Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Viktimat e Epstein-it meritojnë më shumë vëmendje sesa e ashtuquajtura lista e klientëve të tij

QIKA 3.2.2026

Historia e Jeffrey Epstein-it ka hyrë dhe ka dalë nga titujt e lajmeve për vite me radhë, por në një mënyrë shumë të veçantë. Shumica e artikujve mediatikë shtrojnë një pyetje specifike: cilët burra të fuqishëm mund të jenë në listë?

Titujt përqendrohen te elitat e paidentifikuara dhe te kush mund të ekspozohet apo të turpërohet, në vend që të fokusohen te njerëzit, vuajtja e të cilëve e bëri këtë çështje të denjë për vëmendje publike: vajzat dhe gratë e reja që Epstein i abuzoi dhe i trafikoi.

Tani, historia po hyn në një fazë të re. Një gjykatës federal i ka dhënë autorizim Departamentit të Drejtësisë që të bëjë publike procesverbalet e jurisë dhe prova të tjera nga çështja për trafikim seksual ndaj partnerës së Epstein-it, Ghislaine Maxwell. Një gjykatë në Florida ka miratuar gjithashtu publikimin e dokumenteve të jurisë nga një hetim federal ndaj vetë Epstein-it, të gjitha në kuadër të Aktit të ri për Transparencën e Dosjeve Epstein. I miratuar në nëntor 2025, ky ligj i jep departamentit të drejtësisë 30 ditë kohë për të publikuar pothuajse të gjitha dosjet që lidhen me Epstein-in. Afati i fundit është 19 dhjetori.

Gazetarët dhe publiku po ndjekin me vëmendje për të parë se çfarë do të zbulojnë këto dokumente përtej emrave që tashmë i njohim dhe nëse lista e klientëve, për të cilën është përfolur prej kohësh, do të materializohet më në fund.

Paralelisht me këtë, ka pasur edhe një valë raportimesh të përqendruara te të mbijetuarat. Disa media, përfshirë CNN-in, kanë sjellë rregullisht në vëmendje të mbijetuarat e Epstein-it dhe avokatët e tyre, duke reaguar ndaj zhvillimeve të reja. Këto segmente janë një kujtesë se ekziston edhe një tjetër mënyrë për ta treguar historinë, një që i trajton gratë në qendër të çështjes si burime kuptimi dhe njohurie, e jo thjesht si prova të rënies nga piedestali i dikujt tjetër.

Këto rrëfime paralele zbulojnë një problem më të thellë. Pas kulmimit të lëvizjes #MeToo, debati publik mbi dhunën seksuale dhe mënyrën si raportohet për të ka ndryshuar dukshëm. Më shumë të mbijetuara flasin sot publikisht me emrin e tyre, dhe disa media janë përshtatur me këtë realitet. Megjithatë, konventat e mëparshme mbi atë që konsiderohet lajm, konflikti, skandali, figurat elitare dhe kthesat dramatike të një çështjeje, vazhdojnë të përcaktojnë se cilat aspekte të dhunës seksuale bëhen tituj dhe cilat mbeten në hije.

Ky tension ngre një pyetje thelbësore: në një rast ku ligji në masë të madhe lejon përmendjen e emrave të viktimave të dhunës seksuale, dhe ku disa të mbijetuara po kërkojnë shprehimisht të shihen dhe të dëgjohen, pse praktikat gazetareske kaq shpesh i fshehin emrat ose i trajtojnë viktimat si dytësore ndaj vetë historisë?

Çfarë lejon ligji dhe pse redaksitë rrallë e bëjnë këtë?

Gjykata e Lartë e SHBA-së ka vendosur në mënyrë të përsëritur se qeveria, në përgjithësi, nuk mund t’i ndëshkojë organizatat mediatike për publikimin e informacionit të vërtetë të nxjerrë nga dokumente publike, edhe kur ky informacion përfshin emrin e një viktime të përdhunimit.

Kur shtetet, në vitet 1970 dhe 1980, u përpoqën të penalizonin mediat që identifikonin viktimat duke përdorur emra që tashmë kishin dalë në dokumente gjyqësore ose raporte policore, gjykata vendosi se këto ndëshkime shkelin Amendamentin e Parë.

Redaksitë reaguan duke e forcuar përmbajtjen dhe vetëpërmbajtjen, jo duke e zbutur atë. Nën presionin e aktivisteve feministe, mbrojtësve të viktimave dhe stafit të tyre, shumë organizata miratuan politika kundër identifikimit të viktimave të dhunës seksuale, veçanërisht pa pëlqimin e tyre.

Kodet etike të gazetarisë sot u bëjnë thirrje gazetarëve të “minimizojnë dëmin”, të jenë të kujdesshëm në përmendjen e emrave të viktimave të krimeve seksuale dhe të marrin parasysh rrezikun e ritraumatizimit dhe stigmatizimit.

Me fjalë të tjera, ligji amerikan lejon atë që kodet etike të redaksive e dekurajojnë.

Si u bë anonimiteti normë dhe si e komplikoi #MeToo këtë praktikë

Për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, viktimat e përdhunimit përmendeshin rregullisht me emër në mbulimin mediatik në SHBA, një pasqyrim i normave të pabarabarta gjinore të kohës. Reputacioni i viktimave trajtohej si pronë publike, ndërsa burrat e akuzuar për dhunë seksuale portretizoheshin me simpati dhe në detaje.

