Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

bell hooks: mësuesja e gjithçkaje

QIKA 13.7.2026

Si e bëri bell hooks feminizmin të kuptueshëm për të gjithë, e shndërroi dashurinë në kërkesë politike dhe këmbënguli se klasa në shkollë mund të jetë një hapësirë e lirisë.

bell hooks, na bën të kuptojmë se çlirimi kërkon ndryshim strukturor, se patriarkati nuk ka gjini, se kapitalizmi formëson intimitetin, se lëvizjet riprodhojnë hierarki dhe se dashuria kërkon përgjegjësi.

Në imagjinatën publike, bell hooks shpesh paraqitet si përmbledhje citatesh që qarkullojnë lehtësisht: emri i saj i shkruar me shkronja të vogla si simbol i përulësisë; përkufizimi i saj i fuqishëm mbi feminizmin; këmbëngulja se dashuria është veprim e jo thjesht ndjenjë.

Por historia e vërtetë – ajo që e formësoi Gloria Jean Watkins në bell hooks – asnjëherë nuk mund të reduktohet në një slogan. Debati i vazhdueshëm me botën, i zhvilluar përgjatë dekadave, përmes formave të ndryshme të shkrimit dhe komunikimit, i ushqyer nga një ide thelbësore dhe thellësisht e rrënjosur: se dominimi mësohet pikërisht në ato vende që njerëzit i konsiderojnë normale, dhe se çlirimi, për këtë arsye, duhet të praktikohet pikërisht në ato hapësira që njerëzit i quajnë të zakonshme.

bell hooks, e cila ndërroi jetë në vitin 2021, në moshën 69-vjeçare në Berea, ishte kritike kulturore, pedagoge dhe teoriciene feministe afro-amerikane, puna e së cilës lëvizte natyrshëm mes botës akademike dhe jetës së përditshme.

Ajo shkroi mbi trashëgiminë dhe pasojat e vazhdueshme të skllavërisë, racizmin brenda lëvizjeve feministe, patriarkatin brenda komuniteteve afro-amerikane, ndarjet klasore brenda politikave çlirimtare, si dhe plagët intime që krijohen kur një kulturë i mëson njerëzit ta barazojnë dashurinë me kontrollin.

Gjatë së njëjtës karrierë, ajo arriti të publikojë kritika teorike komplekse, libra për fëmijë, memoare, analiza filmi dhe ese pedagogjike, shpesh duke përdorur një stil të drejtpërdrejtë që refuzonte idenë se dijet akademike duhet të jenë të paarritshme për publikun e gjerë.

Mbështetësit e saj e vlerësonin sepse u kishte dhënë gjuhën për të përshkruar përvojat dhe jetët e tyre; kritikët, nga ana tjetër, ndonjëherë e akuzonin për një qasje tepër morale, për përgjithësime të tepruara, ose për kalimin shumë të shpejtë nga analiza kulturore tek propozimet e gjera për ndryshim.

Por të dyja këto reagime – si mbështetja, ashtu edhe irritimi – tregonin të njëjtën gjë: hooks shkruante me bindjen se idetë nuk janë zbukurime intelektuale. Ato janë mjete. Dhe mjetet ekzistojnë për t’u përdorur.

Pesha dhe rëndësia e shkrimeve të saj u formësuan qysh herët. Gloria Jean Watkins lindi në vitin 1952 në Hopkinsville, një qytet i ndarë në baza racore, ku rendi racor nuk ishte vetëm pjesë e sfondit shoqëror, por vetë struktura mbi të cilën ndërtohej realiteti.

Smithsonian Institution, përmes Muzeut Kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afro-Amerikane, thekson origjinën e saj nga një familje e klasës punëtore dhe përvojën formuese të rritjes nën segregimin racor, ku leximi dhe gjuha u shndërruan njëkohësisht në strehë dhe në armë.

Detajet e mëvonshme të biografisë së saj – studimet në Universitetin e Stanford-it, Universitetin e Wisconsin-Madison, Universitetin e Kalifornisë dhe Santa Cruz; angazhimet e saj në mësimdhënie; si dhe rikthimi në Kentucky – janë të rëndësishme, por nuk e shpjegojnë vazhdimësinë e qëndrueshme që përshkon gjithë veprën e saj.

