Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Çka nënkuptojnë zgjedhjet evropiane për barazinë gjinore?

QIKA 20.6.2024

Rezultati i zgjedhjeve të ardhshme të Parlamentit Evropian do të ndikojë drejtpërdrejt mbi të drejtat të cilat do të mbrohen, liritë që do të respektohen dhe mënyrën se si do të luftojmë dhunën me bazë gjinore në vijimësi.

Nëse do të ishit vetëm në pyll, a do të donit të takoni një ari apo një burrë?

Ky trend i fundit në TikTok ka ngjallur një debat të rëndësishëm mbi sigurinë e grave meqë pothuajse të gjitha gratë në këtë platformë, si dhe në X e Instagram, zgjodhën kafshën e egër gjigande.

Këto përgjigje nuk janë befasuese. Në çdo cep të Evropës, jashtë dhe online, gratë përballen me abuzime të ndryshme. Ato përndjeken, ngacmohen e sulmohen. Problemi është aq i rrënjosur dhe i përhapur në të gjithë BE-në, sa 1 në 3 gra ka përjetuar ndonjë formë të dhunës seksuale apo fizike.

Derisa këtij diskursi viral i mungon diskutimi për mënyrën se si dhuna ushtrohet më së shumti nga partnerët intimë, mbetet fakt i pamohueshëm që gjatë bllokimeve pandemike, rastet e dhunës në familje janë rritur ndjeshëm. Në Francë, për shembull, më shumë se 100 gra vriten nga partneri aktual ose ish-partneri i tyre çdo vit, ndërsa një përdhunim ose tentativë përdhunimi ndodh çdo 2.5 minuta.

Në rrezik edhe më të madh janë gratë LGBTIQ+, gratë me aftësi të kufizuara dhe gratë migrante. Një studim i fundit zbuloi se gratë migrante në Francë janë 9 herë më të ekspozuara ndaj dhunës seksuale dhe kanë 18 herë më shumë gjasa të jenë viktima të përdhunimit.

Megjithatë ka një lajm të mirë: BE-ja jo vetëm që ka ratifikuar Konventën e Stambollit, një instrument ndërkombëtar për mbrojtjen e grave, por gjithashtu së fundmi ka miratuar një legjislacion për të luftuar dhunën ndaj grave, duke përfshirë ndalimin e gjymtimit gjenital femëror, martesat e detyruara dhe kriminalizimin e dhunës kibernetike.

Një punë e papërfunduar

Hapat para-prapa që janë bërë për dy vjet në dhomat e negociatave të Brukselit dëshmuan një mungesë tronditëse të vullnetit politik për t’i dhënë fund të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore. Franca dhe Gjermania bënë një aleancë skandaloze me Hungarinë për të përjashtuar nga ligji i ri një përkufizim të përdhunimit i cili bazohet në mungesën e pëlqimit të dhënë lirshëm.

Përdhunimi është një nga format më të tmerrshme, por më të shpeshta të dhunës me bazë gjinore. Vlerësohet se 5% e të gjitha grave në BE janë përdhunuar.

Përkufizimi i përdhunimit bazuar në pëlqim do të ishte i dobishëm për të mbijetuarat në më shumë se 15 vende të BE-së, përfshirë Francën.

Para gjykatave franceze, barra e provës bie mbi të mbijetuarën – për të dëshmuar se akti është kryer nën kërcënim, detyrim, befasi apo dhunë. Dëshmimi i njërit prej këtyre elementeve është shumë më i vështirë sesa duket dhe shpeshherë, pëlqimi merret si i mirëqenë.

Kjo qasje përveçse e vjetruar, është edhe e rrezikshme. Gjithçka pa një “po” të informuar dhe të dhënë lirshëm, është përdhunim.

Historikisht, prania e lëvizjeve feministe është dëshmuar të jetë faktori më i rëndësishëm në gatishmërinë e një vendi për të trajtuar dhunën me bazë gjinore. Organizatat feministe kanë nevojë dhe meritojnë më shumë mbështetje në mënyrë që të mund të nxisin legjislacion ambicioz, të ofrojnë mbështetje për të mbijetuarat dhe të rrisin ndërgjegjësimin publik.

Megjithatë, kur erdhi puna për të kriminalizuar përdhunimin në të gjithë BE-në, kërkesat e grave hasën në vesh të shurdhër, me ministrin francez të drejtësisë që tha se ndryshimi ligjor që kërkon pëlqimin e qartë do të rezultonte me “kontraktimin e marrëdhënieve seksuale”.

Ka ende shumë punë për të sfiduar këto mite të dëmshme.

Barazia gjinore në fletëvotim

Gjatë pesë viteve të fundit, debatet në Parlamentin Evropian kanë treguar se angazhimi i politikëbërësve mund të jetë gjithçka përveçse i garantuar. Hulumtimi i Oxfam France zbulon një peizazh të polarizuar: ndërsa partitë e majta, të gjelbra dhe socialiste kërkojnë masa të avancuara që variojnë nga transparenca e pagave te të drejtat e LGBTIQ+, grupet e ekstremit të djathtë i kanë kundërshtuar vazhdimisht këto nisma.

Dhe pavarësisht disa përparimeve lidhur me barazinë gjinore në të gjithë Evropën, ligjet kombëtare në lidhje me përdhunimin, abortin, kontracepsionin, edukimin seksual dhe të drejtat LGBTIQ+ janë po aq të ndryshme sa shkumësi dhe djathi.

Pse të drejtat, liritë dhe siguria jonë duhet të varen nga vendi ku jetojmë? Nuk duhet, thotë shoqata feministe Choisir la cause des femmes.

Pas turneut në Evropë për të takuar eksperte/ë dhe aktiviste/ë, Choisir tani është pionier i “klauzolës evropiane më të favorizuar”: një propozim për të harmonizuar standardet me ligjet më të mira, siç është ligji progresiv i Spanjës për përdhunimin “vetëm po do të thotë po”.

Qëllimi i tyre është nxitja e kandidatëve në zgjedhje që të angazhohen për standarde më të larta në mënyrë që të gjithë evropianët të mund të përfitojnë nga mbrojtja më e mirë.

Kjo nismë është veçanërisht urgjente pasi valët politike po zhvendosen drejt konservatorizmit në vende si Italia, Sllovakia dhe Suedia, ku të drejtat rrezikohen të treten mes retorikës virulente antifeministe dhe miliona eurove që derdhen në grupe anti-gjinore.

Rezultati i zgjedhjeve të Parlamentit Evropian do të ndikojë drejtpërdrejt mbi të drejtat të cilat do të mbrohen, liritë që do të respektohen dhe mënyrën se si do të luftojmë dhunën me bazë gjinore në vijimësi.

Ja pse ne kemi nevojë për më shumë, jo më pak, zyrtarë të zgjedhur që do të dëgjojnë grupet si Choisir, të cilët jo vetëm janë të vetëdijshëm për nevojat e komunitetit, por edhe të pasionuar pas ofrimit të zgjidhjeve.

Çdo votë e hedhur ka fuqinë për të përcaktuar nëse gratë do të ndihen më të sigurta në shtëpi apo vetëm në pyll.

Sophie Pouget

E përktheu: Blenda Asllani

Shkrimin origjinal mund ta gjeni në: https://www.euronews.com/my-europe/2024/06/04/what-do-european-elections-mean-for-gender-equality