Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Përballë fushatës anti-gjinore në Shqipëri qëndrojmë së bashku

QIKA 17.11.2025

Së fundmi, po shohim intensifikimin e fushatës anti-gjinore në Shqipëri, e cila po shënjestron në mënyrë sistematike aktivistet/ët feministe/ë dhe queer. Kjo fushatë po zhvillohet në çdo skaj të hapësirave publike dhe mediatike, e shtrirë nga debatet për Ligjin për Barazi Gjinore e deri te çështjet LGBTQ+, duke sulmuar aktivistet/ët në të gjitha frontet.

Sulmet e vazhdueshme, të artikuluara përmes dezinformimit dhe tentativave për delegjitimim publik të aktivizmit, janë strategji të forcave të djathta dhe konservatore në Shqipëri, rajon e botë, të cilat synojnë të godasin lëvizjet progresiste që luftojnë për një shoqëri më të drejtë e më të barabartë. Këto përpjekje kanë për qëllim mirëmbajtjen e rendit patriarkal dhe kontrollimin e trupave e mendjeve tona.

QIKA e di se çdo përparim i arritur deri më sot sa i përket barazisë gjinore e drejtësisë sociale është rezultat i punës së palodhshme dhe angazhimit të pakompromis të aktivisteve/ëve, andaj mbetemi të palëkundura në mbështetjen tonë për aktivistet/ët në Shqipëri.

Këto fushata agresive, të financuara e të koordinuara, asnjëherë nuk do të na dekurajojnë, e aq më pak të na ndalin. Nuk do të tërhiqemi. Rezistenca është e përbashkët. Për çlirimin e secilit e secilës në Shqipëri, Kosovë dhe në gjithë botën.