Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Talibanët ua kanë ndalë zërat grave në Afganistan, por ato duan të dëgjohen

QIKA 19.12.2024

Bota u trondit kur talibanët prezantuan një ligj që ndalon tingujt e zërave të grave në publik muajin e kaluar. Por ata që jetojnë nën regjimin taliban në Afganistan, nuk u befasuan.

“Çdo ditë ne presim ndonjë ligj të ri,” i tha Zahra ABC News. “Çdo ditë presim ndonjë kufizim të ri për gratë, fatkeqësisht”. Për të, kjo lloj goditjeje ishte e pashmangshme. Por të qenit disi e përgatitur mendërisht për këtë, nuk e zbuti goditjen e madhe ndaj shëndetit të saj mendor. “Çdo ditë humbasim shpresat. Imagjinoni sa e dhimbshme e sa zhgënjyese është, që unë si njeri nuk mund të kem zërin tim. Ata nuk po na pranojnë si njerëz”, tha ajo.

Ligji ndalon gratë të këndojnë, të recitojnë poezi apo të lexojnë me zë të lartë në publik, sepse zërat e tyre konsiderohen si pjesë intime të trupit. Është vetëm një nga disa goditjet ndaj lirive në ligjin e ri taliban për “vesin dhe virtytin” i miratuar në fund të gushtit – deklarata e parë zyrtare e rregullave që ishin dekretuar paraprakisht. Gratë tani duhet gjithashtu të mbulojnë të gjithë trupin e tyre në çdo kohë me veshje që nuk mund të jenë të holla, të shkurtra apo të ngushta, duke përfshirë mbulimin e fytyrës për të parandaluar “tundimin”.

Publikimi i imazheve të qenieve të gjalla dhe shikimi i imazheve ose videove te tyre në kompjuter ose telefon është gjithashtu i ndaluar, duke vënë në rrezik fatin e mediave afgane. Incizimi i zërave të grave dhe më pas transmetimi i tyre jashtë shtëpive private ka qenë gjithashtu i ndaluar. Kjo do të thotë se gratë kanë zgjedhur të flasin me ABC, përmes intervistave të regjistruara me audio ose shënimeve zanore, duke rrezikuar kështu veten e tyre. Përkundër mundësisë për dënim të rëndë, ato thanë se nuk duan të heshtin. Të gjitha i thanë ABC-së se duan që bota ta dijë të vërtetën brutale e zymtësinë e jetës si grua në Afganistan. Për të ulur rrezikun e dënimit, shumica nuk deshën që identiteti i tyre të zbulohej. Por Sodaba Noorai nga Kabuli ishte përjashtimi, ajo foli publikisht. “Zgjodha të flas me ju pavarësisht ndalimit të folurit publik për gratë, sepse besoj se kjo është qenësore për të ndarë historitë tona dhe për të rritur ndërgjegjësimin për betejat tona,” tha ajo në një mesazh zanor për ABC. “ Identifikimi i vetes është një rrezik, të cilin unë jam e gatshme ta ndërmarr sepse heshtja mundëson që vuajtjet tona të vazhdojnë.”

“Ligji i ri është thellësisht shqetësues dhe ka krijuar atmosferë frike dhe shtypëse për gratë. Ai kufizon lirinë tonë dhe minion të drejtat tona bazike për arsimim, punë dhe autonomi.”

Noorai humbi punën kur talibanët u kthyen në pushtet në gusht 2021 dhe menjëherë filluan zbatimin e interpretimit të rreptë të Sheriatit, ligjit fetar të Islamit, kufizuan shumë liri për gratë, duke përfshirë largimin e grave nga vendet e punës dhe ndalimin e vajzave nga arsimi i mesëm. Ajo tha se tani merr mesatarisht 107 dollarë në muaj nga “qeveria”, një shumë që ajo e konsideron të pamjaftueshme për gratë që të përmbushin nevojat bazë. Ajo donte që komuniteti ndërkombëtar të vinte re dhe më pas të vepronte sipas trimërisë së grave afgane që zgjodhën të flisnin. “Shpresoj se të folurit tim mund të çoj në një dialog që do të sjellë ndryshime dhe të mbështes gratë afgane në Afganistan.”

Grupi i protestës së Samires, të cilës i është dashur të përshtatë formate saj të protestës me çdo ligj te ri, ende po poston video të grave afgane që flasin hapur në llogarinë e saj në Instagram. “Kemi pak frikë, por nuk ndalemi”, tha ajo. Ashtu si Noorai, ajo dëshiron ndërhyrje ndërkombëtare. “Nëse talibanët vazhdojnë kështu dhe bota hesht, do të shohin një krizë njerëzore në Afganistan”, tha ajo. “Ata nuk duhet ta pranojnë qeverinë e talibanëve si legjitimitet politik.”

