Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

17 gjëra që do doja t’i dija para diagnostikimit me kancer të gjirit

QIKA 13.10.2023

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Ndoshta ju jeni të vetëdijshëm për kancerin e gjirit në një farë mënyre. Unë mendoj se isha. Për pjesën më të madhe të fëmijërisë sime, nëna ime trajtohej për të luftuar kancerin dhe pak para se të mbushja 10 vjeç, ajo vdiq nga po kjo sëmundje. Por pavarësisht kësaj përvoje, unë nuk isha në dijeni për shumë gjëra rreth kancerit të gjirit derisa u diagnostikova me të verën e kaluar. Në këtë shkrim mund të gjeni disa nga gjërat që i di tani e do të doja t’i kisha ditur më herët.

1. Ka shumë lloje të kancerit të gjirit

Para se të bëja biopsinë time, kanceri i gjirit ishte kancer gjiri. Ndërsa prisja me ankth rezultatet, kërkimet në Google do të më çonin në faqet rreth karcinomës duktale in situ, një kancer i hershëm i gjirit ende i pa përhapur. Në kokën time, prisja që mjekja do më tregonte se e kisha atë lloj. Në realitet, ajo më tha se kisha edhe atë edhe një lloj tjetër – një kancer të “shkallës së tretë” që sipas saj kishte efekt negativ të “trefishtë”. Mënyra se si ajo e tha këtë më beri me dije se ishte shumë më keq se që kisha menduar.

Profesori Richard Simcock, shefi mjekësor në Macmillan Cancer Support, thotë se ekzistojnë katër kategori që përdoren për të përshkruar kancerin e gjirit dhe për të përcaktuar se çfarë trajtimi i nevojitet. Së pari, mjekët do të shohin se nga ku është zhvilluar – zakonisht vjen nga kanalet e qumështit (duktal) ose nga gjëndrat (lobulare). Më pas ata do të shikojnë numrin dhe madhësinë e tumoreve. “Shkallët” japin një vlerësim se sa shpejt qelizat e kancerit rriten – shkalla e tretë është më agresive dhe ka më shumë gjasa të përhapet. Së fundi, ata shikojnë se ndaj çfarë hormonesh qelizat e kancerit janë të ndjeshme. “Negativi” në diagnozën time nënkuptonte se qelizat e kancerit nuk ishin të ndjeshme ndaj disa hormoneve – që do të thoshte se medikamentet për të cilat kisha dëgjuar, si Tamoxifen-i, nuk do të funksiononin për trajtimin tim.

“Gratë shpesh e krahasojnë veten me fqinjën ose shoqen e tyre që gjithashtu ka pasur kancer të gjirit, por ato mund të mos kenë pasur të njëjtin lloj. Shpesh mund të thonë se ‘shoqja ime u trajtua me kimioterapi dhe asaj iu shfaq përsëri kanceri’ dhe ne duhet t’u shpjegojmë se lloji që kanë ato mund të jetë ndryshe”, thotë Antigone Johnstone-Burt, një bashkëpunëtore klinike e gjenomikës në Macmillan,

Gjithashtu, negativi i trefishtë është i lidhur fort me bartjen e një gjeni kancerogjen. Nuk e di se çfarë lloj kanceri kishte nëna ime, por nëse ajo kishte trefishin negativ dhe nëse unë do e kisha ditur, atëherë do të kisha një arsye të mirë për t’u testuar vite më parë.

Ndoshta duhet të flasim për kancerin e gjirit në shumës. Unë duhet t’u them njerëzve: “Kam pasur një ose dy kacere gjiri”.

2. Trajtimi nuk është i njëjtë për të gjithë

Për mua, trajtimi përbëhej nga kimioterapia, kirurgjia dhe më pas radioterapia. Për të tjerët, trajtimi mund bëhet me një radhitje tjetër, ose ndodhë që jo të gjithë këta hapa janë të nevojshëm.

