Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Drejtësia e munguar – 11 vite nga vrasja e Diana Kastratit

QIKA 18.5.2022

Sot janë bërë 11 vjet nga vrasja e Diana Kastratit më 18 maj 2011 në Prishtinë. I dyshuari kryesor për vrasjen e Dianës, ish-partneri i saj Adnan Jashari ende gjendet në liri. Diana ishte viktimë e dhunës në familje dhe para se të vritej, kishte kërkuar urdhër mbrojtës nga gjykata e cila e injoroi kërkesën duke ia shkelur kështu Dianës të drejtën në jetë.

Këtë e ka konstatuar edhe Gjykata Kushtetuese në shkurt 2013, kur me Aktgjykim vendosi se Gjykata Komunale në Prishtinë është përgjegjëse për shkeljen e drejtës në jetë të mbrojtur me Kushtetutën e Kosovës për shkak të dështimit të ofrimit të mbrojtjes për Dianën nga ish-partneri i saj abuziv.

11 vite nga vrasja e Diana Kastratit, organet e ndjekjes dhe drejtësisë së Kosovës ende nuk e kanë zbardhur rastin. Adnan Jashari me gjasë gjendet në Spanjë. Në një përgjigje ndaj kërkesës për informata zyrtare të dërguar para disa ditësh nga QIKA, Ministria e Drejtësisë së Kosovës dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë deklaruar se shteti i Spanjës ka refuzuar të bëjë ekstradimin e tij në Kosovë. Prandaj Prokuroria Themelore në Prishtinë pezulloi hetimet për rastin e vrasjes së Diana Kastratit.

Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për tejkalimin e këtyre barrierave për t’u siguruar që vrasësi i Dianës të përballet me drejtësinë dhe ta marrë denimin meritor.

Mostrajtimi adekuat i rasteve të dhunës ndaj grave ka mundësuar krijimin e një ambienti të pandëshkueshmërisë që mundëson dhe lejon vazhdimin e dhunës ndaj grave.

Heshtja dhe mosveprimi i organeve shtetërore na lë të kuptojmë se dhuna sistematike ndaj grave si dhe vrasja e tyre po mirëmbahet nga strukturat shtetërore.