Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

“Unë dhe menopauza ime”

QIKA 11.12.2024

Miliona gra janë zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes gjatë dhe pas menopauzës. Ne u kërkuam gjashtë grave, nga Brazili në Bangladesh, të ndajnë historitë e tyre të luftimit të stigmës, trajtimin e simptomave dhe mbështetjen nga të tjerët.

Një revolucion po nxitet nga gratë në Afrikë. Të lodhura nga stigmatizimi i menopauzës dhe të frustruara nga mungesa e informacionit dhe mungesa e qasjes në ndihmë profesionale, ato po flasin, po krijojnë grupe mbështetëse, po organizojnë trajnime në vendet e punës dhe madje po e ngrenë këtë çështje deri në parlament.

Diskutime të ngjashme kanë nisur edhe në Azi dhe Amerikën Latine, ku gratë teksa po rriten në moshë po sfidojnë pikëpamjet tradicionale. Lobo nga Rio de Janeiro tha: “Menopauza është një etiketë që thotë se je e vjetër dhe kjo është si vdekja për një grua braziliane, por gjetja e një rrjeti mbështetës në internet që flasin hapur për përvojat e tyre ka qenë një ndihmë e madhe”.

Në nivel global, numri i grave që kalojnë menopauzën po rritet. Në vitin 2021, gratë e moshave mbi 50 vjeç përbënin 26% të të gjitha grave dhe vajzave në mbarë botën, nga 22%  sa ishin 10 vjet më parë. Megjithatë, pak prej tyre kanë qasje në këshillat ose kujdesin që duan dhe për të cilat kanë nevojë. Ne u kërkuam gjashtë grave që të ndajnë përvojat e tyre dhe ndryshimet që do të donin të shihnin.

Brazil

“Është një etiketë që thotë se je e vjetër dhe kjo është si vdekja për një grua braziliane”

Kika Lobo, 59 vjeç, Rio de Zhaneiro

Për Ana Cristina Kika Lobo, menopauza ka qenë si një tunel i gjatë, për të cilin askush nuk të thotë asgjë. Tani 59 vjeç, ajo kishte përjetuar menopauzën në moshën 47 vjeçare pasi u trajtua për kancer endometrial. Kanceri i saj tani është duke u zhdukur, por ajo ende vuan nga simptomat e menopauzës.

Simptomat që e mundojnë më së shumti janë të nxehtit, djersitjet gjatë natës, të dridhurat, thatësia vaginale, kruajtjet, si dhe humbja e libidos. Por ka edhe të tjera, veçanërisht mjegulla e trurit, nervozizmi, lodhja dhe shtimi në peshë. “A doni të dini diçka tjetër për të cilën askush nuk ju paralajmëron? Mjekrra! Do t’ju rritet një qime këtu, një qime atje”, thotë Lobo.

Terapia e zëvendësimit të hormoneve (HRT) është e disponueshme në Brazil, duke përfshirë edhe sistemin e shëndetit publik Sistema Único de Saúde, por Lobo është rekomanduar të mos e përdor për shkak të historisë së saj me kancerin. Ajo ka provuar një sërë trajtimesh të tjera për të lehtësuar shqetësimet e saj, duke përfshirë terapinë e shtrenjtë të lazerit vaginal, si dhe në baza ditore mbështetet në ushtrimet e rregullta dhe herë pas here trajtohet me antidepresiantë.

Edhe pse Lobo mendon se debati mbi menopauzën ka përparuar që kur ajo përjetoi këtë fazë të jetës së saj, thotë se kjo temë mbetet kryesisht tabu në Brazil. “Është një etiketë që thotë se je e vjetër dhe kjo është si vdekja për një grua braziliane,” thotë ajo, duke shtuar se kjo është veçanërisht e vërtetë në Rio, një qytet i fiksuar pas paraqitjes dhe mënyrës së jetesës.

