Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
In-depth

Industritë kreative në Kosovë mbeten të pabarabarta për gratë

Alsea Ymeri 4.6.2026

Industritë kreative, si në Kosovë ashtu edhe më gjerë, shpesh përfytyrohen si hapësira ku normat sfidohen dhe ku kufijtë tradicionalë të shoqërisë bëhen të pavlefshëm. Ato paraqiten si vende ku zërat e rinj dëgjohen, ku idetë alternative marrin formë dhe ku kreativiteti shihet si një formë e lirisë – liri për të folur, për të shkruar, për t’u shprehur pa kufizime dhe për të imagjinuar realitete ndryshe nga ato që na rrethojnë.

Për këtë arsye, fushat e artit, letërsisë, kulturës, filmit, muzikës, dizajnit e medias shpesh perceptohen si sektorët më progresivë të shoqërisë – si një kundërpeshë ndaj strukturave më të ngurta dhe më përjashtuese. Megjithatë, ky perceptim nuk është universal. Përvojat e grave dhe vajzave flasin për një anë tjetër të industrisë – një realitet ku kjo liri është e pjesshme, e kushtëzuar dhe shpesh e pabarabartë. Pas imazhit të progresivitetit, vazhdojnë të ekzistojnë mekanizma të heshtur përjashtimi, kontrolli dhe nënvlerësimi që formësojnë mënyrën se si gratë krijojnë, punojnë dhe ekzistojnë brenda këtyre hapësirave.

Në kontekstin e shoqërisë sonë ku normat patriarkale vazhdojnë të strukturojnë jetën publike dhe private, gratë në industritë kreative përballen me pengesa të shumta: nga paragjykimet e drejtpërdrejta deri te forma më të sofistikuara dhe të padukshme përjashtimi që ua kufizojnë qasjen në burime, financim dhe vendimmarrje. Përtej sfidave profesionale, mbi to rëndon edhe një presion i vazhdueshëm për të provuar veten: jo vetëm si krijuese, por edhe si gra që duhet të justifikojnë praninë e tyre në hapësira publike që shpesh i monitorojnë, i gjykojnë dhe i mbajnë nën kontroll.

Liria kreative është iluzion i pjesshëm

Në parim, industritë kreative duken si hapësira ku gratë mund të shprehen lirshëm – përmes veshjeve, këngëve, poezive, novelave apo shfaqjeve artistike. Kjo mundësi për vetë-shprehje dhe dukshmëria e tyre në skenë, në rrjete sociale apo në hapësira kulturore shpesh interpretohet si dëshmi e emancipimit.

Por kjo liri është kryesisht estetike, më shumë sesa strukturore. “Edhe pse gratë përbëjnë pothuajse gjysmën e fuqisë punëtore në sektorin e kulturës dhe argëtimit, ato janë të nënpërfaqësuara në pozitat udhëheqëse dhe të mbi-përfaqësuara në punë të pasigurta brenda industrisë”, thotë  raporti i UNESCO për sektorët kulturorë dhe kreativë (2025).

Pasi që mundësia për t’u shprehur nuk është e njëjtë për të gjitha gratë – ajo varet drejtpërdrejt nga kushtet materiale dhe sociale në të cilat ato krijojnë. Jo çdo grua ka qasje në hapësira, rrjete, financim apo kohë për të prodhuar art. Në një kontekst ku puna kreative është e pasigurt dhe shpesh e nënvlerësuar, liria për të krijuar mbetet e kufizuar nga realitete shumë konkrete ekonomike.

Si në shumë sektorë të tjerë të ekonomisë, edhe industritë kreative karakterizohen nga pagat e pabarabarta për punën e njëjtë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në sektorin e arteve, argëtimit dhe rekreacionit gratë fitojnë mesatarisht rreth 444 euro në muaj, ndërsa burrat rreth 569 euro – një hendek pagash prej rreth 22%. Kjo diferencë tregon se edhe në një fushë që pretendohet të jetë progresive dhe e bazuar në meritë, puna e grave vazhdon të nënvlerësohet dhe të nënpaguhet sistematikisht.

Për më tepër, mundësitë për vetëpunësim apo zhvillim të pavarur janë të kufizuara nga faktorë më të thellë strukturorë. Në një shoqëri ku shumë pak gra posedojnë dhe trashëgojnë pronë, qasja në kapital mbetet e kufizuar. Edhe kur gratë tentojnë të investojnë në veten apo në projektet e tyre, ato shpesh përballen me kredi me kushte të pafavorshme dhe norma të larta interesi, duke e bërë rrezikun ekonomik edhe më të madh.