Në vitet 1970 dhe 1980, lëvizjet feministe vunë në pah nënraportimin dhe stigmatizimin e fortë. Aktivistët ndërtuan qendra krize për persona të përdhunuar dhe linja telefonike ndihmëse, dokumentuan se sa rrallë rastet e dhunës seksuale çonin në ndjekje penale dhe argumentuan se, nëse një grua do të kishte frikë ta shihte emrin e saj në gazetë, ajo mund të mos raportonte kurrë.

Ligjvënësit miratuan “ligje mbrojtëse për përdhunimin” (rape shield laws), të cilat kufizuan përdorimin e historisë seksuale të viktimës në gjykatë. Disa shtete shkuan edhe më tej, duke ndaluar publikimin e emrave të viktimave.

Si reagim ndaj këtyre ligjeve, por edhe ndaj presionit feminist, shumica e redaksive deri në vitet ’80 kaluan drejt një rregulli standard: mos-përmendja e emrave të viktimave.

Kohët e fundit, lëvizja #MeToo solli një kthesë tjetër. Të mbijetuarat në vende pune, politikë dhe industri të argëtimit zgjodhën të flasin publikisht, shpesh me emrin e tyre, për abuzime të përsëritura dhe mbulime institucionale. Rrëfimet e tyre i detyruan redaksitë të rishqyrtojnë supozimet mbi atë se zërat e kujt duhet të udhëheqin një histori.

Megjithatë, #MeToo u zhvillua edhe brenda konventave ekzistuese gazetareske. Hetimet priren të përqendroheshin te burrat me profil të lartë, rëniet spektakolare nga pushteti dhe momentet e “llogaridhënies”, duke lënë më pak hapësirë për realitetet më të qetë dhe të vazhdueshme të rimëkëmbjes, pasigurisë ligjore dhe reagimit të komunitetit.

Efektet e paqëllimshme për të mos treguar fytyrat e të mbijetuarave

Ka arsye të forta për politikat kundër përmendjes së emrave të viktimave.

Të mbijetuarat mund të përballen me ngacmime, diskriminim në punësim ose rrezik nga abuzuesit nëse identifikohen. Për të miturit, ka shqetësime shtesë lidhur me gjurmët digjitale afatgjata. Në komunitete ku dhuna seksuale shoqërohet me stigma të fortë sociale, anonimiteti mund të jetë shpëtimtar.

Por hulumtimet mbi mënyrën se si media e kornizon lajmin sugjerojnë se modelet e përmendjes së emrave kanë rëndësi. Kur mbulimi përqendrohet te autori i dyshuar si një individ kompleks, dikush me emër, karrierë dhe histori personale, dhe i referohet si “një viktime” ose “akuzueseve” në mënyrë të përgjithshme, audienca ka më shumë gjasa të ndiejë empati për të dyshuarin dhe të shqyrtojë sjelljen e viktimës.

Në raste me profil të lartë si ai i Epstein-it, kjo dinamikë intensifikohet. Burrat e fuqishëm të lidhur me të emërtohen, analizohen dhe bëhen objekt spekulimesh. Të mbijetuarat, nëse nuk bëjnë përpjekje të mëdha për të dalë publikisht, mbeten një masë e paqartë në sfond. Anonimiteti që synon mbrojtjen, në fakt, e përshkallëzon përvojën e tyre. Histori të ndryshme të joshjes, detyrimit dhe mbijetesës reduktohen në një kategori të vetme, pa fytyrë.

Një dritare mbi atë që ne e konsiderojmë ‘lajm’

Ky përshkallëzim është pjesë e asaj që e bën kaq domethënës momentin aktual në historinë e Epstein-it. Tensioni nuk lidhet aq me faktin nëse do të dëgjohen më shumë viktima, sesa me atë se çfarë do të thotë kur përmenden burra me ndikim. Historia shndërrohet në një debat mbi atë se emrat e kujt vlejnë si lajm.

Anonimizimi i kujdesshëm i të mbijetuarave, ndërkohë që ndiqet me ethe një listë klientësh të burrave të fuqishëm, dërgon pa dashje një mesazh për atë se kush ka më shumë rëndësi.

Skandali Epstein, në këtë kornizë, nuk ka në qendër atë që iu bë vajzave dhe grave të reja për shumë vite, por se cili prej elitës mund të turpërohet, implikohet apo ekspozohet.

Një qasje gazetareske më e përqendruar te të mbijetuarat do të niste nga një tjetër grup pyetjesh, përfshirë se cilat të mbijetuara kanë zgjedhur të flasin me emër dhe pse, si dhe se si mediat mund të mbrojnë anonimitetin kur ai kërkohet, por njëkohësisht të përcjellin individualitetin e viktimës.

Këto pyetje nuk janë vetëm etike. Ato lidhen me gjykimin gazetaresk. Ato i sfidojnë redaktorët dhe gazetarët të mendojnë nëse pjesa më e rëndësishme e një historie si ajo e Epstein-it është emri i radhës i famshëm që do të dalë, apo jetët e vazhdueshme të njerëzve, abuzimi i të cilëve e bëri atë emër lajm që në radhë të parë.

Stephanie A. (Sam) Martin

E përktheu: Anita Vllahiu

Artikullin origjinal mund ta lexoni këtu