Lobo flet me dy vajzat rreth të njëzetave dhe partnerin e saj për menopauzën, por ata nuk janë shumë të hapur. Shoqet e saj duan t’i japin fund temës. Edhe të flasësh me profesionistë mjekësorë është sfidë, sipas përvojës së saj. “Çështja e menopauzës nuk diskutohet as me mjekun derisa ne e hapim vetë temën”, tha ajo.

Lobo ka themeluar një rrjet mbështetës në rrjetet sociale. “Influencerët në internet luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ofrimin e informacionit”, thotë ajo. Ajo ndjek një numër influencuerësh në internet, si Sâmara Irumé dhe No Pausa, dhe përdor llogarinë e saj në Instagram për të postuar përvojën e saj. “Ne duhet ta shndërrojmë këtë në një diskutim të madh e të hapur”, thotë ajo.

Sudani Jugor

“Gratë supozohet të lindin fëmijë derisa të vdesin”

Lucia Valentino Roman, 48 vjeç, Juba

Në vitin 2013, kur Lucia Valentino Roman filloi të mos kishte më menstruacione, ajo mendoi se mund të ishte shtatzënë. “Isha vetëm 38 vjeçe”, kujton nëna e pesë fëmijëve, e cila nuk donte më fëmijë dhe po fliste burrin e saj lidhur me planifikimin familjar dhe kontraceptivët.

Një vizitë te mjeku zbuloi se ajo po përjetonte menopauzë të hershme. “Doktori tha se mund të ishte shkaktuar nga mungesa e aktivitetit seksual,” kujton ajo, pasi burri i saj nuk ishte në shtëpi shumicën e kohës. “Doktori më ngushëllonte me faktin se tashmë kisha pesë fëmijë dhe fajin ia vuri burrit tim”, thotë ajo duke qeshur.

Pamundësia për të pasur më shumë fëmijë nuk e mërziti Roman-in, pasi ajo tashmë ishte dakorduar me burrin e saj se pesë ishin mjaftueshëm. Por shpejt simptomat e menopauzës u bënë shumë të bezdisshme, si të nxehtit – të cilin ajo e përjeton ende edhe pas 10 vitesh, ashtu dhe shtimi në peshë.

Ajo gjithashtu humbi interesimin për jetën e saj sociale. “Unë u izolova,” kujton ajo. “Dikur prisja shumë miq në shtëpi, por pasi hyra në menopauzë, preferoja të rrija vetëm, të lexoja Biblën dhe të shikoja televizorin.”

Duke punuar si zyrtare e shëndetit riprodhues në Ministrinë e Shëndetësisë të Sudanit Jugor me komunitete anembanë vendit, Roman ka mësuar shumë për qëndrimet e Sudanit Jugor ndaj seksualitetit dhe menopauzës. “Për gratë në shumë komunitete, të mos kenë më menstruacione dhe të mos mbeteni shtatzënë ndërsa jeni ende e re është turp i madh”.

“Gratë supozohet të lindin fëmijë derisa të vdesin; familjet e burrave të tyre besojnë se ata kanë paguar lopë për t’u martuar me ta ashtu që të kenë 10 apo 12 fëmijë” thotë ajo, duke kujtuar historitë e burrave që akuzonin gratë e tyre për përdorimin të fshehtë të kontraceptivëve, ose i akuzonin se ishin të mallkuara.

“Në Sudanin Jugor njerëzit nuk dinë asgjë për menopauzën e hershme”, thotë Roman. Në zonat rurale në veçanti, gratë priren të injorojnë simptomat. Ndërsa tek gratë në kryeqytetin Juba ndërgjegjësimi është pak më i lartë për shkak se mund të qasen më lehtë tek mjekët specialistë.

