Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Sophie Scholl, studentja që i rezistoi regjimit nazist të Hitlerit

QIKA 12.8.2021

Emri i saj nuk njihet gjerësisht jashtë Gjermanisë, por Sophie Scholl është figurë ikonë në vendin e saj të lindjes dhe historia e saj është e jashtëzakonshme.

Regjimi nazist i kishte të gjithë gjermanët e rinj përkrah tij. Por Sophie Scholl, e lindur 100 vjet më parë, nuk donte t’i nënshtrohej regjimit.

“Ne duam të jemi vajza të reja (Jungmädel), ne duam të shohim qartë dhe të punojmë fort. Ne duam të bëhemi të forta dhe krenare: (…) jemi shumë sfiduese për të qenë frikacake.”

Në vitin 1934 në qytetin gjerman Ulm, një grup vajzash bënë betimin solemn ndaj Jungmädelbund (Young Girl’s League/Lidhja e Vajzave të Reja), degë e lëvizjes rinore të Adolf Hitlerit për vajzat e moshës 10-14 vjeç. Sofie Scholl ishte një prej tyre, të cilës iu dha shamia e zezë për ta lidhur rreth qafës.

Tri vite më vonë, ajo dhe vëllai i saj Werner u panë me uniforma të degës rinore të Hitlerit në kishën e Shën Palit në Ulm. Këto dy shembuj shpesh citohen si dëshmi se Sophie Scholl, e cila u bë e njohur si anëtare e grupit studentor White Rose dhe më vonë ikonë e rezistencës anti-naziste, më përpara kishte pasur simpati për këtë regjim.

Werner Milstein, autori i biografisë së Sofie Scholl, jep shpjegime të ndryshme se pse ajo i ishte bashkuar grupit rinor të Hitlerit.

Për Sophie Scholl, Lidhja e Vajzave të Reja Gjermane ishte “mjaft tërheqëse, sepse ishte vendi ku ajo mund të bënte atë që asaj i pëlqente, pra të ishte jashtë dhe të ngjitej në pemë”, tha biografi për DW. Asaj i pëlqente të ulej rreth zjarrit, por edhe të lexonte poezi nga Rainer Maria Rilke, “e cila nuk përputhej aspak me ideologjinë naziste”, shtoi ai.

Një brez i ri kontradiktor

E lindur më 9 maj 1921 në qytetin Forchtenberg, Sophie Scholl u rrit me katër vëllezër e motra në një shtëpi politikisht liberale, të krishterë. Asaj i pëlqente të kalonte kohë në natyrë, i pëlqente të pikturonte. Fëmijërinë e kaloi në qytetin jugor Ulm, ku babai i saj punonte si konsulent tatimor.

Prindërve të Sophie Scholl nuk u pëlqente regjimi i ri dhe ishin të pikëlluar kur panë që fëmijët e tyre po reagonin me entuziazëm ndaj nazistëve, madje duke marrë pjesë edhe në pozitat udhëheqëse në organizatat rinore naziste.

Për të rinjtë e asaj kohe, anëtarësimi nënkuptonte përgjegjësi personale, pavarësi dhe emancipim nga shtëpia, edhe nëse organizatat rinore naziste kërkonin bindje dhe disiplinë të rreptë.

Por brezi i ri u nda; jo të gjithë ishin aq fanatikë sa dëshironin nazistët. “Ata menduan se e kishin rininë nën kontroll, se i kishin infiltruar mjaftueshëm, kështu që u tronditën kur gjërat dolën ndryshe”, tha Milstein.

Pjesa më e madhe e të rinjve në kishë ose në grupe politike ishin ngurrues. Duke shpërndarë dhe ironizuar shoqatat rinore përfshirë Boy Scouts, Socialist Workers’ Youth dhe shoqatat rinore krishtere, regjimi u përpoq t’i kontrollonte edhe këta të rinj.

Në fund të viteve 1930, nazistët prezantuan “shërbimin e detyrueshëm të të rinjve”, që nënkuptonte se të rinjtë u detyruan t’i bashkoheshin rinisë së Hitlerit. Ata që rezistuan u përballën me pasoja të rënda, përfshirë këtu edhe burgun.

