Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Diversiteti nuk është defekt

QIKA 27.11.2025

Deklaratat që e cilësojnë homoseksualitetin si “defekt gjenetik” janë pasqyrim i frikës së vjetër, të rrënjosur thellë në strukturat patriarkale që i tremben çdo forme të diversitetit njerëzor.

Prej dekadash, American Psychological Association (APA), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe komuniteti ndërkombëtar shkencor kanë sqaruar se orientimi seksual nuk është sëmundje, çrregullim apo devijim, por një nga shumë mënyrat e natyrshme me të cilat jeta njerëzore shfaqet.

Gjuha e përdorur nga kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në Debat Plus mbrëmë, ngurtëson paragjykimet, ushqen stigmatizimin dhe ndez mekanizmat e përjashtimit që i njohim shumë mirë nga historitë e diskriminimit kundër grave, komunitetit LGBTI+ dhe çdo grupi tjetër të shtypur.

Figura publike, veçanërisht në shoqëri që ende luftojnë me barazinë dhe pranimin, mbajnë përgjegjësi jo vetëm për fjalët që thonë, por edhe për botët që ato fjalë krijojnë.

Kosova nuk ka nevojë për diskurse që mbjellin frikë nga tjetri. Ka nevojë për dije që çliron e për institucione që mbrojnë dinjitetin e çdo qytetari, pa përjashtim. Në fund, vlera e një shoqërie nuk matet me uniformitetin e saj, por me sa shumëngjyrëshe e lejon të jetë njerëzoren.

QIKA dhe Dylberizm.