Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Dështimi i mbrojtjes së jetës së Lirijes = vërejtje me shkrim

6.5.2022

Lirije Qerimaj u vra brutalisht në mesditën e 5 janarit të këtij viti. Siç u raportua nga mediat, Lirija e kishte denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje pak ditë para se ai t’i shkrepte gjashtë fishekë ndaj saj. Prokurorja e rastit Stojanka Kasaloviq nuk e përcolli rastin dhe nuk morri aktvendim për ndalim të të akuzuarit. Kjo neglizhencë i kushtoi me jetë Lirijes.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shqiptuar vetëm vërejtje publike me shkrim ndaj prokurores Kasaloviq, duke potencuar faktin se ajo ka pranuar se nuk e ka trajtuar si duhet rastin e 48-vjeçares nga Llausha e Skenderajt dhe se ndien keqardhje.

Ligji për përgjegjësinë disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve përcakton se në marrjen e vendimit për masën disiplinore duhet të mirret parasysh edhe pasoja e shkeljes disiplinore. Vendimi thotë se mungesa e veprimeve të prokurores i ka shkaktuar dëm reputacionit dhe besimit të publikut në Prokurorinë e Shtetit. Ndërkaq, askund nuk përmendet se për pasojë të shkeljes disiplinore u vra një grua që kishte kërkuar ndihmë.  

Me këtë masë disiplinore, që është në shpërputhje të plotë me pasojën e shkeljes disiplinore, KPK po kontribuon në dëmtimin e besimit të publikut ndaj këtij institucioni sepse po e vazhdon kulturën e pandëshkueshmërisë ndaj personave përgjegjës për dështimin në mbrojtjen e grave.

QIKA e konsideron masën disiplinore nga KPK si të papranueshme dhe të dëmshme.