Të jesh baba i vajzave në Afganistanin e Talibanëve është kthyer në një makth të përditshëm për Amirin. Tani, ai është më shumë roje burgu sesa prind i dashur — një zbatues i pavullnetshëm dhe i pashpërblyer i një sistemi aparteidi gjinor që ai e urren, por ndjehet i detyruar ta ushtrojë ndaj dy vajzave të tij adoleshente për t’i mbrojtur nga zemërimi dhe hakmarrja e Talibanëve.
Vetëm disa vite më parë, vajzat e Amirit kishin një jetë dhe një të ardhme. Shkonin në shkollë, takoheshin me shoqe dhe lëviznin lirshëm në komunitetin e tyre. Tani, ai thotë se do të preferonte që vajzat të mos dilnin kurrë nga shtëpia. Ai, si shumë baballarë të tjerë në Afganistan, ka dëgjuar histori për atë që mund t’u ndodhë vajzave të reja që bien në shënjestër të policisë së moralit të Talibanëve.
Në ato raste të rralla kur lutjet dhe kërkesat e tyre për të dalë në botën e jashtme bëhen të padurueshme për të, sigurohet që ato të shoqërohen nga një burrë i familjes dhe të jenë të mbuluara plotësisht.
“Unë nguli këmbë që ato të mbajnë hixhab dhe u them se nuk u lejohet të qeshin jashtë shtëpisë apo në treg”, thotë ai. “‘Policia e moralit është shumë e rreptë, dhe nëse nuk i binden, mund të arrestohen”.
Verën e kaluar, tre vjet pasi morën pushtetin në gusht të vitit 2021, synimi i Talibanëve për të fshirë gratë nga jeta publike u zbuluan hapur me prezantimin e një seti të gjerë ligjesh të “virtytit dhe vesit”.
Sipas rregullave të reja, grave u thuhej të mbuloheshin plotësisht kur dilnin jashtë shtëpisë, të mos lejonin që zëri i tyre të dëgjohej, të shfaqeshin në publik vetëm të shoqëruara nga një burrë i familjes dhe të mos shikonin një burrë që nuk ishte i afërm i tyre.
Kur u shpallën rregullat, nuk ishte e qartë se si një numër relativisht i vogël i policisë së moralit të punësuar nga Talibanët do të mund të zbatonte dhe kontrollonte këto rregulla.
Megjithatë, në muajt që pasuan, ishin vetë baballarët, vëllezërit dhe burrat që u kthyen në ushtarë të pashpërblyer, duke imponuar regjimin shtypës të Talibanëve ndaj grave dhe vajzave të Afganistanit.
Ata udhëhiqen jo vetëm nga frika se çfarë mund t’u ndodhë grave nëse kapen nga zbatuesit e Talibanëve, por edhe nga rregullat e reja që parashikojnë se, nëse një grua shkel ligjet e moralit, nuk është ajo që ndëshkohet, por burri i familjes së saj – i cili mund të përballet me gjoba ose edhe me burg.
The Guardian dhe Rukhshana Media folën me shumë burra, si dhe me vajza të reja në të gjithë Afganistanin, për të kuptuar se si ligjet e moralit të Talibanëve po ndryshojnë qëndrimet dhe sjelljet e tyre ndaj grave të familjes.
“Burrat janë kthyer në ushtarë të pashpërblyer të Talibanëve”, thotë Jawid Hakimi nga provinca Bamyan. “Jemi të detyruar, për nderin, reputacionin dhe pozitën tonë shoqërore, të zbatojmë urdhrat e Talibanëve ndaj grave të familjes sonë. Ditë pas dite, shoqëria po përshtatet me rregullat e tyre, dhe kufizimet ndaj grave po e riformësojnë gradualisht shoqërinë sipas vizionit të tyre dhe ne ndjehemi të detyruar ta përshtatim familjen tonë me pritshmëritë e tyre. Është një atmosferë shkatërruese”.
Parwiz, një i ri nga një provincë në verilindje të Afganistanit, thotë se kur motra e tij u ndalua nga policia e moralit për shkak se nuk kishte veshur hixhabin, ai u tmerrua për sigurinë e saj dhe u betua se kjo nuk do të ndodhte më kurrë.
