Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Raportimi i femicidit në Pakistan nënkupton të sfidosh sistemin e heshtjes

QIKA 17.7.2026

Gazetarja Jamaima Afridi shkruan se femicidi nuk është seri tragjedish të rastësishme, por një krizë kombëtare që mbahet gjallë nga heshtja dhe një sistem që e vendos reputacionin mbi jetën e grave.

Nuk u bëra gazetare sepse doja të raportoja lajmet. U bëra gazetare sepse u rrita në një zonë fisnore të Pakistanit dhe dëgjova histori që nuk arritën kurrë në titujt e mediave. U rrita duke dëgjuar për gra që vriteshin, rriheshin dhe harroheshin shpejt. Vdekjet e tyre përmendeshin me zë të ulët dhe shpërfilleshin si aksidente, mosmarrëveshje familjare apo keqkuptime. Kur ndizja televizorin ose hapja gazetën, historitë e tyre mungonin. Kjo më bënte të pyesja veten nëse jetët tona kishin më pak vlerë.

Kjo ishte pyetja që më shoqëroi për një kohë të gjatë dhe më frymëzoi të bëhesha gazetare.

Që kur fillova punën në gazetari, jam përqendruar te historitë që shpesh censurohen, anashkalohen ose injorohen nga mediat kryesore. Edhe pse këto histori ndryshojnë nga njëra-tjetra, ato kanë një të përbashkët: gratë paguajnë çmimin më të rëndë. Shumë prej tyre vriten, dhunohen ose zhvendosen si pasojë e dhunës. Të tjera mbeten të përballen me pasojat kur burrat vriten, plagosen ose zhduken. Në një shoqëri patriarkale, nga gratë pritet të mbajnë familjet gjallë edhe kur u kufizohen të ardhurat, liria e lëvizjes dhe qasja në drejtësi. Ato pritet të mbijetojnë në heshtje.

Së fundmi, kushërira ime u qëllua katër herë dhe e vranë. Familja e bashkëshortit e quajti ngjarjen aksident, por ata që e njihnin më mirë dyshonin se kishte ndodhur diçka shumë më e rëndë. Pa baba apo vëllezër që të kërkonin drejtësi për të, nëna dhe motrat e saj kishin frikë se askush nuk do t’i dëgjonte.

Për vite me radhë, kisha raportuar për histori si e saj. Papritur, ato nuk ishin më histori të tjerëve; ishin historia ime.

Në shumë pjesë të Pakistanit, veçanërisht në zonat e largëta dhe fisnore, gratë që vdesin në rrethana të dyshimta shpesh zhduken nga regjistrat publikë. Familjet detyrohen të heshtin, hetimet janë të dobëta dhe pyetjet mbeten pa përgjigje. Kur gazetarët nuk mund t’i raportojnë këto vdekje, heshtja bëhet e përhershme dhe dhuna ndaj grave normalizohet.

Por tregimi i këtyre historive ka një çmim.

Gjatë gjithë karrierës sime jam përballur me ngacmime dhe kërcënime vetëm pse kam bërë pyetje. Në vend që t’u përgjigjeshin raportimeve të mia, shumë njerëz sulmuan karakterin tim dhe u përpoqën të më frikësonin që të heshtja. Abuzimi në internet është bërë rutinë. Janë krijuar grupe për të më sulmuar dhe për të përhapur dezinformata për mua. Madje është organizuar edhe një protestë kundër meje. Mësova ta injoroja pjesën më të madhe të kësaj, sepse besoja se reagimi do të më largonte nga historitë që doja të tregoja.

Pastaj frikësimi kaloi nga interneti në jetën reale.

Teksa po kthehesha nga raportimi për një vrasje në fshatin tim, e shoqëruar nga nëna ime, një burrë me fytyrë të mbuluar na ndaloi dhe më kërcënoi në gjuhën time amtare duke më thënë “Rri brenda kufijve të tu, përndryshe do të të detyroj unë që të rrish”.

Për një çast u ngriva. Nëna ime u trondit. U kthyem në shtëpi duke menduar për atë që sapo kishte ndodhur dhe për atë që duhej të bënim. Kërcënimi nuk ishte vetëm personal, por ishte edhe një paralajmërim kundër atyre që sfidojnë sistemin. Ishte kujtesë se hetimi i dhunës ndaj grave në Pakistan trajtohet si akt rebelimi.

Debati për femicidin në Pakistan shpesh përqendrohet te rastet individuale që bëhen virale në rrjetet sociale dhe më pas zhduken nga diskursi publik. Por femicidi nuk është një varg tragjedish të rastësishme, ai është krizë kombëtare që ushqehet nga normat patriarkale, hetimet e dobëta dhe komunitetet që e vendosin reputacionin e familjes mbi drejtësinë.

Femicidi nuk mund të kuptohet vetëm përmes shifrave. Pas çdo statistike fshihet një grua, jeta e së cilës u ndërpre para kohe dhe vdekja e së cilës mund të mos hetohet kurrë seriozisht.

Për këdo që synon ta luftojë femicidin, nuk mjafton të shprehë empati pas akteve të dhunës. Duhet të punojmë së bashku për të garantuar që vdekjet e grave të hetohen në mënyrë transparente e të pavarur, pavarësisht se ku ndodhin. Gazetarëve që raportojnë për dhunën me bazë gjinore duhet t’u ofrohet mbrojtje nga kërcënimet dhe frikësimi. Gratë duhet të jenë në gjendje të kërkojnë drejtësi pa pasur frikë nga hakmarrja e familjeve apo komuniteteve të tyre.

Derisa jetët e grave të vlerësohen njësoj si ato të burrave dhe çdo vdekje të hetohet siç duhet, Pakistani do të vazhdojë të dështoj sjelljen e drejtësisë për miliona gra që patën fatin e keq të lindnin në një shoqëri që pret prej tyre të heshtin.

Jamaima Afridi & More to Her Story

E përktheu: Anita Vllahiu

Lexoni artikullin origjinal këtu