Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Zhbërja e mitit që edukimi seksual nxitë eksplorimin e parakohshëm seksual

QIKA 19.12.2023

Marrëdhëniet dhe edukimi seksual (MES) viteve të fundit është bërë një temë e nxehtë e bisedave në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të lansimit të kornizës statutore të Departamentit të Arsimit të vitit 2019, të cilin shkollat duhej ta fillonin ta zbatonin në shtator 2020. Pjesa më e madhe e diskutimit është përqendruar rreth mënyrës se si mund t’i qasemi më mirë MES-it në shkolla, megjithatë ka edhe grupe që argumentojnë se prezenca e MES në vetvete është problematike.

Shumë prej nesh kemi dëgjuar për prindërit që protestonin jashtë shkollave në Birmingham në vitin 2019, pasi fëmijëve u mësua ekzistenca e prindërve të të njëjtit seks, si dhe fakti se disa njerëz preferojnë të vishen me veshje që nuk lidhen tradicionalisht me gjininë e tyre. Protestuesit mbanin parulla që lexonin slogane si “Adami dhe Eva, jo Adami dhe Steve” dhe një prind ndau besimin se këto mësime po prozelitonin mënyrën e jetesës homoseksuale për fëmijët duke i bërë ata më promiskuitivë (të pasurit partnerë seksualë të ndryshëm, jo vetëm një përgjatë jetës).

Ndërsa ky shembull specifik përqendrohet rreth përfshirjes së LGBTQ+ brenda kurrikulës, disa kanë ngritur gjithashtu shqetësime se mësimi i edukimit seksual në një mënyrë që e sheh seksin pozitivisht (duke përfshirë tema mbi pëlqimin, kontracepsionin dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme) nxit eksplorimin e parakohshëm seksual dhe promiskuitetin tek të rinjtë. Ndërsa promiskuiteti në vetvete nuk është në thelb negativ dhe nuk ka asgjë të keqe me pranimin e të rriturve për të bërë seks sa më shumë që ata duan, është e kuptueshme që prindërit të shqetësohen për fëmijët e tyre që shtyhen të përfshihen në aktivitet seksual përpara se të jenë gati, veçanërisht nëse nuk janë ende në gjendje të kuptojnë ndikimet e mundshme. Por qëllimi i MES-it ka qenë gjithmonë që t’i mbajë të rinjtë të shëndetshëm dhe të mbrojtur nga dëmet potenciale. Pra, nga vjen narrativa se MES çon në sjellje më të rrezikshme e më promiskuive dhe si mundemi ta zhbëjmë këtë mit?

Një nga argumentet kryesore është se edukimi seksual i informon të rinjtë rreth fushave të eksplorimit seksual për të cilat ata nuk do të kishin qenë në dijeni. Për shembull, ideja që diskutimi i pornografisë i bën ata më të prirur ta shikojnë atë, ose që MES-i që e diskuton seksin pozitivisht dhe fokusohet në kënaqësi inkurajon aktivitetin e parakohshëm seksual. Por provat sugjerojnë se në fakt kjo nuk është e vërtetë; brezi i ri dinë shumë më tepër nga sa ne mendojmë, dhe MES-i efektiv thjesht i ndihmon ata ta kuptojnë më mirë atë që dinë.

Të besosh se shumica e nxënësve nuk janë të vetëdijshëm ose nuk janë të interesuar për pornografinë deri sa të njihen me të gjatë edukimit seksual është naive. Hulumtimi nga Bordi Britanik i Klasifikimit të Filmit tregon një shkëputje midis perceptimeve të prindërve për praktikat e shikimit të pornografisë së fëmijëve të tyre dhe realitetit, me 75% të prindërve që besojnë se fëmija i tyre nuk kishte shikuar pornografi në internet, por 53% e fëmijëve thonë ata në fakt kishin shikuar. Kjo shifër ka të ngjarë të jetë edhe më e lartë për shkak të nën-raportimit në anketë.