Natyrisht, sa më pak nga këta hapa, aq më mirë, megjithëse ka diçka qetësuese kur trajtimi përfshin çdo opsion të mundshëm. Kam takuar njerëz që ishin të shqetësuar sepse nuk shkonin nëpër të gjithë këta hapa. Mos kini frikë të pyesni pse mjeku juaj po sugjeron apo nuk po sugjeron hapa të caktuar.

3. “Kimioterapia” mund të nënkuptojë shumë gjëra të ndryshme

Fjala kimioterapi mbulon një mori barnash të shpërndara në një mori mënyrash. Kimioterapia mund të përfshijë thjesht marrjen e një tablete të rëndë, ose qëndrimin në spital duke marrë ilaçet përmes venave. Unë e kisha këtë të fundit, ku ma hapën një “port” në gjoks, në mënyrë që mos të kisha nevojë të vendosja shumë kanula nëpër vena. Gjysma e kimioterapisë sime përbëhej nga dy ilaçe, paclitaxel dhe karboplatin, të cilat trupi im i përballoi mjaft mirë. Gjysma e dytë përfshinte dy të tjera të quajtura epirubicin dhe cyclophosphamide (i njohur zakonisht si EC). Pas dozës sime të parë, unë vjella gjatë një episodi të tërë të The Great British Bake Off, andaj si rezultat trajtimet pasuese u reduktuan. Llojet e ndryshme të kancerit të gjirit nënkuptojnë medikamente të ndryshme dhe njerëzit mund t’ju thonë se EC u shkoi mirë, por paklitaksel ishte më i vështirë për t’u përballuar.

4. Nëse keni një nga këto gjene, rreziku është i madh

Për popullatën e përgjithshme femërore, disa studime tregojnë një shans prej 11% për t’u prekur nga kanceri i gjirit para moshës 80 vjeçare. Për ato me gjenet e kancerit BRCA 1 ose BRCA 2, rreziku është përkatësisht deri në 79% dhe 77%.

“Të kesh një mutacion BRCA është si të ngasësh veturën në gjendje shumë të dehur”, thotë Simcock. “Jo domosdoshmërisht do aksidentoheni, por jeni më pak të sigurt se njerëzit e tjerë. Ka gjëra që mund të bëni për të zbutur rrezikun, të tilla si të ngrënit shëndetshëm dhe të stërviturit, por shanset janë kundër jush”, shton ai.

Zbulova se kam gjenin BRCA 2 dhe supozoj se kjo më ndihmoi t’i përgjigjem pyetjes “Pse mua?”, pyetje me të cilën, sipas Simcock, luftojnë shumë paciente. Ndonjëherë, përgjigjja më e afërt është prania e “gabimeve gjenetike të grumbulluara”. Këto nuk janë të ashtuquajturat gjene të kancerit, por ndryshime delikate që janë zhvilluar në trupin tuaj dhe janë grumbulluar deri në fazën ku ju jeni në rrezik më të lartë për të marrë sëmundjen.

5. Mund të dukeni shumë të shëndetshme edhe kur keni kancer

Pak para se të merrja diagnozën shkoja çdo ditë në punë me biçikletë, luaja tenis, kisha dietë të mirë dhe dukesha më e shëndetshme se kurrë më parë. E vetmja simptomë që kisha vënë re ishte dhimbja, të cilën e nënvlerësoja si tendosje të muskujve deri kur gjeta gungën. Vetëm pak kohë pasi fillova të trajtohesha, fillova të dukesha më e moshuar.

6. Nyjet limfatike tregojnë shumë

Në sqetullën tuaj gjenden deri në 40 nyje limfatike. Kur keni një gungë në gjoksin tuaj, mjekët do të duan t’i kontrollojnë ato, sepse nëse kanceri është përhapur, kjo është zakonisht porta e parë e shpërndarjes. Ndodhë që do ju duhet t’i hiqni të gjitha. Edhe nëse nuk ka, mjekët zakonisht do t’i marrin disa mostra prej tyre për t’i kontrolluar.