Këtyre sfidave u shtohet edhe mungesa e mbështetjes nga familja dhe shoqëria. Kreativiteti i grave shpesh nuk merret seriozisht si profesion, por trajtohet si hobi apo si diçka sekondare. Në shumë raste, gratë duhet të negociojnë vazhdimisht kohën, hapësirën dhe të drejtën për të krijuar, duke e vendosur veten përballë pritshmërive tradicionale dhe rolit të tyre në familje.

Në këtë mënyrë, ajo që nga jashtë duket si liri për të krijuar dhe për t’u shprehur, është në realitet thellësisht e kushtëzuar. Liria kreative pa kushte mundësi materiale e sociale mbetet iluzion i pjesshëm.

Gratë nuk gjykohen vetëm për atë që krijojnë, ato gjykohen edhe për atë që përfaqësojnë. Ndryshe nga burrat, puna e të cilëve shpesh trajtohet si universale, abstrakte dhe e ndarë nga jeta personale, krijimtaria e grave shpesh personalizohet, duke u lexuar si reflektim i drejtpërdrejtë i përvojës së tyre intime. Kjo e zhvendos fokusin nga vepra te autorja.

Përvoja e poetes Yllka Maqedonci e ilustron qartë këtë tension mes shkrimit si akt lirie dhe si akt ekspozimi. Në hapësirën letrare kosovare, krijimtaria e grave shpesh lexohet përtej tekstit, si rrëfim personal apo si zbulim i jetës private, duke i vendosur ato përballë një vëzhgimi dhe gjykimi të vazhdueshëm publik. Siç e përshkruan ajo vetë, “gjithmonë ndihem e ekspozuar dhe e gjykuar sepse tekstet e mia përmbajnë detaje për të cilat mendohet se është ‘marre’ të fliten nga një grua dhe për një grua”, veçanërisht kur poezia interpretohet si autobiografike dhe trajton tema që vazhdojnë të konsiderohen tabu.

Kjo mënyrë leximi krijon një klimë ku vlera artistike shpesh zëvendësohet nga vlerësimi moral apo social. Ndërsa burrat kanë më shumë hapësirë për të qenë zëra universalë, gratë mbeten të kufizuara në rolin e rrëfyeseve të vetes së tyre, edhe kur kjo nuk është ajo që ato synojnë. Në këtë kontekst, krijimtaria më shumë se sa proces artistik, bëhet akt i vazhdueshëm negociimi me mënyrën se si do të lexohet, interpretohet dhe gjykohet.

Një dimension tjetër i kësaj përvoje shfaqet në mënyrën se si gratë në industritë kreative shpesh detyrohen të mbajnë role të shumta njëkohësisht. Përvoja e artistes multidisiplinare Diona Kusari e reflekton qartë këtë realitet, ku shumëfunksionaliteti përjetohet njëkohësisht si hapësirë lirie dhe si barrë e vazhdueshme. Ajo e përshkruan këtë proces si një formë vetë-krijimi: “si një mënyrë për të përbrendësuar dhe riemërtuar punën e saj, duke ndërtuar identitet profesional jashtë kornizave të gatshme dhe pa mbështetje institucionale apo financiare.”

Megjithatë, kjo shumësi rolesh nuk është gjithmonë rezultat i zgjedhjes së lirë. Në mungesë të strukturave mbështetëse, gratë shpesh detyrohen të jenë njëkohësisht krijuese, menaxhere, organizatore dhe avokuese për veten e tyre, në mënyrë që të mbijetojnë profesionalisht. Ajo që shpesh paraqitet si fleksibilitet apo “multi-talent”, në realitet është një përgjigje ndaj një sistemi që nuk ofron siguri dhe e trajton punën artistike si të pasigurt dhe dytësore.

Në këtë kontekst, vetë-emërtimi dhe ndërtimi i identitetit profesional marrin një dimension politik. Përmes tyre, gratë jo vetëm që krijojnë art, por edhe hapësirë për ekzistencën e tyre si krijuese në një sistem që nuk është ndërtuar për t’i mbështetur e pranuar. Kështu, shumëfunksionaliteti shndërrohet në një terren ku liria dhe barrë bashkëjetojnë – jo si kontradikta, por si realitet i përditshëm i grave.

Për krijueset e reja, hyrja në industri shpesh shoqërohet me pasiguri dhe vetëdyshim. Për regjisore si Ruena Rogova, krijimtaria përveçse proces artistik, është edhe proces i vazhdueshëm i ndërtimit të vetëbesimit dhe vendit të tyre brenda industrisë. Siç e përshkruan ajo, rrugëtimi i saj është “një përzierje mes kënaqësisë dhe lodhjes, ku edhe një skenë e vetme mund të ndikojë mënyrën se si përjetohet një film, ndërsa pasiguria për veten mbetet e pranishme krahas dëshirës për të vazhduar dhe për t’u përmirësuar.”

