Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Më mungon dikush që nuk e takova kurrë

Donika Gashi 9.6.2026

Përjetimi i një shtatzënie të ndërprerë

Ka dhimbje për të cilat flasim. Dhe ka të tjera që mbeten të padukshme për botën. Humbja e një bebeje gjatë shtatzënisë është njëra prej tyre.

Një humbje që shpesh pritet të mbahet në heshtje, të kalohet sikur të mos ketë ndodhur kurrë. Një lloj zie për të cilën flitet pak. Sikur ajo bebe të mos ketë ekzistuar kurrë. Sikur të mos ketë pasur kurrë dashuri.

M’u desh ta përjetoja vetë këtë humbje që t’i kuptoja vërtet prindërit e tjerë që e kishin kaluar para meje. Të njohura e të panjohura filluan të më rrëfenin historitë e tyre: “Kam abortuar në muajin e katërt”, “Në të tretin”, “Zemra e bebes u ndal në javën e dhjetë”, “Kam lindur fëmijën e vdekur në muajin e nëntë”.

Më rrëfenin për dhimbjen që ende e mbanin me vete, edhe pse për shumë prej tyre kishin kaluar vite e vite. Vetëm atëherë kuptova sa e heshtur është kjo dhimbje, sepse tani, këtë zi po e jetoj edhe vetë.

Ka ditë kur qaj. Ka ditë kur mundohem ta mohoj atë që ka ndodhur, sikur mendja ime ende të mos jetë gati ta pranojë. Ka momente kur më duket e pamundur që jeta vazhdon, ndërsa një pjesë e imja ka mbetur përgjithmonë diku tjetër.

Por e di që në mes të gjithë kësaj dhimbjeje, unë jam me fat. Kam një partner tejet mbështetës, me të cilin e ndaj këtë humbje dhe me të cilin qajmë bashkë. Kam një djalë që më thotë “të du” sa herë më sheh të mërzitur. Kam shoqe që më qëndrojnë pranë. Kam familje që e ndiejnë këtë dhimbje me mua, sikur të ishte edhe e tyre. Kam kolegë që më kuptojnë dhe kam mundësinë të kërkoj edhe ndihmë profesionale, përmes terapisë psikologjike.

Por jam shumë e vetëdijshme që jo të gjitha gratë i kanë këto. Shumë prej tyre detyrohen ta mbajnë këtë dhimbje krejt vetëm. Prandaj historinë time po e shkruaj për të gjitha gratë. Për të gjithë burrat. Për të gjithë prindërit që e kanë kaluar këtë dhimbje në heshtje.

Po e shkruaj sepse bebet tona janë dëshmi se dashuria shkon përtej trupit, përtej formës, përtej prekjes që njohim si tokësorë.

E ndoshta duke folur për ta ne i mbajmë pranë. Në një mënyrë tjetër. Në të vetmen mënyrë që na ka mbetur.

Kur kjo dhimbje u bë e imja

Atë ditë isha 19 javëshe shtatzënë, një shtatzëni e mirëpritur dhe një fëmijë që e donim shumë. Meqë tashmë kisha kaluar tremujorshin e parë, mendoja që rreziku për ndonjë dështim të mundshëm të shtatzanisë kishte kaluar. Për më tepër, tri javë më parë kisha bërë kontroll dhe gjithçka kishte qenë në rregull. Megjithatë, një ndjesi e brendshme, e pashpjegueshme më shtyu të shkoja sërish për një vizitë, pikërisht atë ditë.

Ishte një mëngjes i ngrohtë, me diellin e butë të pranverës së hershme. Vendosa të shkoja vetëm. Kisha filluar t’ia ndjeja lëvizjet në bark që nga java e 17-të dhe me dukej që ashtu komunikonte me mua vazhdimisht. Shpesh ndihesha me faj pse kësaj shtatzanie nuk po mund t’i kushtoja aq shumë rëndësi meqë punoja me kohë të plotë dhe kisha një djalë më pak se dy vjeç në shtepi. Kur them nuk i kushtoja rendesi, po them që të kisha kohë veç për të e t’i flisja siç bëja me shtatzëninë e parë. Prandaj, sa herë që më vinte mundësia, qëndroja vetëm dhe e shfrytezoja si një hapësirë të vogël vetëm për mua dhe beben time.

