjen e grave dhe përvojat e tyre, si dhe për ti trajtuar nevojat e tyre si më pak urgjente sesa ato të burrave. Kjo mund të ndihmojë në shpjegimin pse SPM ka mbetur një mister i tillë mjekësor. 

Nevojat shëndetësore të grave merren seriozisht më pak krahasuar me ato të burrave:

Bures diskuton historinë e fjalës “histeri”, e cila për shekuj me radhë u përdor për të hedhur poshtë vuajtjet e grave duke i konsideruar ato të paarsyeshme, por ai nxjerr përfundime të gabuara prej saj. SPM nuk është, siç sugjeron Bures, një lloj ringjalljeje i mitit të vjetër se “mitra lëvizëse” e grave i bën ato të çmendura. Në vend të kësaj, ato mite shpjegojnë pse shqetësimet shëndetësore të grave të tilla si SPM shpesh injorohen. 

Studimet zbulojnë se mjekët nuk i marrin seriozisht raportimet e grave për dhimbje krahasuar me ato të burrave, kjo pikërisht si pasojë e paragjykimeve seksiste të tilla si gratë janë më emocionale dhe të paarsyeshme. Në një studim të pacientëve që shkuan në dhomën e urgjencës me dhimbje akute të barkut, burrat prisnin mesatarisht 49 minuta para se të ju jepeshin qetësues për dhimbjet, ndërsa gratë prisnin mesatarisht 65 minuta. 

Shkrimtari Joe Fassler shkroi një artikull të tmerrshëm për The Atlantic rreth asaj se si mund të duket SPM në praktikë. Gruaja e tij Rachel, kishte përdredhje të vezoreve, e cila është një urgjencë mjekësore që kërkon operacion. Por, kur shkuan në urgjencë Rachel kishte dhimbje torturuese dhe stafi nuk po e trajtonte atë si rast urgjent, ashtu siç ishte në të vërtetë. Rachel u diagnostikua me gurë në veshka nga një mjek burrë dhe iu deshën më shumë se 14 orë që një mjek tjetër (në këtë rast grua) të zbulonte gabimin dhe të fuste Rachel në operacion. 

Gjthashtu, gratë janë të nën përfaqësuara në provat mjekësore. Studiuesit shpesh nuk arrijnë të përfshijnë gratë, shpjegoi Taryn Hillin, sepse me pak fjalë, trupat e grave janë më të komplikuar sesa të burrave. Hormonet e tyre ndryshojnë gjatë cikleve të tyre menstruale, ata përdorin kontrollin hormonal të lindjes, mbeten shtatzënë dhe kalojnë nëpër menopauzë dhe këto luhatje mund të ndikojnë në mënyrën se si treten barnat. Pikërisht kjo është arsyeja pse është thelbësore të përfshihen më shumë gra në provat klinike, përndryshe mjekët nuk do të kenë ide se si ilaçe të caktuara mund të ndikojnë në trupin e gruas. 

John Guillebaud, profesor i shëndetit riprodhues në University College London, tregoi për The Quartz, se për disa gra dhimbja e menstruacioneve mund të jetë “pothuajse aq e keqe sa të kesh një sulm në zemër”. Në raportimin tonë, ne kemi biseduar me gra që kanë përjetuar emocione paramenstruale, dhimbje dhe depresion, sa që kanë ndërprerë punën dhe janë ndjerë sikur donin të bënin vetëvrasje çdo muaj. Megjithatë, shumë mjekëve u thuhet se ibuprofeni mjafton për të trajtuar SPM. “Burrat nuk e përdorin atë, prandaj nuk i është dhënë vëmendja e duhur”, tha Guillebaud.  

Pastaj ekziston fakti se çështjet shëndetësore të grave si kontrolli i lindjeve dhe aborti janë politizuar, shpesh trajtohen si eksperimente të të menduarit mbi konceptimin dhe moralin, në vend të shqetësimeve mjekësore që prekin trupat e vërtetë të grave. 

Kulturalisht ne jemi bërë indiferentë ndaj vuajtjeve të grave. Për shkak se burrat nuk përjetojnë SPM, ata nganjëherë nuk e kuptojnë thellësisht se pse kjo është e rëndësishme. Madje shumë gra janë rritur duke besuar se vuajtjet e tyre janë “natyrore” apo “të tilla siç janë”.

“A është SPM i vërtetë?” është pyetja e gabuar për tu bërë:

Për të qenë korrekt me Bures, shkrimtarët shpesh nuk zgjedhin titujt e tyre. Ai u përpoq disa herë në shkrimin e tij të shpjegonte që ai nuk mendon se gratë po krijojnë SPM. Vetëm se diçka është një “konstrukt shoqëror”, shkruan ai, “nuk do të thotë që ne nuk e përjetojmë atë, kjo thjesht do të thotë që simptomat tona “reale” fiziologjike mund të kenë rrënjë në mendjen tonë si dhe në trupin tonë.”

