Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

“Lufta kundër burrave” nuk ekziston – tash e dimë që feminizmi është i dobishëm edhe për djemtë

QIKA 13.12.2022

Një raport tregon se djemtë përfitojnë nga të mësuarit rreth stereotipeve gjinore dhe llojeve të ndryshme të maskulinitetit.

Lajm zhgënjyes për ata që fajësojnë feminizmin për problemet me të cilat përballen djemtë e rijnë: hulumtimet tregojnë se sfidimi i stereotipeve gjinore dhe mizogjinisë i ndihmon edhe djemtë.

Gjatë dekadës së fundit është shfaqur një narrativë në kulturën dhe politikën popullore që portretizon burrat dhe djemtë (veçanërisht të bardhët heteroseksualë) si në “krizë”, të viktimizuar nga feminizmi dhe lëvizja e drejtësisë sociale, dhe tanimë “të lënë pas” ose duke vuajtur të ashtuquajturin “diskriminim të kundërt”. Gjatë kohës së gjyqit të Johnny Depp dhe Amber Heard, në internet qarkullonin shumë meme mizogjene, nga deputetët burra që shfrytëzonin këtë që të demaskojnë “rolin famëkeq” që kanë marrë në shoqëri deri te përshkrimi i lëvizjes #MeToo si “gjueti shtrigash” në programet kryesore radiofonike. Ky argument ka filluar të madh një hov të madh.

Megjithatë, raporti i The State of UK Boys i publikuar sot nga Global Boyhood Initiative tregon se në vend që të viktimizohen nga feminizmi, djemtë po përballen me një krizë krejtësisht të ndryshme. Dhuna dhe të qenit “i ashpër” normalizohen si një pjesë e natyrshme e të qenit burrë, gjë që i inkurajon djemtë të shohin dhunën (veçanërisht dhunën e burrave mes vete) si një pjesë të pashmangshme gjatë rritjes. Studimi, i cili përfshinte një rishikim të literaturës së bashku me intervistat me ekspertë, zbuloi gjithashtu se këto lloj stereotipash janë të pranishme që nga lindja, ku familjet, shkollat ​​dhe grupet e bashkëmoshatarëve luajnë rolin e tyre në formësimin e po këtyre.

Natyrisht, ndikimi i kësaj është i jashtëzakonshëm. Raportet e ndryshme në të cilat djemtë justifikuan dhunën e burrave përmes nocioneve të zotërimit dhe pronësisë së grave nga burrat, shpjegon në një farë mënyre nivelet e larta tronditëse të sulmeve seksuale në shkolla. Por këto stereotipe dëmtojnë edhe djemtë – shikoni, për shembull, nën-raportimin e rasteve të dhunës dhe abuzimit ndaj djemve dhe burrave.

Në vend që të përforcohen këto stereotipe, autorët e raportit sugjerojnë se, të gjithë fëmijët do të përfitonin nga një qasje feministe ndaj të mësuarit (diçka që nuk do të jetë befasi për shumë feminist/e, që kanë argumentuar për këtë përgjatë dekadave). Për shembull, djemtë do të përfitonin nga të mësuarit mbi stereotipet gjinore, si dhe nga zhdukja e karakterizimit negativ të miqësive të ngushta mes djemve, të cilat shpesh dekurajohen nga idealet homofobike të maskulinitetit. Inkurajimi i miqësive mes djemve, zbulon studimi, do t’u ofronte atyre mundësi për të mësuar reciprocitet, ndjeshmëri dhe intimitet.

Ideja se djemtë e bardhë, të klasës punëtore janë të neglizhuar dhe “po dështojnë” është “e sajuar dhe është aktivisht mashtruese” thuhet në raport. Djemtë e bardhë në fakt kanë më pak gjasa se studentët e zi të Karaibeve, Afrikës dhe Bangladeshit për të pranuar ushqime falas në shkollë dhe më pak të ngjarë të përjashtohen nga shkolla sesa djemtë e zi të Karaibeve. Djemtë e bardhë që nuk marrin ushqime falas në shkollë marrin gjithashtu nota më të larta se disa grupe të minorizuara. Me këtë fakt në mendje, ia vlen të pyesim se kush përfiton nga shpërndarja e këtyre pretendimeve mashtruese dhe pse? Ndoshta janë ata që duan të mbajnë status quo-në ashtu siç është.

Për një kohë të gjatë, ne jemi inkurajuar t’i shohim sfidat me të cilat përballen djemtë dhe burrat si krejtësisht të ndryshme nga nevojat e grave dhe vajzave – dhe nxehtësia e këtij argumenti pothuajse ka arritur pikën e vlimit. Vetëm pak muaj më parë, revista Harper’s Bazaar botoi një artikull me titull “Si feminizmi po mbyt djemtë tanë” dhe një libër nga akademikja Nina Power argumentoi se burrat janë nën sulm. Kjo gënjeshtër frikësuese është nxitur nga lloji i propagandës në internet që përhapet nga njerëz si Andrew Tate, i cili ka kapitalizuar në idenë e viktimizimit mashkullor dhe ka grumbulluar miliarda shikime në TikTok, në kanalet “aktivistë të drejtave të burrave” në YouTube dhe forumet e Reddit. Me gjysmën e djemve 15 dhe 16-vjeçarë që vlerësojnë se kalojnë më shumë se gjashtë orë në ditë në internet, ekspozimi ndaj kësaj përmbajtje mund të ketë një ndikim të madh në jetën dhe mirëqenien e tyre.

Në vend të idesë se feminizmi i dëmton djemtë, raporti ka vërtetuar të kundërtën: sfidimi i dhunës mashkullore dhe mizogjinisë, inkurajimi i llojeve të ndryshme të maskulinitetit dhe shikimi i grave si aleate, të gjitha kontribuojnë në një shëndet më të mirë mendor dhe arritje arsimore mes djemve. Siç thotë Gary Barker, një nga autorët e raportit dhe drejtor ekzekutiv i Equimundo: Qendra për Maskulinitet dhe Drejtësi Sociale: “Djemtë kanë nevojë për feminizëm dhe feminizmi ka nevojë për djemtë”.

Narrativat e kahmotshme si “djemtë nuk qajnë”, që thonë se burrat nuk duhet të jenë të prekshëm për ndjenjat e tyre janë pjesë e të njëjtit sistem që i portretizon vajzat si “hormonale”, “histerike” dhe të papërshtatshme për rrugë të veçanta karriere. E gjitha kjo mund të tingëllojë si temë e vjetër, por Tate dhe ndjekësit e tij që thonë se gratë duhet “ta mbyllin gojën, të kenë fëmijë, të ulen në shtëpi, të jenë të qeta dhe të bëjnë kafe”, janë sërish tmerrësisht të pranishëm. Njohja e kësaj nuk nënkupton shpërfilljen e nevojave të djemve, por gjetjen e mënyrave për t’i përmbushur ato. Djemtë tanë meritojnë më shumë sesa të përdoren si mburojë për provokatorët antifeministë me më shumë interes për të nxitur “luftëra kulturore” sesa për t’i ndihmuar ata.

Laura Bates

E përktheu: Adrian Vishaj

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/commentisfree/2022/nov/08/feminists-war-on-men-misogyny-boys-gender-stereotypes-masculinity?fbclid=IwAR3gYFK4GheNTcET4l763WjgNSnZRwVtzI6w46Pt4900_o0m60e4KAHT9h4