Gratë rome, ashkalike dhe egjiptiane përballen me diskriminim të madh dhe sfida të shumta në punësim, përfshirë këtu diskriminimin kompleks të ndërlidhur edhe me gjininë edhe me përkatësinë etnike. Këto gra hasin shpesh në pengesa që lidhen me mundësitë e kufizuara për shkollim, barrierat gjuhësore dhe pabarazitë socio-ekonomike, të cilat kufizojnë ndjeshëm qasjen e tyre në punësim. Diskriminimi vazhdon edhe pas sigurimit të vendeve të punës, pasi ato u nënshtrohen stereotipeve, pagave të pabarabarta dhe aksesit të kufizuar në trajnime dhe mundësi zhvillimi.
E vendosur gjeografikisht në zemër të Ballkanit, bukuria e Kosovës shpesh fsheh betejat me të cilat përballen gratë e këtij vendi, e veçanërisht ato që vijnë nga komunitetet pakicë. Këto gra, dyfish të margjinalizuara, si nga gjinia ashtu edhe nga përkatësia etnike, kalojnë rrugë mjaft sfiduese drejt punësimit, duke luftuar paragjykimet dhe diskriminim në vazhdimësi.
Megjithatë, gratë e pakicave, të armatosura me vendosmëri dhe etje të pashuar për ndryshim, tashmë janë duke i sfiduar stereotipet që kanë shtypur përparimin e tyre për breza.
Linda K., një dritë shprese në komunitetin e saj, është rritur në qytetin e Ferizajt dhe është me prejardhje minoritate. Ajo tërë jetën e saj është përballur me normat shoqërore të cilat vazhdojnë të diktojnë rolet e grave të komuniteteve pakicë në Kosovë. Megjithatë, Linda nuk u dekurajua asnjëherë. Ajo ndoqi rrugën e arsimit universitar, duke sfiduar pritshmëritë e rrethit të saj, dhe duke shtyrë tutje kufijtë e ‘përcaktuar’ nga shoqëria për të. Sot, Linda qëndron si simbol i asaj çka quhet e mundur, ndërsa udhëtimi i saj shpreson të frymëzojë edhe vajza të tjera për t’u çliruar nga prangat e diskriminimit.
Linda kishte ndjekur studimet për gjuhë angleze në Universitetin e Prishtinës, një sukses, që ajo thotë, për fat të keq jo shumë nga komuniteti të cilit ajo i takon e arrijnë. Pavarësisht kualifikimeve dhe aftësive të saj profesionale, ajo ishte përballur me diskriminim, paragjykim dhe stigmë për shkak të prejardhjes së saj rome.
“Këto paragjykime shpesh më kanë dërgu automatikisht në diskualifikim joformal për punësim. Ndonjëherë njerëzit supozojnë se unë nuk do të jem aq kompetente apo e përkushtuar sa të tjerët thjesht për shkak të etnisë sime”, tregon Linda.
Qëndrime të tilla vështirësojnë gjetjen e mundësive të barabarta dhe trajtimit të drejtë në tregun e punës. Edhe atëherë kur arrijnë të punësohen, gratë minoritare përballen me situata ku kolegët e tyre bëjnë komente apo shaka të pandjeshme, duke forcuar kështu tutje stereotipe për individët minoritar. Përveç dëmtimit të vetëbesimit, thotë Linda, kjo krijon edhe mjedise pune që paraqiten armiqësore për ato.
Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është ndër problematikat kryesore në Kosovë, sipas Rrjetit të Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK), ndërsa kjo situatë për gratë nga komunitetet Rome, Ashkali dhe Egjiptiase është edhe më sfiduese.
Xhulieta Devolli nga RROGRAEK thotë se gratë nga komunitetet në fjalë, sidomos gratë rome përballen me gjendje të rëndë socio-ekonomike, mungesë edukimi adekuat, vështirësi gjuhësore që si rrjedhojë rezulton me nivel të ulët të punësimit, sidomos në institucione publike. Kjo problematikë duhet të trajtohet në shume dimensione, thotë Devolli, duke filluar nga edukimi parafillor sepse institucionet e tilla parashkollore mungojnë pothuajse në të gjitha lagjet, të banuara kryesisht nga komuniteti Rom por, edhe komunitetet Ashkali dhe Egjiptian.
“Institucionet relevante duhet të punojnë më shumë në ndalimin e braktisjes së shkollimit, sidomos nga vajzat e komuniteteve në fjalë, të cilat jo-rrallë “binden” ose edhe detyrohen për ta braktisë shkollimin, për arsye nga më të ndryshmet e edhe për të iu nënshtru martesave të hershme, fenomen ende mjaft i shprehur tek komunitetet. Sa i përket shkollimit të lartë, përkundër vendeve të rezervuara në fakultetet e ndryshme të universiteteve publike të Kosovës, ende numri i vajzave të regjistruara, mbetet jo i kënaqshëm”, shprehet Devolli.
RROGRAEK-u ka punuar edhe në fuqizimin ekonomik të grave të komuniteteve, duke ju ofruar grave të komuniteteve grante të vogla për hapje të bizneseve. Një ndër përfitueset e këtyre granteve është edhe Vlora Kryeziu nga qyteti i Gjakovës. Ajo nuk ka punuar më parë, por që mbështetjen fillestare për hapjen e një biznesi familjar e ka gjetur tek RROGRAEK e më pas edhe tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Sot ajo ka punësuar edhe një vajzë në biznesin e saj në “Shtëpinë e ëmbëlsirave te Ensari” në Gjakovë.
