Tempulli i liderëve autokratikë përfshin shumë seksistë, nga Napoleon Bonaparte i cili dekriminalizoi vrasjen e grave jobesnike ndaj burrave të tyre, deri te Benito Musolini i cili pretendonte se gratë “nuk krijuan kurrë asgjë”. Derisa shekulli i njëzetë pati përmirësime në barazinë e grave në shumicën e pjesëve të botës, shekulli i njëzet e një po demonstron se mizogjinia dhe autoritarizmi nuk janë vetëm sëmundje të përbashkëta, por sëmundje që përforcojnë njëra-tjetrën. Gjatë gjithë shekullit të kaluar, lëvizjet e grave fituan të drejtën e votës për gratë; zgjerimin e qasjes së grave në kujdesin shëndetësor riprodhues, arsim dhe mundësi ekonomike; dhe filluan përfshirjen e barazisë gjinore në të drejtën e brendshme dhe ndërkombëtare – fitore që korrespondonin me valë të paprecedentë të demokratizimit në periudhën e pasluftës. Megjithatë, në vitet e fundit, liderët autoritarë kanë nisur një sulm të njëkohshëm ndaj të drejtave të grave dhe demokracisë që kërcënon të zhbëjë dekada progresi në të dy frontet.
Reagimi patriarkal është shfaqur në të gjithë spektrin e regjimeve autoritare, nga diktaturat totalitare te autokracitë e udhëhequra nga partitë e deri te demokracitë joliberale të udhëhequra nga njerëz të fortë e aspirantë. Në Kinë, Xi Jinping ka shtypur lëvizjet feministe, ka heshtur gratë që kanë akuzuar burra të fuqishëm për sulme seksuale dhe ka përjashtuar gratë nga Komiteti i Përhershëm i fuqishëm i Byrosë Politike. Në Rusi, Vladimir Putin po heq të drejtat riprodhuese dhe po promovon rolet tradicionale gjinore që kufizojnë pjesëmarrjen e grave në jetën publike. Në Korenë e Veriut, Kim Jong Un i ka nxitur gratë të kërkojnë strehim jashtë vendit me afërsisht tre herë më shumë se burrat, dhe në Egjipt, presidenti Abdel Fatah el-Sisi kohët e fundit prezantoi një projektligj që ripohon të drejtat e atësisë së burrave, të drejtën e tyre për të praktikuar poligaminë dhe të drejtën për të ndikuar në zgjedhjen se me kë martohen të afërmet e tyre gra. Në Arabinë Saudite, gratë ende nuk mund të martohen ose të marrin kujdes shëndetësor pa miratimin e një burri. Në Afganistan, fitorja e talebanëve ka fshirë 20 vjet përparim në qasjen e grave në arsim dhe përfaqësimin e tyre në zyrat publike dhe fuqinë punëtore.
Vala e autoritarizmit patriarkal po i shtyn disa demokraci të rrënjosura në një drejtim joliberal. Vendet me liderë me prirje autoritare, të tilla si Brazili, Hungaria dhe Polonia, kanë parë rritjen e lëvizjeve të së djathtës ekstreme që promovojnë rolet tradicionale gjinore si patriotike, ndërkohë që kundërshtojnë “ideologjinë gjinore” – një term gogol që Human Rights Watch e nënkupton si asgjë dhe gjithçka në të njëjtën kohë. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar një ngadalësim të progresit drejt barazisë gjinore dhe një kthim prapa të të drejtave riprodhuese, të cilat ishin përmirësuar që nga vitet 1970. Gjatë presidencës së tij, Donald Trump punoi me forcat antifeministe, duke përfshirë Bahreinin dhe Arabinë Saudite, për të ndaluar zgjerimin e të drejtave të grave në mbarë botën. Pavarësisht angazhimit të administratës Biden për barazinë gjinore në nivel kombëtar, shtetet e kontrolluara nga republikanët po përpiqen të ndryshojnë të drejtën kushtetuese për abortin, e cila tani është më e cenueshme se sa ka qenë në dekada.
Nuk është për t’u habitur që fuqizimi politik dhe ekonomik i grave tani është në ngecje ose në rënie në mbarë botën. Sipas Indeksit të Grave, Paqes dhe Sigurisë të Universitetit Georgetown, zbatimi i ligjeve për barazinë gjinore është ngadalësuar vitet e fundit, ashtu siç janë ngadalësuar edhe përparimet në arritjet arsimore dhe përfaqësimin e grave në parlamentet kombëtare. Në të njëjtën kohë, dhuna nga partnerët intim është rritur dhe Hondurasi, Meksika e Turqia kanë parë rritje të ndjeshme të femicidit. Pandemia e COVID-19 i ka përkeqësuar këto tendenca në mbarë botën, duke detyruar miliona gra të largohen nga fuqia punëtore dhe të marrin përgjegjësi shtesë të kujdesit të papaguar, duke kufizuar qasjen e tyre në kujdesin shëndetësor e arsimin dhe duke kufizuar mundësitë e tyre për t’i shpëtuar abuzimit.
Sulmi ndaj të drejtave të grave ka përkuar me një sulm më të gjerë ndaj demokracisë. Sipas Freedom House dhe Projektit Varieties of Democracy në Universitetin e Goteborgut, 15 vitet e fundit kanë parë një ringjallje të qëndrueshme autoritare. Demokracitë relativisht të reja, si Brazili, Hungaria, India, Polonia dhe Turqia, janë kthyer në autokraci ose po priren në atë drejtim. Vendet që konsideroheshin pjesërisht autoritare një dekadë më parë, si Rusia, janë shndërruar në autokraci të plota. Dhe në disa nga demokracitë më të vjetra të botës – Franca, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – ndjenja antidemokratike po rritet në partitë politike.