Frika se liritë do të kufizohen më tej

Amina, e cila jeton në Kabul dhe është e vetmja në familjen e saj që ka punë – të cilën e bën fshehurazi në internet – tashmë ka pasur një përplasje me talibanët për kufizimin e ri. “Një herë, kur u largova nga shtëpia, më duhej të kontaktoja një pjesëtar të familjes në telefon”, tha ajo për ABC përmes një mesazhi, nga frika se mos i regjistrohej zëri. “Por nga frika se mos më dallonin talibanët, u përmbajta dhe nuk realizova thirrjen. Kisha frikë se mos përballesha me ndonjë reagim të ashpër të tyre. “Asnjë grua në Afganistan nuk mund ta tolerojë këtë realitet.”

Samira, e cila jeton në provincën Ghazni në juglindje të vendit, ka dëgjuar histori të grave që veçse kanë filluar të dënohen me burgim për kundërshtimin e ligjeve të reja.

Noori, ka dëgjuar për ushtarët talibanë që ndalojnë makinat me gra brenda dhe i gjobisin për qëndrimin jashtë shtëpisë së tyre pa një burrë shoqërues. Ajo personalisht u tërhoq derisa ishte në rrugë bashkë me motrën e saj u mor në pyetje për gjysmë ore sepse ajo nuk kishte mbante mbulesën e plotë të fytyrës. “Ata donin të flisnin me babain tim, donin të na arrestonin”, tha ajo për ABC. “Disi arritëm të arratiseshim dhe të ktheheshim në shtëpi. Ishte një nga përvojat më të këqija të jetës sime”

Zahra, e cila vie nga e njëjta krahinë, është e shqetësuar se së shpejti, një nga liritë e fundit të mbetura për gratë – dalja nga shtëpitë e tyre – do të hiqet gjithashtu. “E vetmja gjë që kemi tani në Afganistan është një mundësi e vogël që të dalim nga shtëpitë tona dhe të paktën të ecim në rrugë, shpjegoi ajo. “Po mendoj se një ditë mund të bëjnë një ligj të ri në lidhje me këtë dhe gratë të mos të lejohen të dalin nga shtëpia e tyre. Ato duhet të qëndrojnë atje”.

“Plotësisht e errët, pa dritë apo rrugëdalje”

Përshkrimi i jetës së grave në Afganistan nga Amina paraqet imazh shqetësues. “Unë do ta përshkruaja atë si të jetosh në një shtëpi të madhe, që është plotësisht e errët, pa dritë apo rrugëdalje. Të durohesh këtë errësirë do të thotë që të durosh vuajtje të mëdha.”

Kjo e bën të qartë llojin e ndikimitqë ka kjo jetë e kufizuar për shëndetin mendor të çdo gruaje me të cilën foli ABC-ja. Zahra thotë se shtypja mizore e talibanëve depërton në çdo moment të jetës së saj – bile edhe kur ajo është pa ndjenja. “Dy apo tre netë më parë, po ëndërroja për motrën time të vogël, sikur talibanët po ma merrnin me forcë”, tha ajo. “Ne nuk jemi të qeta e rehat as kur jemi duke fjetur. Ne shohim talibanët edhe në ëndërr. Motra e Zahras ishte në semestrin e fundit të studimeve mjekësore në vitin 2022 kur talibanët i ndaluan gratë nga arsimi i lartë. Ajo tha se kjo për pak sa nuk e çoi motrën e saj drejt vetëvrasjes. “Ajo më thoshte, ‘Jeta nuk ka kuptim për mua. Unë dua të vdes, dua të vras veten sepse nuk kam asnjë shpresë tjetër për të qëndruar gjallë”, rrëfeu Zahra. Për të tjerët, sfida është ajo që i shtynë të vazhdojnë. “Nëse nuk protestoj, nuk besoj se kam paqe në brendësinë time,” tha Samira. “Mendërisht nuk jam mirë nëse nuk protestoj. Është e vetmja mënyrë që unë mund të mbroj të drejtat e mia dhe zërin e çdo vajze dhe gruaje.”

* Emrat në këtë tekst janë ndryshuar nga ABC News  për të mbrojtur identitetet e grave.

Ellie Grounds dhe Som Patidar

E përktheu: Delfina Abazi

Artikullin e plotë mund ta gjeni këtu.