“Unë nuk kam punuar më herët, por kam pas një ide për biznes të cilën e kam arritur pasi kam fituar grant në vlerë 600 Euro nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase, grant i cili ka qenë stimules për nisjen e idesë sonë. Mandej kemi aplikuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku kemi marrë grant në vlerë prej 5 mijë euro, duke participu me 10%, dhe e kemi hap lokalin. Sot aty punojë unë, një vajzë dhe burri im na ndihmon kur kemi nevojë”, tregon Vlora.
E nga organizata joqeveritare Roma Versitas Kosovo, thonë se gratë nga këto komunitete pakicë përballen me një grup sfidash gjatë kërkimit për punësim, duke përfshirë këtu diskriminimin kompleks të ndërlidhur edhe me gjininë edhe me përkatësinë etnike.
Avni Mustafa, nga organizata Roma Versitas Kosovo, thotë se diskriminimi dhe paragjykimi, si i bazuar në gjini ashtu edhe i motivuar etnikisht, mund të kufizojnë aksesin e grave dhe vajzave në arsim dhe trajnim, duke kufizuar zhvillimin e aftësive të tyre dhe kështu punësimin.
“Normat kulturore shpesh përjetësojnë rolet tradicionale gjinore, duke i ulur vajzat dhe gratë në detyrat shtëpiake dhe duke kufizuar aspiratat e tyre për punësim” thotë Mustafa.
Kufizimet socio-ekonomike si varfëria dhe burimet e pamjaftueshme prekin në mënyrë disproporcionale komunitetet pakicë, duke kufizuar aksesin e tyre në arsim cilësor, trajnim dhe punësim. Përveç kësaj, sipas Mustafës, pabarazitë sistematike manifestohen përmes shpërndarjes së pabarabartë të objekteve dhe burimeve arsimore, duke margjinalizuar më tej vajzat dhe gratë e minoriteteve.
“Ndonëse diskriminimi shpesh nuk ndalet pasi vajzat dhe gratë nga komunitetet pakicë sigurojnë një punë, ndër format më të shpeshta të pabarazisë janë paga e pabarabartë dhe aksesi i kufizuar në mundësitë e trajnimit dhe zhvillimit”, thotë Mustafa.
Ajo që duhet të ndodh, sipas RVK, është krijimi i një mjedisi më gjithëpërfshirës dhe të barabartë për vajzat dhe gratë nga komunitetet pakicë në fuqinë punëtore të Kosovës, gjë e cila kërkon një qasje të shumëanshme përmes ndryshimeve të politikave dhe reformave legjislative. Ligjet gjithëpërfshirëse kundër diskriminimit që trajtojnë në mënyrë eksplicite si gjininë ashtu edhe përkatësinë etnike janë thelbësore, duke siguruar mbrojtje ligjore kundër paragjykimeve të kryqëzuara. Politikat arsimore duhet të promovojnë qasje të barabartë në arsim cilësor, duke ofruar kurrikulë të ndjeshme ndaj etnive dhe gjuhëve të ndryshme kulturore.
“Zbatimi i masave të veprimit afirmativ mund të ndihmojë në kapërcimin e hendekut të përfaqësimit, duke siguruar pjesëmarrjen e drejtë të grave të pakicave në role vendimmarrëse dhe pozita udhëheqëse. Për më tepër, politikat në vendin e punës që mandatojnë trajnime për diversitetin dhe përfshirjen për të gjithë punonjësit dhe vendosin mekanizma për të adresuar diskriminimin janë thelbësore”, përfundon Mustafa.
Punësimi konsiderohet si një nga sferat me mbizotërimin më të madh të diskriminimit (59%)”, thuhet në një raport të publikuar nga UBO Consulting në vitin 2021. Sipas këtij raporti, pothuajse gjysma e të anketuarve (48%) besojnë që diskriminimi është i pranishëm në masë të moderuar/të madhe në Kosovë. Ndërsa 19% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se diskriminimi është më mbizotërues mbi baza gjinore dhe etnike.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e katërt të vitit 2022, shkalla e punësimit ishte 34.0%, shkalla e papunësisë ishte 11.8%, dhe shkalla e pasivitetit ishte 61.5% (që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit).
Ndërkaq dallimet gjinore janë të thella, ngase një në pesë gra në moshë pune (21.2%) janë aktive në tregun e punës, krahasuar me tri te pestat (55.8 %) e burrave në moshë pune. Po ashtu, në mesin e personave në fuqinë punëtore, papunësia është më e lartë për gratw se sa për burrat (19.4 % krahasuar me 8.9 %), sipas ASK-së.
Ndryshe, sektorët ku vajzat dhe gratë janë më shumë të punësuara është ai i arsimit, tregtisë dhe shëndetësisë.
Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare të punësimit sipas etnisë, mbetet shqetësuese fakti që vetëm një në pesë vajza/gra në moshë pune janë aktive në tregun e punës në Kosovë, e në këtë rast që vajzat apo gratë nga minoritetet të jenë ajo e punësuar gjasat janë edhe më të vogla. Prandaj, pavarësisht thirrjeve e fushatave arritja e një fuqie punëtore gjithëpërfshirëse në Kosovë mbetet ende sfidë. E arritja deri aty kërkon veprim kolektiv, dialog të vazhdueshëm dhe politika konkrete nga ana e shtetit për të sfiduar paragjykimet e padrejtësitë.
——————————
Ky artikull është shkruar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kudër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, ATRC dhe BIRN Kosova.