Por atëherë pse citohet rreth “reales”? Pse anektoda hapëse patronizuese për kohën kur gruaja e tij u zemërua (me të drejtë) me të për pyetjen që i bëri nëse gjendja e saj e keqe lidhej me menstruacionet e saj? Pse ekziston sugjerimi i çuditshëm që (PMDD) nuk është sëmundje e vërtetë mendore, sepse nuk i njohim “barnat” për të kuptuar saktësisht si ndikojnë në hormone? Në fund të fundit, DSM-5 është plot sëmundje mendore që mund të diagnostikohen vetëm bazuar në simptomat e tyre. 

Tuteur përdori një eksperiment të dobishëm të mendimit për të shpjeguar pse qëndrimi i Bures ishte i gabuar:

Imagjinoni sikur të pyesja nëse mosfunksionimi erektil është real ose nëse është konstrukt shoqëror. Do të shkruaja diçka të tillë si:

Mosfunksionimi erektil është pranuar gjerësisht të jetë një çrregullim i vërtetë dhe ekziston një industri e tërë e përkushtuar për ta trajtuar atë me gjithçka, nga ilaçet deri te pajisjet mekanike. Por, a pasqyron mosfunksionimi erektil shkaqet biologjike apo është krijim i kulturës sonë ambivalente seksuale dhe përqafimit të roleve tradicionale gjinore nga burrat? 

Ndoshta ju do të mendonit se isha i lajthitur. 

Si dikush që në të vërtetë ka (PMDD), unë (Emily) e di mirë se kjo është e vërtetë. Unë kam vështirësi me simptoma që varijojnë nga “sjellja të çrregullta” deri te “çaste të lodhshme” me të cilat përcaktoj kalendarin tim, dhe që zhduken në mënyrë të paparashikueshme disa ditë më vonë. 

Kështu funksionojnë çrregullimet paramenstruale. Sipas PubMed Health, gratë me SPM ndjenjë një sërë shqetësimesh fizike të tilla si dhimbje barku dhe ngërç, dhimbje shpine, dhimbje koke, fryrje të stomakut, shtim në peshë, dhimbje të gjirit dhe ndërprerje në gjumë dhe tretje. Simptoma më të këqija janë ato psikologjike të tilla si trishtimi, ankthi, nervoza, vetëvlerësimi i ulët dhe një ndjenjë e lodhjes. 

Simptomat psikologjike janë veçanërisht akute në rastet e (PMDD), të cilat i përjetojnë rreth një në njëzet gra. Pjesa më e pabesueshme është se pothuajse sapo fillojnë menstruacionet e një gruaje, simptomat zhduken në të shumtën e rasteve; niveli i energjisë rikthehet, dhimbjet dhe fryrja e barkut zhduken, dhe disponimi ngrihet përsëri. 

Simptomat nuk janë të njëjta për secilën grua, por gjithsesi shumë nga ne përjetojmë një kombinim të tyre. Pra, pyetja është se çfarë i shkakton ato, dhe si ti trajtojmë ato.

Shkaqet e (PMS) dhe (PMDD) janë ende një mister, por nuk janë nivele anormale të hormoneve:

Një gjë që Bures ka të drejtë: Në mënyrë zhgënjyese, shkencëtarët nuk i kuptojnë shkaqet e sakta të (PMS) dhe (PMDD) dhe pse disa gra vuajnë më shumë se të tjerat. Kjo mund të mos jetë aq befasuese kur e merr parasysh se si përgjithësisht hulumtimi mbi gratë është i nën-financuar. (Sipas ResearchGate, ka pesë herë më shumë studime mbi mosfunksionimin erektil sesa për (PMS).

Për një kohë, studiuesit menduan se shkaku mund të ishte niveli anormal i hormoneve, megjithëse ata tani janë distancuar nga kjo ide. 

“Kur krahasoni nivelet e hormoneve të grave të cilat përjetojnë SPM me ato që nuk e kanë këtë gjendje, ato janë praktikisht të mbivendosura”, tha Dr. Peter Schmidt, mjek dhe studiues, i cili ka studiuar për SPM dhe (PMDD) për dekada të tëra në Institutin Kombëtar të Shëndetit. Pra, nuk ka mungesë apo tepricë hormonale në këto gra, madje edhe ato gra qe përjetojnë (PMDD) më të rëndë.

