Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
In-depth

Urdhri mbrojtës vetëm në letër

Besian Beha 14.9.2023

Gratë janë shpesh subjekt i dhunës së përsëritur në familje. Kjo në të shumtën e rasteve është pasojë e mungesës së mekanizmave për zbatimin e urdhrit mbrojtës që lëshohet nga Gjykata. Dështimi për ta zbatuar urdhrin mbrojtës ka përfunduar me vrasjen e grave sikur në rastin e Hamide Magashit apo Diana Kastratit. Shqetësuese vlerësohen edhe dënimet nga Gjykatat për dhunë në familje, të cilat në të shumtën e rasteve janë me kusht apo me gjobë.

Vetëm brenda 9 muajve të vitit 2023, është barazuar numri i urdhrave mbrojtës që ka pranuar Policia e Kosovës në komplet vitin 2022. Në vitin 2022 ishin ishin 685, kurse 651 janë deri më tash në këtë vit. Pavarësisht statistikave, në praktikë zbatimi i urdhrit mbrojtës si një nga masat e rëndësishme për sigurinë e viktimave të dhunës, është mekanizëm i dështuar. Për pasojë, disa herë gratë kanë pësuar edhe me jetë. Hallkë sfiduese në trajtimin e dhunës në familje janë edhe trajtimi i kallëzimeve penale e vendimeve përfundimtare gjyqësore. Edhe pse Gjykatat kanë trajtuar rastet me prioritet, dënimet janë ose me gjobë ose me kusht.

Në ditët e para të dhjetorit, Hamide Magashi, po priste ta sillte në jetë një fëmijë. Bashkëshorti i saj e qëlloi këtë të fundit me tre plumba duke ia marrë jetën më 30 nëntor 2022, në hapësirën e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Sikur të mos mjaftonte se u vra në hapësirat ku do të duhej të ishte e sigurt e në duart e shtetit, për Hamide Magashin kishte edhe urdhër mbrojtës. Pra, për shkak të përjetimit të dhunës së vazhdueshme, Gjykata e Ferizajt kishte lëshuar urdhër mbrojtës që ishte në fuqi deri në mars 2023. Urdhër që nuk u zbatua kurrë nga Policia e Kosovës, e për pasojë Hamidja shtatëzënë u vra dhe kjo ngjarje u bë tragjedi që kishte tronditur Kosovën.

Rasti i Hamide Magashit është vetëm një nga shumë të ngjashëm, ku shteti dështoi t’i mbrojë gratë pavarësisht se për to kishte urdhër mbrojtës. Në komplet vitin 2022, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kanë pranuar 685 urdhra mbrojtës nga Gjykatat kompetente. Kjo shifër në vitin 2023 u arrit për vetëm nëntë muaj. Deri më tash, Policia ka pranuar 651 urdhra mbrojtës, kryesisht lidhur me dhunën në familje ku viktimë janë gratë. Megjithatë, kur Policia është pyetur se si veprojnë kur pranojnë një urdhër mbrojtës nga Gjykata, cili është plani që ndërmarrin, zyra për media e Policisë së Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.

Megjithatë, pavarësisht statistikave e shifrave, mbrojtja e grave me urdhër mbrojtës në praktikë, është larg realizimit. Kjo është evidentuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit në një raport të publikuar. “Mungesa e udhëzimeve se sa shpesh duhen vizituar apo kontrolluar viktimat do të thotë se siguria e tyre mund të rrezikohet. Po ashtu, monitorimi i urdhrave të mbrojtjes me kërkesë të viktimës nënkupton mungesën e ndjekjes sistematike. Kjo mund të shkaktoj vonesa në reagimin ndaj shkeljeve të urdhrave mbrojtës duke i vënë viktimat në rrezik”, thuhet në raportin e ZKA-së. Sipas gjetjeve të auditorëve, vetëm në 50% të rasteve të dhunës në familje, jepet urdhri mbrojtës. Kjo si pasojë e mungesës së kontakteve të menjëhershme me viktimën.