I njëjti hulumtim në fakt zbuloi se një prej motiveve kryesore se pse të rinjtë shikojnë pornografi është se ata duan të mësojnë rreth seksit në mungesë të MES-it gjithëpërfshirës. Një pjesëmarrëse adoleshente shpjegoi se për shkak se mësimet e edukimit seksual ishin aq të paqarta, studentët përdorën pornografinë për të mësuar atë që nuk ua kishin mësuar kurrë në klasë. Për më tepër, përfshirja e informatave mbi pornografinë në programet e edukimit seksual është gjetur të ketë rezultate pozitive për të rinjtë, duke reduktuar dëmet e krahasimit të imazhit të trupit dhe duke parandaluar zhvillimin e pritshmërive jorealiste ose të fetishuara.

Përveç kësaj, rëndësia e një qasjeje pozitive ndaj seksit dhe të përqendruar te kënaqësia theksohet nga shumë organizata udhëheqëse të MES-it si Brook dhe Planned Parenthood. Një studiues shkruan se “të flasësh për kënaqësinë nuk është në kundërshtim me sigurinë, por përkundrazi mund ta prodhojë atë”. Zhvillimi i aftësive të vetëbesimit seksual (aftësia e dikujt për të kërkuar ose dhënë pëlqimin dhe për t’i thënë jo aktivitetit seksual të padëshiruar) është lidhur me MES-in, bashkë me diskutimin e kënaqësisë i cili lejon seksin të vendoset në mendjet e të rinjve si diçka që duhet të jetë e këndshme për të gjitha palët dhe të mos përdoret kurrë në mënyra të dëmshme apo manipuluese.

Kjo lidhet me fushata të tilla si “Të gjithë janë të ftuar”, e cila nënvizon përhapjen e krimeve tw dhunës seksuale në shkollat e Mbretërisë së Bashkuar. Dëshmia se MES-i rrit aftësitë e vetëbesimit seksual tregon në mënyrë efektive se neglizhimi për të ofruar edukim seksual gjithëpërfshirës dhe të detajuar është në rastin më të mirë naiv dhe në rastin më të keq tepër i dëmshëm për shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve.

Edhe pse disave mund t’u duket se mungesa e diskutimeve mbi seksin do të thotë mungesë e seksit tek të rinjtë, kjo thjesht nuk është e vërtetë. Hulumtimet tregojnë se ata që marrin edukim gjithëpërfshirës seksual kanë më shumë gjasa të raportojnë abuzim seksual, të kenë përvoja të para seksuale me pëlqim dhe të shtyjnë seksin derisa të jenë gati.

Por si duket realisht MES-i gjithëpërfshirës në praktikë? Ku qëndron ekuilibri në diskutimin e këtyre temave pa u bërë presion të rinjve për të bërë seks?

Edukimi gjithëpërfshirës seksual përqendrohet në reduktimin e dëmeve potenciale, i cili e largon fokusin nga pyetja nëse studentët bëjnë seks apo jo dhe e vë fokusin në mënyrën sesi ata mund të qëndrojnë të sigurt nëse e bëjnë. Ai përqendrohet në ofrimin e mjeteve që të rinjve u nevojiten për të marrë vendimet e duhura. Kjo përfshin ofrimin e perspektivave të shumta për secilin tregim, për shembull, shpjegimin pse disa njerëz duan të bëjnë seks, si dhe pse të tjerët preferojnë ta shtyjnë (ose të mos e bëjnë) atë, krahas shembujve të formave të tjera joseksuale të intimitetit. Ai është jogjykues dhe i hapur, kështu duke krijuar një hapësirë të sigurt për diskutim të shëndetshëm dhe të menduarit kritik. Për më tepër, ai bazohet në atë që është padyshim një nga temat më të rëndësishme: pëlqimi, i cili shtron bazat për marrëdhënie të këndshme e të shëndetshme për të gjithë personat e përfshirë.

Në përmbledhje, edukimi seksual gjithëpërfshirës dhe informativ – i cili përqendrohet në pëlqimin, komunikimin dhe kënaqësinë – është në fakt ajo që i mban fëmijët të sigurt, e jo anasjelltas.

Sadie Scheuer

Artikullin origjinal e gjeni në: https://thefword.org.uk/2022/07/debunking-the-myth-that-sex-education-incites-premature-sexual-exploration/?fbclid=IwAR0VkOWcDBJTIPulBbrrpAyfyT-NruNJfkFWRUCOp_gAcZiy_66hC4RrkJc

E përktheu: Riola Morina