Tek gjinekologia arrita pak më herët dhe u ula duke pritur. Për të kaluar kohën, hapa telefonin dhe lashë mendjen të endet mes videove të zakonshme e recetave qe ruhen e nuk pergatiten kurrë.

Isha e qetë e pothuajse e pavetëdijshme, para se të thirresha brenda. Kur hyra, gjithçka dukej si çdo herë tjetër. Një kontroll rutinë edhe pse për mua, ai moment nuk ishte kurrë thjesht rutinë pasi ishte çasti kur e shihja të voglin tim në ekran që më mbushte me jetë sa herë lëvizte.

Gjithçka nisi njësoj. Derisa ndryshoi.

Edhe sot, truri im nuk e përpunon dot plotësisht atë që ndodhi më pas. Fjalët janë tretur diku por ajo që më ka mbetur e gdhendur në kujtesë është si ndryshoi fytyra e gjinekologes ndërsa shikonte ekranin.

“Donikë, nuk po më pëlqen ajo që po shoh…”

Mu prenë këmbët. Instiktivisht perqafova barkun, sikur doja ta mbroja nga ato fjalë, sikur të mund ta izoloja nga frika që po më përpinte mua.

Mbaj mend që më kërkoi të kthehesha sërish pasdite, që bashkë me një mjek tjetër të kuptonin më saktë çfarë po ndodhte me beben time. I tregova partnerit dhe ne një mënyrë që vetëm shpresa e bën të mundur u kapëm pas idesë se ndoshta kishte qenë një gabim. Se ndoshta aparatura nuk kishte funksionuar si duhet.

U kthyem po atë ditë, rreth orës 15:00. Hymë pa rend. Brenda ishte gjinekologia ime bashkë me kolegun e saj. Unë dhe partneri im ishim kapur dorë për dore me një shpresë të vetme: të na thoshin se gjithçka ishte në rregull.

Nuk e di nëse zemra tona kanë rrahur ndonjëherë më shpejtë se atëherë. Ata flisnin mes tyre me zë të ulët, ndërsa ne përpiqeshim të kapnim copa fjalësh.

“NT e lartë”… “lëng i lirë në kavitetin pleural”… “zemra për momentin në rregull”… “truri për momentin në rregull”…

Sa herë dëgjonim “në rregull”, zemrat tona për një çast qetësoheshin sikur kërkonin të mbaheshin pas atyre pak fjalëve. Pastaj erdhi një fjali që ndryshoi gjithçka: “Topi se luan, doktoreshë,” tha ai, duke i konfirmuar asaj.

“Doktor, çfarë është?” e pyeta. Aty për herë të parë, na shpjeguan se beba jonë kishte lëng në mushkëri dhe se dyshonin për hydrops fetalis.

 “Hydrops? Çfarë është kjo?”

Është e vështirë të harroj mënyrën si na u tha: një diagnozë që në shumicën dërrmuese të rasteve është fatale për bebet në bark. Por shtuan edhe diçka tjetër se duhej të bëheshin analiza të mëtejshme dhe se gjendja e bebit duhej përcjellë nga afër me shpresën qe ky lëng nuk do kalonte në pjesë të tjera të trupit.

Pas atij momenti nisi një maratonë pa frymë. Analizë pas analize, vizitë tek një mjek, pastaj tek një tjetër, pastaj sërish një tjetër. Çdo ditë sillte një emër të ri, një shpresë të re të vogël per ne. Net pa gjumë, lutje të përsëritura me të njëjtën dëshirë që në kontrollin tjetër lëngu të mos ishte shtuar.

Lexoja pa ndalur për hydrops-in. Statistika, përqindje, skenarë. Çfarë ndodh nëse lëngu rritet? Sa raste përmirësohen? A ka ndonjë mundësi që të zhduket vetë? Nuk di nëse ka mbetur ndonjë studim pa e lexuar. Dhe megjithatë, çdo fjali më rëndonte më shumë se tjetra.

Prognozat ishin dërrmuese. Të pamëshirshme.