Tregojuni mjekëve nëse kohët e fundit keni marrë vaksinë të COVID-it ose gripit para sw tw kryeni skanimin – unë nuk i tregova dhe kjo shkaktoi shumë shqetësime sepse nyjet e mija limfatike ishin fryrë.

7. Kimioterapia mund t’ju sjellë menopauzë më të hershme

Po, një fazë e jetës si menopauza, që sjellë kaq shumë simptoma negative është edhe një gjë tjetër me të cilën duhet të luftoni kur jeni duke trajtuar kancerin.

Ndonjëherë mjekët në mënyrë aktive përpiqen t’ju fusin në menopauzë – 80% e kancereve të gjirit janë të ndjeshëm ndaj estrogjenit dhe duke shtypur vezoret tuaja ata po përpiqen të ndalojnë tumorin të rritet dhe të përhapet.

Johnstone-Burt thotë se disa gra në menopauzë vuajnë me “simptoma tejet të rënda” dhe se dhimbjet e kyçeve dhe djersitjet e natës mund të jenë problem i madh. Simcock thotë se mund të jetë e vështirë t’u thuash pacientëve në menopauzë se nuk mund të marrin terapi zëvendësuese të hormoneve, sepse kjo mund të shkaktoj kancerin të kthehet.

Nuk e vura re gjatë trajtimit tim, por tani flukset e të nxehtit shpesh më zgjojnë gjatë natës dhe nyjet e mia më kërcasin. Unë jam në fund të të 40-tave, kështu që ka një shans që cikli menstrual të më rikthehet – mjekët më thanë se kjo mund të ndodhë një vit pasi ta mbaroj kimioterapinë. Megjithatë kjo do të nënkuptonte se do të më duhej t’i kaloja të gjitha këto dhimbje përsëri në një moment tjetër të jetës.

8. Ekziston një tabletë për çdo gjë

Është qetësuese të zbulosh se pothuajse çdo gjë që ndodh gjatë kohës që trajtohesh i ka ndodhur dikujt më parë dhe mjekët dhe infermierët kanë gjithmonë një përgjigje.

Është më alarmante kur ju japin ilaçe për të luftuar efektet anësore para se ato të ndodhin. Është dhurata më e keqe ndonjëherë – një koleksion tabletash që ju ndalon të vjellat apo barkqitjen. Ndonjëherë, marrja e një tablete do të thotë që do t’ju duhet të merrni një tjetër tabletë për të luftuar efektet anësore të së parës. Qelizat e bardha të gjakut tim u tkurren si rezultat i kimioterapisë sime, kështu që më rekomanduan t’i  marr disa injeksione për ta trajtuar këtë. Këto injeksione mund të shkaktojnë dhimbje të forta në kocka, kështu që mua m’u dhanë disa qetësues në rast se kjo do ndodhte. Nëse i merrja këta qetësues, do të më duhej të merrja disa tableta për të mbrojtur mukozën e stomakut. Lajmi i mirë është se injeksioni nuk më shkaktoi dhimbje në kocka.

9. Trajtimi domosdo përfshin biseda rreth sistemit të tretjes së ushqimit

Do të habiteni se sa njerëz – mjekë, infermierë, pacientë të tjerë – duan të dinë se sa shpesh keni shkuar në tualet dhe si ka qenë përvoja gjatë asaj kohe. Në javën time të parë të trajtimit, përgjigja ishte për këtë pyetje ishte: “jo çdo ditë”. Kam pasur dhimbje të mëdha derisa partneri u detyrua të shkonte në barnatore tri herë brenda ditës për të më blerë laksativë të ndryshëm.

Pothuajse çdo ilaç që ju japin për t’ju bërë më mirë mund të ketë ndikim në sistemin e tretjes tuaj, dhe nëse si unë, ju jepet imunoterapi, mjekët janë veçanërisht vigjilentë ndaj rreziqeve të kolitit. Jini të përgatitura për të larguar ndjenjën e turpit që mund të keni kur përshkruani atë që ndodh në tualet.