Nuk është rastësi që barazia e grave po zhbëhet në të njëjtën kohë që autoritarizmi është në rritje. Shkencëtarët politikë kanë vërejtur prej kohësh se të drejtat civile të grave dhe demokracia ecin paralelisht, por ata kanë qenë më të ngathët në të kuptuarit se e para është një parakusht për të dytën. Autokratët aspirantë dhe autoritarët patriarkal kanë arsye të mira për t’iu frikësuar pjesëmarrjes politike të grave: kur gratë marrin pjesë në lëvizje masive, ato lëvizje kanë më shumë gjasa të kenë sukses dhe më shumë të ngjarë të çojnë në demokraci më egalitare. Me fjalë të tjera, gratë plotësisht të lira, politikisht aktive, janë një kërcënim për liderët autoritarë dhe me prirje autoritare – dhe kështu ata liderë kanë një arsye strategjike për të qenë seksistë.
Të kuptuarit e marrëdhënies midis seksizmit dhe rënies demokratike është jetike për ata që dëshirojnë të luftojnë kundër të dyjave. Autokratët dhe liderët nacionalistë të krahut të djathtë në demokracitë e kontestuara janë të bashkuar në përdorimin e marrëdhënieve gjinore hierarkike për të mbështetur sundimin nacionalist, të konsoliduar me qasjen nga lartë-poshtë e të dominuar nga burrat. Duke luftuar për një kohë të gjatë kundër hierarkive sociale që konsolidojnë pushtetin në duart e pak njerëzve, lëvizjet feministe janë një armë e fuqishme kundër autoritarizmit. Ata që dëshirojnë të kthejnë mbrapa rënien demokratike globale nuk duhet t’i injorojnë këto lëvizje.
GRATË NË VIJËN E FRONTIT
Studiuesit e demokracisë shpesh kanë arritur fuqizimin e grave si rezultat i demokratizimit apo edhe në funksion të modernizimit dhe zhvillimit ekonomik. Megjithatë, gratë kërkuan përfshirje dhe luftuan për interesat e tyre përmes lëvizjeve të kontestuara për të drejtën e votës dhe fushatave të tyre që përfundimisht përmirësuan demokracinë. Projekti feminist mbetet i papërfunduar dhe zgjerimi i të drejtave të grave që ndodhi gjatë njëqind viteve të fundit nuk është shpërndarë në mënyrë të barabartë mes grave. Siç kanë argumentuar feministet ndërsektoriale dhe antikoloniale për shumë kohë, përfitimet më të mëdha feministe kanë shkuar te gratë elitare, shpesh të bardha dhe nga perëndimi. Megjithatë, aktivizmi politik i grave ka zgjeruar dhe forcuar qartazi demokracinë – një fakt që autokratët dhe demokratët joliberalë e kuptojnë në mënyrë intuitave, një fakt që shpjegon frikën e tyre nga fuqizimi i grave.
Në shtatë dekadat e fundit, kërkesat e grave për përfshirje politike dhe ekonomike kanë ndihmuar në përshpejtimin e tranzicioneve demokratike, veçanërisht kur ato gra ishin në vijën e parë të lëvizjeve masive. Tranzicionet demokratike në Evropën Lindore, Amerikën Latine dhe Azinë Juglindore gjatë viteve 1980 dhe 1990 u nxitën pjesërisht nga lëvizjet masive popullore në të cilat gratë luajtën role kryesore. Hulumtimi ynë tregon se të gjitha lëvizjet kryesore të rezistencës gjatë periudhës së pasluftës – ato që kërkonin të rrëzonin qeveritë kombëtare ose të fitonin pavarësinë kombëtare – kishin gratë në role mbështetëse, si te sigurimi i ushqimit, strehimit, inteligjencës, fondeve ose furnizimeve të tjera. Por këto lëvizje ndryshonin në shkallën në të cilën kishin gratë si pjesëmarrëse në vijën e parë – ato që merrnin pjesë drejtpërdrejt në demonstrata, konfrontime me autoritetet, greva, bojkote dhe forma të tjera të mosbashkëpunimit. Disa, si lëvizja pro-demokratike e Brazilit në mesin e viteve 1980, shfaqën pjesëmarrje të gjerë të grave: të paktën gjysma e pjesëmarrësve në vijën e parë ishin gra. Të tjera, si kryengritja e vitit 2006 kundër monarkisë Nepaleze, shfaqi pjesëmarrje më modeste të grave në vijën e parë. Vetëm një fushatë jo e dhunshme gjatë kësaj periudhe duket se i ka përjashtuar gratë: kryengritja civile që rrëzoi Mahendra Chaudhry nga pushteti në Fixhi në vitin 2000.