Në këtë mënyrë, krijimtaria shfaqet si proces i brishtë, ku eksperimentimi dhe vetëdyshimi ecin paralel. Megjithatë, kjo pasiguri nuk buron vetëm nga natyra e punës artistike, por edhe nga mënyra se si kjo punë pranohet dhe vlerësohet. Edhe kur puna e tyre merr vëmendje, ajo shpesh filtrohet përmes identitetit – moshës apo gjinisë – duke u reduktuar në etiketime si “premtuese” apo “interesante për një vajzë të re”, në vend që të trajtohet si kontribut i plotë dhe serioz artistik. Kjo jo vetëm që e minimizon vlerën e veprës, por e vendos krijuesen në një pozitë ku legjitimiteti profesional duhet fituar vazhdimisht.

Këto përvoja nuk kufizohen vetëm brenda industrive kreative, por reflektohen edhe në mënyrën se si ndërtohen dhe përjetohen hapësirat publike. Siç thekson arkitektja Leunita Syla, “gratë nuk e përdorin qytetin lirshëm – ato e negociojnë vazhdimisht veten brenda tij”. Kjo perspektivë e trajton qytetin si produkt social dhe politik, ku pabarazitë riprodhohen përmes mënyrës se si planifikohet, organizohet dhe përdoret hapësira.

Në këtë kontekst, autoriteti i grave shpesh vihet në dyshim, ndërsa idetë e tyre kërkojnë më shumë justifikim për t’u marrë seriozisht. Nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për një model të përsëritur ku pushteti dhe legjitimiteti shpërndahen në mënyrë të pabarabartë.

Përballë kësaj, rezistenca shpesh merr forma kolektive. Siç e përshkruan vetë Syla përmes angazhimit të saj në Public Space Equity, kur shqetësimet individuale kthehen në punë të përbashkët – në hulumtim, ndërhyrje urbane dhe angazhim me komunitetin – zëri shndërrohet në strukturë. Pikërisht aty fillon një qasje feministe ndaj hapësirës: te mënyra se si ndërtohen proceset dhe si përfshihen ata që zakonisht mbesin jashtë vendimmarrjes.

Megjithatë, pas këtyre përpjekjeve qëndron një kosto e rëndësishme psikologjike. Siç thekson psikoterapistja Ardita Lama, kjo lodhje është pasojë e një mjedisi që kërkon produktivitet të vazhdueshëm dhe nuk lejon hapësirë për pushim apo reflektim. Në një sistem ku vetë-ekspozimi dhe ndërtimi i identitetit si “brand” bëhen pjesë e punës, kufiri mes jetës personale dhe asaj profesionale fillon të zhduket.

Në këto kushte, gratë shpesh e përjetojnë lodhjen si faj personal, në vend që ta njohin si rezultat të pritshmërive të pamundura. Pasiguria ekonomike, presioni për të qenë vazhdimisht të pranishme dhe nevoja për vetë-kontroll emocional krijojnë një gjendje të vazhdueshme tensioni. Energjia që shkon për mbijetesë dhe menaxhim stresi e kufizon drejtpërdrejt hapësirën për krijimtari.

Rritja e dukshmërisë së disa grave në industritë kreative “mainstream” – qoftë në muzikë, media apo forma të tjera të artit që gjenerojnë fitime dhe vëmendje të madhe – shpesh përdoret si argument për barazinë gjinore. Sukseset individuale shndërrohen në argument kolektiv, duke krijuar përshtypjen se gratë kanë tashmë qasje të barabartë në mundësi dhe resurse. Megjithatë, këto raste janë përjashtime e jo reflektim i realitetit të përditshëm të shumicës së grave në industritë kreative. Ato nuk e përfaqësojnë pozitën e grave në teatër, në filharmoni, në letërsi apo në fusha të tjera artistike në Kosovë, ku pabarazitë në qasje, financim, vlerësim dhe vendimmarrje vazhdojnë të jenë të pranishme.

Avancimi i pozitës së grave në industritë kreative nuk mund të lihet në nivel të iniciativave individuale apo sukseseve të veçuara. Ai kërkon ndërhyrje të planifikuara dhe të strukturuara – nga politikat publike që garantojnë qasje të barabartë në financim dhe burime, te mbështetja institucionale për gratë krijuese, e deri te transformimi i normave shoqërore që vazhdojnë ta nënvlerësojnë punën e tyre. Pa këto ndërhyrje, pabarazitë do të vazhdojnë të riprodhohen edhe në hapësirat që pretendojnë të jenë progresive.

_________________________________________________

Ky artikull është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Holandës përmes projektit “Fuqizimi i Grave në Treg të Punës”, i cili zbatohet nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe QIKA. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Ambasadës së Holandës.