Dhuna me bazë gjinore, trafikimi i qenieve njerëzore dhe format e tjera të shfrytëzimit vazhdojnë t’i rrezikojnë gratë në të gjitha fazat e migrimit, përfshirë ato që punojnë në sektorin shtëpiak dhe të kujdesit.
Migrimi mund të ofrojë mundësi të reja dhe shansin për të ndërtuar një jetë më të mirë. Por për miliona gra në mbarë botën, kalimi i kufijve mund të ketë një kosto jashtëzakonisht të lartë dhe të përfshijë dhunë, shfrytëzim në punë dhe diskriminim, dhe përgjatë disa rrugëve, edhe kërcënimin nga rrëmbimi dhe detyrimin për të paguar në këmbim të lirimit apo detyrimit për të punuar kundër vullnetit të tyre.
Dhuna është e pranishme në të gjitha fazat e migrimit – gjatë udhëtimeve, kalimit të kufijve, deri te jetesa në vendet destinuese dhe në kthimin eventual. Gratë migrante shpesh përjetojnë dhunë disa herë dhe nga autorë të ndryshëm. Rreziqet janë veçanërisht të larta për gratë që udhëtojnë pa dokumente, për ato që kanë pak ose aspak informacione rreth migrimit të sigurt, ose për ato që burimet financiare i kanë të kufizuara, gjë që i ekspozon më shumë ndaj zhvatjes dhe shfrytëzimit.
Gratë nuk i lënë të drejtat e tyre në shtëpi kur migrojnë. Megjithatë, përtej kufijve, gratë migrante shpesh lihen pa mbrojtjen e duhur ligjore dhe pa drejtësinë që meritojnë dhe që u takon. Një në tre gra në mbarë botën përjeton dhunë fizike ose seksuale, ndërsa gratë migrante përballen me rrezik edhe më të lartë.
Ja disa situata të zakonshme ku gratë migrante përballen me një shkallë të shtuar të shkeljeve të të drejtave dhe dhunës me bazë gjinore:
Rekrutimi i pasigurt dhe migrimi i parregullt
Për shumë gra, rreziku fillon që në momentin kur nis udhëtimi drejt migrimit. Pa informacione të besueshme, pa para apo dokumente të vlefshme, gratë migrante janë shumë më të rrezikuara nga dhuna me bazë gjinore, mashtrimi dhe shfrytëzimi, shumë përpara se të arrijnë në destinacionin e tyre.
Këto rreziqe shpesh nisin me procesin e rekrutimit, pasi që shumë prej tyre mbështeten tek ndërmjetës të ndryshëm, të cilët u kërkojnë tarifa të larta ose u japin premtime të rreme. Në momentin që largohen nga shtëpia, shumë gra veçse janë në borxhe të mëdha – një situatë që i bën të varura nga rekrutuesit, ua pamundëson refuzimin e kërkesave të tyre, dhe i lë të cenueshme ndaj shfrytëzimit që mund të përshkallëzohet deri në trafikim.
Për gratë që ndjekin rrugë alternative, rreziqet rriten edhe më shumë. Ato shpesh përshkruajnë udhëtime të mbushura me zhvatje, ngacmime, dhe sulme nga kontrabandistët, trafikantët, zyrtarët e korruptuar e madje edhe nga migrantë të tjerë – ku trafikantët e migrantëve renditen ndër autorët më të shpeshtë të dhunës me bazë gjinore.
Për shembull, organizata Human Rights Watch zbuloi se përgjatë korridorit Afrikë e Jugut-Zimbabve, pothuajse të gjitha gratë e sapoardhura migrante ose ishin përdhunuar, ose kishin qenë dëshmitare të përdhunimeve gjatë kalimit të kufirit. Disa burra të intervistuar madje pranuan se kishin përdhunuar gra migrante si “shpërblim” për t’i lejuar të hynin në Afrikën e Jugut.
Në Darien Gap, mes Kolumbisë dhe Panamasë, raportimet për dhunë seksuale u rritën shtatëfish në vitin 2024, një fakt tronditës i rrezikut për atë se me çka përballen mijëra gra që kalojnë një nga korridoret më të rrezikshme të Amerikës Latine.
Trafikimi, puna e detyruar dhe format e tjera të shfrytëzimit
Trafikimi i qenieve njerëzore është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut. I rrënjosur në pabarazitë gjinore dhe i shtyrë nga fitimi, trafikantët i trajtojnë trupat dhe punën grave si mall për t’u blerë, shitur, kontrolluar dhe dhunuar. Sipas të dhënave gratë kanë tre herë më shumë gjasa se burrat të trafikohen për punë të detyruar.
Për miliona gra, trafikimi do të thotë të mashtrohen, të izolohen, të abuzohen seksualisht, ose të shiten në forma pune nga të cilat nuk mund të largohen. Shumë gra nuk mbijetojnë.
