Ndryshimet klimatike paraqesin kërcënim për shëndetin e njeriut, në veçanti prekin grupet e ndjeshme të popullatës si fëmijët, gratë, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike. IKShPK konfirmon se këto ndryshime ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, veçanërisht për pacientët që vuajnë nga sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare. Hulumtimet tregojnë për ndikimet negative të ndryshimeve klimatike në shëndetin riprodhues të grave. Njohësit e fushës së metrologjisë argumentojnë pse po ndodhin këto ndryshime, ndërkaq pak është duke u bërë nga institucionet lidhur me këtë çështje.
Shumë shpesh shohim raportime se temperatura mesatare globale po rritet me një ritëm të paparë në historinë moderne duke shkaktuar shkrirjen e akullnajave, përmbytje të papritura dhe thatësira shkatërruese. Të gjitha këto ndryshime po ndodhin për shkak të ndryshimeve klimatike, të cilat po shkaktojnë pasoja shumëdimensionale. Ato nuk janë vetëm një kërcënim për planetin, për mjedisin, por edhe për shëndetin tonë. Në media raportohet shpesh për rritjen e numrit të personave të prekur nga sëmundje të ndryshme respiratore, të zëmrës dhe sëmundje tjera. Hulumtime të ndryshme, njohës të fushës së mjedisit dhe profesionistët shëndetësorë thonë se te këto sëmundje një ndikim të madh kanë ndryshimet klimatike.
Ndryshimet klimatike janë ndryshime afatgjata në mot dhe temperaturë në tokë, të shkaktuara kryesisht nga aktivitetet njerëzore si djegia e lëndëve fosile dhe shpyllëzimi. Studime të shumta thonë se këto aktivitete rrisin gazrat serrë në atmosferë, duke bërë që planeti të nxehet. Rrjedhimisht pasojat janë të ndryshme si përmbytjet, thatësira, stuhi më të fuqishme dhe ndryshime në ekosisteme që ndikojnë shëndetin, ekonominë dhe natyrën tonë.
Pashmangshëm që ndryshimet klimatike kanë pasur ndikime negative edhe në Kosovë. Këtë e ka vërtetuar edhe një studim të realizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) në periudhën 2018-2022. Sipas këtij hulumtimi, ndryshimet klimatike kanë efekte në shëndet “duke ndikuar në keqësimin e gjendjes te të sëmuret me sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare, shkaktari më i shpeshtë i vdekjeve te grupmosha mbi 65 vjeç janë sëmundjet respiratore dhe kardiovaskulare. Nga sëmundjet joinfektive për periudhen 2015-2021 prijnë HTA (46.5%), diabeti jo insulin (36.9), diabeti insulin (6.35%), schizophrenia (2.95%).”
Nga ky institut kanë thënë për QIKA se ndryshimet klimatike ndikojnë edhe në rritjen e rasteve me alergji dhe në çrregullime në shëndetin mendor, veçanërisht te grupet vulnerabile që konsiderohet se janë të moshuarit, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët etj.
Fëmijët ndër më të rrezikuarit
Shqetësuese janë të dhënat se viteve të fundit pasojat direkte shëndetësore të ndryshimeve klimatike po vërehen në shëndetin e fëmijëve në Kosovë.
Vlora Nimani, pediatre në emergjencën pediatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës – QKUK, thotë se verën që e lamë pas ka pasur rritje të numrit të fëmijëve që janë goditur nga të nxehtit e që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK.
Ajo thotë se valët e të nxehtit janë gjithnjë e më të shpeshta dhe të rrezikshme, dhe mund të shkaktojnë goditje nga nxehtësia dhe dehidrim, veçanërisht tek fëmijët që janë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturës.
“Ato mund të shkaktojnë dëme të përkohshme apo edhe të përhershme në trupin e fëmijëve, duke rritur rrezikun për probleme me organet vitale si zemra dhe veshkat”, theksoi doktoresha Nimani.
Ajo thotë se ka disa mënyra se si ndryshimet klimatike ndikojnë në rritjen e rasteve të sëmundjeve.
“Fëmijët e vegjël janë më të rrezikuar nga ndikimet e ndryshimeve klimatike për disa arsye. Sistemi imunitar dhe fizik i fëmijëve nuk është plotësisht i zhvilluar, duke i bërë ata më të ndjeshëm ndaj infeksioneve dhe stresit mjedisor”, thotë Nimani.
Doktoresha na sqaron se sëmundjet më të shpeshta mund të jenë ato me natyrë infektive, sëmundjet e frymëmarrjes, si astma që lidhet me ndotjen e ajrit, mungesa e ushqimit adekuat dhe kushtet e vështira higjienike poashtu mund të jenë bazë e shfaqjes së shume sëmundjeve te fëmijët.