Në vitin 2016, burri i Roman-it, i cili punonte si shofer për një organizatë ndërkombëtare, vdiq në një incident të dhunshëm në veri të vendit. ‘Trashëgimi i gruas’ është një praktikë e zakonshme në Sudanin Jugor, e cila përfshirë grupin etnik të burrit të ndjerë. Prandaj, Roman mund të ishte bërë gruaja e një vëllai ose një të afërmi tjetër burrë të bashkëshortit të saj pas vdekjes së tij. Menopauza ndihmoi në shmangien e kësaj situate. “Unë u tregova se nuk mund të kem më fëmijë dhe ata më braktisën” tha ajo.

Ajo u bën thirrje grave sudaneze të jugut që të vizitojnë mjekun sapo të shohin ndonjë ndryshim në menstruacionet e tyre dhe të turpërohen që t’u tregojnë burrave të tyre për këtë.

“Mos kini frikë nga menopauza, mos u zhgënjeni”, thotë Roman. “Duhet ta pranoni atë.”

Ekuador

‘Valët e nxehtësisë quhen bochornos, që do të thotë siklet në spanjisht’

Albeley Rodríguez Bencomo, 51 vjeç, Quito

Simptomat e menopauzës së saj janë nën kontroll, të paktën për momentin. Pas këshillave nga miqtë e saj, vendimi i Albeley Rodríguez Bencomo për Vitin e Ri ishte që të ushqehej më mirë dhe të ishte më aktive. Ajo hoqi dorë nga ëmbëlsirat dhe filloi të shkonte në joga katër herë në javë. Dukej se po funksiononte.

Por jo shumë kohë më parë, tregon ajo, valët e nxehtësisë kishin jashtë kontrollit. “Mund të isha duke biseduar me ty dhe papritmas bëhesha krejt e kuqe, dhe djersitja shumë,” tha ajo.

Netët ishin më të këqijat. Ajo zhytej në djersë dhe i duhej të hiçte batanijet, pastaj zgjohej e ftohtë dhe duhej t’i vendoste përsëri, disa herë brenda një nate. Fatmirësisht, këto simptoma i janë zbehur.

Rodríguez, një profesore e shkencave humane dhe nënë beqare e një vajze 13 vjeç, ka humbje të lehtë të kujtesës, momente kur nuk mund të fokusohet dhe e ka të vështirë të kontrollojë peshën e saj.

Ajo ndihet me fat që kishte disa shoqe të cilat poashtu po kalonin menopauzën. “Është lehtësim të kesh njerëz të tjerë përreth që po kalojnë diçka të ngjashme,” tha ajo. “Ne bëjmë shaka lidhur me këtë”.

Por ajo nuk është kaq e hapur me të gjithë. “Menopauza, dhe gjithçka rreth saj, është tabu në këtë shoqëri, ashtu siç është tabu edhe pleqëria”, tha ajo, duke shtuar se si Ekuadori ashtu edhe Venezuela janë shoqëri që vlerësojnë rininë dhe bukurinë.

Kjo reflektohet edhe në gjuhë, tha ajo. Valët e nxehtësisë quhen ‘bochornos’ që do të thotë ‘siklet’. “Gratë e përdorin gjithashtu si mënyrë për të fyer gratë e tjera që mund të jenë në humor të keq, duke u thënë: “Ju jeni në menopauzë”.

Simptomat e Rodríguez filluan dy vjet më parë, menjëherë pas histerektomisë së saj. Ajo kishte vite që vuante nga një fibroid i mitrës, për të cilin tani beson se ishte pararendës i menopauzës dhe ndryshimit të niveleve të hormoneve. Megjithatë, asnjë mjek nuk i tregoi asaj në atë kohë, bile as gjinekologu i saj nuk e paralajmëroi se mund të përjetonte menopauzën pas operacionit.

Që atëherë ajo nuk ka shkuar më në spital apo tek gjinekologu, duke thënë se asgjë që ka përjetuar deri më tani nuk ka qenë më e dhimbshme sa fibroidi.

