Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Reagim për trajtimin mediatik të rastit të Daorsa Spahijës

QIKA 14.11.2025

Emisioni Kosova Today dhe mediumi Klan Kosova po vazhdojnë që në mënyrë të përsëritur të jenë në shërbim të stigmatizimit me bazë gjinore, normalizimit të dhunës dhe fajësimit sistematik të grave.

Këtë herë, në një edicion që trajtonte rastin tragjik të studentes Daorsa Spahija, rast për të cilin mediat atje po raportojnë se po hetohet një person si i dyshuar për shtytje në vetvrasje, në diskutim e kanë ftuar edhe gazetarin Nevrij Ademi.

Ky i fundit, menjëherë pas ngjarjes, kishte dalë me deklarata skandaloze, stigmatizuese dhe fajësuese ndaj viktimës, duke aluduar mbi sjelljet e saj dhe duke riprodhuar narrativat që fajësojnë viktimat dhe amnistojnë abuzuesit e grave.

Dhënia e hapësirës mediatike për të, sidomos për të diskutuar për rastin e njëjtë edhe pas deklaratave të tilla në po të njëjtin medium, është në kundërshtim me çdo parim të raportimit etik për një rast kaq të ndjeshëm.

Është e papranueshme që ky emision seksist e mizogjen vazhdon të kontaminojë hapësirën mediatike e cila veçse nuk është mikpritëse për vajzat dhe gratë, as në rastet më të rënda e më të ndjeshme ku kërkohet raportim veçanërisht i kujdesshëm. Kosova Today dhe Klan Kosova po vazhdojnë të përdorin dhunën me bazë gjinore si burim sensazioni dhe klikimesh e rrjedhimisht edhe përfitimi financiar.

QIKA përderisa inkurajon mediat të raportojnë me kujdes, etikë dhe ndjeshmëri për këtë rast, kërkon nga shteti i Kosovës të angazhohet maksimalisht për zbardhjen e plotë të rastit dhe për sjelljen e drejtësisë në vend për Daorsën.