Ajo që e shpjegon këtë është mënyra se si ajo e kuptonte pushtetin: jo si forcë abstrakte që qëndron mbi jetën e përditshme, por si diçka që riprodhohet vazhdimisht përmes zakoneve, institucioneve, imazheve dhe roleve familjare që shoqëria ua imponon individëve.

Edhe zgjedhja e emrit mbante brenda të njëjtën logjikë. Pseudonimi “bell hooks” ishte një homazh për stërgjyshen e saj nga ana e nënës, Bell Blair Hooks, dhe – në mënyrë karakteristike – shkruhej gjithmonë me shkronja të vogla. Qëllimi nuk ishte një lojë tipografike apo një mënyrë për të tërhequr vëmendje. Më shumë ishte mesazh mbi atë se ku duhet të përqendrohet vëmendja: tek vepra dhe jo tek autori, tek idetë dhe jo tek personaliteti.

Ky vendim u kthye në një element që ngjalli vazhdimisht kureshtje publike – diçka që The Washington Post e riktheu në vëmendje edhe pas vdekjes së saj, duke vënë në dukje se mënyra e veçantë e shkrimit të emrit vazhdonte të shfaqej si një pyetje e lidhur ngushtë me famën e saj.

Sipas hooks, kjo kureshtje ishte domethënëse dhe mësimdhënëse: ajo tregonte se kultura vazhdon të lidhet fort pas identitetit individual, edhe në momentin kur argumenti që po paraqitet ka të bëjë pikërisht me sistemet dhe strukturat shoqërore, e jo me individin.

Për hooks, këto sisteme nuk kanë qenë kurrë çështje që mund të kuptohen të ndara nga njëra-tjetra apo të reduktohen në një problem të vetëm. Një nga arsyet kryesore pse bell hooks u bë një figurë themelore për breza të tërë lexuesish ishte fakti se ajo ishte ndër mendimtaret që i mësoi njerëzit të shohin strukturat e ndërthurura të pushtetit – racën, gjininë, klasën, kapitalizmin dhe imperializmin – si mekanizma që veprojnë së bashku, dhe jo si fenomene të ndara apo të njëpasnjëshme.

Në intervista publike dhe ese të ndryshme, ajo përdorte një shprehje që më vonë u bë simbol i metodës së saj analitike: “patriarkati kapitalist imperialist i supremacisë së bardhë”. Kjo formulim i qëllimshëm dhe i ndërtuar në mënyrë kumulative synonte të mos i lejonte lexuesit të izolonin një formë të vetme dominimi dhe të imagjinonin se format e tjera të shtypjes janë dytësore apo rastësore.

Për hooks, sistemet e shtypjes janë të ndërlidhura dhe forcojnë vazhdimisht njëra-tjetrën brenda të njëjtit rend shoqëror.

Por edhe pse fjalori i saj diagnostikues mund të ishte i ashpër, projekti i saj nuk kishte si qëllim thjesht të emërtonte dëmin. Qëllimi ishte të ndërtonte praktika qoftë intelektuale, politike apo marrëdhënore,  që mund ta ndërprisnin atë.

Tronditja e parë: përfshirja e grave zezake në historinë e feminizmit

bell hooks hyri në botën e botimeve në një moment kur lëvizja kryesore feministe në SHBA ende po ndërtohej kryesisht mbi përvojat dhe prioritetet e grave të bardha të klasës së mesme, dhe kur grave zezake shpesh u kërkohej të zgjidhnin mes solidaritetit racor dhe kritikës feministe, thua se këto të dyja s’mund të bashkëjetonin pa u konsideruar tradhti.

Vepra e saj e hershme dhe themelore, Ain’t I a Woman?: Black Women and Feminism” e botuar në vitin 1981, i refuzonte këto kufizime. Ajo argumentonte se historia e skllavërisë, supremacisë së bardhë dhe seksizmit kishte prodhuar një formë të veçantë degradimi për gratë zezake, dhe se as lëvizja për të drejtat civile e as lëvizja feministe nuk e kishin adresuar mjaftueshëm këtë ndërthurje të shtypjes.

Titulli i librit, i cili i referuar Sojourner Truth, nuk ishte homazh për të, por ishte njëfarë akuze ndaj mënyrës se sa shpesh zezaket ishin trajtuar si mjete retorike e jo si subjekte të plota politike.