Kurse, në një raport të publikuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, evidentohet se zbatimi në praktikë i urdhrit mbrojtës varet kryesisht nga fondet që ndahen për blerjen e byzylykëve elektronikë me të cilët Policia monitoron lëvizjet e personave të dyshuar. “Megjithatë edhe pse ky Ligj është në fuqi që nga viti 2015, mungon zbatimi i tij në praktikë për shkak të kostos së lartë. Pa blerjen e byzylykëve që përmenden në ligj për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës”, thuhet në këtë raport të GLPS-së.

Duke i parë këto vështirësi në zbatimin e urdhrit mbrojtës që mundësohet sipas ligjit, avokati Yll Zekaj rekomandon shfrytëzimin edhe të formave të tjera për mbrojtjen e viktimave. “Prandaj, në kontekstin kosovar, për kryesit me rrezikshmëri të lartë, do ishte e dobishme që të zbatohej Ligji për mbikëqyrjen elektronike. Në këtë mënyrë, do mund të diheshin saktësisht lëvizjes e kryesve dhe, pos dëshmimit të shkeljes së urdhrave mbrojtës, edhe do mund të intervenohej me kohë për sigurinë e viktimës”, deklaron avokati Zekaj.

Përveç rastit ku u vra Hamide Magashi, ka edhe shumë raste të tjera ku pavarësisht urdhrit mbrojtës dhe raportimit të vazhdueshëm nëpër institucione, gratë e kanë pësuar edhe me jetë. Ngjashëm është vrasja e Diana Kastratit e cila u vra në vitin 2011, pavarësisht se e ndjera kishte kërkuar mbrojtje emergjente. Shteti me vendim të Gjykatës Kushtetuese është përgjegjës edhe për vrasjen e Sebahate Sopit. Kjo pasi pavarësisht se viktima kishte raportuar dhunën në institucionet e drejtësisë, nuk ishte ndërmarrë asnjë hap. Zejnepe Berisha gjithashtu ishte vrarë në vitin 2015, edhe pse e kishte raportuar disa herë rastin në Policinë e Kosovës. Lirie Qerimaj nga Skënderaj e Sabile Mavrovqani nga Kamenica gjithashtu janë vrarë nga bashkëshortët e tyre, edhe pse të njëjtat kishin raportuar në institucione dhunën. Madje, në rastin e Mavrovqanit bashkëshorti i saj kishte qenë i dënuar, por me dënim minimal.

Kallëzimet penale, trajtimi në gjykata e prokurori dhe dënimet sa për sy e faqe

Sipas të dhënave të publikuara nga organizata QIKA, në vitet 2021-2022 për dhunën në familje kanë qenë mbi 6 mijë e 700 lëndë me kallëzime penale, prej të cilave, 80% janë zgjidhur, kurse 20% vazhdojnë ende të jenë të pazgjidhura. Kurse, në vitet 2016-2020 sipas të dhënave janë mbi 9 mijë e 800 kallëzime penale të zgjidhura, kurse mbi 1 mijë e 100 kanë mbetur të pazgjidhura.

Sipas data-bazës së organizatës QIKA përderisa në vitin 2016 kanë qenë mbi 4 mijë e 200 lëndë në punë me kallëzime penale nëpër Prokurori për dhunën në familje, në vitin 2020 numri ka rënë në 2 mijë e 925. Më së shumti kallëzime penale për dhunën në familje gjatë viteve 2016-2020 ka pasur në Prokurorinë e Prishtinës e Pejës, rreth 65% të këtyre rasteve. Përqindja tjetër e kallëzimeve penale është ngritur në Prizren, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë.

Në total gjatë viteve 2016-2022 në Prokuroritë e Kosovës ka pasur 16 mijë e 584 kallëzime penale për dhunën në familje. Gjatë kësaj periudhe janë zgjidhur 15 mijë e 253 lëndë, ndërsa në fund të vitit 2022 kanë mbetur të pazgjidhura 1334 lëndë.

