Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
In-depth

Gratë duhet t’i japin përparësi shëndetit mendor në rrugëtimin e tyre profesional

Tringa Leka 11.10.2023

Mungesa e mbështetjes në vendin e punës është veçanërisht e shprehur për gratë punëtore, duke marrë parasysh se si gratë vazhdojnë të mbajnë përgjegjësinë më të madhe për punët e shtëpisë dhe kujdesin ndaj të tjerëve.

Me gjithë progresin e arritur në fushën e barazisë gjinore, shumë gra në vendin tonë ende përballen me pengesa dhe sfida në karrierën e tyre, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejtë me strukturat dhe mentalitetin organizativ të ambienteve të punës. Për të qenë produktiv dhe për të ofruar cilësinë më të madhe në punë nevojitet gjendje e mirë fizike por edhe mendore e emocionale. 

Ka faktorë të ndryshëm që ndikojnë në gjendjen fizike dhe mendore të grave në vendin e tyre të punës, duke përfshirë elemente të ndryshme të jetës personale por edhe tipareve të vendit të punës, të cilat mund të shkaktojnë stres dhe presion tek ato.

Në Kosovë, punëtorët përballen me diskriminim dhe padrejtësi. Duke filluar nga procesi i rekrutimit, praktika pa pagesë, pagat e ulëta, respektimi i pozitës së punës, zhvillimi në karrierë e të tjera kushte, të cilat mundësojnë shfrytëzimin e punëtorit pa marrë parasysh mirëqenien e tyre të përgjithshme.

Askush nuk është totalisht i paprekur ndaj këtyre padrejtësive por gratë janë ato që diskriminohen më së shumti në bazë të gjinisë së tyre.

Diskriminimi gjinor në tregun e punës në Kosovë

Kosova ende përballet me një shkallë të lartë të papunësisë, një realitet që më së shumti prek grupmoshat e reja dhe gratë. Përderisa, sipas statistikave të vitit 2022, shkalla e punësimit për burra është 46.6%, për gratë kjo shifër është vetëm 17.9%.

Gratë janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 46.4% të tyre, ndërsa burrat janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 36.0%.
Gratë jo rrallë dekurajohen që të kërkojnë punë, me arsyetimin se është më mirë për ato të merren me punët e shtëpisë. Për më shumë, edhe kur ato kërkojnë punë ‘inkurajohen’ nga rrethi që të zgjedhin punë më të lehta e me orar më të shkurtër (që mund të jenë krejtësisht jashtë fushës së tyre të studimit), në mënyrë që të mund të kthehen më herët në shtëpi, t’i kryejnë punët e shtëpisë dhe të përgatisin darkën.

Sipas Edona Shalës, sociologe, kjo vjen si pasojë e stereotipeve gjinore të cilat janë konstrukte shoqërore, pra karakteristika që i vendosen grupeve të caktuara të shoqërisë, qoftë për shkak të moshës, gjinisë, përkatësisë etnike, racore, fetare e të tjera.. Prirjet stereotipike ndikojnë edhe në mënyrën se si burrat dhe gratë e shohin vetveten dhe si trajtohen nga të tjerët.

 “Stereotipet gjinore mbi ‘paaftësinë’ e grave për të performuar mirë në profesionet shkencore dhe teknike, bëjnë që gratë te orientohen në studimin e fushave humane. Në këto vendime sigurisht luan rol edhe faktori i barrës së punëve të shtëpisë, i cili bën që gratë të zgjedhin profesione që u mundësojnë të arrijnë të kryejnë edhe “obligimet” tjera të shtëpisë”, thotë Shala. 

Edhe kur gratë e shprehin interesimin që të kyçen në tregun e punës, pa marrë parasysh sfidat dhe presionet nga jashtë, ato prapë hasin në pengesa tjera gjatë procesit të rekrutimit. Kjo nis që nga gjuha e përdorur në konkurse, e cila i targeton më shumë burrat se gratë, duke vazhduar pastaj gjatë intervistave, shumica e tyre përballen me pyetje personale rreth statusit martesor, apo planifikimit të tyre për të pasur fëmijë.

Përballja me këtë trajtim dhe presioni nga jashtë, ndikon dukshëm në vetëbesimin e gruas dhe bëjnë që ajo madje të hezitojë të aplikojë në vende të punës ku mund të jetë më se e kualifikuar që të aplikojë.