Ajo që e bëri ndikimin që libri vazhdon ta ketë edhe sot, nuk ishte vetëm kritika që e përmbante, por edhe këmbëngulja e tij për t’u mbështetur fort në analizën historike. Libri trajtoi mënyrat se si regjimi gjinor i skllavërisë dhe racizmi pas skllavërisë formësuan idetë kulturore mbi identitetin e grave zezake, punën, seksualitetin dhe pranueshmërinë.

“Word In Black”, në artikullin e tij për vdekjen e saj, shkroi për figurën e bell hooks si autore dhe aktiviste, si dhe gjerësinë e ndikimit të saj – ndikim që shtrihej përtej feminizmit akademik dhe depërtonte në debatin publik.

Edhe Ebony e paraqiti atë si një figurë të njohur ndërkombëtarisht, dhe vdekjen e saj e cilësoi si humbje të madhe kulturore.

“Ain’t I a Woman?: Black Women and Feminism”, i cili qendërzoipërvojat e grave zezake në qendër të analizës feministe, nxori në pah një model te të cilit bell hooks do ti rikthehej vazhdimisht: lëvizjet që pretendojnë çlirim mund të riprodhojnë dominimin edhe brenda vetes.

Kjo nuk ishte një tezë e lehtë apo ngushëlluese. Kjo nënkuptonte se feminizmi duhej të ishte në gjendje të kritikonte vetveten. Do të thoshte se përpjekjet për drejtësi racore duhej të përballeshin edhe me seksizmin. Do të thoshte se romantizimi i solidaritetit nuk mund të zëvendësonte ndershmërinë ndaj kauzave.

“Feminizmi është për të gjithë” dhe lufta kundër elitizmit

Një nga lëvizjet më të rëndësishme të bell hooks ishte retorike: ajo nuk pranoi që feminizmi të mbetej politikë elitare, e rezervuar vetëm për ata që tashmë ishin të përfshirë dhe të vetëdijshëm për të. Në librin e saj Feminist Theory: From Margin to Center” (1984), i njohur më vonë edhe nga TIME si një ndërhyrje përcaktuese në mendimin feminist, ajo kritikoi formën e feminizmit që i trajtonte shqetësimet e grave zezake dhe të grave të varfra si çështje dytësore. Në vend të kësaj, ajo argumentonte për feminizmin si një lëvizje masive – një etikë dhe një politikë që synon t’i japë fund shtypjes seksiste, e jo thjesht të zgjerojë mundësitë për një grup të caktuar të grave.

Kjo kritikë mbetet ende aktuale, pjesërisht sepse ajo parashikoi dilema që vazhdojnë të përcaktojnë politikën bashkëkohore: tensionin mes përfaqësimit dhe rishpërndarjes; joshjen e përfshirjes institucionale; si dhe hendekun mes aktivizmit të profesionalizuar dhe jetës së përditshme të bazës shoqërore.

bell hooks shpesh shfaqte padurim ndaj asaj që ajo e shihte si ambicie asimiluese të feminizmit: përparimin e grave brenda sistemeve që, në vetvete, vazhdonin të mbeteshin shfrytëzuese. Perspektiva e saj ishte kryesisht e ndërtuar mbi vetëdijen klasore, gjë që e vendoste në kundërshtim me triumfalizmin liberal.

Ajo shkroi mbi kulturën konsumeriste, korporatizimin e identitetit dhe mënyrat se si koncepti i “zgjedhjes” mund të përdorej për të moralizuar pabarazinë, në vend që ta çmontonte atë. Në këtë kuptim, feminizmi i saj nuk e kishte qëllim përfundimtar fuqizimin individual, ai kishte të bënte me transformimin kolektiv.

Vepra e saj më e vonshme dhe më e njohura për publikun, “Feminism Is for Everybody”, e paraqiti këtë argument përmes një gjuhe qëllimisht të kuptueshme dhe të qasshme – një nga arsyet pse libri vazhdon të qarkullojë mes lexuesve të rinj dhe hapësirave të organizimit aktivist.

Word In Black, në një listë leximi të publikuar së fundmi, e përshkruan librin si një kurs fillestar që shpjegon qartë se si patriarkati dhe seksizmi i përbrendësuar deformojnë marrëdhëniet dhe vetë lëvizjet shoqërore.