Një nga grupet rinore më të njohura të opozitës në atë kohë ishin Edelweiss Pirates, të cilët kishin degë në qytete të mëdha në të gjithë Gjermaninë. Ata kundërshtuan masat detyruese të degës rinore të Hitlerit.

Studentët në universitet gjermane nuk ishin përfshirë shumë në rezistencë. Në fakt, disa ndihmuan në hapjen e rrugës për pushtet për Socialistët Nacional para vitit 1933. Grupi i rezistencës Die Weisse Rose (Trëndafili i Bardhë) në Munih, të cilit iu bashkua Sophie Scholl, ishte një nga përjashtimet e pakta.

Gati për të qëlluar Hitlerin

Sophie Scholl kaloi nga Hitler Youth në luftëtare të pa kompromis të rezistencës. Ky ndryshim u nxit nga disa ngjarje, përfshirë këtu rrëfimet e shokut të saj Fritz Hartnagel dhe arrestimin e babait të saj për “tradhti” në vitin 1941. Në botën e saj ishin shfaqur çarjet e para dhe ajo filloi tu kushtonte vëmendje shenjave që po i paraqiste jeta atë kohë.

“Nëse Hitleri do të vinte dhe unë do të kisha një armë, do ta qëlloja. Nëse burrat nuk e bëjnë këtë, një grua duhet ta bëjë një gjë të tillë”, i tha Sophie Scholl shoqes së saj në 1942 gjatë një dite kur ato ishin ulur në një kafene, sipas librit të Milstein “Someone has to do something: Sophie Scholl’s Life”.

Si pjesë e grupit Trëndafili i Bardhë, ajo i kërkoi Fritza Hartnagel 1,000 Reichsmark për një makinë shtypi, për shkak se sigurimi i bojës, letrës dhe pullave postare ishte detyra e saj. Katër fletushkat e para të grupit Trëndafili i Bardhë u shfaqën mes 27 qershorit dhe 12 korrikut 1942, para se Sophie Scholl t’i bashkohej grupit, kështu që ajo nuk ishte përfshirë endë në këto shkrime të hershme.

“Sigurisht, Hans Scholl dhe shoku i tij Alexander Schmorell ishin shumë më të rëndësishëm, ata ishin qendra e grupit. Sophie Scholl erdhi më vonë, por si një grua e re, ajo kishte një qasje të veçantë”, vuri në dukje Milstein.

Aktiviste për një Gjermani ndryshe

Fati i Sophie dhe i vëllait të saj, Han Scholl, u vulosën më 18 shkurt 1943. Në orën 10 të mëngjesit ata bartën një valixhe të rëndë në një ndërtesë në Universitetin e Munihut. Në valixhe kishte fletushka. Ata arritën të shpërndanin 1,700 prej tyre para se Sophie qëllimisht ose aksidentalisht rrëzoi një grumbull prej tyre. Fletushkat po fluturonin gjithandej.

Ky ishte momenti i shkatërrimit të Scholls. “Ndalo! Je e arrestuar!” bërtiti një portier që kishte qenë dëshmitar i skenës.

Katër ditë më vonë, më 22 shkurt, anëtarët e grupit Trëndafili i Bardhë, pra Sophie Scholl dhe Christoph Probst u dënuan me vdekje. Sophie ishte e para që u ekzekutua. Thuhet se ajo ishte e guximshme, e vendosur dhe e drejtë deri në momentin e fundit. Më vonë xhelati i saj tha se ai kurrë nuk kishte parë një person të vdiste kaq guximshëm.

Për Sophie Scholl kjo ishte një çështje morale dhe politike, një çështje mendimi dhe veprimi.

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.dw.com/en/the-story-of-nazi-resistance-fighter-sophie-scholl/a-57457734?fbclid=IwAR0PWw4azfncbu5UC5gw1M-tactJxa_pVJwhH7ZUXmmethV-S58QCkln92A