Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Kush e zotëron kohën e grave?

Vlera Zymeri 19.11.2026

Ekziston një lloj pune që duket sikur kryhet vetvetiu.

Deri në momentin kur të gjithë ulën për të ngrënë, një sërë gjërash vecse kanë ndodhur. Tryeza është shtruar, rrobat janë të pastra, cka nevojitet për nesër është blerë. Ushqimi shfaqet në tryezë. Gjithçka duket në rregull. Dita vazhdon,

Këto gjëra duken si veprime të veçuara, të lehta për t’u anashkaluar. Por në të vërtetë janë rezultat i disa veprimeve te vogla, veprime këto që nuk përmenden gati se kurrë. Ato nuk ndodhin vetvetiu. Dikush i bën të mundura. E megjithatë, është e mundur të kalosh vite pa pyetur se kush. Në shumë familje, “dikushi” është një grua. Ajo e di se çfarë duhet bërë. Ose, të paktën pritët që ta dijë. Nëse nuk e bën, mungesa e saj vihet re. Nëse e bën, gjithçka vazhdon si zakonisht. Shoqëria ka mënyrat e veta për t’i përshkruar grate që mbajnë mbi supe punën e kujdesit: “nënë e mire, vajzë që kujdeset për prindërit, grua e përkushtuar”. Këto shprehje synojnë të jenë komplimente. Shpesh edhe thuhen si të tilla. Por ato përshkruajnë edhe një mënyrë të caktuar të përdorimit të kohës së një personi, e cila mund të bëhet aq e zakonshme, saqë vështirë të njihet më si pritshmëri.

Në këtë marrëdhënie, lodhja ngatërrohet me dashuri.

Rrallë pyetet se sa nga kjo është zgjedhje, sa është domosdoshmëri dhe sa është diçka e mësuar ndër vite. Me kalimin e kohës, ajo që pritet prej grave nuk duket më si pritshmëri, por si diçka që u vjen natyrshëm. Por çfarë ndodh kur ndalojmë së trajtuari këtë punë si çështje private dhe fillojmë të pyesim se çka na tregon ajo për mënyrën se si është organizuar shoqëria?

Pyetja nuk është vetëm pse puna e papaguar e kujdesit vazhdon të nënvlerësohet apo pse gratë priren të bëjnë më shumë prej saj. Pyetja është edhe pse një pjesë kaq e madhe e jetës së përditshme varet nga fakti që gratë marrin përsipër punë që dikush duhet ta bëjë, ndërkohë që pritshmëria se pikërisht ato duhet ta bëjnë rrallë vihet në diskutim. Përmasat e kësaj pabarazie mund të maten edhe në numra. Në Kosovë, gratë shpenzojnë mesatarisht 6.2 orë në ditë në punë të papaguar të kujdesit, krahasuar me 3.5 orë që shpenzojnë burrat. Vlera ekonomike e kësaj pune vlerësohet në rreth 2.82 miliardë euro, ekuivalente me 33 për qind të bruto produktit të brendshëm të vendit.

Teoricienja feministe Silvia Federici e ka kundërshtuar prej kohësh idenë se puna e kujdesit është thjesht shprehje e dashurisë apo natyrës së grave. Kur puna e kujdesit kuptohet si diçka që gratë e bëjnë sepse janë gra, dhe jo si punë që mundëson vazhdimësinë e jetës së përditshme, bëhet më e lehtë të arsyetohet shpërndarja e saj e pabarabartë. Një pritshmëri fillon të duket si zgjedhje personale. Përgjegjësia shndërrohet në virtyt. Dhe puna zhduket pas gjuhës së dashurisë, familjes dhe detyrës. Sigurisht, problemi nuk është kujdesi për të tjerët. Nuk ka asgjë shtypëse te përkujdesja për dikë, përgatitja e një vakti apo mbështetja e një familjari. Problemi fillon kur kujdesi trajtohet si përgjegjësi e grave, si parazgjedhje; kur kontributi i tyre merret si i mirëqenë, në vend që të diskutohet e të ndahet; dhe kur koha që kërkon kjo punë konsiderohet si diçka që mund të merret pa pyetur.