Për hooks, kjo qasje e kuptueshme nuk ishte thjeshtëzim të ideve por në fakt ishte strategji politike. Feminizmi do të dështonte si lëvizje nëse nuk mund të kuptohej përtej kufijve klasorë.

Klasa si hapësirë e luftës dhe e mundësisë

Nëse puna e hershme e bell hooks riformësoi teorinë feministe, shkrimet e saj pedagogjike kontribuuan gjithashtu në transformimin e mënyrës se si shumë edukatorë e kuptojnë mësimdhënien. Libri i saj “Teaching to Transgress: Education as the Practice of Freedom” (1994) mbetet një tekst themelor për pedagogjinë e angazhuar – një qasje që e trajton klasën si hapësirë ku pushteti negociohet vazhdimisht, dhe jo si një vend neutral për transmetimin e informacionit.

hooks u mbështet tek idetë e Paulo Freire dhe mendimtarëve të tjerë, por ajo e bëri teorinë thellësisht personale, duke përshkruar se si përvoja e shkollimit nën segregimin racor dhe më pas integrimi formësuan mënyrën se si ajo e kuptonte potencialin e edukimit.

Ajo argumentonte se klasa shkollore riprodhon hierarkitë shoqërore kur i trajnon studentët për bindje dhe nënshtrim, ndërsa edukimi çlirues kërkon etikë të ndërsjellësisë, pranisë aktive dhe vetëdijes kritike.

Qëndrueshmëria dhe ndikimi afatgjatë i këtij libri lidhet pjesërisht me refuzimin e tij për ta romantizuar procesin e mësimdhënies. bell hooks nuk i paraqiste edukatorët si figura të shenjta apo të pagabueshme. Ajo këmbëngulte se pozicioni i pushtetit që zotërojnë mësimdhënësit është real, se institucionet zbatojnë përgjegjësinë në mënyrë të pabarabartë, dhe se çlirimi kërkon ndershmëri përballë statusit dhe strukturës, jo një informalitet të shtirur apo performativ.

Ajo gjithashtu insistonte që trupi dhe emocionet janë pjesë thelbësore e procesit të të mësuarit – ide që, gjatë viteve 1990, mund të perceptoheshin si provokuese brenda një kulture akademike që vlerësonte distancimin emocional dhe objektivitetin e ftohtë.

Puna pedagogjike e bell hooks lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet e saj institucionale. Pas mësimdhënies në disa universitete, ajo u rikthye në Kentucky dhe u bë profesore e dalluar rezidente në Kolegjin Berea. Materialet institucionale të vetë Kolegjit Berea theksojnë rolin e saj në mentorimin e studentëve dhe në ndërtimin e programeve feministe në kampus, përfshirë krijimin e bell hooks Institute dhe, më vonë, bell hooks Center.

Arkivi i dokumenteve dhe shkrimeve të saj në Berea pasqyron gjithashtu sa seriozisht ajo e trajtonte trashëgiminë materiale të ideve – çfarë ruhet, kush ka qasje në të dhe se si studiuesit e ardhshëm do ta tregojnë historinë.

Në këtë mënyrë, bell hooks e praktikonte atë që predikonte: se edukimi nuk është thjesht përparim personal. Ai është infrastrukturë e komunitetit.

Duke parë prapa: filmi, përfaqësimi dhe “vështrimi opozitar”

Për shumë lexues jashtë fushës së studimeve feministe, bell hooks u bë fillimisht e njohur përmes kritikës kulturore – veçanërisht përmes shkrimeve të saj mbi filmin, muzikën dhe përfaqësimin. Koncepti i saj i ‘vështrimit opozitar’ (ang. oppositional gaze), i lidhur me esenë The Oppositional Gaze: Black Female Spectators”, i dha emër një forme të të vështruarit të formësuar nga historia: vetëdijen se zezakëve, dhe veçanërisht grave, shpesh u ishte mohuar leja shoqërore për të parë, për të interpretuar dhe për të gjykuar, dhe se rimarrja e këtij vështrimi mund të shndërrohej në një akt rezistence.

Argumenti i kësaj eseje mbi spektatorin, pushtetin dhe politikat e përfaqësimit është përhapur gjerësisht brenda teorisë së filmit dhe studimeve kulturore.