Shkollimi dhe punësimi i grave është një hap më tutje që ato të arrijnë të fuqizohen financiarisht dhe të jenë më të pavarura. Prandaj kur gratë diskriminohen dhe nuk arrijnë as të hyjnë në tregun e punës kjo i bën ato më të varura nga njerëzit afër tyre.

Megjithatë, edhe kur ajo arrinë të siguroj një vend pune, zëri i saj nuk dëgjohet dhe shpesh autoriteti i pozitës së saj nuk merret aq seriozisht. Një grua në rol menaxhues e ka shumë më të vështirë t’i përcjellë detyrat tek kolegët e saj sesa një burrë në pozitë të njëjtë. 

Një grua poashtu kanë më shumë gjasë të përballet me gjuhë ofenduese nga kolegët apo menaxhmenti sesa një burrë në pozitë të njëjtë. Këto lloj sjellje i pengojnë gratë kompetente të arrijnë suksese në karrierën e tyre. 

Sipas Arta Shehu Zaimi, themeluese dhe drejtuese e akademisë JCoders dhe Labboxnjë ambient produktiv i punës, ka për detyrë që të nxjerr potencialin maksimal të stafit të vet, andaj diskriminimi medoemos e cenon këtë parim.” 

Ajo thekson se është e rëndësishme që kompanitë të ndërtojnë një kulturë të barabartë dhe përkrahëse për të ndihmuar në rritjen e vetëbesimit dhe performancës së punëtorëve të tyre, pavarësisht gjinisë. Kjo duhet të jetë edhe objektivë e vet udhëheqëseve të kompanive.

Sipas Shehu Zaimi, diskriminimi në bazë të gjinisë në punë krijon disa efekte negative si rënia e performancës dhe motivit të punëtorëve të gjinisë së diskriminuar, kështu edhe arritjes së rezultatit në punë. Diskriminimi gjithashtu kontribuon në zhvillimin e kulturës së keqe në ambientin e punës, kështu duke u bërë shembull i cili përcjellët edhe nga kolegët e punës së gjinisë së kundërt.

Në bazë të Ligjit për Punën i cili rregullon të drejtat dhe detyrimet në mes të punëdhënësve dhe punëmarrësve në Kosovë, ky ligj garanton një nivel të caktuar të mbrojtjes për gratë – një numër dispozitash të cilat kanë një ndikim në pozitën e grave në fuqinë punëtore.

Përveç Ligjit të Punës, disa nga të drejtat që lidhen me gratë janë inkorporuar në Ligjin për Mbrojtjen e Ushqyerjes me Gji. Në përgjithësi, shtyllat kryesore në legjislacionin e punës të cilat prekin gratë përfshijnë trajtimin special dhe mbrojtjen profesionale të grave, barazinë e shpërblimit, ndalimin e diskriminimit në marrëdhëniet e punës dhe të drejtën për pushim të lehonisë.

Sipas Lirije Cakaj, eksperte e burimeve njerëzore, për të siguruar të drejta të barabarta për gratë, kompanitë duhet të mbështeten në ligjet në fuqi në mënyrë që të krijojnë rregulla dhe politika që përkrahin dhe avancojnë të drejta të barabarta, por edhe që ndalojnë diskriminimin.

Aspekte të cilat mund të ndikojnë në krijimin e një ambienti më gjithëpërfshirës në vendet e punës, sipas Cakaj, përfshijnë krijimin e një kulture gjithëpërfshirëse, e cila nxit komunikim të hapur dhe konstruktiv, dëgjimi i mendimeve të ndryshme, përfshirja e ndërgjegjësimit për çështjet që nuk shprehen hapur, dhe aktivizimi i sinjalizimit anonim. Për të shmangur hakmarrjen dhe për të inkurajuar raportet e ardhshme, ajo thekson vendosjen e masave mbrojtëse dhe transparencën në trajtimin e ankesave dhe konflikteve, me synimin e ruajtjes së një ambienti të besueshëm dhe të shëndetshëm në vendin e punës.

Ka shumë masa të cilat vetë drejtuesit e kompanive mund t’i ndërmarrin për të përmirësuar ambientin e punës për gratë. Sipas Shehu Zaimi, këto përfshijnë krijimin e politikave të qarta kundër diskriminimit gjinor dhe promovimin e ndërgjegjësimit, por edhe përdorimin e proceseve të barabarta dhe të drejta të rekrutimit dhe promovimit, duke siguruar që gratë të kenë mundësi të njëjta si burrat për përparim në karrierë.

