Në Kosovë, komunat mbajnë përgjegjësi të madhe për mënyrën se si planifikohen dhe shpenzohen paratë publike. Çdo vit, ato planifikojnë dhe miratojnë buxhete lokale që përcaktojnë se cilat fusha do të financohen, duke përfshirë jo vetëm infrastrukturën por edhe arsimin, shëndetësinë e subvencionet për bizneset. Të gjitha këto vendime nuk janë aspak neutrale. Janë pikërisht buxhetet komunale që përcakojnë nevojat e kujt marrin përparësi. Prandaj integrimi i buxhetimit gjinor, procesi që synon të analizojë dhe adresojë ndikimin e shpenzimeve publike te gratë dhe burrat, është thelbësor për të siguruar që fondet publike të shërbejnë në mënyrë të drejt për të gjithë.
Këtë rëndësi e thekson edhe Ligji për Barazinë Gjinore në Kosovë. Aty bëhet e qartë se institucionet publike duhet të integrojnë barazinë gjinore në çdo fazë të planifikimit dhe vendimmarrjes. Në punë të përditshme kjo nënkupton që komunat duhet të mbledhin dhe analizojnë të dhëna të ndara sipas gjinisë për mënyrën se si ndahen subvencionet dhe transferet, pagat dhe mëditjet, mallrat dhe shërbimet, apo investimet publike. Vetëm kështu mund të shihet nëse programet mbështetëse po u shërbejnë më shumë burrave sesa grave apo nëse investimet në arsim po arrijnë te vajzat e gratë në të njëjtën masë si te djemtë e burrat. Kur mungojnë këto të dhëna, mungon edhe mundësia për të parë pabarazitë strukturore që buxhetet komunale shpesh i riprodhojnë.
Përkundër keqkuptimeve të shpeshta, buxhetimi gjinor nuk nënkupton ndarjen e fondeve “veç për gratë”. Ai nënkupton një mënyrë më të drejtë dhe transparente të të përdorurit e burimeve publike. Përmes tij, komunat mund të sigurohen që asnjë grup të mos mbetet pas vetëm sepse nuk është marrë parasysh në procesin e planifikimit. E përpos që buxhetet e papërgjegjshme gjinore nuk janë vetëm të padrejta, ato janë edhe joefikase sepse dështojnë të pasqyrojnë realitetin e plotë të komunitetit ku pritet të zbatohet.
Komunat nuk ofrojnë as të dhëna
Megjithëse të gjitha aspektet e buxhetimit gjinor drejtojnë nga zhvillimi i komunave, realiteti në terren tregon se ky parim ligjor mbetet kryesisht i parealizuar. Të dhënat nga platforma “1≠1” tregojnë se shumica e komunave ende nuk i marrin në konsideratë dimensionet gjinore në procesin e buxhetimit. Në shumë raste, nuk ekzistojnë fare të dhëna të ndara sipas gjinisë, gjë që e bën të pamundur të kuptohet se kush përfiton në të vërtetë nga fondet publike. Pa këtë pasqyrë, vendimmarrja në nivel lokal nuk mund të përfshijë politika që adresojnë nevojat reale të grave dhe burrave.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, 18 nga 38 komuna të Kosovës nuk kanë ofruar përgjigje kur u janë kërkuar të dhëna të ndara sipas gjinisë për subvencionet në fushën e arsimit. Kjo mungesë e transparencës shpeshherë nuk paraqet vetëm një lëshim apo huqje të detajeve teknike, por një problem themelor që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si planifikohen dhe zbatohen politikat lokale. Pa të dhëna të ndara sipas gjinisë, nuk mund të flitet për buxhetim të përgjegjshëm gjinor sepse kur nuk dimë kush përfitojnë, nuk dimë as kush lihet pas.
Raporte si i ai i Institutit GAP mbi buxhetimin gjinor në komuna tregojnë se shumica e komunave mbledhjen e këtyre të dhënave nuk e shohin fare si prioritet. Edhe pse ky mosprioritizim shpesh justifikohet me mungesë kapacitetesh administrative apo teknike, krejt çka pasqyron është mungesën e vullnetit politik për të adresuar barazinë gjinore në mënyrë sistematike.