Kritika kulturore e bell hooks nuk e trajtonte përfaqësimin si çështje dytësore. Ajo i kuptonte imazhet si një formë qeverisjeje – që formëson dëshirën, legjitimon hierarkitë dhe përcakton se kush shihet si kompleks dhe me vlerë njerëzore, dhe kush shihet si i zëvendësueshëm apo i papërfillshëm.

Në përmbledhje si “Black Looks: Race and Representation” dhe “Reel to Real: Race, Sex, and Class at the Movies”, ajo analizonte mënyrat se si kultura popullore riprodhon vazhdimisht mitologjitë racore dhe gjinore, si dhe mënyrën se si shikuesit mund të kultivojnë rezistencë ndaj tyre.

Kritikat e saj ndaj regjisorëve dhe artistëve të njohur – në mesin e tyre edhe Spike Lee – shpesh patën shkaktuar polemika sepse ajo refuzonte logjikën sipas së cilës përfaqësimi nga krijuesit afro-amerikanë është automatikisht çlirues. Ky refuzim e bëri atë të mos ishte e mirëpritur në disa qarqe. Por, në të njëjtën kohë, e bëri analizën e saj shumë më të vështirë për t’u shpërfillur.

Kjo është një nga fushat ku qasja e bell hooks mund të dukej e ashpër: ajo mund të kërkonte përgjegjësi politike nga arti në mënyra që shpesh i frustronin lexuesit të cilët dëshironin që kritika të ishte kryesisht simbolike apo afirmuese.

Megjithatë, pikërisht këtu bëhej e rëndësishme këmbëngulja e saj për kompleksitetin. Ajo argumentonte vazhdimisht se dominimi mund ta riprodhojë vetveten përmes prestigjit, përmes suksesit dhe madje përmes kënaqësisë që sjell të qenit i dukshëm dhe i pranuar në publik.

Kthesa që në fakt nuk ishte kthesë: dashuria si disiplinë

Nëse kritika kulturore e bell hooks i ndihmoi lexuesit të kuptonin dominimin, shkrimet e saj mbi dashurinë i ndihmuan ata të imagjinonin alternativa të tjera. Libri “All About Love: New Visions” (2000) shpesh përshkruhet si libër mbi dashurinë, madje nganjëherë proklamohet edhe si libër i vetë-ndihmës.

Por hooks nuk e kuptonte dashurinë si humor apo si ndjenjë kalimtare. Ajo e konceptonte dashurinë si etikë – kujdes, përgjegjësi, përkushtim, dije dhe besim – si një praktikë të qëllimshme që matet përmes veprimeve konkrete.

Popullariteti i ripërtërirë i këtij libri gjatë viteve 2020 pasqyron një nevojë gjithnjë e më të madhe për një gjuhë që adreson dëmet dhe plagët në marrëdhënie, pa i reduktuar ato në patologji individuale. Raportimet e Associated Press kanë dokumentuar mënyrën se si një brez i ri e ka përqafuar “All About Love”, duke theksuar njëkohësisht edhe kujdesin e studiuesve që hooks të mos reduktohet thjesht në figurën e një guru-je të stilit të jetesës.

Ky tension – mes bell hooks si teoriciene politike dhe hooks si një figurë që ofron udhëzime personale për jetën – është sot një nga debatet më të mëdha në interpretimin e trashëgimisë së saj. Në një epokë që dominohet nga citatet virale, është joshëse ta trajtosh etikën e saj të dashurisë si një formë ngushëllimi apo qetësimi emocional.

Por etika e dashurisë tek hooks ishte konfrontuese. Ajo kërkonte që njerëzit të vinin në pikëpyetje dominimin jo vetëm brenda qeverive dhe vendeve të punës, por edhe brenda familjeve, miqësive, marrëdhënieve seksuale dhe hapësirave të organizimit kolektiv.

Ajo kërkonte që patriarkati të kritikohej si një sistem që i mëson burrat (dhe gratë) ta barazojnë kontrollin me kujdesin. Kërkonte që njerëzit të përballeshin me të vërtetën se si dhuna mund të normalizohet dhe të paraqitet si disiplinë.

