Debati për gratë në institucionet e sigurisë artikulohet pothuajse gjithmonë rreth të njëjtit qëllim: të ketë më shumë gra në siguri. Kjo logjikë numerike nuk është e gabuar në vetvete. Përfaqësimi ka rëndësi. Por ajo injoron arsyet thelbësore dhe barrierat bazë të grave, siç janë ngacmimet, paragjykimet, punët e papaguara të kujdesit, si dhe e merr si të mirëqenë se siguria shtetërore, siç është ndërtuar dhe praktikohet sot, është korniza e duhur brenda së cilës duhet të integrohen gratë. Ky artikull argumenton se kjo kornizë vetë ka nevojë për shqyrtim dhe se, pa këtë shqyrtim, rritja e numrave rrezikon të mbetet iluzion i progresit, pa ndryshim strukturor.
Institucionet e sigurisë, siç janë policia e shtetit apo forcat e armatosura, janë tradicionalisht të trajtuara si profesione të ushtruara nga burrat. Mirëpo, në vitet e fundit ky supozim po vihet në dyshim. Një hap i rëndësishëm në këtë fushë është agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, apo Rezoluta 1325 e aprovuar nga Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara.
Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë mbështetet në katër shtylla të ndërlidhura ngushtë, të cilat lidhin barazinë gjinore me paqen e qëndrueshme. Parandalimi thekson domosdoshmërinë e shmangies së konflikteve sa herë që është e mundur, duke vënë në dukje se shoqëritë më të barabarta nga ana gjinore kanë më pak gjasa të përjetojnë dhunë dhe se, aty ku konfliktet ekzistojnë, duhet të parandalohet çdo formë dhune ndaj grave dhe vajzave. Mbrojtja përqendrohet në garantimin e të drejtave, sigurisë dhe dinjitetit të grave dhe vajzave, veçanërisht duke marrë parasysh ekspozimin e tyre të shtuar ndaj dhunës me bazë gjinore. Pjesëmarrja kërkon përfshirjen kuptimplotë të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes për paqen dhe sigurinë, nga ai lokal deri në atë ndërkombëtar, si kusht për procese më legjitime dhe më të qëndrueshme. Së fundi, ndihma dhe rimëkëmbja trajtojnë nevojat specifike të grave dhe vajzave në kontekste pas konflikti dhe theksojnë rolin jetik të organizatave të drejtuara nga gratë në mbështetjen e komuniteteve dhe në proceset e rimëkëmbjes gjatë dhe pas krizave.
Kosova, edhe pse nuk është ende anëtare e Kombeve të Bashkuara, e ka bërë të qartë disa herë dedikimin ndaj kësaj agjende. Ish Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, e cila mori edhe Çmimin e NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka shkruar në një postim në rrjetet sociale:
“Gratë në uniformë, profesioniste dhe të përkushtuara janë imazhi i Kosovës dhe i Forcës së Sigurisë së Kosovës që duam ta shohim gjithnjë e ta zhvillojmë në vazhdimësi. Kosova është kampione e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, jo vetëm në rajon dhe Evropë, por edhe përtej. Sa më shumë gra në procese të sigurisë dhe vendimmarrje, aq më të sigurt dhe më të fortë jemi si shoqëri dhe si shtet.”
Nuk është e pasaktë të thuhet që pjesëmarrja e grave në proceset e sigurisë krijon paqe dhe siguri më stabile. Mirëpo, një qasje e tillë që bën thirrje për rritjen e numrit të grave në statistika nuk është e qëndrueshme apo efektive, nëse injoron problemet bërthamë dhe faktorët që shkaktojnë pjesëmarrjen e ulët të grave në sektorët e sigurisë. Trajtimi i pengesave që kufizojnë pjesëmarrjen e plotë të grave, si normat patriarkale të rrënjosura në institucionet e sigurisë, praktikat e padrejta të avancimit në karrierë, mungesa e mentoreve gra, dhe barra ende e pabarabartë e kujdesit për familjen dhe shtëpinë, është thelbësor për të mundësuar përfshirje reale dhe qasje të barabartë në pozitat vendimmarrëse.