SPM dhe (PMDD) janë të lidhura me ciklin menstrual dhe me hormonet në njëfarë mënyre. Kjo është arsyeja pse Dr.Barbara Levy, obstetër-gjinekologe me seli në Uashington DC, përshkruan SPM si “një përgjigje anormale ndaj hormoneve normale”. Në veçanti, ndryshimet në hormone mund të dërgojnë një sinjal në tru që nxit disponimin negativ. Pse ndodhë kjo mbetet ende një mister. 

Gjithashtu studiuesit nuk e kuptojnë pse ndryshimet normale në ciklin e një gruaje ndikojnë në disa gra më rëndë se të tjerat. Ata kanë marrë parasysh të gjitha aspektet; nivelet e stërvitjes, historikun e depresionit apo traumës, mungesën e vitaminave, indeksi i masës trupore dhe sigurisht niveli i hormoneve, dhe asnjë nga këto nuk garantojnë nëse një grua do të përjetojë (SPM, PMDD) apo asnjë simptomë para menstruacioneve. Disa studime kanë zbuluar se gjenetika mund të ndikojë, megjithatë hulumtuesit tani po studiojnë ndërveprimin mes faktorëve mjedisorë dhe gjenetik. 

Nuk ka shërim për PMS:

Sa i përket mënyrës së trajtimit të simptomave para menstruale, ka disa gjëra që mund të ndihmojnë gratë, megjithëse gjetja e ilaçit më të mirë zakonisht kërkon shumë prova dhe gabime, dhe këto qasje nuk do të ndihmojnë domosdoshmërisht të gjitha gratë. 

Disa gra mendojnë se ushtrimet në të shumtën e ditëve mund të jenë të dobishme, edhe pse hulumtimi në këtë fushë nuk është i saktë. Ka studime që sugjerojnë marrjen e anti-depresantëve SSRI vetëm në fazën luteale të ciklit për të zvogëluar simptomat e (PMS), por kjo mund të ketë efekte anësore. 

Disa gra kanë zbuluar se përdorimi i hapave për kontroll të lindjes ka zbutur dhimbjet e ciklit të tyre, por për të tjerat ky trajtim nuk qëndron aspak. Sipas PubMed Health, ka disa prova që suplementet dietike si piridoksina vitamina B6, kalciumi dhe ekstrakte të pemëve mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave. Sigurisht qetësuesit që jepen pa recetë të tillë si ibuprofen mund të ndihmojnë në zvogëlimin e dhimbjes nga menstruacionet.

Megjithatë, si linjë të parë të trajtimit, mjekët sugjerojnë të bëni të gjitha aktivitetet që bëni normalisht për të qenë të shëndetshëm; ti përmbaheni dietës së balancuar, të bëni sasi të konsiderueshme të gjumit, të shmangni alkoolin, kafeinën dhe sheqerin, si dhe të bëni ushtrime fizike. Por, për fat të keq këto praktika nuk zvogëlojnë simptomat te të gjitha gratë. 

Pra, në thelb, nuk ka asnjë “kurë” për (PMS), sepse nuk e dimë se çfarë e shkakton atë saktësisht. 

Hapi i parë për zgjidhjen e problemeve shëndetësore të grave është që ato të merren seriozisht:

Bures nuk është mjek apo gazetar mjekësor, ai është shkrimtar udhëtimesh që ka studiuar sëmundje të çuditshme që ndodhin vetëm në disa kultura, por jo në të tjera, të tilla si “sulmet e erës” në Kamboxhia ose vjedhja magjike e penisit në Nigeri, dhe i cili ka arritur në mënyrë të çuditshme në përfundimin se (PMS) mund të jetë një fenomen i ngjashëm. 

Megjithatë, shumë reagime për shkrimin e Bures u përqendruan në gjininë e tij. Këtu, përsëri ishte një burrë që përpiqej tu tregonte grave se ai i kuptonte më mirë çështjet e tyre sesa ato. Kjo është arsyeja pse u shpik fjala “mansplaining”, në fund të fundit është një çështje me të cilën gratë duhet të merren shumë shpesh. 

Duhet të ekzistojë një fjalë përtej “mansplaining” që përshkruan burrat të cilët u shpjegojnë grave për trupat e tyre. Diçka speciale vetëm për ta. – Jessica Valenti 

Në të vërtetë, nuk ka asgjë të gabuar nëse burrat raportojnë ose komentojnë për çështjet shëndetësore të grave. Shumë studiues të shëndetit të grave dhe gjinekologë me reputacion janë burra. Kemi nevojë për më shumë burra që do ti marrin seriozisht çështjet e grave duke punuar seriozisht për ti ndihmuar gratë në përmirësimin e jetës së tyre. 

Emily Crockett dhe Julia Belluz

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.vox.com/science-and-health/2016/11/29/13765740/is-pms-real-slate-research-cure