Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Feminizmi i 1-përqindshit çon në elitizëm(I)

QIKA 7.6.2021

Vitet e fundit ka ndodhur një rritje e lëvizjes së grave të klasës punëtore, nga protesta mbresëlënëse kundër dhunës në familje dhe ngacmimit seksual në vendin e punës deri në greva masive gjatë manifestimit të Ditës Ndërkombëtare të Grave në Spanjë, Poloni e më gjerë. Këto veprimtari na çojnë kah një feminizëm antisistemik dhe shkojnë përtej variantit liberal, individualist apo të promovuar nga takëmi i Hillary Clinton-it.

Një nga shprehjet e kësaj valë të re është manifesti popullor “Feminizëm për 99-përqindshin”. Manifesti nuk merr përsipër ta paraqesë feminizmin si formë alternative ndaj luftës së klasave. Përkundrazi e përforcon frontin vendimtar në përpjekjet për një botë pa kapitalizëm dhe forma të tjera shtypëse.              
Nancy Fraser-i është bashkautore e manifestit, së bashku me Cinzia Arruzza-n dhe 
Tithi Bhattacharya-n. Në intervistën e dhënë Rebeca Martinez-it, ajo trajton këtë libër, kritikën mbi të ashtuquajturin “neoliberalizëm përparimtar” dhe domethënien e një feminizmi që i fuqizon zërat e grave të klasës punëtore dhe të grupeve racore të margjinalizuara.

Çfarë është tamam “Feminizmi për 99-përqindëshin” dhe pse vjen nevoja e një manifesti të tillë tani?

NF – Manifesti – më shumë sesa akademik-  është një trajtesë e shkurtër që teton të jetë divulgative dhe sa më e kuptueshme. E kam shkruar së bashku me feministen italiane Cinzia Arruzza, e cila jeton në Nju Jork, dhe Titi Batakarajën, një grua me origjinë  indiano-britanike, e cila jep mësim në Shtetet e Bashkuara.

Është hera e parë prej kohës kur kam qenë një 68’-she – aktiviste në vitet 1960 dhe 1970 – që kam shkruar diçka mirëfilli agjitative politikisht. Sepse, fundja, unë jam mbi të gjitha një profesore filozofie. Por, në këto kohë të vështira dhe me kriza politike të mprehta, e pashë të nevojshme të bëja këtë hap dhe të përpiqesha të kapja një audiencë më të gjerë. Pra manifesti përpiqet të shtrojë një rrugë të re të lëvizjes feministe, e cila në dy dekadat e fundit është mbisunduar nga krahu liberalo-korporatist në Shtetet e Bashkuara, duke u personifikuar nga Hillary Clinton-i.

Ky ishte feminizmi i klasës profesionalo-menaxheriale, i grave relativisht të privilegjuara – gra të klasës së mesme ose të mesme të lartë dhe kryesisht të bardha – të cilat përpiqen të përparojnë në botën e biznesit ose në ushtri apo media. Projekti i tyre ishte ngjitja e shkallëve në hierarkinë e korporatave, trajtimi në të njëjtën mënyrë si burrat e klasës së tyre, me të njëjtën pagë dhe prestigj.

Zor se ky mund të quhet feminizëm barazimtar – pasi në të vërtetë nuk kishte ç’u ofronte shumicës dërrmuese të grave, të cilat janë klasë e varfër e punëtore dhe nuk gëzojnë privilegje, janë migrante, gra me ngjyrë, trans dhe jo-cis. Ky feminizëm i vetëm 1-përqindshit ose mbase, në rastin më të mirë, 10-përqindshit – e ka njollosur feminizmin. E ka lidhur kauzën tonë me elitizmin, me individualizmin dhe korportatat. Kësisoj feminizmi ka marrë një nam të keq, duke na lidhur me neoliberalizmin, financiarizimin, globalizimin dhe politikat kundër klasës punëtore.

Të treja ne menduam se ky qe një moment i mirë për të ndërhyrë, duke u përpjekur të hartojmë një deklaratë të shkurtër dhe të kuptueshme të një vizioni dhe projekti feminist që ka si pikënisje situatën e grave të varfra dhe të klasës punëtore, si dhe të adresojë çka me të vërtetë duhet të bëjmë për të përmirësuar jetën e grave. Sigurisht, që në të treja nuk jemi të vetme në këtë përpjekje – ka edhe feministe të tjera të majta që janë përpjekur të krijojnë një alternativë.