Në disa raste tjera, kur komunat i mbledhin të dhënat, ato nuk janë publike. Kjo krijon një udhë pa dalje ku mungesa e transparencës e bën të vështirë llogaridhënien e mungesa e llogaridhënies pengon përmirësimin e vetë procesit buxhetor.
Pabarazitë nuk mund të shfaqen rishtazi vetëm në ndarjen e fondeve, por fillojnë edhe prej vetë procesit të vendimmarrjes. Një prej proceseve më të rëndësishme në këtë aspekt janë dëgjimet publike. Këto takime ku qytetarët diskutojnë dhe propozojnë prioritetet buxhetore supozohen të jenë mjeti kryesor për përfshirje demokratike. Sipas qëllimit të tyre, dëgjimet do duhej t’i jepnin secilit qytetar hapësirë në planifikimin e buxhetit. Por në praktikë edhe këto hapësira shpesh janë të pabarabarta. Të dhënat nga monitorimet komunale tregojnë se në shumicën e komunave nuk ka asnjë informacion për pjesëmarrjen sipas gjinisë në këto dëgjime. Aty ku të dhënat ekzistojnë, gratë përbëjnë vetëm 27% të pjesëmarrësve në konsultimet buxhetore.
Kjo shifër flet për një realitet ku prioritetet e nivelit lokal vazhdojnë të përcaktohen kryesisht nga burrat. Nëse në një dëgjim publik mbi investimet komunale zërat që dëgjohen janë kryesisht të burrave, atëherë prioritetet që dalin nga ai proces normalisht që pasqyrojnë përvojat e interesat e tyre.
Sipas përvojave të shumë grave, pjesëmarrja e kufizuar e tyre në dëgjimet publike lidhet me faktorë të shumtë e jo nga mosvullneti për të kontribuar. Ndër më të shpeshtit faktorë në këtë mes janë oraret e hapësirat e papërshtatshme të takimeve si dhe kultura politike e shoqërore që rrallë e sheh zërin e grave si vendimtar. Pra edhe pse buxhetet lokale supozohet të jenë instrument i barazisë, në mungesë të përfshirjes së barabartë, ato shndërrohen në hapësira riprodhuese për pabarazitë ekzistuese.
Mundësitë e barabarta nuk janë luks
Në Kosovë ka shembuj pozitivë të barazisë gjinore në dëgjime e buxhete, si ai i rrjetit Gender Budget Watchdog Network në Mitrovicën e Jugut ku shihet qartë se buxhetimi gjinor është i arritshëm. Por ai nuk duhet të ndodhë vetëm me ndërhyrje nga organizatat e jashtme. Barazia gjinore nuk është projekt i përkohshëm apo objektiv afatshkurtër që vjen nga jashtë, por detyrim i brendshëm i çdo komune. Dhe përkundër miteve, buxhetimi gjinor nuk është as favor për gratë, as barrë shtesë për administratën. Buxhetimi gjinor është mënyra më e drejtë dhe më efikase për të shpenzuar paratë publike.
Kur komunat planifikojnë buxhetet pa pyetur se si vendimet e tyre ndikojnë te gratë e burrat, ato dështojnë ta kuptojnë realitetin e plotë të komunitetit që shërbejnë. Një buxhet që nuk pasqyron përvojat e grave nuk është neutral por i padrejtë. Prandaj edhe çdo shpenzim pa këtë vetëdije është shpenzim që thellon pabarazinë ekzistuese. Arsyetimet teknike për anashkalimin e nevojave të grave nuk janë arsyetime legjitime. Barazia gjinore në buxhete komunale dhe dëgjime publike është parakusht për drejtësi dhe zhvillim të barabartë, jo luks politik.
Ky artikull është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e QIKA dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF-së, SDC-së, apo Suedisë.