10. Mund të ruani disa nga flokët tuaja

Një nga efektet anësore më të këqija të shumë ilaçeve kimioterapeutike të përdorura për trajtimin e kancerit të gjirit është humbja e flokëve. Para se të filloja trajtimin tim, onkologu më tha se do të më binin flokët brenda tre javësh dhe nuk do të rriteshin përsëri derisa të përfundonte trajtimi.

Përgjatë marrjes së terapisë zakonisht në kokë vendoset një kapak i ftohtë: një kapelë që të ftoh kokën gjatë kohës që kryeni kimioterapinë dhe mbron folikulat nga thithja e shumë ilaçeve. Është e tmerrshme. Ju duhet të kaloni orë të tëra duke vuajtur dhimbjen më të keqe të kokës, e teksa flokët tuaja rrallohen – gjë që në shumë raste do të ndodhë para përfundimit të trajtimit – dhimbja bëhet edhe më e rëndë. Por për mua ia vlente. Unë isha në gjendje të ruaja pjesën më të madhe të flokëve të mija gjatë dozës së parë të ilaçeve. Gjatë përdorimit të EC (kombinimi i epirubicinës dhe ciklofosfamidit), fillova të përjetoja rënien e flokëve: një javë pas trajtimit zgjohesha nga gjumi me një grumbull flokësh në jastëk që dukej si fole e ndonjë zogu dhe kjo më beri të ndihem tmerrshëm. Por kisha ende mjaftueshëm flokë sa për t’i lidhur dhe kur vendosja një kapele dukej sikur ende nuk më kishte rënë asnjë fije. E di që nuk mund ta kisha përballuar prerjen e tyre dhe paruket që provova nuk më ndihmuan.

Njerëz të tjerë marrin vendim dhe presin flokët ose rruajnë komplet kokën. Kjo do të siguronte seanca më të rehatshme të kimioterapisë, por nëse kjo nuk është e përshtatshme për ju, atëherë kapaku ia vlen të shikohet si mundësi.

11. Qimet në hundë janë tejet të rëndësishme

Kur dëgjoni për kimioterapinë dhe rënien e flokëve, ndoshta nuk mendoni për pjesët me qime diku tjetër përpos kokës, por terapia ka efekte në çdo pjesë të trupit. Në anën pozitive, nuk kisha nevojë t’i rruaj këmbët gjatë gjithë verës. Në anën negative, kuptova se qimet e hundës kanë më shumë se një punë: përpos që ato ndalojnë gjëra nga depërtimi në hundë, ato poashtu ndalojnë edhe gjëra nga depërtimi jashtë hundës. Kur hunda filloi të më pikonte pa kontroll, kuptova që nuk i kisha më qimet brenda saj. Nuk dola më kurrë nga shtëpia pa faculeta.

12. Rraskapitja e trupit dhe mendjes nuk është e njëjtë me lodhjen

Para gjithë kësaj, mendoja se rraskapitja dhe lodhja ishin sinonime, kështu që kur më paralajmëruan që do e përjetoja të parën, prisja se do të ndihesha sikur të isha pa gjumë ose sikur pas një dite shumë të ngarkuar. E kisha shumë gabim. Kishte ditë kur ndjehesha sikur po tërhiqja veten zvarrë, ditë kur ndjehesha sikur më duhej të mblidhja gjithë energjinë që kisha vetëm për t’u ngritur nga shtrati. Një ditë isha ulur në divan dhe po mendoja se sa shumë do të doja të ngrihesha e ta merrja një revistë në anën tjetër të dhomës, por nuk kisha fuqi të mjaftueshme as për tu ngritur. Tabletat Olaparib që do t’i marr në muajt e ardhshëm kanë si efekt anësor rraskapitjen. Shpesh e harroj këtë fakt dhe pyes veten pse disa ditë krejt çka dua të bëj është të rri shtrirë. Nëse jeni person aktiv, kjo mund të jetë paksa tronditëse.