Kjo po duket në marshimet dhe demonstratat e mëdha rreth 8 Marsit [Dita Ndërkombëtare e Gruas]: këto protesta kanë një karakter antistemik sepse protestohet ndaj masave shtrënguese dhe sulmit ndaj prodhimtarisë sociale. Për të përmbushur nevojat e grave, lëvizja nuk mund të përqendrohet vetëm në disa çështje, siç përcaktohen tradicionalisht, si p.sh. e drejta e abortit – megjithëse ato janë shumë të rëndësishme. Kjo lëvizje duhet të artikulojë politika dhe programe në dobi të të gjithëve, si dhe të mendojë më gjerësisht për krizën e madhe shoqërore. Prandaj ne e quajmë “feminizëm për 99-përqindshin”. Çka nuk do të thotë vetëm 99 për qind e grave, por 99 për qind e qenieve njerëzore në planet. 


Përmendët 8 Marsin dhe grevat feministe që janë organizuar prej vitit 2017 në shumë vende, përfshirë edhe Spanjën. Në të vërtetë, edhe përtej kësaj, në Spanjë vitet e fundit shumica e protestave punëtore janë zhvilluar nga gratë, si për shembull punëtoret shtëpiake apo ato të azileve. Pra, a po përballemi me një valë të re brenda feminizmit? Dhe cilës fazë të kapitalizmit neoliberal i përgjigjet? 

NF- Unë mendoj se është një valë e re, ose të paktën ka potencial të shndërrohet në të tillë, nëse kështu mund të bëj edhe një ndarje nga feminizmi liberal korporatist. Mendoj se ekzistojnë shenjat dhe gjasat për ta bërë këtë.

Neoliberalizmi ka ndërmarrë një sulm të ashpër ndaj sferës së riprodhimit shoqëror; domethënë ndaj të gjitha aktiviteteve dhe programeve që u vijnë në ndihmë njerëzve dhe riprodhimit të tyre – që nga lindja dhe rritja e fëmijëve, kujdesi ndaj të moshuarve dhe puna shtëpiake, deri tek arsimi publik, kujdesi shëndetësor, transporti, pensioni dhe strehimi. Neoliberalizmi i ka mpakur këto. Si pjesë e këtyre masave shtrënguese dhe financiare, gratë duhet të punojnë me kohë të plotë si forcë punëtore e nënpaguar, teksa  shtetet shkurtojnë dhe shpenzimet për programet sociale.

Pra kemi si tërheqjen e mbështetjes publike në këto fusha, ashtu edhe këmbënguljen që gratë ta përdorin kohën e tyre për të prodhuar fitime për kapitalin. Kjo nënkupton një krizë të vërtetë të kujdesit dhe riprodhimit shoqëror. Në këtë sferë po ndodhin grevat dhe kundërsulmet më militante.

Në krizën e viteve 1930, kryefjala e revoltës militante ishte puna industriale – formimi i sindikatave, lufta për të drejtat në punë etj. Sot situata është ndryshe, pjesërisht për shkak të çindustrializimit dhe zhvendosjes së prodhimit në Jugun global. Tani në qendër të vëmendjes është riprodhimi shoqëror.

Ju përmendët disa greva të rëndësishme të udhëhequra nga gratë. Do të shtoja se në Shtetet e Bashkuara kemi pasur një valë të madhe grevash të mësuesve. Është e jashtëzakonshme: sepse mësuesit paguhen aq pak, sa shumica dërrmuese e tyre duhet të bëjnë punë të dyta gjatë natës, në Walmart, për të fituar aq sa për të mbajtur veten dhe familjen. Megjithatë grevat e mësuesve nuk ishin vetëm për paga më të larta – por edhe për rritjen e fondeve për arsimin dhe për t’i bërë shkollat ​​më të mira. Ata kanë korrur një mbështetje të jashtëzakonshme. Ky mund të shërbejë si shembull i sferës së riprodhimit shoqëror, si vend kyç i luftës. Po ashtu marshimet dhe grevat e mëdha të 8 Marsit në Spanjë ishin gjithashtu protesta kundër shkurtimit të shpenzimeve sociale në të gjitha këto zona. Sot betejat mbi riprodhimin shoqëror janë maja e mprehtë e një përpjekjeje majtiste, antisistemike dhe antikapitaliste e cila në ballë ka gratë. Ky fakt duhet të jetë në qendër të një mënyre të re të menduari për politikat feministe.