Kjo mënyrë organizimi ka një dimension ekonomik, por është edhe çështje kohe. Koha është ajo që gratë japin kur ndërpresin punën e paguar, shtyjnë pushimin, heqin dorë nga një mundësi apo edhe një mbrëmje që mund ta kalonin duke mos bërë asgjë. Ky kontribut nuk lë gjithmonë gjurmë. Nuk ka faturë për orët e kaluara duke organizuar jetën e një familjeje dhe as pagesë për kohën e shpenzuar duke kujtuar atë që të tjerët kanë harruar. Kritika feministe ka vënë në pikëpyetje vazhdimisht dallimin mes asaj që pritet nga

shoqëria dhe asaj qe konsiderohet e natyrshme. Ndarja gjinore e punës nuk është thjesht rezultat i zgjedhjeve të ndryshme që bëjnë gratë dhe burrat. Ajo formësohet nga mënyra si edukohemi, varësia ekonomike, organizimi institucional dhe shpërndarja e pabarabartë e përgjegjësive brenda familjes. Kur gratë pritet të kujdesen sepse janë gra, kjo pabarazi mund të riprodhohet pa qenë nevoja që dikush ta kërkojë shprehimisht. Pritshmëria bëhet pjesë e jetës së zakonshme.

Në Wages Against Housework (1975), Federici vë në pikëpyetje idenë se gratë kujdesen për shtëpinë dhe familjen thjesht sepse kjo u vjen natyrshëm. Ajo na kujton se puna e shtëpisë është punë e vërtetë, edhe kur nuk paguhet dhe as nuk njihet si e tillë. Pa të, jeta e përditshme nuk do të mund të vazhdonte siç e njohim. Ky dallim e zhvendos vëmendjen nga pyetja nëse gratë i duan mjaftueshëm familjet e tyre për t’u kujdesur për to. Në vend të kësaj, shtrohet pyetja pse dashuria përdoret kaq shpesh për të justifikuar një shpërndarje të pabarabartë të punës.

Një grua mund të dëshirojë të përgatisë darkën. Mund të gjejë kuptim në rritjen e fëmijëve apo në përkujdesjen për një familjar të moshuar. Këto aktivitete mund të jenë burim afërsie, solidariteti dhe përmbushjeje personale. Por kjo nuk e shpjegon pse këto përgjegjësi bien më shumë mbi gratë, apo pse koha e tyre trajtohet kaq shpesh si kohë në dispozicion të të tjerëve.

Është joshëse ta trajtojmë këtë si çështje private. Familjet kanë marrëveshjet e tyre. Çiftet vendosin se kush gatuan. Vajzat i ndihmojnë nënat e tyre. Nënat i ndihmojnë vajzat e tyre. Këto vendime janë intime dhe shpesh merren në rrethana që të tjerët nuk mund t’i kuptojnë plotësisht. Por kushtet në të cilat familjet i marrin këto vendime nuk janë private. Ato ndikohen nga pagat, oraret e punës, shërbimet publike, pasiguria ekonomike dhe idetë për atë që gratë dhe burrat i detyrohen njëri-tjetrit. Ajo që ndodh brenda një familjeje nuk mund të ndahet tërësisht nga rrethanat shoqërore. Çështja e punës së papaguar është edhe çështje e përgjegjësisë publike.

Studiuesja feministe Nancy Fraser na ndihmon ta kuptojmë këtë edhe përmes konceptit të riprodhimit shoqëror. Me këtë term ajo i referohet gjithë punës që e bën të mundur jetën e përditshme: rritjes së fëmijëve, kujdesit për të moshuarit, mirëmbajtjes së shtëpisë dhe mbështetjes që u japim njerëzve përreth nesh. Shoqëria varet nga kjo punë, por nuk kujdeset gjithmonë që ajo të mbështetet dhe të ndahet në mënyrë të drejtë. Kur mungojnë çerdhet e përballueshme, kur shërbimet për të moshuarit janë të pamjaftueshme ose kur orari i punës nuk lë hapësirë për përgjegjësitë familjare, dikush duhet ta mbulojë atë që mungon. Në shumë familje, kjo mbulohet nga gratë.

