Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Vrasja është lajmi. Jo arsyetimi!

QIKA 24.8.2026

Sot, një gruaje 25-vjeçare iu ndërpre dhunshëm jeta. Sipas informacioneve të deritanishme, dyshohet se ajo u vra me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, brenda shtëpisë ku jetonin në Malishevë.

Kur një burrë dyshohet se ka vrarë një grua, kërkimi i menjëhershëm i shpjegimit te gjendja e tij mendore, xhelozia, problemet martesore, konflikti apo humbja e kontrollit e zhvendos vëmendjen nga akti i dhunës dhe nga strukturat që e mundësojnë atë. Në vend që të pyesim pse burrat vazhdojnë t’i vrasin gratë, fillojmë të kërkojmë çfarë mund ta ketë shtyrë burrin të vrasë.

Këto pyetje mund të duken si përpjekje për ta kuptuar aktin e tmerrshëm. Por mënyra se si e shpjegojmë dhunën përcakton edhe mënyrën se si e kuptojmë përgjegjësinë për të.

Mediat kanë përgjegjësi të raportojnë faktet, jo të ndërtojnë arsyetime për të dyshuarin duke publikuar informata të pakonfirmuara. Është e papranueshme që vrasjen e një gruaje mediat po e shndërrojnë në spektakël me detaje të reja, fotografi dhe informacione private që nuk përbëjnë interes publik. Sepse kështu çdo vrasje bëhet rast i veçantë dhe secili autor paraqitet si përjashtim.

Izolimi i rasteve nga njëri-tjetri rrezikon të na bëjë të humbasim modelin që përsëritet. Dhe kur humbet modeli, bëhet më e vështirë të shihet struktura. Po aq problematik është edhe refleksi për ta lidhur dhunën me probleme të supozuara të shëndetit mendor. Pa fakte dhe pa diagnozë profesionale, një lidhje e tillë nuk shpjegon asgjë. Përkundrazi, ajo stigmatizon personat me probleme të shëndetit mendor dhe ndërton një figurë të autorit si dikush jashtë normales shoqërore.

Patriarkati nuk mirëmbahet vetëm përmes dhunës së drejtpërdrejtë, por edhe mënyrës se si dhuna shpjegohet pasi ka ndodhur.

QIKA kërkon nga institucionet përgjegjëse hetim të plotë dhe transparent të këtij rasti, ndërsa nga mediat raportim të përgjegjshëm dhe të ndjeshëm gjinor, që e trajton dhunën ndaj grave si çështje strukturore dhe me interes publik, duke respektuar dinjitetin e viktimave dhe standardet profesionale e etike të gazetarisë.