Indi

“Mjekët më thanë të qeshja dhe ta duroja”

Payal Talreja, 57 vjeç, Delhi

Duke u rritur, nga Payal Talreja pritej që të bëhej një grua e fortë që mund të merrte gjithçka nën kujdesin e saj. Kështu, kur simptomat e menopauzës iu shfaqën në mesin e të 50-ave, ajo u përpoq të përballonte lodhjen fizike dhe mendore, valët e nxehtësisë, mjegullën e trurit, humbjen e dëshirës për aktivitet seksual dhe ndjenjën e gëzimit që e bënte të ndihej vetëm ‘gjysmë e gjallë’.

Ajo përfundimisht u konsultua me mjekët, por hasi në shpërfillje. “Lodhja më godiste si një tullë çdo mëngjes, por ata më thanë se simptomat e mia nuk ishin aq të rënda. U trondita nga mungesa e empatisë së mjekëve, bile edhe nga mjeket gra. Më thanë të qeshja dhe të duroja”, thotë Talreja.

“Nëse t’i tregoj simptomat, atëherë do të fillosh t’i kesh ato”, i tha një mjek, sikur gratë ishin thjesht sugjestive dhe histerike.

HRT është i disponueshëm në qytetet indiane, por nuk u konsiderua në rastin e Talreja sepse simptomat e saj nuk ishin mjaft “serioze”. Bashkëshorti i saj, Sunil, mërzitej nga luhatjet e humorit dhe plogështia e saj, veçanërisht pasi ajo më parë kishte qenë e shoqërueshme dhe optimiste.

Por martesa e tyre ishte karakterizuar gjithmonë nga diskutimi i sinqertë rreth ndjenjave të tyre. “Si shumë burra, mendoj se ai fillimisht u ndje nervoz dhe i pafuqishëm, duke menduar nëse mjekët nuk ofrojnë ndonjë trajtim a zgjidhje, atëherë kujt t’i drejtohemi?”, thotë ajo, derisa shton: “Unë ndava gjithçka me të dhe ai ishte shumë mbështetës dhe i durueshëm”.

Bashkëshorti i saj e nxiti Talrejën që të bënte më shumë ushtrime dhe iu bashkua asaj në shëtitje dhe joga.

“Patjetër që më ka ndihmuar, më bënte të ndihesha më pak e plogësht. Por unë ende vuaj nga rraskapitja emocionale”, tha ajo. “Thjesht nuk isha e interesuar për asgjë, sidomos për shoqërim”, shtoi ajo.

Për diabetin, Talreja konsultoi me një praktikuese të ‘ayurvedic’, e cila i tha asaj se sipas mjekimi alternativ, menopauza është një “zbehje e forcës jetësore brenda saj” dhe i rekomandoi një dietë me shumë proteina, gjalpë, arra dhe fara për të riaktivizuar forcën e jetës.

“Nuk e kam idenë nëse përkujdesja dietike kanë bërë ndryshimin, por mund të them se simpatia që ajo tregoi për mua ishte një përmirësim i madh në përvojën time me profesionet mjekësore,” thotë Talreja.

Ajo kishte filluar terapinë për arsye që nuk kishin lidhje me këtë dhe zbuloi se kjo e ndihmoi gjithashtu, duke e inkurajuar atë të gjente kohë për veten dhe të fokusohej në nevojat e saj pa u ndjerë në faj.

Kenia

“Duhet ta normalizojmë diskutimin për të”

Naijeria Toweett, 49 vjeç, Nairobi

Pasi përjetoi ndjesi të papritura të nxehtësisë së trupit dhe djersitjeve gjatë natës, periudhave të pagjumësisë dhe dëshirë të ulët seksuale, Naijeria Toweett ndjeu një dridhje. Më pas i ndaluan mensturacionet dhe ajo kuptoi se po hynte në menopauzë.