Por mjaftonte një ditë pa vizitë, një ditë pa fjalë mjekësh… dhe unë e ndjeja të voglin tim duke lëvizur dhe në ato lëvizje të vogla rikthehej shpresa. Çdo natë, unë dhe partneri im thurnim plane dhe mbaheshim pas tyre me gjithë forcën që kishim. Ishte një shpresë që nuk na e jepte askush por ne nuk e lëshonim.

Madje ia vendosëm edhe emrin, Gur. Gur, sepse besonim se do ia dilte. Se ishte i fortë. Ishte zemër-gur.

Analizat vazhdonin të ktheheshin “pozitive”, siç thoshin mjekët në kuptimin që gjenetikisht, i vogli ynë nuk kishte asnjë sëmundje të trashëguar. Testet për infeksione dolën të gjitha negative. Nuk kishte asnjë shpjegim të qartë. Asnjë shkak konkret.

Atëherë çfarë e shkaktoi?

Nuk e dinim. Ende nuk e dimë.

Ndërkohë, lajmet nga vizitat bëheshin gjithnjë e më të rënda. Lëngu filloi të shfaqej në zonën abdominale. Pastaj tek veshkat. Më pas pranë zemrës. Dhe në fund, pranë trurit.

Çdo kontroll ishte një hap më tej drejt diçkaje që nuk donim ta pranonim.

“Na vjen keq, por beba juaj do të vdesë brenda pak javësh në bark… ose edhe nëse mbijeton, do të vdesë në minutat e para pas lindjes.”

Këtë fjali e dëgjuam nga të gjithë specialistët që takuam, gjatë atyre pothuajse tre javëve kur shkonim në kontrolle pothuajse çdo ditë. Kurse une çdo herë që e dëgjoja, ndihesha sikur po vdisja pak nga pak, bashkë me të.

 ***

As unë, as partneri im nuk flinim. Kishin kaluar gati tre javë që nga dita kur morëm vesh për gjendjen e bebit dhe gjumi ishte bërë një luks që nuk mund ta përballonim. Sa herë përpiqesha të mbyllja sytë, ankthi më zgjonte menjëherë. Dora më shkonte pa menduar tek telefoni të lexoja edhe pak, të kërkoja edhe një përgjigje, një fije shprese që nuk po vinte.

Jetonim në një lloj purgatori, një agoni që nuk mbaronte. Kërkonim me dëshpërim një përgjigje të mirë, që nuk vinte. Ndërkohë, jeta vazhdonte. Puna e përkujdesja për djalin. Edhe pse i vogël, ai e ndiente që diçka nuk ishte në rregull. Një ditë më pa duke qarë, m’ afrua më puthi sytë dhe me atë gjuhën e tij që sapo ka filluar të lidhë fjalët me tha: “mama të du”.

Që atëherë, kjo “mama të du” më shoqeron në çdo lot që më rreshqet përpara tij.

***

E martë.

Në dy ditët e fundit po i ndjeja gjithnjë e më rrallë lëvizjet e tij. Kisha frikë edhe të flija se mos zgjohesha dhe ai nuk ishte më. Prandaj i numëroja secilën lëvizje, për t’u bindur që ende ishte aty.

Të hënën na konfirmoi edhe një mjek tjetër atë që kishim frikë ta dëgjonim: hydrops-i ishte përhapur në gjithë trupin. Ajo që ishim frikësuar, tashmë ishte realitet.

Na u komunikua qe i vogli im do të vdiste brenda pak javësh në barkun tim… ose në skenarin tjetër, do të lindte në muajin e nëntë vetëm për të jetuar disa minuta.

Natyrisht qe shkuam edhe per nje mendim tjeter. Sërish njejtë. Lëngu ia kishte kapluar gjithë trupin. Ajo pak shpresë që na mbante tashmë nuk ekzistonte. Në një ordinancë private, një mjek na shpjegoi se ndërprerja e shtatzënisë mund të kryhej edhe në spitalin ku ai punonte. Por, para kësaj, më duhej një dokument nga QKUK-ja një konfirmim nga komisioni me mjekë se beba nuk ishte kompatibile me jetën.