Argumenti i saj përmbante gjithashtu një kritikë të nënkuptuar ndaj kulturës politike: aktivizmi pa dashuri mund të shndërrohet në një tjetër teatër të dominimit. Center for Action and Contemplation, për shembull, ka përmbledhur argumentin e hooks se një etikë e dashurisë mund ta riformësojë jetën publike, duke e konceptuar dashurinë jo si ndjenjë, por si praktikë morale dhe shoqërore të aftë për t’i rezistuar dehumanizimit.

E lexuar në kontekstin e plotë, puna e bell hooks mbi dashurinë nuk përfaqëson tërheqje nga politikat radikale. Përkundrazi, ajo pretendon se politikat radikale dështojnë nëse nuk mbështeten mbi një themel marrëdhënor mjaftueshëm të fortë për ta mbajtur dhe për ta bërë të qëndrueshme.

Maskuliniteti, patriarkati dhe rreziku nga kritika brenda komunitetit

bell hooks ishte gjithashtu e gatshme të shkruante drejtpërdrejt për burrat dhe t’u drejtohej atyre, veçanërisht burrave afro-amerikanë, në mënyra që shpesh perceptoheshin sa sfiduese aq edhe të ndjeshme. Në librin e saj “We Real Cool: Black Men and Masculinity” (2004), ajo trajtoi mënyrat se si patriarkati i dëmton edhe vetë burrat – përmes paaftësisë për të kuptuar dhe shprehur emocionet, përmes dhunës si performancë dhe përmes kontrollit social mbi butësinë, ndjeshmërinë dhe afeksionin.

Ajo argumentonte gjithashtu se racizmi dhe shtypja klasore mund t’i intensifikojnë edhe më tej këto dinamika. Kjo nuk ishte një politikë që justifikonte dëmin apo sjelljet e dhunshme, por ishte politikë që synonte të emërtonte kushtet sociale dhe kulturore brenda të cilave dëmi fillon të paramendohet si pjesë e vetë identitetit.

Gatishmëria e bell hooks për të kritikuar patriarkatin brenda komuniteteve afro-amerikane ishte, për disa lexues, akt ndershmërie; për të tjerë, një lloj mbështetjeje indirekte për narrativat raciste që patologjizojnë burrat afro-amerikanë. hooks e pati parashikuar këtë kritikë dhe e kishte refuzuar atë si një mekanizëm heshtjeje.

Për të, beteja e çlirimit duhej të ishte në gjendje të shikonte edhe brenda vetes, pa u zhytur në turp apo pa e perceptuar kritikën si tradhti. Një lëvizje që nuk është në gjendje të kritikojë vetveten, shndërrohet në kishë. Dhe ajo nuk kërkonte kisha. Ajo donte liri.

Kjo është gjithashtu një nga fushat ku puna e bell hooks mund të duket e pamëshirshme. Nëse je në kërkim të një politike që ofron heronj të pakomplikuar dhe të pagabueshëm, hooks nuk është autorja që po kërkon. Nëse je në kërkim të një politike që i trajton komunitetet afro-amerikane si të paprekshme nga kritika vetëm për t’i mbrojtur nga interpretimet raciste, hooks nuk e bën këtë kompromis.

Për të, të thuash të vërtetën është një formë e mbrojtjes.

Kentucky, vendi i përkatësisë dhe gjeografia e një intelektualeje

Një korrigjim i dobishëm ndaj idesë se bell hooks ishte thjesht një mendimtare teorike është ta marrim seriozisht marrëdhënien e saj me vendin dhe hapësirën prej nga vinte. Në një homazh të publikuar pas vdekjes së saj, The Atlantic theksoi se sa thellësisht puna e saj ishte formësuar nga Kentucky – nga Hopkinsville, nga Jugu i Shteteve të Bashkuara dhe nga ajo që ajo vetë e quante shpesh “homeplace” (vendi i përkatësisë dhe i rrënjëve).

Kjo ka rëndësi sepse shkrimet e hooks shpesh lexohen si kritikë urbane dhe kozmopolite. Por sensibiliteti i saj – veçanërisht vëmendja ndaj familjes, intimitetit dhe memories kolektive të komunitetit – i ka rrënjët në jetën kulturore të komuniteteve afro-amerikane të Jugut dhe në një botëkuptim të klasës punëtore.

Pikërisht kjo është një pjesë e asaj që i jep prozës së saj tension dhe forcë: ajo nuk performon neutralitetin akademik. Ajo shkruan duke u nisur nga strukturat shoqërore të jetuara realisht.