Në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, gratë luajtën role aktive në betejat çlirimtare antikoloniale në të gjithë Afrikën dhe në revolucionet e majta në Evropë dhe Amerikën Latine. Më vonë, lëvizjet pro-demokracisë në Mianmar dhe Filipine panë murgeshat që i poziciononin trupat e tyre midis anëtarëve të forcave të sigurisë dhe aktivistëve civilë. Gjatë intifadës së parë, gratë palestineze luajtën një rol kyç në rezistencën jo të dhunshme kundër pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor dhe Gazës, duke organizuar greva, protesta dhe dialog përkrah grave izraelite. Në Shtetet e Bashkuara, gratë e zeza kanë nisur dhe vazhdojnë të udhëheqin lëvizjen Black Lives Matter, e cila tani është një fenomen global. Organizimi i tyre i bën jehonë aktivizmit të paraardhësve si Ella Baker, Rosa Parks, Fannie Lou Hamer dhe grave të tjera zezake amerikane që planifikuan, mobilizuan dhe koordinuan aspektet kryesore të lëvizjes për të drejtat civile në SHBA. Dy gra revolucionare, Wided Bouchamaoui dhe Tawakkol Karman, ndihmuan në udhëheqjen e kryengritjeve të Pranverës Arabe në Tunizi dhe Jemen, respektivisht, duke fituar më vonë Çmimin Nobel për Paqe për përpjekjet e tyre për të sjellë tranzicione paqësore demokratike përmes rezistencës jo të dhunshme, ndërtimit të koalicionit dhe negociatave. Miliona të tjera si ato kanë punuar për të mbështetur lëvizjet kundër disa prej diktaturave më represive në botë, nga shitëset e çajit dhe këngëtaret në Sudan, gjyshet në Algjeri, deri te motrat dhe gratë në Kili që kërkojnë kthimin e të dashurve të tyre të zhdukur jashtë pallatit presidencial të Augusto Pinochet.
Rezulton se pjesëmarrja e grave në vijën e parë është një avantazh i rëndësishëm, si në aspektin e suksesit të menjëhershëm të një lëvizjeje ashtu edhe në drejtim të sigurimit të ndryshimeve demokratike afatgjate. Lëvizjet masive në të cilat gratë morën pjesë gjerësisht në vijën e frontit kanë pasur shumë më shumë gjasa të kenë sukses sesa fushatat që margjinalizonin ose përjashtonin gratë. Gratë kanë pasur më shumë gjasa të marrin pjesë në lëvizje masive jo të dhunshme sesa në ato të dhunshme dhe ato kanë marrë pjesë në një numër shumë më të madh në fushata jo të dhunshme sesa në fushata të dhunshme. Për të shpjeguar pse pjesëmarrja e grave në vijën e parë rrit shanset që një lëvizje të ketë sukses, së pari duhet kuptuar se çfarë i bën lëvizjet jo të dhunshme të dështojnë ose të kenë sukses.
Në përgjithësi, lëvizjet që kërkojnë të rrëzojnë regjimet autokratike ose të fitojnë pavarësinë kombëtare kanë më shumë gjasa të mbizotërojnë kur mobilizojnë një numër të madh njerëzish; zhvendosin besnikërinë e disa shtyllave të mbështetjes së regjimit; përdorin taktika kreative, të tilla si greva e vazhdueshme bashkë me protestat në rrugë; ruajnë disiplinën dhe qëndrueshmërinë përballë represionit shtetëror dhe mobilizimit nga mbështetësit e regjimit. Pjesëmarrja në shkallë të gjerë e grave i ndihmon lëvizjet të arrijnë të gjitha këto gjëra.
Në argumentin e parë, fuqinë në numër, avantazhi i pjesëmarrjes së grave është i qartë. Lëvizjet që përjashtojnë ose anashkalojnë gratë e zvogëlojnë gati përgjysmë grupin e tyre potencial të pjesëmarrësve. Lëvizjet e rezistencës duhet të arrijnë një mbështetje të gjerë për t’u perceptuar si legjitime. Sa më i madh të jetë mobilizimi, aq më shumë ka gjasa që lëvizja të shkatërrojë status quo-në. Grevat e përgjithshme dhe veprimet e tjera masive mund të sjellin një qytet, shtet ose vend në një ndalesë, duke i imponuar kosto të menjëhershme ekonomike dhe politike një regjimi. Mobilizimi masiv mund të prodhoj gjithashtu një ndjenjë të pashmangshmërisë që i bind njerëzit pa dëshirë përfshirjeje që t’i bashkohen rezistencës. Njerëzit duan të bashkohen me ekipin fitues. Kur ka një numër të madh pjesëmarrësish të ndryshëm, kjo mund të ndihmojë në inkurajimin e mbështetjes së heshtur ose të hapur nga elitat politike e biznesore dhe nga anëtarët e forcave të sigurisë.
Së dyti, lëvizjet popullore përmirësojnë shanset e tyre për sukses kur i bindin ose i detyrojnë kundërshtarët e tyre të gabojnë. Në hulumtimin mbi qëndrimet e publikut ndaj grupeve të armatosura, studiuesit kanë zbuluar se luftëtaret gra rrisin legjitimitetin e lëvizjeve të tyre në sytë e vëzhguesve. E njëjta gjë ka të ngjarë të jetë e vërtetë për kryengritjet masive jo të dhunshme. Pjesëmarrja e konsiderueshme e grave dhe akterëve të tjerë të ndryshëm rrit gjithashtu kapitalin social, moral dhe financiar që një lëvizje mund të përdorë për të zhbërë sistemin e mbështetjes së kundërshtarit të saj. Kur forcat e sigurisë, elitat e biznesit, nëpunësit civilë, mediat shtetërore, puna e organizuar, donatorët e huaj, mbështetësit e tjerë e një regjimi fillojnë të vënë në dyshim status quo-në, ata u sinjalizojnë të tjerëve se mund të jetë e mundur të sfidohet ai regjim. Për shembull, gjatë Revolucionit të Pushtetit Popullor në Filipine në 1986, Presidenti Ferdinand Marcos urdhëroi forcat e sigurisë të sulmonin turmat e mëdha të demonstruesve që kërkonin rrëzimin e tij. Por murgeshat që po merrnin pjesë në protesta u vunë mes tankeve dhe demonstruesve të tjerë. Forcat e sigurisë nuk mundën dot të vazhdonin me sulmin, duke shmangur një masakër që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e revolucionit. Dezertimet e nivelit të lartë pasuan dhe Marcos përfundimisht u largua nga vendi, duke çuar në një tranzicion demokratik.