Gjithashtu, me shpjegoi qe procesi i lindjes nuk do ishte i lehtë pasi lindjen e parë e kisha bërë gati dy vjet më parë përmes prerjes cezariane dhe qafa e mitrës nuk ishte “e stervitur” për lindje vaginale. Në rastet si e imja, prerja cezariane nuk ishte opsion, gjithë procesi duhet të kryhej përmes lindjes natyrale. Gjithmonë kisha pasur frikë nga lindja natyrale dhe tani nuk kisha se si t’i ikja. Spitalet private më dukeshin si e vetmja mundësi për ta përballuar, sepse ofronin epidural (anestezion lokal që injektohet në pjesën e poshtme të shpinës për t’i mpirë nervat që përcjellin sinjalet e dhimbjes nga mitra dhe qafa e mitrës). Nuk doja t’i ndjeja ato dhimbje. Nuk doja ta përjetoja fizikisht atë që emocionalisht tashmë po më copëtonte dhe kishte edhe një ironi të rëndë në gjithë këtë, ideja se do të sillja në jetë një fëmijë pa jetë.

Atë mëngjes në orën gjashtë, dola vetëm. Partneri im qëndroi me djalin. Isha e bindur se do ta merrja atë letër dhe më pas do ta kryeja lindjen të nesërmen në një spital privat. E pranoj, kisha edhe paragjykimet e mia për Gjinekologjinë në QKUK por ato filluan të zbeheshin që në kontaktin e parë me stafin. Sot kur e kujtoj më vjen keq që nuk kam trokitur më herët në atë derë.

Para spitalit isha që në orën 6:30 të mëngjesit. Pyeta sigurimin se ku duhej të shkoja dhe ai më drejtoi drejt mjekësisë fetale (ndersa mendja ime, në heshtje e kthente në “fatale”).

Isha e para që mora numër atë mëngjes. Po qaja, siç më ishte bërë tashmë zakon.

Dalëngadalë, korridori nisi të mbushej me gra të të gjitha moshave. Rreth orës 8, erdhi një gjinekolog dhe më ftoi brenda. Ai mendoi se bëhej fjalë për një kontroll rutinë dhe më kërkoi të shtrihesha, derisa ia shpjegova gjendjen time.

“Aha, rasti yt është për komision. Prit këtu, do merrem vetë që të të udhëzoj,” më tha.

Shpejt më dërguan në një dhomë tjetër, ku ishin dy infermiere dhe një gjinekolog tjetër, më në moshë. Filluan kontrollin me ultrazë dhe ai tha: “Duhet të hospitalizohesh menjëherë.”

Natyrisht që po qaja kur i thashë se nuk doja të hospitalizohesha, doja vetëm që rasti im të shkonte në komision dhe me atë letër, ta kryeja lindjen në një spital privat ku ofrohet epidurali.

“Lindja nuk do të jetë e lehtë dhe nëse ndodh diçka, do të të sjellin sërish këtu… dhe derisa të vish…”, fjalinë nuk e përfundoi. Nuk kishte nevojë sepse të dy e dinim çfarë nënkuptohej.

Procesi i pranimit ishte i shpejtë. Ndërsa jepja të dhënat e mia, pranë meje ishin edhe dy gra të tjera që po kalonin abort. Ishin ende në tremujorin e parë. Nuk folëm shumë por mjaftonte t’i shihje në sy për ta kuptuar dhimbjen që po kalonin.

U sistemova në Repartin e Patologjisë në dhomën numër 170. Qysh në kontaktin e parë me stafin, ndjeva një lloj qetësie. Ndjeva që më kuptonin. Nuk isha vetëm një rast për ta. Për çudi, u ndjeva më e mirëpritur këtu sesa në shumë klinika private ku kisha qenë më parë. Ironike, duke e ditur që QKUK-ja kishte qenë vendi i fundit ku mendoja se do të ndihesha kështu.

Dhoma e kontrollave ishte e mbushur me mjekë dhe infermiere. Edhe mjeku aty ma konfirmoi menjëherë që ishte hydrops i përgjithshëm. M’i shpjegoi sërish gjërat që tashmë i dija: që bebja ime nuk mund të jetonte por shtoi se vendimi për ta ndërprerë këtë shtatzëni më takonte vetëm mua dhe partnerit tim.