Fillimisht, ajo nuk e mori shumë seriozisht. Më pas, simptomat e saj u përkeqësuan. Zakonisht e organizuar deri në detaje, Toweett filloi të ndihej gjithnjë e më shumë e hutuar nga gjëra të vogla. Nëna e tre fëmijëve harronte të shtonte kripë në ‘chapatis’ të saj, humbiste vazhdimisht syzet ose kthehej nga dyqani pa blerë ushqimet që i duheshin. Asaj po i rritej ankthi dhe filloi të kishte luhatje të papritura të humorit.

“Në një moment isha duke qeshur ndërsa momentin tjetër doja thjesht të ngjitesha në shtrat dhe të qaja. Nuk e dija pse”, thotë Toweett, 49 vjeç, e cila nga një ekstroverte u shndërrua në një person të mbyllur në vete që fik telefonin për javë të tëra.

Në shtëpi, bezditë e vogla që ndiznin shpërthime e habisnin burrin e saj. Në punë, hidhërimet e vogla shndërroheshin në bezdi të padurueshme. Toweett, e cila është inxhiniere softuerësh dhe punon nga shtëpia, thotë se fleksibiliteti i punës së saj për të ishte rrugë shpëtimi, meqë i mundësonte asaj që të mbante larg nga kolegët e saj vështirësitë me të cilat po përballej.

Shakatë për ‘verën personale’ dhe barkun e menopauzës mes shoqeve të saj e bënë atë të ndihej e kuptuar, por gjithashtu e shqetësonte se sa shumë duhej të kalonin të gjitha ato pa asnjë mbështetje apo këshillë. Toweett, e cili ka punuar në fushën e shëndetit riprodhues për gati dy dekada, thotë se ndryshe nga menstruacionet, seksi dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme, ka shumë pak informacion publik për menopauzën.

“Informacioni është lehtësisht i disponueshëm për gratë në moshën e lindjes së fëmijëve, por kur jeni në të 40-at dhe 50-at, njerëzit presin se duke qenë më e vjetër, ju i dini vetë këto gjëra”, tha ajo.

Ekziston edhe stigmatizim, ndoshta për shkak të përfundimit të viteve riprodhuese të gruas – një pjesë qendrore e identitetit femëror për shumë gra. Toweet-it nuk i kujtohet që nëna e saj 72-vjeçare ta ketë udhëzuar apo mësuar se çfarë të presë, siç kishte bërë për probleme të tjera të shëndetit riprodhues.

Toweett gjeti informacion në internet dhe u ndihmua nga një ish-kolege, e cila po trajnohej për t’u bërë trajnere e certifikuar e menopauzës dhe e këshilloi atë për simptomat, trajtimet mjekësore dhe rregullimin e mënyrës së jetesës.

Ajo gjithashtu iu bashkua grupeve mbështetëse në internet me anëtarësime mbarëglobale, por dëshironte që të kishte më shumë komunitete keniane ku mund të gjente këshilla më të përshtatura për planet dietike dhe qasjen në trajtime mjekësore si HRT në vend. Disa spitale ofrojnë trajtim, por është i papërballueshëm për shumë gra. Ajo po ndan informacionin dhe përvojat e saj me dy vajzat e saj, me shpresën se ato do të jenë më të informuara për menopauzën sesa ajo.

“Duhet ta normalizojmë diskutimin për të, si për ato që e kalojnë menopauzën ashtu edhe për ata që janë pranë tyre,” tha Toweett.

Bangladesh

“Shumica e kolegëve të mi burra nuk e kanë idenë se çka është menopauza”

Farhana Jahan, 47 vjeç, Dhaka

Në korrik të vitit të kaluar Farhana Jahan për herë të parë ndjeu se diçka nuk shkonte. Artistja 47 vjeçare kishte menstruacione të çrregullta, por më pas simptomat e saj u përkeqësuan në lodhje, valë të nxehtësisë dhe parehati të përgjithshme. Në tetor, menstruacionet i ishin ndalur krejtësisht.