Prandaj, kur flasim për punën e papaguar, duhet të flasim edhe për përgjegjësinë e shoqërisë dhe të institucioneve për të krijuar kushte në të cilat kujdesi nuk mbetet barrë dhe nuk shihet si pritshmëri.

Te ardhurat krahasohen, pagat dhe orari punës llogaritet. Çka na ndihmon t’a shohim këtë pabarazi edhe me thellësisht është koha. Nuk ekziston një përvojë e vetme e të qenit grua dhe as një mënyrë e vetme për ta përjetuar punën e papaguar të kujdesit. Por ekziston një pyetje që vazhdon të mbetet: pse koha e grave konsiderohet kaq lehtë si kohë që mund t’u kushtohet të tjerëve?

Dy njerëz, nga e njëjta shtëpi, mund të punojnë nga tetë orë në ditë dhe prapëseprapë të kenë jetë shumë të ndryshme. Njëri mund ta përfundojë punën dhe ta kalojë mbrëmjen si të dëshirojë. Tjetri kthehet në shtëpi vetëm për të nisur edhe një orar të dytë: përgatit darkën, pastron, ndihmon fëmijët me detyrat, kujdeset për prindërit ose merret me gjërat që duhen bërë për të nesërmen. Për gratë, kjo shpesh nënkupton se koha e tyre nuk është kurrë krejtësisht e tyre. Edhe kur nuk janë duke bërë diçka konkrete, mund të jenë duke menduar për atë që duhet bërë më pas.

Kjo punë e vazhdueshme e të menduarit dhe organizimit nuk shihet gjithmonë, por është pjesë e përgjegjësisë që shumë gra mbajnë çdo ditë. Sigurisht, jo të gjitha gratë e përjetojnë këtë njësoj. Të ardhurat, mosha, gjendja shëndetësore, përbërja e familjes dhe mundësia për të pasur ndihmë ndikojnë në sasinë e punës që bëjnë. Por edhe atëherë, puna shpesh u kalon grave të tjera, të cilat e bëjnë atë për paga të ulëta dhe në kushte të pasigurta. Kështu, dallimet ekonomike ndikojnë jo vetëm në sasinë e punës që bëjnë gratë, por edhe në mundësinë që ato kanë për të pasë kohë për veten.

Koha e grave nuk është e pafundme. Ajo nuk është diçka që mund të merret sa herë që dikujt tjetër i nevojitet. Mënyra se si e ndajmë këtë kohë nuk është thjesht çështje e asaj që ndodh brenda shtëpisë. Ajo tregon se çfarë presim nga gratë, çfarë vlerësojmë si shoqëri dhe kujt ia njohim të drejtën për të pasur kohë për veten.

Për veriun merr merita, për femicidin jep arsyetime. Qëllojani kush? 

10.11.2026

“Nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas”, deklaroi Xhelal Sveçla në ko

Ktheni kamerat kah burrat!

5.10.2026

Pse ishin aty? Pse pranuan? Pse bënë seks me të? Sa gra ishin? A e dinin? A kishin partnerë të tjerë

“Kingat” nuk i tmerron seksi. I tmerron liria.

17.6.2026

Turmat e burrave po përdorin moralin për t’i kontrolluar trupat, dëshirën dhe lirinë e grave.

500 euro për të lindur. Po për të qenë e barabartë?

12.6.2026

Një javë më parë linda fëmijën tim të dytë. Kjo do të thotë se jam pikërisht personi që duhej ta mir

Gratë në siguri përtej përfaqësimit

11.6.2026

Debati për gratë në institucionet e sigurisë artikulohet pothuajse gjithmonë rreth të njëjtit qëllim

Më mungon dikush që nuk e takova kurrë

9.6.2026

Ka dhimbje për të cilat flasim. Dhe ka të tjera që mbeten t