“Më duket sikur po e vras çdo herë që po kontrollohem,” i thashë mes lotësh.

“Ti në fakt po bën gjithçka dhe i ke bërë të gjitha këto analiza vetëm prej dashurisë që ke për këtë fëmijë,” ma ktheu ai, dhe në atë moment u bë më shumë se mjek.

Më pas vazhdoi duke më thënë që për shkak që beba ime ishte enjtur nga lëngu në trup, peshonte dyherë më shume se bebet që zhvilloheshin normal por më siguroi që gjithcka do ecte mbarë dhe se aty isha më e sigurt se askund tjetër.

Pas kësaj, menjëherë nisi pjesa burokratike. M’i morën dokumentet, bashkë me të gjitha analizat dhe i dërguan për në komision. Ishte bërë rreth ora 9 e mëngjesit kur erdhi partneri im. Na udhëzuan të ngjiteshim një kat më lart për të dhënë një deklaratë ku thuhej se ne kishim “zgjedhur” që për shkak të gjendjes së bebit, t’i jepnim fund shtatzënisë. Por çfarë zgjedhjeje ishte kjo? Zgjedhje zakonisht do të thotë te kesh më shumë se një mundësi, një rrugë që të çon drejt jetës dhe një tjetër që të çon diku tjetër. Ne kishim vetëm një realitet që po na shtynte drejt një vendimi që nuk e donim.

Unë po qaja pa pushim ndërsa jepja të dhënat e mia. Partneri i jepte të tijat. Shkruajtëm për gjendjen e bebit dhe ne fund, nënshkruam. Jo sepse zgjodhëm por sepse nuk kishim çfarë tjetër të bënim.

***

Lindja u bë me stimulues. Nuk kishte epidural. Nëse kam një kritikë për QKUK-në, është pikërisht mungesa e mundësisë për epidural në raste si i imi. Kur një grua duhet të kalojë një lindje duke e ditur se në fund nuk do ta marrë foshnjën e saj në krahë, duhet të ketë të paktën mundësinë të zgjedhë si ta përballojë dhimbjen fizike. Dhimbjet e lindjes quhen “të ëmbla”, sepse në fund të tyre të pret jeta por për mua nuk kishte asgjë të ëmbël në ato kontraksione. Nuk kishte asgjë të ëmbël në atë fund, as për mua as për beben time. Edhe pse unë më shumë po qaja nga dhimbja e shpirtit sesa nga ajo e trupit. Megjithatë, gjatë gjithë atyre orëve, stafi u kujdes për mua me shumë butësi. Ishin aty, më flisnin qetë më mbështesnin dhe më ofronin ndihmë në çdo moment. Nuk e di nëse ishte rastësi apo e qëllimshme por gjatë orëve në sallën e lindjes nuk takova asnjë grua tjetër qe po lindte dhe nuk pashë asnjë foshnje.

I vogli im lindi në orën 23:00 atë natë. Nuk e pashë. Nuk munda ta shihja. Nuk e di nëse ishte vendimi i duhur, por në atë moment ishte e vetmja mënyrë që dija për ta mbrojtur vetën.

Të nesërmen, vetëm unë dhe partneri im e varrosëm. Nuk pati ceremoni. Ishim vetëm ne të tre për herë të parë dhe të fundit bashkë.

 ***

Në dhomë ishim unë dhe dy gra të tjera shtatzëna. Njëra prej tyre kishte kaluar dy herë atë që unë po përjetoja në ato momente. E kishte njohur më parë këtë dhimbje. Më jepte shumë forcë ta shihja pasi ishte e lumtur, sepse i kishin mbetur vetëm edhe pak javë deri në lindjen e vajzës së saj, fëmijës së parë që po priste ta sillte në jetë.

Dy dhoma më tej ishte dhoma e CTG-së, aty ku mateshin rrahjet e zemrave të bebeve. Boom-boom. Boom-boom. Ky tingull jehonte nëpër korridor, si një kujtesë e pandalshme e jetës që po vazhdonte për nënat e tjera.