“Në fillim mendova se kisha ndonjë cistë. Pastaj mendova se isha shtatzënë”, thotë Jahan. “Nuk më shkoi mendja se mund të ishte menopauza”.

Pasi e diskutoi me shoqet e saj, ajo la një takim me mjekun. “Më thanë se ishte krejtësisht normale dhe e natyrshme për një grua në moshën time, por nuk mund të mos trishtohesha për këtë”, kujton Jahan, e cila mendoi me vete: “Gjithçka do të shkojë mbrapshtë tash e tutje”.

Muajt e fundit kanë qenë të vështirë për të. Valët e nxehtësisë janë shpeshtuar dhe ajo djersitet kur më së paku e pret. “Kam probleme me gjumin gjatë natës dhe më pas ndihem e irrituar gjatë gjithë ditës. Si dhe kam filluar të harroj”, tha Jahan, e cila gjithashtu vuan nga migrena dhe dhimbja e kyçeve.

Atë e ndihmon fakti që ajo ka me kë të flasë. “Unë flas me burrin tim për gjithçka dhe ai më ka mbështetur shumë,” tha Jahan, e cila ka dy fëmijë adoleshentë.

“Fëmijët e mi e kanë vënë re se humbas lehtë temperamentin, kështu që ne i kemi shpjeguar se unë po përjetoj disa ndryshime dhe se herë pas here kam nevojë për hapësirë”, tregon ajo.

Është më e vështirë për Jahan-ën që në punë të shpjegojë se çfarë po përjeton, veçanërisht kolegëve burra. “Shumica prej tyre nuk e kanë idenë se çka është menopauza dhe të flasësh për të vetëm do t’i bënte të ndiheshin jorehat.

“Por gjithashtu, pse duhet që unë të jap shpjegime?”, pyeti ajo. Jahan beson se vendet e punës duhet të marrin iniciativa për të edukuar stafin dhe për të krijuar mjedise miqësore për menopauzën.

Jahan është përpjekur të bëjë ndryshime në mënyrën e jetesës, duke ngrënë më shëndetshëm dhe duke ushtruar më shumë. Ajo gjithashtu ka përdorur artin e saj si terapi, ka piktura të mrekullueshme të pikturuara me dorë, të cilat gjenden nëpër apartamentin e saj në Dhaka. “Më ndihmon të jem më e ndërgjegjshme dhe të menaxhoj më mirë ankthin”, thotë ajo.

Gratë që kalojnë në menopauzë duhet të kenë qasje në këshillim, beson Jahan. “Nuk ekziston sistem i duhur mbështetës,” thotë ajo. “Vështirë se ka ndonjë informacion në dispozicion nga sektori i shëndetësisë, kështu që na duhet ta kërkojmë vetë”.

“Nëse gratë dhe vajzat do të ishin më të vetëdijshme për ndikimet fizike, mendore dhe emocionale, ato mund të përgatiteshin më mirë për të. Ose të paktën ta shohin atë duke ardhur”.

Është diçka që të tjerët në Bangladesh po përpiqen ta trajtojnë. Dr Zinnat Nasreen, në Shoqatën e Menopauzës në Bangladesh, është përpjekur të rrisë ndërgjegjësimin për menopauzën dhe mbështetjen e disponueshme për gratë. Ekipi i grave organizon ngjarje dhe seminare për gratë në menopauzë dhe profesionistët mjekësorë të ngarkuar me ndihmën për to.

“Menopauza është moment historik i madh në jetën e një gruaje, por shumë gra detyrohen të vuajnë në heshtje”, thotë Nasreen. “Ndërgjegjësimi është çelësi për të reduktuar stigmën dhe për të inkurajuar njerëzit të flasin më hapur”.

Constance Malleret, Florence Miettaux, Kimberley Brown, Amrit Dhillon, Caroline Kimeu, Thaslima Begum.

E përktheu: Blenda Asllani

Shkrimin origjinal mund ta gjeni këtu.