“Fëmijët kalojnë më shumë kohë jashtë dhe janë më të ekspozuar ndaj ndotjes dhe kushteve të nxehta. Fëmijët që jetojnë në kushte të varfra dhe kanë qasje të kufizuar në shërbime shëndetësore, ushqim të shëndetshëm dhe ujë të pastër janë gjithashtu më të rrezikuar”, shpjegon pediatrja Nimani.
Ajo bën thirrje për mobilizim shtetëror dhe shoqëror në mënyrë që të kemi një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për qytetarët e Kosovës.
Shtim i virozave te fëmijët
Pasojat mjedisore të ndryshimeve klimatike kanë ndikim në imunitetin e fëmijëve, veçanërisht te ata të grup-moshës më të vogël. Paulina Nushi-Muhaxhiri, gazetare me profesion, e cila është nënë e dy fëmijëve, tregon se gjatë bisedave rutinore që ka me nënat, si shqetësim ngritët në vazhdimësi fakti që “fëmijët më shumë se kurrë po shfaqin telashe me rrugët e frymëmarrjes, apo probleme me mushkëritë si bronkite”.
Ajo mendon se cilësia e dobët e ajrit, mospastrimi i tij i vazhdueshëm nga proceset natyrore si reshjet e borës në dimër, temperaturat e luhatshme dhe ekspozimi i vazhdueshëm i fëmijëve ndaj kësaj situate po jep efektet e veta negative.
Nushi-Muhaxhiri thotë se te fëmijët e saj për shkak të ndryshimeve klimatike, nuk ka vënë re shqetësime shëndetësore, përveç virozave të zakonshme.
“Por në kontakt me shumë nëna si shqetësim po diskutohet fakti që fëmijët më shumë se kurrë kanë telashe me rrugët e frymëmarrjes, apo probleme me mushkëritë si bronkite apo pneumoni në raste më të rënda”, thotë gazetarja Nushi-Muhaxhiri.
Ajo thekson se është e nevojshme që për ndryshimet klimatike të flitet në familje, në shkolla, në media dhe në shoqëri në përgjithësi si dhe të ndërmerren masa nga institucionet përkatëse shtetërore për një fushatë informuese dhe të krijojë politika që kanë ndikim në përmirësimin e situatës në këtë aspekt.
“Ne kishim një ngjarje tragjike në qytetin e Pejës, ku një nënë me fëmijën humbi jetën nga vërshimet që ndodhën atje. Poashtu vitin e kaluar, Evropa shënoi reshje rekorde që shkaktuan përmbytje në Itali, Norvegji, Suedi dhe Slloveni”, tha ajo.
Në vitet e fundit përmbytjet janë bërë pothuajse të zakonshme në disa lokacione të Kosovës, veçanërisht në komunat ku kalon Drini i Bardhë. Këto vërshime shkaktojnë dëme të shumta materiale, kryesisht në sektorin e bujqësisë, por edhe në shtëpi banimi. Më i pazakontë ishte dëmi që u shkaktua nga vërshimet në disa fshatra të Komunës së Skenderajt në janar të vitit 2023. Kjo zonë nuk ishte e njohur për vërshime të tilla.
Ndryshimet klimatike ndikojnë në përhapjen e alergjive dhe dobësojnë imunitetin
Ndryshimet klimatike kanë pasoja të ndryshme dhe të shumta dhe në këtë zinxhir të ndikimeve shkaktojnë pasoja të llojeve të ndryshme në shëndetin e njeriut.
Bardhë Selmanaj, drejtoreshë në Klinikën e Alergologjisë-Imunologjisë në QKUK, thotë se ndotja e ajrit dhe ndryshimet klimitike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përhapjen e alergjive duke ndikuar në ngritje të nivelit të alergjenve dhe shpërndarjen e tyre si myku dhe poleni.
Doktoresha Selmanaj vuri në pah faktin se ndryshimet klimatike në Kosovë kanë ndikuar në rritjen e pacientëve të prekur nga astma.
“Ndryshimet klimatike (ngrohja globale) si faktor i rëndësishëm si në nivel global edhe në Kosovë kanë ndikuar në rritjen e astmës alergjike dhe rinitit alergjik. Gjithashtu ka ndërlidhje edhe në përkeqësimin e simptomave alergjike”, thotë ajo.
Doktoresha Selmanaj thotë se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit dhe ndryshimeve klimatike ndikon edhe në dobësim të sistemit imunitar në disa mënyra dhe si pasojë paraqiten disa sëmundje si astma alergjike, alergjitë të ndryshme, por edhe sëmundje tjera.
