Përfshirja e grave në arsim ka qenë historikisht një proces i ndërprerë dhe i kushtëzuar nga struktura të thella patriarkale, por në kontekstin e shoqërive si Kosova, ky proces merr një dimension veçanërisht transformues. Derisa dekadat e fundit kanë shënuar rritje të dukshme të pjesëmarrjes së grave në arsimin e lartë, kjo zhvendosje numerike nuk ka gjetur ende pasqyrim të plotë në strukturat e udhëheqjes akademike, duke krijuar një hendek midis emancipimit individual dhe fuqizimit strukturor.
Përgjatë historisë, e drejta e grave për arsim ka qenë sistematikisht e mohuar, duke reflektuar pabarazi të thella gjinore të rrënjosura në struktura shoqërore, kulturore dhe politike. Për shumë kohë, arsimi ishte privilegj ekskluziv i burrave, kështu duke qenë mjet për riprodhimin e hierarkive patriarkale dhe ruajtjen e rendit ekzistues shoqëror. Sipas filozofes Mary Wollstonecraft, e cila në veprën e saj “A Vindication of the Rights of Woman” (1792) sfidoi ndarjen gjinore të dijes, “truri i gruas nuk është më pak racional se ai i burrit; ajo është vetëm më pak e arsimuar”. Kjo qasje shënoi lindjen e një paradigme të re mbi arsimin si e drejtë universale, duke e vendosur atë në themel të emancipimit dhe barazisë. Në këtë kontekst, arsimimi i grave nuk është vetëm çështje individuale, por akt politik dhe transformues. Për gratë, veçanërisht në shoqëritë post-konfliktuale si Kosova, arsimi ka qenë një rrugë drejt autonomisë dhe pjesëmarrjes aktive në jetën publike, duke sfiduar kufijtë e imponuar nga tradita, varfëria si dhe normat patriarkale.
Kosova, pas përfundimit të luftës së vitit 1999, ka kaluar nëpër një proces të thellë transformimi politik dhe institucional. Ndërtimi i shtetit, demokratizimi dhe integrimi në strukturat evropiane sollën nevojën për riformësim të rolit të gruas në shoqëri. Megjithatë, ky proces është ndikuar nga faktorë kompleksë, nga njëra anë, përpjekjet ndërkombëtare për “gender mainstreaming” e përfshijnë barazinë gjinore në diskursin institucional, nga ana tjetër, strukturat patriarkale lokale dhe modelet tradicionale të pushtetit vazhduan ta ngadalësojnë përkthimin e këtij diskursi në realitet praktik. Të dhënat nga platforma 1≠1 për periudhën 2018-2023 dëshmojnë një ndryshim domethënës në strukturën gjinore të arsimit të lartë në Kosovë, që pasqyron jo vetëm përfshirjen e grave në hapësirat e dijes, por edhe transformimin e qëndrimeve shoqërore. Në vitin akademik 2018/2019, vajzat përbënin 57% të studentëve të nivelit bachelor, ndërsa në vitin 2022/2023 kjo përqindje arriti në 65%. Kjo rritje nuk është thjesht numerike, por përfaqëson një zhvendosje kulturore që, siç do ta përkufizonte Amartya Sen (1999), pasqyron “zgjerimin e aftësive për të jetuar jetën që individët kanë arsye ta vlerësojnë”.