Por pyetja që duhet të shtrohet më shpesh është çfarë ndodh pasi që gratë t’i kapërcejnë barrierat dhe të fillojnë punën në këto institucione? Në një studim të bërë nga Security Industry Association (SIA), 91% e të intervistuarave besojnë se gratë duhet të punojnë më shumë se burrat për të arritur të njëjtat promovime. Një situatë e ngjashme mund të vërehet edhe në Kosovë.
Hulumtimi me titull “Paqja dhe Siguria në Kosovë: Një Analizë Gjinore” i publikuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës raporton se në Forcën e Sigurisë së Kosovës (KSF), grada më e lartë që një grua ka arritur është Gjeneral Major, pozita e dytë më e lartë pas Komandantit. Megjithatë, normat sociale dhe rolet gjinore, veçanërisht përgjegjësitë e kujdesit, vazhdojnë të jenë pengesa kryesore për angazhimin e grave në KSF. Këto detyra i pengojnë ato të angazhohen plotësisht në trajnimet intensive të kërkuara për avancim, pasi duhet të jenë larg shtëpisë për periudha të gjata. Një përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes theksoi: “Nëse nuk merr pjesë në këto trajnime, nuk mund të avancosh… Kjo ka qenë një sfidë e rëndësishme.” Gratë që kanë avancuar shpesh e kanë bërë këtë me mbështetje nga familjet e tyre, të cilat kanë ndarë përgjegjësitë e kujdesit. Pra, përfshirja e grave në siguri kërkon angazhim të shtetit dhe të shoqërisë në shpërndarjen më të balancuar të punëve të kujdesit në shtëpi, të cilat janë në të shumtën e rasteve barrë joproporcionale në shpinën e grave.
Përveç promovimit dhe ngritjes në detyrë, gratë në sektorin e sigurisë përballen me paragjykime dhe ndjenja të nënvlerësimit në ambientet e punës, çka i bën ato të ndihen të pasigurta ose të papërshtatshme për pozita udhëheqëse. Këto veprime ose komente që duken si të vogla pasqyrojnë stereotipe gjinore dhe përforcojnë përjashtimin e grave nga mundësitë dhe pozitat udhëheqëse. Mikroagresionet mund të jenë të dukshme në forma të ndryshme: nga komente të pabazuara mbi aftësitë e grave, te trajtimi i tyre si të pafuqishme ose të papërshtatshme për detyra që kërkojnë autoritet dhe vendimmarrje.
Diskutimi për gratë në siguri shpesh trajton “gratë” si kategori homogjene – sikur të gjitha gratë të përballen me të njëjtat pengesa, të kenë të njëjtat nevoja dhe të përfitojnë njësoj nga “përfshirja”. Por rrallë pyetet cila grua përfshihet kur flasim për integrimin gjinor në fushën e sigurisë. Mungesa e diskutimit për gratë që vijnë nga grupet më të cenueshme dhe të margjinalizuara në diskutimet zyrtare është vetë një formë përjashtimi, që tregon se gruaja e imagjinuar në politikat e sigurisë ka një profil të caktuar.