Një mënyrë e tretë që pjesëmarrja e grave i bën lëvizjet masive më efektive është duke zgjeruar gamën e taktikave dhe mënyrave të protestës në dispozicion të tyre. Kudo që është studiuar, diversiteti ka përmirësuar punën ekipore, inovacionin dhe performancën dhe lëvizjet masive nuk bëjnë përjashtim në këtë. Në veçanti, diversiteti rrit kreativitetin dhe bashkëpunimin, të dyja ndihmojnë lëvizjet të futen në rrjete më të gjera informacioni dhe të ruajnë vrullin përballë goditjeve shtetërore. Pjesëmarrja e grave gjithashtu bën të mundur ofrimin e taktikave gjinore kulturore, të tilla si marshimi me “full beauty queen regalia”, siç bënë gratë në protestat pro-demokratike të Mianmarit në 2021; gatimi i ushqimit në vijën e parë të demonstratave, siç bënë gratë gjatë një kryengritjeje të fermerëve në 2020 dhe 2021 në Indi; ose duke protestuar lakuriq, siç kanë bërë gratë në Kenia, Nigeri e shumë vende të tjera për të stigmatizuar ose çarmatosur kundërshtarët e tyre. Disa lëvizje protestuese janë mbështetur në turpin social. Për shembull, gjatë protestave antiqeveritare në Algjeri në vitin 2019, gjyshet i thanë policëve të trazirave të shkonin në shtëpi, duke kërcënuar se do të raportonin sjelljen e keqe të oficerëve te nënat e tyre. Në Sudan po atë vit, një grup grash në Facebook emëroi dhe turpëroi policët me rroba civile: anëtaret e grupit i nxorën vëllezërit, kushërinjtë dhe djemtë e tyre në pah si anëtarë të milicive në hije që po përpiqeshin të terrorizonin opozitën në nënshtrim.
Gratë kanë zhvilluar gjithashtu forma të tjera të mosbashkëpunimit gjinor që mund të japin përfitim te lëvizjet masive. Konsideroni origjinën e termit “bojkot”. Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, gratë kuzhiniere e shërbyese në County Mayo, Irlandë, refuzuan t’i ofronin shërbime dhe punë një pronari britanik, të quajtur Kapiten Charles Boycott. Ato inkurajuan të tjerët të bashkoheshin me to, duke e bërë të pamundur që Bojkoti të qëndronte në Irlandë dhe duke frymëzuar një emër të ri për taktikën e tyre. Gratë kanë parë edhe forma të tjera të mosbashkëpunimit social. Edhe pse greva e seksit kundër luftës në Lisistratë ishte e trilluar, ka të ngjarë që Aristofani të ketë pasur në mendje ndonjë precedent historik kur shkroi shfaqjen komike. Gratë aktiviste kanë organizuar greva seksuale gjatë mijëvjeçarëve: Gratë irokeze përdorën këtë metodë, ndër të tjera, për të siguruar një veto mbi vendimet e luftës në shekullin e shtatëmbëdhjetë; Gratë liberiane e përdorën atë për të kërkuar përfundimin e luftës civile në vitet e para të këtij shekulli; Gratë kolumbiane e përdorën atë për të nxitur fundin e dhunës së bandave, e kështu me radhë.
Fuqia në numër, bindja e kundërshtarëve dhe inovacioni taktik të gjitha ndihmojnë në lehtësimin e një faktori të katërt kyç në suksesin e lëvizjeve të pushtetit të njerëzve jo të dhunshëm: disiplinën. Kur lëvizjet mbajnë rezistencë jo të dhunshme përballë dhunës ose provokimeve të tjera nga forcat e sigurisë, ato kanë më shumë gjasa të mobilizojnë mbështetje shtesë dhe në fund të fundit, të kenë sukses. Dhe lëvizjet me gratë në vijën e parë, rezultojnë se kanë më pak gjasa të përqafojnë plotësisht dhunën ose të zhvillojnë krahë të dhunshëm në përgjigje të goditjeve të regjimit. Të paktën pjesërisht, kjo ka të ngjarë sepse të kesh një numër të madh grash në vijën e frontit moderon sjelljen e protestuesve të tjerë, si dhe të policisë. Tabutë gjinore kundër dhunës publike ndaj grave dhe kundër konfrontimeve të dhunshme në prani të grave dhe vajzave mund të shpjegojnë një pjesë të këtij fenomeni, njëjtë mund të jetë shpjeguese edhe kostoja e lartë politike e shtypjes së dhunshme të grave që marrin pjesë në protesta dhe greva.