Ajo na shpjegon se si mungesa e reshjeve e thatësira krijojnë probleme shëndetësore. Sipas doktoreshës, nxehtësia ekstreme dhe thatësira shkaktojnë stres në trup, duke ndikuar në përkeqësim të sëmundjeve autoimune dhe çrregullimeve inflamatore.
“Erërat e forta bartin polene nga një vend në tjetrin, mungesa e reshjeve, thatësira, ndikon në zgjatje të periudhës së poleneve. Rritja e kontakteve me patogjen të rinj, ndryshimet klimatike nxisin migrimin e patogjenëve dhe insekteve (mushkonjat). Rrisin rreziqe të reja për sistemin imunitar”, u shpreh doktoresha Selmanaj, e cila është specialiste e alergologjisë dhe imunologjisë.
Ajo thotë se në Kosovë ndotja industriale dhe përdorimi i karburanteve ndikojnë në ndotje të ajrit gjë që paraqet rreziqe për shëndetin.
“Gratë dhe fëmijët janë më të ndjeshëm për shkak të faktorit biologjik dhe mjedisor. Fëmijët kanë frymëmarrje më të shpejtuar. Gratë për shkak të ndryshimeve hormonale, shtatzënisë, janë faktorë që ndikojnë në inicim të procesit inflamator”, thotë doktoresha Selmanaj.
Sa i përket ndotjes së ajrit nga automjetet është vërtetuar se ajri do të ishte për 50 përqind më i pastër në Kosovë nëse nuk do të kishim automjete në qarkullim. Në një hulumtim të realizuar nga Preportr në vitin 2020 janë paraqitur të dhënat e matjeve nga Instituti Hidremetorologjik në dy muaj të zakonshëm dhe në dy muajt kur ka pasur vetizolim për shkak të pandemisë Covid-2019. Krahasimi i të dhënave ka treguar automjetet ndikojnë për 50 përqind në ndotjen e ajrit.
Gratë janë më të ndjeshme ndaj faktorëve ngacmues të ndryshimeve të klimës
Dr. Besim Morina, specialist i pulmologjisë thotë se ndotja e ajrit dhe ndryshimet globale të klimës janë dy faktorë që shpesh janë edhe të ndërlidhur, të cilët japin efekt të drejtpërdrejt në mirëqenien dhe sëmundshmërinë e të gjithë popullatës, me theks të veçantë te grupet e ndjeshme si të moshuarit, fëmijët, shtatzënat dhe gratë e moshës reproduktive.
“Gratë është vërtetuar që janë më të ndjeshme si në rastet kur vuajnë nga problemet kronike respiratore. Gratë janë më të ndjeshme ndaj faktorëve ngacmues të ndryshimeve të klimës”, thotë dr. Morina.
Ai thotë se gratë preken në një masë më të lartë nga astma dhe shfaqja e virozave jashtësezonale mund të jetë faktor i rëndësishëm për përkeqësimin e gjendjes së tyre. Poashtu këtij përkeqësimi apo ekzacerbimi, sipas tij, mund ti kontribuojë edhe veprimi i ndotjes së ajrit.
“Përveç astmës janë edhe gjendje klinike tjera si bronkitet e pneumonitë që mund të lidhen me infeksionet virale dhe bakteriale që bëhen më të shpeshta”, thotë pulmologu Morina.
Ai thotë se viteve të fundi ka shumë studime të cilat e vënë në pah rritjen e problemeve respiratore te fëmijët. Doktor morina thotë se kjo i atribuohet shkaqeve të ndryshme, por vend të rëndësishëm zënë edhe ndryshimet klimatike.
“Tani fëmijët kanë më shumë probleme me mbindjeshmërinë e rrugëve të frymëmarrjes, alergjitë respiratore, astmën e bronkitet. Kësaj i ka kontribuuar jo pak edhe mënyra sterile e jetesës, mungesa e ekspozimit ndaj alergjeneve e mungesa e kontaktit me natyrën”, theksoi dr. Morina.
Ndryshimet klimatike kanë ndikim në shëndetin riprodhues të grave
Sipas organizatës Women Deliver, e cila është organizatë globale avokuese që synon avancimin e barazisë gjinore dhe përmirësimin e shëndetit dhe të drejtave seksuale dhe riprodhuese të vajzave dhe grave, ndryshimet klimatike kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në shëndetin riprodhues të grave.