A mendoni se lufta mbi riprodhimin shoqëror ndërvepron me luftën klasore dhe me lëvizjet antiraciste e LGBTQ?

NF – Para së gjithash, unë mendoj se duhet të rikonceprojmë se çfarë kuptojmë me luftë klasore. Imazhi që kemi për të është ende i rrënjosur në vitet 1930 – punëtori industrial i bardhë, mashkull, anëtar i një sindikate. Megjithatë do të shtoja se betejat mbi riprodhimin shoqëror janë edhe beteja klasore. Sepse nuk mund të ketë punë prodhuese dhe industriale, nëse nuk është dikush që kryen punën e prodhimit dhe rigjenerimit të punëtorëve apo që kujdeset për gjeneratën e ardhshme që do t’i zëvendësojë ata. Riprodhimi shoqëror është thelbësor për prodhimin kapitalist.

Puna që prodhon njerëzit dhe format e shoqërisë është pak më e madhe sesa puna që kryhet nëpër fabrika. Klasën nuk e përbën vetëm marrëdhënia e punës në fabrikë, por edhe marrëdhëniet e riprodhimit shoqëror që prodhojnë punëtorët. Pra e gjitha kjo është pjesë e luftës klasore.

Koncepti i rrënjosur nga e kaluara në lidhje me luftën e klasave është paksa i ngushtë. Nuk mendoj se feminizmi për 99-përqindshin duhet të zëvendësojë luftën klasore. Ai është një front tjetër në luftën klasore, kësisoj duhet të bashkohet me lëvizjet punëtore më tradicionale, si dhe me të tjera çështje që përmendët – betejat antiraciste, lufta për të drejtat e migrantëve dhe përpjekjet për të drejtat e LGBTQ. 

Kjo ka rëndësi edhe për shkak të ndarjeve të reja racore dhe klasore midis grave. Gratë e arsimuara, të klasës së mesme, të cilat e mundin diskriminim dhe dalin në krye të korporatave, punojnë gjashtëdhjetë orë në javë në punë shumë të kërkuara. Ato punësojnë gra me ngjyrë, shpesh gra migrante, për të kryer punët shtëpiake: gatimin, kujdesin për fëmijët e tyre, pastrimin e shtëpive, kujdesin për prindërit e tyre në azile etj. Kështu, këto gra liberale-feministe mbështeten mbi punën e grave të margjinalizuara nga pikëpamja racore. Këto të fundit janë të cenueshme: nuk gëzojnë të drejta në punë, paguhen shumë pak dhe janë të rrezikuara nga sulmet dhe abuzimet.

Gjithë ky dimension racor dhe klasor brenda feminizmit duhet vënë në pah dhe duhet theksuar më shumë. Feminizmi për 99-përqindshin duhet të jetë një lëvizje antiraciste. Duhet marrë në konsideratë situata e grave të varfra, të klasës punëtore dhe të margjinalizuara në mënyrë racore – që përbëjnë shumicën e grave – duke vendosur në ballë të kërkesave nevojat e tyre dhe jo ato të atyre që duan të ngjiten në majë të korporatave, por pengohen nga tavani i qelqtë i diskriminimit. 

Në mënyrë të ngjashme, brenda lëvizjes LGBTQ ekziston një krah liberal, që në fillim ka qenë hegjemonik, dhe një masë më e gjerë njerëzish, nevojat dhe çështjet e të cilëve janë margjinalizuar. Prandaj jam e mendimit se po ndodh një përpjekje e ngjashme brenda lëvizjeve LGBTQ, çështje të cilat duhet të adresohen dhe theksohen më tepër. Dëshiroj po ashtu që feminizmi për 99-përqindshin të ngrejë zërin për gratë trans, queer dhe lezbike, si dhe do të doja të shihja një lëvizje LGBTQ për 99-përqindshin, e cila do të ishte aleati i saj natyror.

– Vazhdon…

Intervistë me Nancy Fraser

E përktheu Liri Kuçi

Ky tekst është publikuar fillimisht tek Teza11: https://teza11.org/feminizmi-i-1-perqindshit-con-ne-elitizem-i/

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.jacobinmag.com/2019/08/feminism-for-99-percent-nancy-fraser