Megjithatë, gratë me prejardhje të ndryshme përballen me rreziqe të ndryshme të shtypjes së dhunshme. Gratë në vijën e parë të lëvizjeve që kërkojnë dhe zgjerojnë demokracinë shpesh vijnë nga kasta, klasa dhe grupe minoritare të shtypura. Ato janë studente dhe të reja, të veja dhe gjyshe. Gratë me prejardhje të margjinalizuar shpesh janë injoruar ose u janë nënshtruar dhunës më të madhe gjatë mobilizimeve masive në krahasim me gratë e pasura ose të privilegjuara që përfitojnë nga autoritarizmi patriarkal. Kjo është arsyeja pse për shembull, gratë gjermane “ariane” arritën të sigurojnë lirimin e burrave të tyre hebrenj gjatë protestës së Rosenstrasse në Berlin në vitin 1943, ndërsa gratë hebreje do të ishin arrestuar ose ekzekutuar për një protestë të tillë. Amerikanët zezakë që fuqizonin lëvizjen për të drejtat civile në SHBA në mënyrë të ngjashme u përballën me rreziqe shumë më të mëdha sesa njerëzit e bardhë që morën pjesë si aleatë. Vetëm koalicionet e qëndrueshme ndërklasore, shumëracore ose multietnike mund t’i kapërcejnë këto dinamika privilegji dhe pushteti, prandaj koalicione të tilla janë vendimtare për të përballuar represionin e dhunshëm autoritar dhe për t’i shtyrë shoqëritë drejt egalitarizmit dhe demokracisë për të gjithë.
NJË BATICË NË NGRITJE
Gratë që marrin pjesë në vijën e parë të lëvizjeve masive jo vetëm që i bëjnë ato lëvizje më të prirura për të arritur objektivat e tyre afatshkurtra – për shembull, heqjen e një diktatori shtypës, ato gjithashtu i bëjnë ato lëvizje më të mundshme për të siguruar ndryshime të qëndrueshme demokratike. Duke kontrolluar një sërë faktorësh të tjerë që mund ta bëjnë më të mundshëm një tranzicion demokratik – faktorë të tillë si përvoja e mëparshme e një vendi me demokracinë – analiza jonë tregon se pjesëmarrja e gjerë e grave në vijën e parë lidhet pozitivisht me rritjen e demokracisë egalitare, siç përcaktohet nga Projekti i Variacioneve e Demokracisë.
Me fjalë të tjera, pjesëmarrja e grave në lëvizjet masive është si një baticë në ngritje që ngritë të gjitha varkat me vete. Studiuesit kanë zbuluar se proceset gjithëpërfshirëse të tranzicionit çojnë në zgjidhje më të qëndrueshme të negociuara dhe demokraci më të qëndrueshme pas luftërave civile. Megjithëse ka pak kërkime mbi zgjidhjet që vijnë nga mobilizimet jo të dhunshme, prania e grave ka të ngjarë të përkthehet në kërkesa të shtuara për pjesëmarrje në zgjedhje, mundësi ekonomike dhe qasje në arsim e kujdes shëndetësor – të gjitha këto i bëjnë tranzicionet demokratike më të mundshme të zgjasin.
Çfarë ndodh kur mobilizimet gjithëpërfshirëse popullore mposhten dhe nuk ndodhin tranzicione? Regjimet ekzistuese që fshijnë lëvizjet masive gjithëpërfshirëse priren të kënaqen me një reagim patriarkal të sponsorizuar nga shteti. Sa më e madh të jetë përqindja e grave në lëvizjen e mposhtur, aq më e lartë është shkalla e një reagimi patriarkal – një dinamikë që ka implikime ogurzi për Afganistanin, Bjellorusinë, Kolumbinë, Hong Kongun, Libanin, Mianmarin, Rusinë, Sudanin dhe Venezuelën. Të gjitha këto aktualisht kanë lëvizje gjithëpërfshirëse të pushtetit njerëzor, rezultatet e të cilave janë të pasigurta. Hulumtimi ynë tregon se vendet me lëvizje popullore të dështuara priren të mbesin mbrapa si në demokracinë egalitare ashtu edhe në barazinë gjinore, duke i lënë ato edhe më keq se përpara fillimit të lëvizjeve. Me fjalë të tjera, ndikimi mbresëlënës i pjesëmarrjes së grave në vijën e parë në probabilitetin e demokratizimit është i kushtëzuar nga fitorja e lëvizjes; pjesëmarrja e grave çon në ndryshime demokratike dhe fuqizim të grave vetëm kur lëvizja ka sukses.
SKENARI I AUTOKRATIT
Udhëheqësit autoritarë dhe demokratët joliberalë i janë përgjigjur kërcënimit të mobilizimit politik të grave duke e kthyer prapa progresin në barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Motivimi i tyre nuk është i gjithi strategjik – shumë ndoshta besojnë në idetë seksiste – por botëkuptimi i tyre është i vetë-shërbyer.
Në shtetet plotësisht autoritare, mekanizmat e represionit seksist mund të jenë të pakompromis dhe brutal. Shpesh, ata mekanizma marrin formën e politikave që ushtrojnë kontroll të drejtpërdrejtë shtetëror mbi riprodhimin e grave, duke përfshirë shtatzënitë ose abortet e detyruara, retorikën mizogjene që normalizon apo edhe inkurajon dhunën ndaj grave si dhe ligjeve dhe praktikave që reduktojnë ose eliminojnë përfaqësimin e grave në qeveri dhe dekurajojnë gratë nga hyrja ose avancimi në fuqinë punëtore.
