Gratë përballen me ndërhyrje të burrave në hapësirat publike në atë masë sa që kjo përvojë është e zakonshme për shumicën e tyre. Këto ndërhyrje janë nga më të ndryshme, prej zhurmave të pa-artikuluara, fjalëve fyese, ndërhyrje fizike deri në forma më brutale të dhunës fizike. Rezultatet e anketës të SafoMeter tregojnë që gratë shprehin frikë nga ngacmimi në të gjitha hapësirat publike të zonës urbane të Prishtinës. Poashtu, shumica e konsiderueshme e grave të anketuara i identifikuan burrat si ngacmues potencial.
Organizata SpaceSyntaKs vitin e kaluar pati nisur një iniciativë për vlerësimin e sigurisë në hapësira publike të qytetit të Prishtinës të quajtur SafoMeter. Qasja e SafoMeter e ka në qendër njeriun, andaj insiston që analizimin e hapësirave publike ta bëjë duke i parë nga afër përvojat e përditshme të njerëzve.
Kjo qasje, vlerëson që mbledhja e të dhënave mbi këndvështrimin subjektiv të njerëzve është imperativ për ofrimin e hapësirave publike cilësore që i plotësojnë nevojat e të gjithë njerëzve, veçanërisht nëse ndryshimet e tyre janë arsyeja për të cilën ata duhet të negociojnë me përdorimin e hapësirës publike.
Metodologjia e SafoMeter për vlerësimin e sigurisë në hapësirat publike i konsideron dy grupe të indikatorëve për të gjeneruar indeksin e sigurisë të hapësirës publike: indikatorë subjektiv të sigurisë dhe indikatorët objektiv të sigurisë. Indikatorët janë përzgjedhur duke u bazuar në studimet e mëhershme. (për më shumë: https://shorturl.at/apBCH)
Bazuar në rezultatet e studimeve të kryera në qytete të tjera për shfaqjen e dhunës me bazë gjinore në hapësirat publike, metodologjia e SafoMeter për matjen e sigurisë në kategorinë e indikatorëve subjektiv ka përfshirë një indikator të quajtur “ngacmimet.” Ky indikator ka për qëllim të vlerësojë se sa frikë kanë individët nga ngacmimet në hapësirën publike.
Të gjitha të dhënat për vlerësimin e indikatorëve subjektiv janë të ndara në bazë të gjinisë të personave të intervistuar. Ndarja e të dhënave sipas gjinisë është bërë për t’i zbuluar dhe theksuar faktorët të cilët i bëjnë gratë të ndjehen të pasigurta. Ngjashëm, në fazën e parë të anketimit SpaceSyntaKs është kujdesur që të intervistojë më shumë gra.
Anketa e SafoMeter është zhvilluar në hapësirat publike të Prishtinës përgjatë një periudhe tremujore. Mbledhëset e të dhënave përmes pyetësorit të SafoMeter i kanë grumbulluar të dhënat për 4 indikatorë subjektiv të SafoMeter. Për indikatorin ‘ngacmimet’, gratë janë pyetur nëse frikësohen prej ngacmimit në hapësirën ku ndodheshin si dhe cila është gjinia e ngacmuesit potencial.
Rezultatet e anketës të SafoMeter tregojnë që gratë e anketuara shprehin frikë nga ngacmimi në të gjitha hapësirat publike të zonës urbane të Prishtinës. Poashtu, shumica e konsiderueshme e grave të anketuara i identifikuan burrat si autorë të mundshëm të ngacmimeve.
Perceptimi i grave që mund të jenë viktimë e ngacmimit nga burrat në të gjitha hapësirat publike ku është zhvilluar anketa e SafoMeter, tregon për prezencën e madhe të dhunës me bazë gjinore në Prishtinë si dhe për normalizimin e këtij fenomeni deri në atë masë sa që pëhapja e tij të shfaqet edhe në zonat më të frekuentuara të Prishtinës.
Këto nuk janë të dhënat e vetme të cilat e ilustrojnë shfaqjen e dhunës me bazë gjinore në hapësirat publike të Prishtinës. Një ilustrim të vlefshëm të shfaqjes së dhunës në bazë gjinore e bën edhe iniciativa #ecshlirë përmes platformës ecshlire.com që i vizualizon incidentet e ndryshme të dhunës me bazë gjinore në hartë.
Më shumë të dhëna e punë sistemike nevojitet për të vlerësuar sigurinë në hapësirat publike të qytetit. Mbledhja e të dhënave për zonën rurale të qytetit duhet parë si proces i veçantë duke e konsideruar që hapësira është e organizuar në mënyrë tjetër. Poashtu, duhet vlerësuar dhe siguria e grupeve tjera të margjinalizuara dhe në veçanti të grave trans të cilat përballen me sfida ende më të mëdha.
Megjithatë, rezultatet e vlerësimit të hapësirave publike përmes punës hulumtuese të SafoMeter janë shqetësuese. Hapësira publike të sigurta në Prishtinë dalin të jenë shumë të pakta, dhe të ndara nga njëra-tjetra pa lidhje të mirëfillta. Gjithashtu, një përqindje e konsiderueshme e hapësirave publike janë vlerësuar si të pasigurta apo me vlerën e indeksti të sigurisë brenda intervalit më të ulët 0-1, që tregon për një nivel të lartë pasigurie. (për më shumë: https://shorturl.at/apBCH)
Si përfundim, proceset alternative për mbledhjen e të dhënave janë të rëndësishme për shpërfaqjen e përvojave të grave dhe përfshirjen e perspektivës gjinore në proceset e vlerësimit të performancës së qyteteve. Në mënyrë që hapësirat publike të mos mbesin vetëm privilegj i burrave duhet fillimisht të adresohet roli i tyre që grave t’ua mohoj një prej të drejtave elementare, atë të lëvizjes së lirë.
Shkrimi është shkruar si pjesë e fushatës së SafoMeter të inicuar prej organizatës SpaceSyntaKs për rritjen e sigurisë në hapësirat publike për vajzat dhe gratë në qytetin e Prishtinës. Ky shkrim është publikuar si pjesë e marrëveshjes bashkëpunuese në mes të Space SyntaKs dhe QIKA, e cila ka qëllim rritjen e sasisë së teksteve të shkruara në gjuhën shqipe për temat që ndërlidhen me sigurinë në hapësirat publike.