Sipas një publikimi të kësaj organizate, këto ndikime përfshijnë dëmtimin e infrastrukturës shëndetësore, rritjen e ngarkesës për punët shtëpiake dhe kujdesin, si dhe ndikimet negative në ushqyerje dhe shëndetin e nënave dhe fëmijëve.
“Për shembull, shpërthimet e motit ekstrem si stuhitë dhe përmbytjet mund të shkatërrojnë infrastrukturën shëndetësore dhe të kufizojnë qasjen në shërbime të shëndetit riprodhues. Një tjetër ndikim është rritja e punëve shtëpiake për vajzat dhe gratë, si mbledhja e ujit ose kujdesi për anëtarët e familjes, çka i ekspozon ato më shumë ndaj dhunës gjinore”, thuhet ndër të tjera në hulumtimin e Women Deliver.
Në një hulumtim tjetër të kësaj organizate thuhet se reduktimi i prodhimit bujqësor si pasojë e thatësirave dhe ngrohjes globale ka gjithashtu pasoja të rënda për shëndetin e grave, duke përfshirë rreziqe të larta për lindje të parakohshme dhe probleme shëndetësore gjatë shtatzënisë.
“Këto ndikime përkeqësojnë padrejtësitë ekzistuese dhe kufizojnë mundësitë për arritjen e barazisë gjinore dhe realizimin e të drejtave të shëndetit riprodhues”, thuhet ndër të tjera në hulumtim.
Rritje e përmbytjeve në Kosovë
Meteorologu Mendim Rugova thotë se ndryshimet klimatike kanë ndikime të ndryshme në mjedis duke shkaktuar edhe pasoja të ndryshme. Ai thotë se si pasojë e këtyre ndryshimeve, viteve të fundit ka më shumë vërshime në Kosovë.
Rugova thotë se në bazë të projeksioneve klimatike për rajonin, megjithëse duke shkuar nga fundi i këtij shekulli, sasitë e reshjeve mund të jenë më të ulëta, reshjet e shkurta vërshuese, do të jenë më të shpeshta edhe në vend, kështu që, edhe gjasat për përmbytje të shpejta, por dhe vërshime përgjatë rrjedhave lumore do të rriten.
“Këto zhvillime patjetër i atribuohen ndryshimeve klimatike, meqenëse një atmosferë më e ngrohtë mund të mbajë më shumë avull uji që më pas bie në formë reshjesh më të dendura”, thotë Rugova.
Duke folur për faktin se viteve të fundit dimrat janë më të butë, Rugova thotë se duhet të ketë një analizë më të thellë, por sipas tij nga ajo çka ka vërejtur paternat meteorologjike, pra lëvizjet e fushave barike po ndryshojnë trajektoret e tyre përgjatë rajonit.
Sipas tij, rrymimet ajrore të larta, që zakonisht orientojnë ciklonet në gjerësitë tona gjeografike, po i mbajnë ciklonet më në veri të Ballkanit, duke mundësuar që rrymime më të ngrohta ajrore të kalojnë mbi vend, e temperaturat të mbesin më të larta.
“Kjo edhe ndërlidhet me të reshurat e borës, që janë më të pakta viteve të fundit, meqenëse masat e ngrohta ajrore japin më shumë të reshura të shiut. Prandaj edhe në vendin tonë po kemi reshje më vërshuese gjatë muajve dimëror, siç kanë qenë gjatë janarit 2021 dhe 2023”, theksoi Rugova.
Rugova thotë se një ndër sektorët më të prekur si pasojë e ndryshimeve klimatike është bujqësia. Ai konsideron se kjo po ndodh për shkak të thatësisë, reshjeve dhe breshrit.
“Edhe të reshurat e shumta dhe lagështia e tepruar mund të çojnë tek sëmundje të ndryshme të kulturave bujqësore, që edhe ulin rendimentin e tyre”, u shpreh Rugova, duke shtuar se efektet e ndryshimeve klimatike mund të vërehen edhe në sektorin e energjisë, veçanërisht të energjisë që prodhohet përmes ujit për shkak të tharjes së lumenjve gjatë verës.
Meteorologu Rugova, vlerëson se “Kosova sa i përket ndryshimeve klimatike ka filluar ta trajtojë si problem më vonë, në krahasim me shtetet tjera evropiane”.
“Tek nga viti 2015 është formuar një grup ndërministror që do të koordinonte aktivitete ndërmjet ministrive për t’u përballur me sfidat nga ndryshimet klimatike. Në atë periudhë me ndihmën e organizatave evropiane është përpiluar strategjia për ndryshime klimatike që përcakton masat e zbutjes si dhe ato të përshtatjes ndaj këtyre ndryshimeve”, thotë Rugova.