13. Duhet të jeni vigjilente edhe nëse keni kryer mastektomi

Procedura e mastektomisë heq pjesën më të madhe të indeve të gjirit, por jo të gjitha, kjo do të thotë se ekziston një mundësi që kanceri mund të kthehet. Radioterapia e zvogëlon këtë rrezik dhe poashtu ka tableta dhe terapi të tjera që janë krijuar për t’i ndaluar qelizat e kancerit nga zhvillimi. Edhe pas të gjitha këtyre, frika e përsëritjes ende ekziston.

14. Do ju duhet t’i peshoni gjinjtë

Para se të hyja në mastektominë dhe procedurën e riformësimit, kirurgu plastik më tha që do të m’i peshonin gjinjtë për t’u siguruar që implantet që do përdornin do të ishin madhësia e duhur. Një ditë pas operacionit, më treguan se sa peshuan. Unë nuk dëshiroj ta ndaj atë detaj, por do të them që ka shtuar një dimension të ri në terapitë pasuese.

15. Disa zgjedhin “implante” të leshta

Jo të gjithë zgjedhin riformësimin klasik. Unë po diskutoja mastektominë time të ardhshme me dikë në spital dhe ajo më pyeti nëse doja ta shihja t’i shihja implantet e saj të leshta. Nuk isha i sigurt se e kuptova mirë. Ajo lëvizi sytjenat e saja dhe shfaqi pikërisht atë që shpjegoi – një gji protetik me material të leshtë. Ajo tha se nuk i pëlqenin implantet klasike dhe prandaj e përdor llojin tjetër. Të tjera të prekura zgjedhin të mos bëjnë kurrfarë riformësimi.

16. Ka shumë burime ku mund të merrni këshilla

Fondacionet bamirëse për shërimin e kancerit si dhe ato të përkushtuara posaçërisht në kancerin e gjirit kanë faqe interneti, linja telefonike dhe qendra të cilave mund t’i drejtoheni për të kërkuar ndihmë dhe informacion. Organizata “Breast Cancer Now” poashtu mund do t’ju vendosë në kontakt me dikë që ka kaluar eksperienca të ngjashme, kjo ju mundëson që të merrni këshilla edhe nga këta persona. “Dreams Future” ofron grupe mbështetëse dhe kurse praktike, ndër ta një kurs të lidhjes së shamisë që unë ia rekomandoj të gjithave. “Macmillan and Maggie” kanë njerëz që mund t’ju ndihmojnë të përfitoni nga skema të ndryshme nëse jeni duke hasur probleme me financat tuaja.

17. Të pasurit kancer nuk vendosë gjithçka tjetër në perspektivë

Pasi një nga shoqet e mija u diagnostikua me kancer, partneri i saj më tha që ajo nuk mërzitej më për gjërat e vogla, dhe unë kalova një kohë të gjatë duke pyetur veten se kur unë do arrij në këtë fazë. Ende nuk kam arritur. Shpesh kaloj orë të tëra duke u mërzitur për vogëlsira.

Diagnoza më mësoi një gjë shumë të rëndësishme: ambiciet e mija kryesore tani janë jashtë kontrollit tim. Nga të gjitha gjërat që më kalonin në mendje, si mendimi që kurrë nuk kisha vizituar Australinë apo se si nuk kisha shkruar një roman, mendimi më shqetësues ishte se unë ndoshta nuk do mund ta shihja djalin tim tek rritej. Gjëja që unë dua më së shumti është ta shikoj atë teksa arrin moshën madhore, por nuk është se mund të bëj diçka që të sigurohem se kjo ambicie përmbushet. Në ndërkohë, unë do vazhdoj të shaj në pjesën ku aplikohet për lejet e parkimit te webfaqja e komunës.

Hillary Osborne

Artikullin origjinal e gjeni në: https://www.theguardian.com/society/2023/sep/28/the-secret-world-of-breast-cancer-17-surprising-things-i-wish-id-known

E përktheu: Riola Morina