Për shembull në Kinë, Xi ka nisur një fushatë për shtypjen e popullsisë Uyghurs dhe pakicave të tjera etnike dhe rurale, duke detyruar kontrollin e lindjeve, abortet dhe madje edhe sterilizimin e shumë grave. Gratë nga pakicat etnike tani përballen me kërcënimin e gjobave ose burgimit për të pasur atë që Pekini i konsideron si “shumë fëmijë”. Në Egjipt, kontrolli shtetëror mbi riprodhimin e grave shfrytëzohet në efektin e kundërt: aborti është i paligjshëm në çdo rrethanë dhe gratë duhet të kërkojnë lejen e një gjyqtari për t’u divorcuar, ndërsa burrat nuk kanë nevojë për një kërkesë të tillë. Në Rusi, ku aborti ka qenë i ligjshëm në çdo rrethanë që nga viti 1920, qeveria e Putinit është përpjekur të ndryshojë popullsinë në rënie të vendit duke dekurajuar abortet dhe duke përforcuar vlerat “tradicionale”. Në të tre vendet, pavarësisht angazhimeve nominale kushtetuese për të mbrojtur gratë nga diskriminimi gjinor, gratë janë jashtëzakonisht të nënpërfaqësuara në fuqinë punëtore dhe në role të fuqishme zyrtare.
Në mjedise më pak autokratike, ku politikat e hapura seksiste nuk mund të dekretohen lehtë, liderët me prirje autoritare dhe partitë e tyre politike përdorin retorikën seksiste për të fituar mbështetjen popullore për agjendat e tyre regresive, shpesh duke i veshur me petkun e populizmit. Duke bërë këtë, ata promovojnë narrativa mizogjene të “feminitetit patriotik” tradicionalist. Studiuesja Nitasha Kaul i ka përshkruar këta liderë si nxitës të nacionalizmave shqetësues dhe të pasigurt që ndëshkojnë dhe dehumanizojnë feministët. Aty ku munden, ata ndjekin politika që kërkojnë kontroll më të madh të shtetit mbi trupat e grave, ndërkohë që reduktojnë mbështetjen për barazinë gjinore politike dhe ekonomike. Ata inkurajojnë – dhe shpesh fusin nën legjislacion- nënshtrimin e grave, duke kërkuar që burrat dhe gratë të përshtaten me rolet tradicionale gjinore për shkak të detyrës patriotike. Ata gjithashtu zgjedhin dhe shtrembërojnë koncepte të tilla si barazia dhe fuqizimi për qëllimet e tyre. Megjithëse përpjekje të tilla për të ripohuar një hierarki gjinore duken të ndryshme në mjedise dhe kultura të ndryshme të krahut të djathtë, ato ndajnë një taktikë të përbashkët: ta bëjnë nënshtrimin e grave të duket si të dëshirueshëm, madje aspirativ, jo vetëm për burrat, por edhe për gratë konservatore.
Një mënyrë që liderët autokratë dhe joliberalë krijojnë hierarki gjinore të kënaqshme për gratë është duke politizuar “familjen tradicionale”, e cila bëhet një eufemizëm për lidhjen e vlerës së gruas me lindjen e fëmijëve, prindërimin e mbajtjen e shtëpisë – kështu duke i kthyer prapa pretendimet e tyre për pushtet publik. Trupat e grave bëhen objektiva të kontrollit shoqëror për ligjvënësit burra, të cilët thirren në idealin e pastërtisë femërore dhe u bëjnë thirrje nënave, vajzave dhe grave që të riprodhojnë një version të idealizuar të kombit. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka argumentuar se gratë nuk janë të barabarta me burrat dhe se roli i tyre i përshkruar në shoqëri është amësia dhe mbajtja e shtëpisë. Ai i ka quajtur gratë që ndjekin karrierën para amësisë “gjysmë persona”. Qeveria e kryeministrit hungarez Viktor Orban ka inkurajuar në mënyrë të ngjashme gratë që të ndalojnë përpjekjet për të mbyllur hendekun e pagave dhe në vend të kësaj të përqëndrohen në prodhimin e fëmijëve hungarez.
Në gjithë gamën e regjimeve autoritare dhe gjysmë-autoritare, pakicat seksuale dhe gjinore gjithashtu janë shpesh në shënjestrën e abuzimit. Personat LGBTQI+ shihen si minues të hierarkisë gjinore binare të pëlqyer nga shumë autoritarë. Si rezultat, ata shpesh margjinalizohen dhe stigmatizohen përmes politikave homofobike: për shembull “zonat pa persona LGBT” të Polonisë ose ndalimet e Rusisë për “propagandën LGBTQ” dhe martesat e të njëjtit seks. Pekini kohët e fundit shkoi aq larg sa i ndaloi burrat të shfaqeshin “në mënyrë shumë femërore” në televizion dhe filloi një fushatë në media sociale për të zbatuar “kulturën revolucionare” të Kinës.
Përkundër mizogjinisë së tyre flagrante – dhe në disa raste për shkak të saj – disa autoritarë ia dalin mbanë të regjistrojnë gratë si aktore kryesore në lëvizjet e tyre politike. Ata i shfaqin gratë dhe vajzat dukshëm në sferën e brendshme dhe ndonjëherë në pozita zyrtare për të errësuar politikat e pabarabarta gjinore. Duke vlerësuar mëmësinë tradicionale, gratë konservatore shpesh luajnë role mbështetëse për yjet burra të shfaqjeve. Ndoshta nuk ka ilustrim më të mirë të kësaj dinamike sesa lëvizjet e grave në duel që mbështetën dhe kundërshtuan fushatën presidenciale të Jair Bolsonaro në vitin 2018 në Brazil. Kundërshtarët e Bolsonaro organizuan një nga protestat më të mëdha të udhëhequra nga gratë në historinë e vendit nën sloganin e “Ele Não” ose “Jo Ai”. Mbështetësit e tij gra u mbuluan me flamurin brazilian dhe e përqeshën feminizmin si “seksist”.
