Në një vend ku gjysma e popullsisë janë gra, por vetëm një e pesta e tyre marrin pjesë në tregun e punës, diçka thelbësore po mungon. Nuk është mungesë aftësie, as mungesë ambicieje, është mungesë e mundësive të barabarta.
Pavarësisht përparimit në arsim, përkushtimit dhe suksesit, gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me pengesa që i mbajnë larg punësimit të dinjitetshëm dhe të drejtë. Pas çdo përqindjeje dhe çdo statistike fshihen histori të vërteta të grave që duan të kontribuojnë, por përballen me një sistem që ende nuk i mbështet sa duhet.
Të dhënat e publikuara në platformën 1≠1 pasqyrojnë se shkalla e punësimit te burrat arrin në 55,9%, ndërsa te gratë është vetëm 21,2% – një diferencë e theksuar që reflekton realitete shoqërore dhe strukturore që mbeten pothuajse të pandryshuara ndër vite.
Për më tepër, raporti i BE-së dhe UN Women (2024) tregon se 75,2% e grave në Kosovë konsiderohen “joaktive” në tregun e punës, krahasuar me 42% të burrave. Pra, tre nga katër gra në moshë pune nuk janë të përfshira formalisht në ekonomi, një boshllëk me pasoja të thella për shoqërinë dhe ekonominë.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, përfshirja më e gjerë e grave në tregun e punës do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e PBB-së së Kosovës. Çdo pengesë ndaj kësaj përfshirjeje është humbje e kapitalit njerëzor, kreativitetit dhe potencialit për zhvillim të qëndrueshëm.
Në shumë sektorë, gratë mbeten të nën-përfaqësuara. Për shembull, në teknologji, inxhinieri dhe ndërtim, ato përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të stafit, ndërsa në sektorin financiar dhe atë të menaxhimit të lartë barrierat kulturore dhe stereotipet gjinore shpesh i mbajnë jashtë roleve udhëheqëse. Sektorët që prijnë me punësim tek ne janë tregtia (19,5%), ndërtimtaria (12,6%), prodhimi (10,6%), arsimi (8,8%) dhe administrata publike dhe mbrojtja (8,1%). Gratë janë kryesisht të punësuara në arsim, tregti dhe kujdes shëndetësor (53,3%), ndërsa meshkujt dominojnë në tregti, ndërtimtari, prodhim, administratë publike, mbrojtje dhe shërbime (63,8%).
Paradoksi bëhet i dukshëm kur shohim të dhënat për arsimimin. Ndërkohë që pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetet e ulët, ato investojnë më shumë në edukim dhe arrijnë rezultate më të larta akademike. Numri i grave të diplomuara në nivelin Master ka tejkaluar dukshëm atë të burrave: për vitin akademik 2023/2024, kanë diplomuar 1,453 gra krahasuar me 872 burra, ndërsa për vitin 2024/2025, 1,505 gra krahasuar me 704 burra. Kjo tregon një boshllëk të qartë midis arritjeve akademike dhe përfaqësimit në tregun e punës, duke reflektuar barrierat strukturore dhe stereotipet gjinore që vazhdojnë të kufizojnë mundësitë profesionale të grave.
Çfarë duhet ndryshuar?
Edhe pse në letër Kosova ka kornizë ligjore që garanton barazi në punë, në praktikë zbatimi mbetet i dobët dhe shpesh formal. Ligji i Punës, në formën aktuale, nuk reflekton realitetin shoqëror e ekonomik të grave, sidomos në pjesën që rregullon pushimin e lehonisë dhe mungesën e pushimit prindëror. Kjo ka krijuar pabarazi të dukshme në tregun e punës, duke bërë që barra e kujdesit për fëmijët dhe detyrimet familjare të mbeten pothuajse vetëm mbi gratë, dhe si pasojë, shumë prej tyre përjashtohen nga mundësitë për punësim apo avancim profesional.
Organizatat e shoqërisë civile dhe grupet që avokojnë për barazinë gjinore në Kosovë kanë theksuar se ndryshimi i Ligjit të Punës është një hap thelbësor për të adresuar këtë disbalancë. Propozimet kryesore fokusohen në ndarjen më të drejtë të pushimeve pas lindjes midis prindërve, lehtësimin e barrës financiare për punëdhënësit, dhe përfshirjen më të madhe të shtetit në kompensimin e këtyre lejeve.
Bazuar në praktikat e vendeve evropiane dhe rekomandimet e hulumtimeve vendore, si ato të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe Forumit Ekonomik të Grave, modeli më i përshtatshëm për realitetin tonë është ai që ruan kohëzgjatjen 12 mujore të lejes (6+3+3), por e shpërndan më drejt barrën mes shtetit, punëdhënësve dhe familjeve. Kjo do të thotë që shteti të marrë përgjegjësi për kompensimin e lejes së lehonisë në pjesën e parë, punëdhënësi të mbulojë një pjesë të lejes prindërore, ndërsa një pjesë të mbetet pa pagesë, si deri tani.
Një element kyç në këto propozime është përfshirja e baballarëve përmes lejes së atësisë dhe muajve të patransferueshëm për ta, duke ndarë më barabartë përgjegjësinë e kujdesit për fëmijët dhe duke reduktuar diskriminimin ndaj grave në punësim.
Në thelb, ndryshimet e propozuara synojnë të krijojnë një model më të drejtë dhe funksional, ku shteti, sektori privat dhe familjet ndajnë barrën e kujdesit, ndërsa gratë nuk penalizohen për rolin e tyre prindëror. Kjo qasje është thelbësore për të ndërtuar një treg pune më të barabartë dhe për të afruar Kosovën me standardet evropiane në mbrojtjen e punës dhe barazisë gjinore. Megjithatë, ndryshimi i Ligjit të Punës është vetëm një hap i parë: për të arritur një ndikim real dhe të qëndrueshëm, duhet që politikat për barazinë gjinore të shtrihen në të gjitha dimensionet e jetës profesionale dhe shoqërore.
Për këtë arsye, masat për avancimin e barazisë gjinore duhet të jenë të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të mbështetura në hapa konkretë. Zgjerimi i qasjes në çerdhe dhe kujdes të përballueshëm për fëmijët, integrimi i pushimit të përbashkët prindëror, promovimi i orareve fleksibile të punës, transparenca në pagë dhe promovim, si dhe lehtësime tatimore për kompanitë që avancojnë gratë janë hapa të domosdoshëm. Programet e mentorimit dhe trajnimeve profesionale mund të krijojnë ura midis arsimit dhe tregut të punës, duke përgatitur gratë për role udhëheqëse dhe sipërmarrëse. Zbatimi i rreptë i politikave kundër ngacmimit dhe krijimi i hapësirave të sigurta e mbështetëse në vendin e punës janë po ashtu thelbësore në
Barazia gjinore në tregun e punës nuk është privilegj për gratë, por një domosdoshmëri për shoqërinë. Qeveria, bizneset, institucionet arsimore dhe secili prej nesh ka përgjegjësinë të ndërtojë një shoqëri ku gratë nuk duhet të luftojnë për hapësirë, por ku hapësira u takon me të drejtë. Një shoqëri që u garanton grave mundësi të barabarta sfidon pabarazinë, thyen struktura diskriminuese dhe ndërton themele më të forta për zhvillim ekonomik dhe shoqëror të drejtë e të qëndrueshëm.
_________________________________________________________________________________________________________
Ky artikull është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e QIKA dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF-së, SDC-së, apo Suedisë.