Nga 2 mijë e 737 vendime gjyqësore që janë marrë në vitet 2021-2022 për personat që kanë pasur kallëzime penale për dhunë në familje, në mbi 2 mijë e 400 prej tyre ka pasur aktgjykim fajësues. 45 raste kanë qenë me aktgjykim refuzues, 47 me urdhër ndëshkues, e 114 me masë të trajtimit të detyrueshëm. Pjesa më e madhe e aktgjykimeve janë dënuese edhe në periudhën për vitet 2016-2020, afër 4 mijë. Refuzuese kanë qenë 270 aktgjykime, 608 me urdhër ndëshkues e lirues 34 aktgjykime.

Gjatë këtyre 4 viteve, numri më i madh i të pandehurve për dhunën në familje janë dënuar në Pejë, mbi 1 mijë e 900. Edhe në Gjilan janë dënuar 625, përderisa në Prishtinë ka pasur aktgjykim fajësues për 615 persona. Në Prishtinë është numër i madh i rasteve me urdhër ndëshkues, mbi 450 aktgjykime të tilla. Ka raste edhe me aktgjykime liruese, dhe gjithashtu parashkrim të veprave penale.

Prej vitit 2016 deri në fund të vitit 2022 pasur afër 8 mijë vendime gjyqësore për persona me kallëzime penale për rastet e dhunës në familje. Për mbi 6 mijë e 400 persona ka pasur aktgjykim fajësues, ndërsa për mbi 600 persona ka pasur aktgjykim me urdhër ndëshkues. Gjithashtu në këtë peridudhë janë parashkruar 438 raste.

Sipas të dhënave nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, deri në shpalljen e një aktgjykimi për dhunë në familje merr kohë afër 8 muaj e gjysmë. Kurse, veprat si sulm, ngacmim e lëndim trupor që ndërlidhen me dhunën në familje, marrin shumë më tepër kohë për t’u trajtuar. Pavarësisht statistikave të aktgjykimeve, Arita Gërxhaliu nga IKD shprehet se dukuri shqetësuese janë dënimet me gjobë apo me kusht, që dominojnë në rastet e dhunës në familje. “Politika ndëshkimore që ndiqet nga gjykatat është tejet e butë. Pra, në shumicën e rasteve shqiptohen dënime me kusht, përderisa dënimet me burgim efektiv janë përjashtim. Në këtë drejtim ne jemi të vetëdijshëm se secili rast ka specifikat e veta, por, kur shohim një numër kaq të lartë të rasteve që kanë përfunduar me dënime me kusht, atëherë ndërtohet argumenti se në këto raste nuk bëhet fjalë për specifika të rasteve, por për dukuri në vendimmarrje”, ka thënë Gërxhaliu.

Se dënimet për të akuzuarit për dhunë në familje janë shpesh edhe me kusht ose me gjobë, theksohet edhe një publikim nga Amnesty International me titull “Nga letra në praktikë”: “Të mbijetuarat theksuan vazhdimisht se si kjo gërryen besimin e tyre në sistemin e drejtësisë dhe dekurajon raportimin. Shqyrtimi sistematik nga Amnesty International i vendimeve gjyqësore kundër 218 të pandehurve zbuloi se 74% pranuan dënim me burgim me kusht, 45% pranuan gjobë dhe 20% gjobë me kusht. Disa të pandehur morën një kombinim dënimesh, si dënim me burgim me kusht dhe gjobë”, thuhet në këtë raport.

Kurse, hulumtimi i realizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka treguar se më shumë se 30% të seancave që kanë monitoruar, kanë dështuar të mbahen. Kjo për shkak të mungesës së të akuzuarve, të gjyqtarëve apo prokurorëve, apo edhe avokatëve.

Në 12 vjetët e fundit, janë vrarë 50 gra si pasojë e dhunës në familje. Në të shumtën e rasteve gratë e kanë paraqitur rastin në institucione, por vonesat në trajtim, neglizhenca e dënimet e ulëta, kanë rezultuar fatale për gratë në Kosovë.

Ky shkrim është realizuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “JUST REACT”. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, Group for Legal and Political Studies dhe Community Development Fund – CDF.