Në këndvështrimin e autoritarit patriarkal, burrat nuk janë burra të vërtetë nëse nuk kanë kontroll mbi gratë në jetën e tyre. Prandaj, autoriteti mashkullor i Trump u rrit kur gruaja e tij, Melania Trump, eci pas tij në Air Force One dhe u sfidua kur ajo refuzoi të shfaqej me të në publik. Sara Duterte-Carpio, kryetarja e qytetit Davao në Filipine dhe njëkohësisht vajza e Presidentit Rodrigo Duterte, ishte kandidatja kryesore për të pasuar babain e saj deri në momentin kur ai njoftoi se gratë “nuk janë të përshtatshme” për të qenë presidente. Pavarësisht historisë së vendit me kryetare gra të shteteve dhe numrit të madh të mbështetësve, Duterte-Carpio paraqiti kandidaturën e saj për zëvendëspresidente.
Ndërsa gratë janë të ngujuara në role tradicionalisht të feminizuara, udhëheqësit autoritarë patriarkalë trumbetojnë fuqinë e tyre me shfaqje të paarsyeshme të maskulinitetit. Pozimi i Putinit pa fanellë është versioni viral i kësaj “fryerje” publike, por mizogjinia e rastësishme, fotografitë e inskenuara me kujdes dhe retorika mburruese e hipermashkullore gjithashtu i përshtaten skenarit. Mendoni për kravatën e madhe të kuqe të Trump, shtrëngimin agresiv të duarve dhe pretendimet se butoni i tij bërthamor ishte më i madh se ai i Kim ose mendoni për thirrjen e Bolsonaro që brazilianët të përballeshin me COVID-19 “si burra”. Ky lloj i bisedës mund të duket qesharak, por është pjesë e një raportimi retorik më tinëzar që feminizon kundërshtarët, më pas projekton hipermaskulinitetin duke kritikuar pamjen e grave, duke bërë shaka për përdhunimin, duke kërcënuar dhunën seksuale dhe duke kërkuar të kontrollojë trupin e grave, të gjitha me qëllim të heshtjes së kritikëve të autoritarizmit patriarkal.
Homologu i kësaj retorike të dhunshme është mizogjinia paternaliste. Siç shkruan Kaul, “Ndërsa Trump, Bolsonaro dhe Duterte i kanë seksualizuar dhe objektivizuar gratë në mënyrë më të qartë, duke e projektuar veten si jashtëzakonisht viril dhe grabitqar, Kryeministri indian Narendra Modi dhe Erdogan e kanë promovuar veten si figura të baballarëve mbrojtës për të mbajtur gratë dhe minoritetet në vendin e tyre. . . . Ata ndonjëherë janë thellësisht dhe haptazi mizogjen, megjithatë herë të tjera përdorin biseda progresive gjinore për të promovuar agjenda regresive gjinore.”
Me rritjen e tolerancës ndaj mizogjinisë në përgjithësi, ndodhin ndryshime të tjera në peizazhin politik dhe ligjor: mbrojtja për të mbijetuarat e përdhunimit dhe dhunës në familje hiqet, dënimet për krime të tilla janë zbutur, kërkesat e provave për akuzime janë bërë më të rrepta dhe gratë kanë mbetur me më pak mjete për të mbrojtur autonominë e tyre trupore dhe politike. Për shembull, në vitin 2017, Putin nënshkroi një ligj që dekriminalizonte disa forma të abuzimit në familje, pavarësisht shqetësimeve se Rusia është përballur prej kohësh me një epidemi të dhunës në familje. Në fushatën e vitit 2016, Trump minimizoi në mënyrë të famshme një video që u shfaq ku ai mburrej për sulmin seksual, duke e hedhur poshtë atë si “bisedë në dhomat e zhveshjes”, pavarësisht faktit se shumë gra e kishin akuzuar atë për sulme seksuale dhe sjellje të pahijshme. Pasi Trump u bë president, administrata e tij udhëzoi Departamentin e Arsimit të reformonte rregulloret për t’u dhënë më shumë të drejta atyre që akuzohen për sulme seksuale në kampuset e kolegjit.
Së fundi, shumë autokratë promovojnë një rrëfim të viktimizimit mashkullor të krijuar për të nxitur shqetësim popullor për mënyrën se si burrat dhe djemtë po jetojnë. Gjithmonë, burrat portretizohen si “humbës” ndaj grave dhe grupeve të tjera të përkrahura nga progresistët, pavarësisht nga avantazhet e tyre të vazhdueshme në një hierarki gjinore të dominuar nga burrat. Për shembull në vitin 2019, Ministria e Drejtësisë e Rusisë pretendoi se raportet e dhunës në familje ishin të mbivlerësuara në vend dhe se burrat rusë u përballën me diskriminim më të madh sesa gratë. Në një mënyrë të ngjashme, autokratët aspirantë shpesh thonë se maskuliniteti është nën kërcënim. Midis mbështetësve të Trump në Shtetet e Bashkuara, pretendimet e tilla janë bërë të zakonshme. Për shembull, senatori Josh Hawley, një republikan nga Missouri, kohët e fundit fajësoi lëvizjet e majta për ripërcaktimin e maskulinitetit tradicional si toksik dhe bëri thirrje për ringjalljen e “një burrërie të fortë dhe të shëndetshme në Amerikë”. Përfaqësuesi Madison Cawthorn, një republikan nga Karolina e Veriut, u dha jehonë deklarimeve të Hawley-t në një fjalim viral në të cilin ai u ankua se shoqëria amerikane synon të “de-maskulojë” burrat dhe inkurajon prindërit të rrisin “përbindësha”.
