QIKA dënon ashpër publikimin e pamjeve nga Klan Kosova, në të cilat shfaqen skena nga korridori i banesës ku është vrarë Marigona Osmani, përfshirë momentet ku shihet tërheqja e trupit të saj. Ky veprim përbën shkelje të rëndë etike si dhe riviktimizim të një gruaje të vrarë.
Marigona Osmani është viktimë e femicidit. Shndërrimi i skenave të vrasjes së saj në material promovues televiziv është sensacionalizim i brutalitetit.
Pamje të tilla rihapin traumën e familjes dhe shoqërisë si dhe janë dështim i rëndë i raportimit të ndjeshëm gjinor dhe i çdo standardi profesional të gazetarisë.
Fakti që këto pamje janë publikuar si promo paralajmëruese e bën situatën edhe më alarmante. Nëse kjo është vetëm promo, çfarë pritet të transmetohet në emision? Sensacioni nuk mund të justifikohet me pretendimin për informim.
Gjithashtu insistimi për të gjetur apo spekuluar për një “motiv” në një rast femicidi e shtrembëron thelbin e krimit dhe relativizon dhunën me bazë gjinore, sikur ajo të kishte një arsye apo justifikim. Sipas Konventës së Stambollit, mediat duhet të raportojnë me përgjegjësi për dhunën ndaj grave, të respektojnë dinjitetin e viktimave dhe të shmangin narrativat që nxisin stereotipe apo fajësim të viktimës.
I bëjmë thirrje publike Klan Kosovës që të ndalë menjëherë transmetimin e këtyre pamjeve dhe të mos e publikojë sonte emisionin në këtë formë. Media ka përgjegjësi shoqërore dhe etike. Kur zgjedh të ushqehet me imazhe të trupave të grave të vrara, ajo bëhet pjesë e kulturës që e normalizon dhunën.
Marigona Osmani meriton drejtësi dhe dinjitet. Jo spektakël.