“Isha i detyruar të shkoja në stacionin e policisë, ku më fyen dhe më thanë se duhet të bëja çfarëdo që thonë Talibanët”, thotë ai. “Kur u ktheva në shtëpi, gjithë inatin dhe frustrimin e nxorra mbi nënën dhe motrën time”.
Burrë të tjerë treguan se si frika nga turpi shoqëror, nëse do të ndëshkoheshin për sjellje të konsideruar si “imorale”, po përkthehej në shtypje dhe dhunë ndaj grave të familjes.
Freshta, një vajzë e re nga provinca Badakhshan, thotë se burri i saj e rreh nëse del nga shtëpia, edhe kur shkon për të blerë ushqime në treg. “Shkova në cep të rrugës për të blerë perime dhe kisha veshur një hixhab të gjatë e të zi, por jo burkë. Kur u ktheva, më goditi në fytyrë dhe më rrahu”.
Ai më tha “Do që të shkelim rregullat? Po sikur ndonjëri nga kolegët e mi të punës të të shihte”? Prej muajsh tani mezi kam dalë nga shtëpia. Ai thotë se nëse dal, duhet të mbaj burkën”.
Rabia, 22 vjeç, thotë se nuk mund ta rrezikojë që familja të përballet me “turpërimin” nëse motra e tij më e madhe, Maryam, del jashtë dhe njerëzit mendojnë se ajo është e veshur në mënyrë të pahijshme.
“Krenaria jonë nuk na lejon. Kemi turp, kemi nder. Nuk e durojmë dot idenë që të thuhet diçka për të në qytet apo në treg”, thotë ai.
Vajza të reja rrëfyen dhimbjen që përjetojnë nga fakti që familjet e tyre janë kthyer në zbatues të një kodi moral të imponuar mbi to nga një ideologji ekstremiste që u ka mohuar tashmë të drejtën për arsimim, punë dhe vetëvendosje.
“Që kur erdhën Talibanët, sjellja e babait tim ndryshoi. Më parë, nuk i interesonte shumë se çfarë vishnim ne vajzat”, thotë Masha, 25 vjeçe. “Më parë, nuk na thoshte të mos vishnim diçka apo të mos shkonim në ndonjë vend, por sapo erdhën Talibanët, ai ndryshoi. Na tha “Nëse më konsideroni baba dhe ju intereson dinjiteti i familjes suaj, atëherë do të mbani hixhab. Mos përdorni grim, asnjë fije floku të mos jetë e dukshme, mos vishni taka të larta dhe nuk keni pse të dilni shpesh. Më thoni mua apo vëllezërve që të marrim çfarë ju nevojitet nga tregu’,” thotë ajo.
“Prandaj, sa herë kam menstruacione, më duhet të qëndroj pa produkte higjienike ose ilaçe. Thjesht rri brenda”.
Richard Bennett, raportuesi i OKB-së për gjendjen e të drejtave të njeriut në Afganistan, thotë se, ndonëse ka dokumentuar “akte rezistence” nga burra afganë kundër shtypjes së institucionalizuar të grave nga Talibanët, “brenda familjeve, anëtarët burra po e zbatojnë gjithnjë e më shumë kufizimin ndaj të afërmeve të tyre, dhe gjithnjë e më shumë gra raportojnë se kanë nevojë për leje për të dalë nga shtëpia. Po ashtu ka gjithnjë e më shumë raste ku edhe vetë gratë e familjes kujdesen që të tjerat të respektojnë rregullat”.
“Prania e zyrtarëve de facto dhe informatorëve të dyshuar në komunitete, kërcënimi i mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe paparashikueshmëria e zbatimit po rrisin ndjenjën e pasigurisë, duke shtuar stresin dhe ankthin psikologjik, veçanërisht tek vajzat e reja”, shton ai.
Zahra Joya, Annie Kelly dhe gazetarët e Rukhshana Media
Përkthyer nga Anita Vllahiu
Artikullin e plotë e gjeni këtu