Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Çdo e treta, sërish!

QIKA 22.12.2025

Derisa jemi duke votuar për të disatën herë këtë vit, pozita e grave në partitë politike mbetet e pandryshuar. Në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen javën e ardhshme, sipas listave të kandidatëve për deputetë të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vetëm 391 nga 1,180 kandidatë janë gra.

Renditja në listat zgjedhore ka vazhduar me të njëjtin trend pothuajse te të gjitha partitë: çdo e treta grua, ani pse asnjë dispozitë ligjore nuk e përcakton një renditje të tillë. Përqindja mund dhe duhet të shpërndahet ndryshe brenda listave.

Me këtë përfaqësim gjinor në lista, me vetëm 33% gra edhe në këto zgjedhje, subjektet politike kanë ngecur sërish te pragu minimal prej 30%, i obligueshëm sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërkohë që të gjitha kanë shkelur Ligjin për Barazi Gjinore, i cili parasheh përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave.

Të vetëdijshme se përfaqësimi i barabartë nuk është i mjaftueshëm as si qëndrim e as si kërkesë, kërkojmë kushte për angazhim politik të grave në politika përparimtare. Megjithatë, kur dominimi është kaq i dukshëm, masat afirmative janë domosdoshmëri politike në përpjekjen për barazi.