Ai thekson se në dhjetor të 2023-ës është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës Ligji për Ndryshimet Klimatike, që i përcakton detyrimet dhe përgjegjësitë e autoriteteve shtetërore lidhur me marrjen e masave që synojnë zbutjen e efekteve të ndryshime klimatike si dhe monitorimin e tyre.
Përpjekje e zbehtë nga institucionet e Kosovës
Duke pasur parasysh situatën socio-ekonomike dhe zhvillime të ndryshme në Kosovë, siç duket tema e ndryshimeve klimatike, konsiderohet një çështje periferike. Tafë Veselaj, udhëheqës i Sektorit për Monitorim të Mjedisit në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), thotë se nga vlerësimet e bëra rezulton se shëndeti i grave dhe fëmijëve në Kosovë po ndikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga temperaturat e larta, si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Veselaj, duke iu referuar Raportit të Gjendjes së Mjedisit 2022 i përgatitur nga AMMK, thekson se ndotja e ajrit mbetet një nga problemet kryesore mjedisore në vend. Sipas raportit, disa qytete në Kosovë, veçanërisht Prishtina, kalojnë shpesh nivele alarmante të ndotjes.
Veselaj konsideron se angazhimi i Kosovës në luftën kundër ndryshimeve klimatike ka bërë disa hapa përpara në vitet e fundit, por sipas tij ende ka shumë për të bërë.
Ai thotë se Kosova është një vend që është shumë i ndjeshëm ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike, veçanërisht në aspektin e ndikimeve të motit ekstrem, si valët e nxehta, përmbytjet, dhe thatësira.
Sipas tij, sektori i energjisë është një nga burimet kryesore të ndotjes dhe emetimeve të gazrave serë, që ndikojnë në ngrohjen globale.
“Angazhimi aktual i Kosovës mund të vlerësohet si i pjesërishëm, me disa përpjekje dhe angazhime ndërkombëtare, por gjithashtu ka shumë sfida dhe mangësi që duhet të adresohen”, deklaron ai.
Edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës janë të shqetësuar lidhur me ndryshimet klimatike, kjo për faktin se mund të ketë ndikime në disa aspekte në cilësinë e ushqimit.
Nga kjo agjenci kanë thënë për QIKA se realizojnë kontrollet zyrtare edhe sipas vlerësimit të rrezikut edhe për arsye të ndryshimeve klimatike kur ato ndryshime mund të ndikojnë në rritjen e parametrave apo agjentëve të rrezikshëm në ushqim.
“Frekuenca e kontrolleve dhe mostrimeve rritet në rastet e ndryshimeve klimatike, sikurse të temperaturave të larta, vërshimeve, thatësive e kushteve tjera ekstreme, atëherë kur mund të ndikojë edhe në sigurinë e ushqimeve apo produkteve ushqimore, sikur për njerëz ashtu edhe për kafshë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e AUV-it.
Ndryshimet klimatike do të vazhdojnë të ndikojnë në shumë aspekte
Organizata Botërore e Shëndetësisë, (OBSh) pohon se ndryshimet klimatike po ndikojnë në jetën dhe shëndetin e njerëzve në mënyra të ndryshme. Kjo situatë sipas OBSh-së kërcënon përbërësit thelbësorë të shëndetit të mirë – ajrin e pastër, ujin e pijshëm të sigurt, furnizimin me ushqime dhe strehimin e sigurt – dhe ka potencialin të dëmtojë dekada të përparimit në shëndetin global.
Ndërmjet viteve 2030 dhe 2050, ndryshimet klimatike pritet të shkaktojnë rreth 250 000 vdekje shtesë në vit vetëm nga kequshqyerja, malaria, diarreja dhe stresi i nxehtësisë, parashikon OBSh.
Në këtë situatë, në përballjen e qytetarëve të Kosovës me ndryshimet klimatike, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës thotë se përcjellë vazhdimisht informacionet për motin nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe “në rastet e ngritjeve te temperaturave apelon qytetarët të kenë kujdes duke dalë me rekomandime. Ndërsa, në rast të situatave të vërshimeve, ekipet e IKSHPK-së dalin në terren dhe propozohen masat adekuate për mbrojtjen e shëndetit të popullatës”.
___________________________________________________________
Ky artikull mbështetet nga qeveria gjermane dhe zbatohet përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2024 – “Skema e Mbështetjes së Shoqërisë Civile (CSS)” organizuar nga Zyra e Presidentës së Republikës së Kosovës. Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit. Ato nuk synojnë të pasqyrojnë opinionet apo pikëpamjet e GIZ-it dhe Zyrës së Presidentës së Republikës së Kosovës.