Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
In-depth

Të paragjykuara në skenë dhe në shoqëri

Njomza Tmava 27.3.2021

“E kom dashtë aktrimin që kur kam qenë në shkollë fillore. Çdo ditë kam kalu afër teatrit se shtëpinë e kam pas aty afër. Baba i një shoqes së klasës ka punuar në teatër si dekorator. Asaj i pëlqejshin filmat e mua teatri. Kështu shkojsha në teatër pa pagesë. Ky ka qenë takimi im i parë me skenën. Prej atëherë më ka lindë dëshira për mu marrë me aktrim”, tregon Kumrije Hoxha, e cila tash e sa vite është pjesë e skenës së teatrit.

Ndonëse Hoxha ka pasur mbështetjen e familjes për të ushtruar këtë profesion, shumica e vajzave nuk e kanë fatin e njëjtë as sot. Pamundësia për tu përballur me paragjykimet shoqërore ka larguar shumë aktore nga skena. Kështu, në mes të udhëkryqit të punës e pasionit si dhe presionit të jashtëm, vajzat e gratë në Kosovë që zgjedhin aktrimin, vetëdijshëm nisen në rrugën e vështirë.

Kumrije Hoxha ©QIKA

“Nëse kam pendesë për diçka në jetë, kam për faktin që i kam refuzu dy role pa dëshirën time”, thotë aktorja Shengyl Ismaili.

Sipas saj aktrimi si profesion është shumë i bukur por edhe shumë i komplikuar. “Aktrimi të jep mundësi për të qenë kushdo për një moment të caktuar, mirëpo ushtrimi i këtij profesioni në shoqërinë tonë është i vështirë”, thotë Ismaili.

Para vendimit për të pranuar një rol, pjesa dërmuese e aktoreve duhet të shqyrtojnë një sërë filtrash paraprak që janë jashtë tyre e tek në fund ta mendojnë nivelin artistik dhe mundësitë që ato kanë për t`i dhënë kuptim rolit. Në Kosovë, një skenë sfiduese për aktoren fatkeqësisht lidhet më shumë me idenë se çfarë veprimi do të sjellë ajo në skenë, sesa vështirësia, transformimi, analiza, ndërtimi dhe paraqitja e rolit.

“Së fundmi në një film e kom xhiru një skenë të zhveshjes dhe për këtë ndihna krenare me veten. Jo me skenën e zhveshjes por me faktin se kam arritë në një pikë ku nuk kam refuzu një rol veç pse dikujt mundet me ju prish qefi”, thotë aktorja Shengyl Ismaili.

Shengyl Ismaili ©QIKA

Veprimet që ato bëjnë në kuadër të profesionit të tyre shoqëria nuk i sheh si gjëra të ndara. Shoqëria iu vesh tiparet e roleve aktoreve personalisht, në atë mënyrë që veprimet që i kryejnë në skenë shihen si veprime të tyre.

Besim Ugzmajli, drejtor artistik në teatrin “Adriana” në Ferizaj thotë se rëndësia e grave aktore për mentalitetin dhe shoqërinë është e jashtëzakonshme. “Aktoret kudo në botë janë treguar të zonja që të bëjnë ndryshime të vazhdueshme në mentalitetin e shoqërive të caktuara. Nuk ka emancipim të mirëfilltë pa e venë gruan në ballë të emancipimit”, thotë Ugzmajli.

Sipas tij mënyra më e mirë për të ndikuar drejtpërdrejt në këtë mentalitet është që gratë, edhe pse me vështirësi, të vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre. “Gratë duhet të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre pa menduar shumë në paragjykimet e stigmatizimin ndaj tyre. Profesioni i aktores është i tillë që ndryshimin e sjellë përmes vet profesionit. Pra, ushtrimi i lirë i profesionit të aktores është vetvetiu një politikë e fuqishme drejt ndryshimit të një mentaliteti. Rol të madh luajnë këtu edhe kolegët burra”, thotë Ugzmajli.

Vajzat aplikojnë më pak për të studiuar aktrimin


Në vitin 1967 aktorja Melihate Qena vendosi të aplikoi në Akademinë e Arteve në Beograd për klasën shqiptare, në drejtimin e aktrimit. Rrugëtimi i saj nuk ishte i lehtë. Për t’u bërë pjesë e akademisë aplikuesit duhet të kalonin disa faza. Faza e parë mbahej në Prishtinë. Në secilën fazë eliminoheshin konkurrentët duke mbetur në fund me një klasë të përbërë nga 7 studentë, ku prej tyre Melihate Qena ishte e vetmja vajzë.

Melihate Qena ©QIKA

Në atë kohë dëshira për të studiuar aktrimin për një vajzë ishte pothuajse e padiskutueshme për pjesën dërmuese të shoqërisë. Melihate Qena thotë se ishte me fat që për shkak të familjes së saj ajo nuk kaloi nëpër këto barriera. Por e kujton një kolege të saj, e cila poashtu kishte arritur deri në fazën e fundit për tu pranuar në Akademinë e Arteve në Beograd. Ajo vendosi të kthehej në Kosovë pa u regjistruar sepse i është dashur të zgjidhte ndërmjet të dashurit të saj dhe aktrimit.

