Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Thirrje për angazhim: Ekspert/e për të drejtat e grave në vendin e punës

QIKA 10.2.2025

1. Rreth Angazhimit

QIKA dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore, me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës, po zbatojnë projektin “Fuqizimi i Grave në Tregun e Punës.” Ky projekt synon të rrisë ndërgjegjësimin e grave të punësuara mbi të drejtat e tyre në vendin e punës dhe t’i pajisë ato me njohuri praktike për të adresuar sfidat me të cilat përballen. Trajnimet e këtij projekti do të ndihmojnë gratë të kuptojnë mbrojtjen ligjore kundër diskriminimit, të avancojnë në karrierë, të promovojnë një ambient pune gjithëpërfshirës dhe të adresojnë çështje si pabarazia në paga, ngacmimi në punë dhe pengesat për vendimmarrje.

Në kuadër të kësaj, kërkojmë një ekspert/e për të hartuar një udhëzues mbi të drejtat e grave në vendin e punës, si dhe për të realizuar trajnime me gra të punësuara në kompani të sektorit privat.

2. Detyrat dhe përgjegjësitë

Eksperti/ja i/e angazhuar do të ketë përgjegjësitë e mëposhtme:

Hartimi i një udhëzuesi për informimin e grave mbi të drejtat e tyre në vendin e punës, bazuar në këta nën-kapituj:

-Barazia gjinore në vendin e punës
-Mbrojtja ligjore për gratë në punë
-Parandalimi i ngacmimit dhe diskriminimit në punë
-Paga e barabartë
-Roli i sindikatave në përmirësimin e të drejtave të grave
-Ndërtimi i një kulture pune të ndjeshme gjinore
-Avancimi në karrierë

-Zhvillimi i 8 trajnimeve me gratë e punësuara në kompani të sektorit privat, duke siguruar një qasje praktike dhe të aplikueshme për pjesëmarrëset.

-Përgatitja e materialeve për trajnime, duke përfshirë skenarët e diskutimeve dhe ushtrimet praktike.

-Koordinim dhe takime me ekipin e QIKA-s për zhvillimin e përmbajtjes së udhëzuesit dhe pyetësorit.

-Përgatitja e raportit përfundimtar mbi aktivitetet e realizuara dhe rekomandimet për fuqizimin e grave në vendin e punës.

3. Kohëzgjatja dhe ditët e angazhimit

Eksperti/ja do të angazhohet për 28 ditë pune, të ndara si më poshtë:

-18 ditë – Hartimi i udhëzuesit dhe pyetësorit
1 ditë – Përgatitja e trajnimeve
8 ditë – Realizimi i 8 trajnimeve (1 ditë për secilin trajnim)
1 ditë – Përgatitja e raportit përfundimtar

4. Kriteret e aplikimit

Kandidati/ja duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

-Përvojë të dëshmuar në angazhimet që lidhen me barazinë gjinore, të drejtat e punëtorëve dhe mbrojtjen nga diskriminimi në vendin e punës.

-Njohuri të avancuara mbi legjislacionin e punës dhe politikat për mbrojtjen e të drejtave të grave.

-Përvojë në hartimin e materialeve edukative dhe pyetësorëve mbi të drejtat e punës.

-Aftësi të mira komunikuese dhe eksperiencë në zhvillimin e trajnimeve për grupe të ndryshme të punësuara.

5. Si të aplikoni

Kandidatët/et e interesuar/a duhet të dërgojnë:

-CV-në e tyre, duke përfshirë përvojën e mëparshme në trajnime mbi barazinë gjinore dhe të drejtat e punëtorëve.

-Një propozim të shkurtër mbi qasjen e tyre për hartimin e udhëzuesit dhe zhvillimin e trajnimeve.

Dokumentet e aplikimit duhet të dërgohen në office@qika.org me subjektin: “Aplikim për Ekspert/e – Trajnimi i Grave në Vendin e Punës” deri më 21 Shkurt 2025.

Për çdo pyetje, ju lutemi kontaktoni office@qika.org