Unë më nuk isha shtatzënë. Sa e çuditshme tingëllon kjo fjali, edhe sot. Në vend të shtatzënisë, vendin e kishte zënë mërzia, një mërzi e rëndë që më kishte mbushur gjithë stomakun. Po qaja, ashtu siç nuk kisha qarë kurrë më parë në jetën time.

Mbaj mend natën e dytë në spital, më zuri gjumi mes të qarave të mia të heshtura, ndërsa gjithçka që dëgjoja ishte ai ritëm i pandalshëm: boom-boom… boom-boom…

Nga spitali dola pa një bebe në krahë. Në dalje shihja çifte që regjistronin lindjen e fëmijëve të tyre. Ndjeva xhelozi. Më vjen keq ta pranoj, por kështu jam ndier. Në ato momente, ishte e pamundur të kuptoja si bota mund të vazhdonte të ecte normalisht kur e imja ishte shembur. Ndërkohë, trupi im vazhdonte të bënte atë që supozohej të bënte pas lindjes. Më filloi qumështi. Edhe trupi besonte se beba ime ishte këtu. Kjo me theu shpirtin pasi trupi po përgatitej për të ushqyer një bebe që nuk do ta mbaja kurrë në krahë.

Në anën tjetër qumështi ishte një dëshmi që i vogli im kishte ekzistuar. Një kujtesë fizike, që i vogli im ka ekzistuar dhe që unë po e vuaja ikjen e një bebeje që ndonëse nuk e kisha takuar, ai ka qenë këtu.

Ka diçka që më mundon që prej ditës kur e humba Gurin. Jo vetëm humbja e tij, por edhe fakti sa pak flasim për humbje si kjo. Sa shumë pritet nga gratë që ta mbajnë dhimbjen për vete, ta kalojnë në heshtje dhe të vazhdojnë përpara sikur asgjë të mos ketë ndodhur.

Por ka ndodhur pasi ka ekzistuar një bebe. Ka ekzistuar një lidhje dhe ka ekzistuar një dashuri.

Ashtu siç gratë meritojnë kujdes gjatë shtatzënisë dhe lindjes, meritojnë kujdes edhe kur shtatzënia përfundon me humbje. Meritojnë mbështetje psikologjike, mirëkuptim dhe hapësirë për të qarë pa u ndier në faj. Sepse kjo nuk është vetëm një ngjarje mjekësore por përvojë që e prek trupin, mendjen dhe zemrën njëkohësisht.

Me kalimin e ditëve shumë gjëra nga ato ditë nuk i mbaj mend mirë. Zatën, nuk i mbaj mend shumë as ato dhimbjet dërrmuese që shkaktonin kontraksionet. Ndoshta, ky është një rreng që na bën mendja në mënyrë që të vazhdojmë përpara. Por ka diçka që e di që nuk do e harrojë kurrë, një tingull që ka mbetur i ngulitur në mendjen time.

Natën, kur gjithçka qetësohet e vetmja gjë që më rikthehet është: Boom-boom. Boom-boom. Boom-boom…

Gratë, kujdesi dhe kufizimet e transportit

19.5.2026

Ideja e “udhëtimit” shpesh është shumë e thjeshtuar për të përshkruar atë që në të vërtetë e përbën

Shteti i familjes është shtet mbi kurrizin e grave

27.3.2026

Pas një bllokade të gjatë institucionale, Kuvendi e zgjodhi Qeverinë më 11 shkurt 2026. Një nga sinj

Përnimepauza

27.1.2026

Kish ardh koha për kontrollën rutinore të Llunës te veterinari. Në klinikë, mbërritëm me kerrin tem

Paradoksi gjinor në arsimin e lartë

23.12.2025

Përfshirja e grave në arsim ka qenë historikisht një proces i ndërprerë dhe i kushtëzuar nga struktu

Hendeku i dukshëm pas numrave

16.12.2025

Në një vend ku gjysma e popullsisë janë gra, por vetëm një e pesta e tyre marrin pjesë në tregun e p

Si patriarkati e ka shkruar gabim historinë e artit?

9.12.2025

Përgjatë jetës e kam dëgjuar shpesh herë frazën “Flok't e gjata, mend't e shkurt'ra”, herë si “shaka