Në Kolegjin Berea, kjo lidhje me vendin u institucionalizua. Krijimi i bell hooks Institute në vitin 2014 dhe hapja më vonë e bell hooks center nuk ishin vetëm akte simbolike të nderimit. Në fakt ato përfaqësojnë vazhdimësinë e bindjes së saj se ideve u nevojitet infrastrukturë lokale – programe, arkiva, biseda dhe hapësira ku studentët e nënpërfaqësuar mund të mblidhen pa qenë të detyruar ta dëshmojnë veten përpara vështrimit dominues.

Kritikët: moralizmi, siguria absolute dhe barra e famës

Do të ishte e papërgjegjshme të shkruhej për bell hooks sikur mënyra se si ajo është pritur nga publiku dhe bota akademike të ketë qenë universalisht admiruese. Ajo ka qenë shpesh subjekt debatesh dhe kundërshtimesh. Disa kritikë i konsideronin kritikat e saj ndaj artistëve të njohur si tepër normative dhe i lexonin ato si një formë e kontrollit moral. Të tjerë argumentonin se qortimet e saj të gjera ndaj feminizmit “mainstream” apo lidershipit afro-amerikan ndonjëherë thjeshtonin dallimet dhe kompleksitetet e brendshme. Disa studiues kanë debatuar gjithashtu marrëdhënien e saj me teorinë postmoderne, ose kanë vënë në pikëpyetje nëse qasja e saj retorike sakrifikonte nuancën për hir të qasshmërisë.

Ekziston gjithashtu edhe pasjeta e komplikuar e famës së saj. Pikërisht qasshmëria që e bëri të fuqishme, e bëri edhe lehtësisht të shkëputshme nga konteksti: fjalitë e saj qarkullojnë të izoluara; shprehjet e saj shndërrohen në përshkrime për rrjetet sociale; etika e saj e dashurisë transformohet në një identitet marke. Rreziku nuk qëndron vetëm tek keqinterpretimi. Ai qëndron tek zbutja dhe neutralizimi i ideve të saj – kthimi i një kritike radikale ndaj dominimit në një estetikë të thjeshtë fuqizimi personal.

Sa më shumë që hooks shndërrohet në një figurë të shenjtë kulturore, aq më i lehtë bëhet injorimi i pjesëve më tronditëse dhe më sfiduese të argumenteve të saj: se çlirimi kërkon ndryshim strukturor, se patriarkati nuk ka gjini, se kapitalizmi formëson intimitetin, se lëvizjet riprodhojnë hierarki dhe se dashuria kërkon përgjegjësi.

Pas vdekjes së saj, homazhet publike prireshin të theksonin gjerësinë dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të veprës së bell hooks. Nekrologjia e The Washington Post e përshkroi atë si një feministe afro-amerikane pioniere dhe kritike sociale novatore, duke vënë në pah shkallën e ndikimit të saj përgjatë dekadave të debateve mbi racën dhe gjininë. Në mënyrë të ngjashme, nekrologjia e The Guardian theksoi rolin e saj si një intelektuale publike, puna e së cilës vendoste në qendër ndërthurjen e shtypjeve për shkak të racës, gjinisë dhe klasës – duke mbajtur njëkohësisht dashurinë në zemër të procesit të shërimit të komunitetit.

Këto janë përmbledhje të sakta. Por ato gjithashtu mund të zbusin ashpërsinë dhe tensionin kritik që e bënin veprën e saj kaq thelbësore.

Çfarë bëri në të vërtetë vepra e saj?

Ta marrësh seriozisht veprën e bell hooks do të thotë ta shohësh krijimtarinë e saj jo thjesht si një raft librash, por si një arkitekturë të vazhdueshme pyetjesh.

Çfarë do të thotë të ndërtosh politika feministe që nuk riprodhojnë racizmin dhe klasizmin? Çfarë do të thotë të ndërtosh politika të drejtësisë racore që nuk riprodhojnë seksizmin dhe homofobinë? Çfarë do të thotë të jetosh në një kulturë ku dominimi maskohet si normalitet – ku kontrolli paraqitet si dashuri, ku dhuna paraqitet si disiplinë, dhe ku përfaqësimi paraqitet si drejtësi?

