Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Gratë duhet të bashkohen kundër një vale globale të shtypjes

QIKA 14.4.2021

Në vjeshtën e kaluar, një folës me të cilin ndava skenën në një festival letrar, i tha publikut se në shoqëritë perëndimore nuk kishte nevojë për feminizëm, duke shtuar se: “Amerika nuk është Afganistan”.

E kam dëgjuar këtë lloj bisede më parë. Kur isha e vendosur në Stamboll, një studiuese grua që kishte bërë një vizitë nga SHBA më tha se nuk ishte feministe, por tha se ishte e kuptueshme që unë isha, pasi që jetoja në Turqi. Atë çfarë ajo injoronte ishte se patriarkati është universal. Nuk ka dyshim se gjendja është shumë më e tmerrshme dhe dëshpëruese në disa pjesë të botës. Por kjo do të thotë që ndërgjegjësimi gjinor dhe një luftë për një shoqëri më të barabartë dhe të drejtë është e nevojshme kudo. E kjo duhet të jetë një shkas për të gjithë.

Patriarkati i bën gratë të pakënaqura. Por gjithashtu i bën edhe burrat të pakënaqur – veçanërisht të rinjtë, burrat pa fuqi, ose burrat që nuk përputhen me përkufizimet ekzistuese të burrërisë. Të jesh feminist do të thotë të mbrosh edhe të drejtat e tyre.

Në fillim të viteve 2000, optimistët na thoshin se e nesërmja do të jetë më mirë se e djeshmja, dhe se falë teknologjisë digjitale demokracia do të përhapet kudo. Por tani dimë më shumë. Kemi shumë informata, por më pak njohuri, madje edhe më pak mençuri. Nëse vazhdojmë të mos mësojmë asgjë nga historia, gjeneratat mund të përsërisin gabimet e gjyshërve të tyre.

Nëse e gjithë kjo është e vërtetë, ne gratë përfshirë ato nga Lindja e Perëndimi, duhet të shqetësohemi më shumë. Përderisa nacionalizmi populist, izolimi politik dhe autoritarizmi janë në rritje, gjithashtu rritet edhe seksizmi. Njerëzit e parë që humbin të drejtat e tyre janë gratë dhe minoritetet.

Kur e pyetën Viktor Orbán (Kryeministër i Hungarisë) se pse nuk kishte më shumë gra në kabinetin e tij, ai tha se pak gra mund të përballonin stresin e politikës. Kohët e fundit, studimet gjinore u ndaluan në universitetet hungareze. Gratë e këtij vendi inkurajohen të kenë katër fëmijë përmes një përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat, gjatë tërë jetës. Interesi i Orban për të kontrolluar produktivitetin e grave është i lidhur ngushtë me qëndrimin e tij kundër imigracionit.

Pastaj është edhe Jair Bolsonaro në Brazil. Një politikan i cili një herë i tha një kongresmenes, “Unë nuk do të përdhunoj sepse jeni shumë e shëmtuar”. Një baba i cili tha, “Unë kisha katër djem, por pastaj pata një moment dobësie, dhe e pesta ishte vajzë.” Një baba i cili tha se do të preferonte ta shihte djalin e tij të vdiste në një aksident automobilistik sesa ta shihte duke u takuar me një burrë.

Pastaj është grupi ultra-konservativ Hazte Oír (Bëni veten të zëshëm), në Spanjë. Ata vizatuan Hitlerin në  autobusë me mbishkrimin #StopFeminazis dhe bën gjiro me të në Ditën Ndërkombëtare të Grave.

Zhdukja e demokracisë shpesh fillon me gjuhën. Partia e Djathtë ekstreme Vox e Spanjës flet për “xhihadizmin gjinor” ose “feminizmin supremacist”. Kjo jo vetëm që është e padrejtë, por është edhe e rrezikshme. Xhihadizmi është një kërcënim real. Vret njerëzit. Po kështu edhe supremacia e bardhë. Të injorosh këtë dhe të akuzosh aktivistët e të drejtave të grave për vetë gjërat kundër të cilave janë, është një përpjekje për të shtrembëruar vetë të vërtetën.

Elif Shafak

E përktheu: A. S

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.standard.co.uk/comment/comment/women-must-unite-against-a-global-wave-of-repression-a4379446.html