VAZHDONI LUFTËN
Si një motor i përparimit të vërtetë demokratik, aktivizmi i grave dhe i pakicave gjinore kërcënon liderët autoritarë. Megjithëse shumë autokratë dhe autokratë aspirantë pa dyshim besojnë në gjërat seksiste dhe mizogjene që thonë, fushatat e tyre për të kufizuar fuqizimin e grave dhe të drejtat e njeriut synojnë gjithashtu të minojnë lëvizjet e mundshme demokratike popullore që do t’i rrëzonin ata.
Ata që dëshirojnë të luftojnë valën në rritje të autoritarizmit në qendër të punës së tyre do të duhet të kishin promovimin e pjesëmarrjes politike të grave. Brenda vendit, qeveritë demokratike dhe mbështetësit e tyre duhet të modelojnë dhe mbrojnë përfshirjen e barabartë të grave, veçanërisht për ato me prejardhje diverse, në të gjitha vendet ku merren vendimet – nga grupet e komunitetit, te bordet e korporatave dhe deri te qeveritë lokale e shtetërore. Qeveritë demokratike duhet gjithashtu t’i japin përparësi çështjeve që ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e grave për të luajtur një rol të barabartë në jetën publike. Pra, çështje si autonomia riprodhuese, dhuna në familje, mundësitë ekonomike dhe qasja në kujdesin shëndetësor dhe kujdesin ndaj fëmijëve. Të gjitha këto çështje janë qendrore për betejën më të gjerë mbi të ardhmen e demokracisë në Shtetet e Bashkuara e në mbarë botën dhe ato duhet të trajtohen si të tilla.
Qeveritë demokratike dhe institucionet ndërkombëtare gjithashtu duhet ta vënë mbrojtjen e fuqizimit të grave dhe të drejtave të njeriut në qendër të luftës së tyre kundër autoritarizmit në mbarë botën. Kërcënimet dhe sulmet e dhunshme e mizogjene ndaj grave – qoftë në shtëpi apo në publik – duhet të denoncohen si sulme ndaj grave e demokracisë dhe autorët e sulmeve të tilla duhet të mbahen përgjegjës. “Viti i Veprimit” i promovuar nga administrata Biden për të rinovuar dhe forcuar demokracinë duhet të përfshijë një angazhim të pakompromis për të mbrojtur barazinë gjinore brenda dhe jashtë vendit. Përpjekjet e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar për të mbështetur aktivistët e të drejtave të njeriut dhe grupet e shoqërisë civile gjithashtu mund të bëjnë të qartë se fuqizimi i grave dhe pjesëmarrja politike duhet të integrohen në të gjitha përpjekjet për rinovimin e demokracisë.
Ndërkombëtarisht, nevojitet një koalicion shumëkombësh për të refuzuar në mënyrë eksplicite autoritarizmin patriarkal dhe për të ndarë njohuritë dhe aftësitë teknike në luftën kundër tij. Ata që janë të pajisur më mirë për të ndërtuar dhe mbështetur një koalicion të tillë janë lideret feministe nga komuniteti dhe shoqëria civile, pasi ato shpesh janë më të vetëdijshmet për nevojat akute në komunitetet e tyre. Një samit apo konferencë ambicioze e thirrur nga një grup shumëpalësh vendesh ose një organizatë rajonale ose globale mund të ndihmojë në fillimin e një përpjekjeje të tillë duke i sjellë gratë nga e gjithë bota në kontakt me njëra-tjetrën për të ndarë përvojat dhe strategjitë e tyre. Një hap në drejtimin e duhur do të ishte rritja dramatike e mbështetjes dhe dukshmërisë që i jepet takimit vjetor të Komisionit të OKB-së për Statusin e Grave.
Përfundimisht, organizatorët dhe mbështetësit e lëvizjeve masive për ndryshime demokratike kanë nevojë për një program gjinor gjithëpërfshirës në mënyrë që të tërheqin gratë në vijat e para të frontit dhe në rolet udhëheqëse. Mbështetësit e demokracisë brenda dhe jashtë vendit duhet të fokusohen në ndihmën, përforcimin dhe mbrojtjen e grupeve dhe lëvizjeve të shoqërisë civile që po bëjnë presion për barazi gjinore dhe të punojnë për t’u siguruar që ato të përfshihen në çdo negociatë ose tranzicion që pason kryengritjet masive ose lëvizjet demokratike. Grupet dhe organizatat pro-demokracisë duhet të kuptojnë se lëvizjet me të vërtetë gjithëpërfshirëse – ato që tejkalojnë identitetin e klasës, racës, gjinisë dhe seksit – kanë më shumë gjasa për të arritur ndryshime të qëndrueshme.
Nëse historia është sadopak udhërrëfyese, e dimë se strategjitë autoritare do të dështojnë në planin afatgjatë. Feministet gjithmonë kanë gjetur mënyra për të kërkuar dhe zgjeruar të drejtat dhe liritë e grave, duke fuqizuar përparimin demokratik përgjatë procesit. Por autoritarët patriarkalë, kur nuk mbahen nën kontroll, mund të shkaktojnë dëme të mëdha afatshkurta, kështu duke fshirë përparimet e arritura me vështirësi për të cilat janë dashur breza për t’i fituar.
Erica Chenoweth and Zoe Marks
E përktheu: Riola Morina
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.foreignaffairs.com/articles/china/2022-02-08/women-rights-revenge-patriarchs