Për më tepër, të themi se gratë duhet të jenë pjesë e institucioneve të sigurisë vetëm sepse ato sjellin një përfitim, do të thotë t’i vendosësh kësaj pjesëmarrjeje vlerë instrumentale dhe jo si qëllim në vetvete. Ky argument rrezikon që pjesëmarrja e grave të përdoret vetëm për të arritur qëllime të caktuara, qofshin ato edhe qëllime të mira. Të shikojmë pjesëmarrjen e grave në këtë mënyrë mund të rezultojë në pjesëmarrje sipërfaqësore dhe si një “tik” në listën e cilësive të kërkuara nga aktorët ndërkombëtarë. Rishkrimi i narrativës dhe argumentit pse gratë janë të rëndësishme në fushën e sigurisë është thelbësor në mënyrë që ky proces të mos rezultojë në tokenizëm – përfshirjen e individëve nga grupe të margjinalizuara vetëm për të dhënë përshtypjen e diversitetit, pa u ofruar atyre mundësi të vërteta për ndikim ose përparim. Kur një grua arrin pozitë të lartë, sistemi e përdor atë si provë se “sistemi funksionon” dhe si arsye për të mos bërë reforma strukturore. Suksesi individual zë vendin e ndryshimit kolektiv.
Integrimi gjinor në institucionet e sigurisë, siç praktikohet sot, e pranon si të dhënë se siguria shtetërore është forma primare dhe legjitime e sigurisë dhe pastaj pyet si të përfshihen gratë brenda saj. Në veçanti për një shtet të ri si Kosova, kur memoria e luftës është ende e freskët, siguria e shtetit ka vlerë për secilin shtetas. Megjithatë, thjesht lejimi i grave të kopjojnë struktura ekzistuese të udhëhequra nga burrat në fushën e paqes dhe sigurisë nuk sjell ndryshime të mëdha në qeverisjen e këtyre sektorëve. Pjesëmarrja e vërtetë duhet të përfshijë një rishikim të mënyrës se si definohet dhe praktikohet siguria, duke vendosur sigurinë njerëzore mbi modelet e ngushta që fokusohen vetëm te shteti.
Në vend se të përqendrohemi se çka gratë sjellin në sektorin e sigurisë, duhet të zgjerojmë dhe rimendojmë kuptimin dhe përkufizimin e sigurisë në rradhë të parë. Të dalësh nga korniza nuk do të thotë të thuash se gratë nuk duhet të punojnë në siguri. Do të thotë të ndryshosh pyetjen themelore nga “Si të përfshijmë më shumë gra në sistemin ekzistues të sigurisë?” në: “Si do të dukej siguria nëse do ta ndërtonim atë rreth nevojave dhe kërcënimeve reale të grave dhe grupeve të cenueshme?” Pyetja e dytë çon në vende shumë të ndryshme: në investime në strehimore dhe shërbime sociale, në parandalim të dhunës në familje, në ndërtimin e infrastrukturave të qasshme dhe politikave gjithëpërfshirëse për gratë me aftësi të kufizuara, si prioritet kombëtar i sigurisë, jo si çështje sociale dytësore.
Prandaj, debati për gratë në siguri nuk duhet të ndalet te numri i grave në uniformë, në institucione apo në pozita vendimmarrëse. Përfaqësimi është i rëndësishëm, por ai nuk mund të jetë qëllimi i fundit nëse gratë hyjnë në struktura që vazhdojnë t’i nënvlerësojnë, t’i përjashtojnë ose t’i përdorin si dëshmi simbolike të progresit. Qasja feministe ndaj sigurisë kërkon më shumë sesa integrim në sistemin ekzistues; kërkon rishikimin e vetë sistemit, të prioriteteve të tij dhe të mënyrës se si e përkufizon kërcënimin, mbrojtjen dhe paqen. Të flasësh për gratë në siguri, pra, nuk do të thotë vetëm të kërkosh më shumë gra brenda institucioneve, por të pyesësh se çfarë lloj sigurie duam të ndërtojmë, për kë ndërtohet ajo dhe kush vazhdon të mbetet i pambrojtur prej saj. Vetëm atëherë, pjesëmarrja e grave kalon nga një shifër përfaqësimi në një mundësi për ndryshim strukturor.
Ky artikull është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Holandës përmes projektit “Fuqizimi i Grave në Treg të Punës”, i cili zbatohet nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe QIKA. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Ambasadës së Holandës.