Gratë në Kosovë po përdorin arsimin si mekanizëm për të fituar pavarësi, për të ndërtuar kapital social dhe për të depërtuar në hapësirat tradicionale të pushtetit. Në nivelet master dhe doktoral, kjo prirje jo vetëm që vazhdon, por edhe konsolidohet. Në vitin akademik 2022/2023, 66% e studentëve të nivelit master dhe shumica e kandidatëve të doktoratës ishin gra, çka tregon për një vetëdije strategjike të grave që, në mungesë të barazisë strukturore në tregun e punës, kërkojnë ta kompensojnë atë me arsimim të lartë. Siç argumenton Martha Nussbaum (2000), arsimi ofron “kapacitetet e brendshme për vetëvendosje dhe pjesëmarrje të barabartë në jetën politike dhe ekonomike”, duke i bërë gratë më të afta të sfidojnë strukturat e pabarazisë. Megjithatë, ky progres arsimor nuk është shoqëruar me rritje të barabartë të grave në pozitat udhëheqëse. Në Kosovë, vetëm dy nga universitetet publike drejtohen nga gratë, ndërsa të gjitha universitetet e tjera publike (Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova dhe Gjilani) dhe shumica e institucioneve private të arsimit të lartë mbeten të udhëhequra nga burra. Kjo diskrepancë tregon se, ndonëse gratë janë shumicë në salla ligjeratash, ato mbeten pakicë në tryezat e vendimmarrjes. Ky hendek gjinor në udhëheqjen akademike nuk është pasojë e mungesës së kualifikimit, por e një kombinimi të faktorëve strukturorë dhe kulturorë.
Institucionalisht, proceset e emërimeve në pozita drejtuese shpesh karakterizohen nga mungesë transparence dhe rrjete patronazhi, të cilat favorizojnë kandidatët burra. Kulturalisht, normat tradicionale dhe perceptimet për “autoritetin” ende e lidhin udhëheqjen me të qenit burrë, duke e bërë më të vështirë për gratë të legjitimojnë praninë e tyre në hierarkinë akademike. Nga ana tjetër, faktorët socio-ekonomikë si roli disproporcional i grave në punët e kujdesit dhe mungesa e politikave për balancimin e jetës profesionale me atë private i kufizojnë mundësitë e tyre për karrierë afatgjatë.
Ky fenomen pasqyron atë që studiuesit e quajnë “paradoksi gjinor i arsimit të lartë”, një situatë ku gratë arrijnë nivele më të larta arsimimi, por nuk përfaqësohen në mënyrë të barabartë në strukturat e pushtetit. Në Kosovë, ky paradoks reflekton një tranzicion të papërfunduar ku arsimi ka emancipuar gratë në aspektin individual, por nuk ka arritur ende t’i fuqizojë në mënyrë sistemike.
Arsimimi që nuk transformon strukturat e pushtetit është vetëm përshtatje me status quo-në. Në këtë kuptim, përfaqësimi numerik i grave në universitete nuk duhet parë si përfundim, por si pikënisje për rishikimin e mënyrës si funksionon vetë sistemi arsimor dhe mekanizmat e tij të avancimit. Për ta kapërcyer këtë hendek, nevojitet që barazia gjinore të mos trajtohet më si element formal i dokumenteve strategjike, por si kategori përbërëse e reformës universitare. Politikat e përfshirjes duhet të shoqërohen me mekanizma llogaridhënieje, mentorimi profesional, mbështetje për nënat që janë pjesë e stafit akademik dhe promovim të grave në nivelet e larta të kërkimit dhe menaxhimit universitar. Vetëm në këtë mënyrë arsimi mund të bëhet, siç e përshkruan Freire, “mjet i ndërgjegjësimit të shoqërisë për realitetin e saj dhe transformimit të tij në drejtim të lirisë”.
Në përfundim, të dhënat dhe dinamika gjinore në arsimin e lartë në Kosovë dëshmojnë për një transformim të rëndësishëm, por jo të plotë. Gratë kanë fituar arsimin si hapësirë të emancipimit, por jo ende udhëheqjen si hapësirë të pushtetit. Kjo mospërputhje e bën të nevojshme një qasje të re që lidh arsimin me drejtësinë shoqërore, dhe emancipimin me pjesëmarrjen reale në strukturat e vendimmarrjes. Vetëm atëherë barazia do të jetë më shumë se një ideal moral, do të bëhet praktikë shoqërore.
_________________________________________________________________________________________________________
Ky artikull është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e QIKA dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF-së, SDC-së, apo Suedisë.