Ajo që duhet të ndodhë, sipas saj, është që trajnimet dhe mundësitë për zhvillim të karrierës të ofrohen për të gjithë punëtorët, pa dallim gjinie. Po ashtu, meritokracia në vlerësimin e performancës bazuar në rezultate duhet të zhvillohet dhe mirëmbahet. 

“Për të reflektuar diversitetin e organizatës, është e rëndësishme të përfshihet një numër adekuat i grave në pozitat udhëheqëse dhe vendimmarrëse në kompani,” shton ajo.

Ndikimi i stresit në punë dhe rëndësia e mbrojtjes së shëndetit mendor

Stresi në vendin e punës vie edhe nga faktorë të tjerë si: organizimi jo i mirë dhe i drejtë i punës, presioni i kohës, paqartësia e rolit, vështirësia në delegimin e punëve, mungesa e pjesëmarrjes në vendimmarrje, mosrespektimi i rolit, paga u ulët, si dhe orari i zgjatur (shpesh i papaguar).

Ky stres mund të shkaktojë efekte negative në shëndetin emocional dhe fizik të grave, duke përfshirë ankth, depresion, dhe probleme të ndryshme shëndetësore.

Kjo gjendje e tensionuar dhe jo e mirë shëndetësore shkakton edhe më shume humbje të vetëbesimit dhe motivimit tek gratë, që rrjedhimisht pengon dhënjen e kontributit të tyre të plotë në vendin e punës. 

Sipas Lumnije Telaku, psikologe klinike, nëse një grua ndihet e diskriminuar në vendin e punës, performanca e saj bie për shkak se ulet vlerësimi për veten e saj. “Kur na ulet vetëvlerësimi, automatikisht ulet edhe vetëbesimi dhe ajo nuk ndihet aspak e motivuar në punë.”

Këshilla e Telakut është që nëse një grua përballet me një problem të tillë, e rëndësishme është të kuptoj se ku qëndron problemi, duke mos e fajësuar veten sepse në këtë mënyrë ajo fillon të besojë se vërtet është e “paaftë” për atë punë. Pra, ajo duhet të gjejë forma për t’a ndihmuar vetën ku njëra ndër to mund të jetë edhe këshillimi me një psikolog/e.

Ndërgjegjësimi për rëndësinë e barazisë gjinore dhe zbatimi i saj në vendin e punës duhet të vijë nga udhëheqësit dhe menaxherët. Ata duhet të jenë të përfshirë aktivisht në promovimin e barazisë dhe diversitetit dhe të jenë shembuj të mirë në trajtimin e të gjithë punonjësve me respekt dhe drejtësi.

Një aspekt i rëndësishëm për luftimin e diskriminimit të grave në vendin e punës është krijimi i një mjedisi të sigurt dhe mbështetës. 

Gratë duhet të ndihen të lira të raportojnë raste të diskriminimit, pa pasur frikë nga ndëshkimi ose ndërprerja e karrierës së tyre. Vendet e punës duhet të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për ata që raportojnë diskriminim dhe duhet të ndëshkojnë ata që kryejnë aktet e tilla.

Për të luftuar diskriminimin në vendin e punës, është e rëndësishme të kemi trajnime dhe sensibilizim për punëtorët. Trajnimet për të gjithë punonjësit, përfshirë udhëheqësit dhe menaxherët, mund të ndihmojnë në ndërgjegjësimin e tyre mbi çështjet e barazisë gjinore dhe të ndihmojnë në ndryshimin e sjelljeve dhe praktikave diskriminuese.

Ajo që është bërë e qartë nga të gjithë ekspertët e intervistuar është që vendet e punës duhet të zhvillojnë dhe të zbatojnë politika dhe procedura të qarta për barazi dhe diversitet. Këto politika duhet të inkurajojnë barazinë dhe të mundësojnë zhvillimin e të gjithë punonjësve, pavarësisht gjinisë së tyre. Ato duhet të jenë transparente dhe të zbatohen në mënyrë efektive për të shmangur diskriminimin dhe për të ndihmuar në ngritjen e një mjedisi të drejtë dhe gjithëpërfshirës në vendin e punës.

——————————

Ky artikull është shkruar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kudër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, ATRC dhe BIRN Kosova.