Këto pyetje shfaqen përgjatë gjithë bibliografisë së saj sepse bell hooks e trajtonte kulturën si një mjedis të plotë, që përfshin çdo aspekt të jetës shoqërore. Ajo shkruante teori, por shkruante gjithashtu edhe për televizionin, muzikën, marrëdhëniet romantike, klasat mësimore, standardet e bukurisë, prindërimin dhe spiritualitetin. Ajo këmbëngulte se shtypja nuk është një ngjarje e vetme apo akt i izoluar, por  është një proces mësimi dhe formësimi. Dhe nëse shtypja është një trajnim, atëherë çlirimi duhet të jetë një kundër-trajnim: diçka që praktikohet vazhdimisht, me qëllim dhe në komunitet.

Pikërisht për këtë arsye theksi që ajo vendoste mbi dashurinë nuk është devijim nga mendimi i saj politik. Është metodë. Sipas saj, kjo është mënyra e vetme për të mbështetur dhe mbajtur gjallë politikat që synojnë t’i japin fund dominimit, e jo thjesht ta përmbysin drejtimin e tij. Fjalia e saj e famshme se “feminizmi është për të gjithë” nuk është slogan marketingu. Është një insistim strategjik se çlirimi duhet të jetë kolektiv – përndryshe ai do të shndërrohet në një tjetër formë hierarkie, thjesht me një gjuhë më të sofistikuar.

Rëndësia e qëndrueshme: një fjalor që vazhdon të organizojë të tashmen

Sot është e vështirë të imagjinohet diskursi bashkëkohor mbi shtypjen e ndërthurur pa praninë e bell hooks si pjesë themelore e këtij formësimi intelektual. Ajo nuk ishte e vetmja mendimtare që kontribuoi në ndërtimin e këtij kuadri teorik, dhe vetë termi “intersectionality” lidhet më ngushtë me Kimberlé Crenshaw. Megjithatë, ndikimi i hooks mbetet i veçantë: ajo arriti ta bëjë kritikën strukturore të kuptueshme edhe për njerëzit jashtë departamenteve akademike, dhe këmbënguli se kjo kritikë duhet të depërtojë edhe në sferën private të jetës.

Trashëgimia e saj bëhet e dukshme nga qarkullimi i vazhdueshëm i veprave të saj pedagogjike, nga përdorimi i gjerë i përkufizimeve që ajo formuloi, në mënyrën se si aktivistët dhe artistët debatojnë rreth përfaqësimit, si dhe në rikthimin e interesit për “All About Love: New Visions” mes lexuesve që kërkojnë korniza etike për të kuptuar intimitetin dhe marrëdhëniet.

Ky ndikim është i dukshëm edhe në trashëgiminë institucionale si bell hooks center dhe në kujdesin arkivor që vazhdon të ruajë dokumentet dhe shkrimet e saj. Është i pranishëm gjithashtu edhe në debatet që ajo vetë ndihmoi të provokoheshin dhe të mbesnin gjallë: nëse kritika mund të bashkëjetojë me kënaqësinë, nëse dashuria është politike dhe nëse lëvizjet mund të jenë njëkohësisht radikale dhe njerëzore.

Nëse ekziston një fill i vetëm që mund të mbajë së bashku gjithë gamën e gjerë të veprës së bell hooks, ai është ky: hooks e refuzonte idenë iluzionare se drejtësia është çështje vetëm e politikave publike. Ajo e trajtonte drejtësinë si projekt gjithëpërfshirës – që shtrihet nga shteti tek familja, nga klasa mësimore tek kinemaja, nga arkivi tek vetë trupi jonë. Ky refuzim mund të duket rraskapitës. Por mund të perceptohet edhe si çlirim: si një leje për ta thënë të vërtetën mbi vendet ku dominimi ekziston.

Emri i saj i shkruar me shkronja të vogla, në fund, më shumë është shenjë orientuese se sa marka e saj personale. Përmes tij vëmendja hiqet nga personaliteti dhe e drejton atë drejt praktikës – drejt asaj që ne bëjmë me atë që dimë. Dhe hooks ishte e bindur se dija nuk është e plotë derisa ajo të ndryshojë mënyrën se si jetojmë.

KOLUMN Magazine

E përktheu: Blenda Asllani

Lexoni artikullin origjinal këtu.