Edhe tash, pas me tepër se katër dekadave, vajzat e reja që dëshirojnë të studiojnë aktrimin ballafaqohen me një grumbull barrierash paraprake.

Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës është i vetmi institucion që momentalisht ofron mundësinë e shkollimit për aktorë. Hazir Haziri, dekan i Fakultetit të Arteve, tregon se ende ka raste që studentët regjistrohen në aktrim pa diskutuar e pa i informuar prindërit.

Duke u bazuar nga të dhënat që QIKA ka kërkuar nga Fakulteti i Arteve për periudhën 2011-2020, shihet qartë se numri i aplikueseve vajza është më i ulët se sa i djemve. Gjatë kësaj periudhe ky fakultet ka pranuar gjithsej 716 aplikime për nivelin baçelor, ku vetëm 234 prej tyre janë vajza, pra 32.7%.    

Duke u bazuar në nevojat e tregut, fakulteti përmes politikave të brendshme ka provuar të  rregulloj diferencën duke pranuar 50.4% vajza nga totali për periudhën 2011-2020.

Sipas dekanit Haziri, për shkak të mungesës së informatave mbi profesionin e aktrimit përgjithësisht në shoqëri, është për tu vlerësuar guximi i të rinjve për të aplikuar në këtë drejtim.

Hazir Haziri ©QIKA

“Nevojat e tregut në raport me gjininë e aktorëve në aspekt të përgjithshëm janë të njëjta, e si të tilla diktojnë sjelljen e fakultetit, prandaj ne synojmë që të pranojmë numër të njëjtë të vajzave dhe djemve në drejtimin e aktrimit”, thotë Haziri.

Gjithsesi ai shton se niveli i përgatitjes së vajzave të pranuara në krahasim me djemtë nuk dallon, por kjo politikë përveç të tjerash tregon se vajzat që synojnë të bëhen aktore e kanë përkrahjen e fakultetit në këtë rrugëtim.

Teatrot publike në Kosovë të dominuara nga burrat

Në rrethana në të cilat është komuniteti artistik në Kosovë, puna si aktor rezident në ndonjërin nga teatrot, në fakt është një nga pak mundësitë që ata kanë të jenë të pavarur ekonomikisht duke ushtruar profesionin e tyre.

Sikur të mos ishte i mjaftueshëm presioni shoqëror, gratë në këtë profesion diskriminohen edhe në nivel institucional. Në një rrethanë ku nevoja për aktore gra e aktorë burra është e njëjtë, teatrot publike të qyteteve në trupën e tyre rezidente përgjithësisht kanë të punësuar më shumë burra. Madje, në disa teatro kjo diferencë është shumë e vërejtshme.

Teatri “Muharrem Qena”, në Mitrovicë ka të punësuara vetëm dy aktore gra nga gjithsej dhjetë aktorë të punësuar. Teatri “Adriana” në Ferizaj nga gjithsej tetë aktorë të punësuar, vetëm tre prej tyre janë gra.

Në anën tjetër, përveç teatrit të Pejës, të gjitha teatrot e tjera në Kosovë drejtohen nga burrat.

I pyetur për këtë çështje, Besim Ugzmajli, tha se balanci në gjini dhe diversiteti në moshë është  tepër i rëndësishëm për mbarëvajtjen e punës së teatrit. Sipas tij në këtë mënyrë krijohen mundësi më të mira për regjisorët që do të punojnë si dhe për teatrin në përgjithësi.

Sidoqoftë, Ugzmajli thotë që proporcioni i gjinisë në përzgjedhjen e aktorëve  në teatrin “Adriana” është krejt i rastësishëm dhe ka të bëjë me kualitetet që janë ofruar nga aplikantët në konkurs. Ai thekson që në konkurs ka pasur dukshëm më shumë aplikime nga burrat sesa nga gratë aktore.

Besim Ugzmajli ©QIKA

Një formë për të luftuar paragjykimet dhe diskriminimet ndaj grave aktore apo vajzave që vendosin të studiojnë aktrimin, konsiderohet të jetë inkuadrimi i lëndëve mësimore për artin dramatik në shkollat fillore dhe të mesme. Kësisoj nxënësit do të njoftoheshin me këtë fushë në mënyrë profesionale dhe kjo do të ndikonte se si trajtohej aktrimi si profesion.

“Teatri ekziston me qëllimin e vetëm që të përmirësoj të metat e shoqërisë. Teatri duhet të jetë një oazë, një vend ku njeriu del më ndryshe sesa që ka hy. Del më i sofistikuar e më i fisnikëruar ose të paktën të shtynë të mendosh për çështje të cilat ndodhin në shoqëri. Kështu, dalëngadalë përmirësohen edhe bindjet e njerëzve dhe zbuten paragjykimet”, thotë Melihate Qena.

Team

Njomza Tmava

Hulumtuese