Trafikimi lulëzon aty ku gratë shihen si mallra të shfrytëzueshme. Ai ushqehet nga mungesa e mbrojtjes dhe nga kërkesa globale për punë të lirë e të padukshme. Nga bujqësia dhe industria e tekstilit tek hoteleria dhe punët e shtëpisë, veçanërisht sektorët pak të rregulluar ligjërisht u japin trafikantëve hapësirë për të vepruar pa u ndëshkuar. Pagat e ulëta dhe varësia nga punëdhënësi për statusin e migrimit e bëjnë të lehtë kontrollin dhe heshtjen e grave, pasi që shumë prej tyre rrezikojnë të humbin punën ose lejen e qëndrimit nëse raportojnë abuzimin ose nëse largohen nga punëdhënësi i tyre.
Teknologjia po i bën këto krime edhe më të vështira për t’u gjurmuar. Trafikantët përdorin rrjetet sociale, aplikacionet e mesazheve dhe platformat e koduara për të identifikuar, rekrutuar dhe manipuluar gratë migrante, ndërsa shantazhi përmes deepfake-ve dhe mbikëqyrja online i përcjellin ato gjatë kalimit të kufijve, madje edhe pas kthimit. Rrjetet e trafikimit përdorin gjithashtu kriptovalutat për të transefuar dhe pastruar fitimet, duke i bërë edhe më të vështira për t’u gjurmuar operimet dhe flukset e tyre financiare.
Punëtoret në sektorin e punëve të shtëpisë përballen me rreziqe të shtuara të dhunës dhe shfrytëzimit
Gati gjysma e 304 milionë migrantëve në botë janë gra, dhe shumica janë të punësuara në sektorin e punëve të shtëpisë dhe të kujdesit – sektorë kryesisht të parregulluar ligjërisht. Nga 75.6 milionë punëtorë shtëpiakë në botë, 76% janë gra.
Nëpër shtëpi anembanë globit, miliona gra migrante pastrojnë, gatuajnë dhe kujdesen për të tjerët. Puna brenda shtëpive private shpesh nënkupton mungesë vëzhgueshmërie dhe mbrojtjeje, duke i ekspozuar gratë ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit nga punëdhënësit ose anëtarë të tjerë të familjes. Ky izolim e bën punën shtëpiake një hapësirë ku dhuna mund të mbetet e padukshme dhe e paadresuar.
Shumë punëtore migrante janë të përjashtuara nga ligjet kombëtare të punës, u mohohen ditët e pushimit dhe pagat e drejta, dhe janë tërësisht të varura nga punëdhënësit për të ardhura, strehim dhe leje qëndrimi.
Nën sistemet e sponsorizimit si Kafala, vizat e grave janë të lidhura me punëdhënësin, duke ua kufizuar lirinë për t’u larguar nga situatat abuzive dhe duke ua vështirësuar qasjen në drejtësi.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura ndërkombëtare për të forcuar të drejtat e punëtoreve migrante të sektorit të punëve të shtëpisë, gratë ende përballen me orë të gjata pune, mosdhënie të pagave, ngacmime dhe, në raste ekstreme, trafikim dhe punë të detyruar.
Studimet tregojnë se 87% e viktimave të skllavërisë shtëpiake janë gra dhe vajza, dhe 15% e viktimave të trafikuara në këtë sektor përjetojnë abuzim seksual. Në Tajlandë, një anketë e vitit 2023 zbuloi se 6 në 10 punëtore shtëpiake migrante nga Mianmari raportuan se kishin përjetuar dhunë.
Diskriminimi dhe shkelja e të drejtave të njeriut
Arritja në vendin e destinacionit nuk do të thotë se ato janë të sigurta. Për shumë gra migrante, kjo shënon fillimin e vështirësive të reja. Diskriminimi i bazuar në gjini, racë, kombësi dhe status migrimi formëson çdo aspekt të jetës – nga punët që u ofrohen deri te niveli i mbrojtjes që mund ose nuk mund të marrin.
Frika nga deportimi hesht shumë prej tyre. Raportimi i abuzimit mund të nënkuptojë humbjen e punës ose kthimin në vendin e origjinës – rreziqe që pak gra mund t’i marrin përsipër. Punëdhënësit shpesh shfrytëzojnë statusin e parregullt të një gruaje për ta kërcënuar ose kontrolluar, ndërsa barrierat gjuhësore dhe stigmatizimi e bëjnë edhe më të vështirë qasjen në ndihmë.
Për gratë pa status të rregullt ligjor, vetë sistemi rritë ekspozimin e tyre ndaj rrezikut dhe dhunës. Qendrat e ndalimit dhe deportimit shpesh janë të pasigurta dhe degraduese. Shumë gra raportojnë abuzim seksual, qasje të kufizuar ose mungesë të plotë të kujdesit shëndetësor seksual dhe riprodhues, si dhe mungesë privatësie në hapësirat e higjienës dhe dusheve.
Në shumë vende, seksizmi, ksenofobia dhe racizmi i shtojnë këto rreziqe, duke ndikuar në mënyrën se si gratë migrante shihen, dëgjohen dhe trajtohen kur kërkojnë drejtësi ose mbështetje.
Stigmatizimi dhe përjashtimi
Në vend që të mirëpriten, shumë gra migrante përballen me stigmatizim dhe përjashtim. Të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore ose trafikimit shpesh fajësohen për atë që u ka ndodhur jashtë vendit, sikur vuajtja e tyre të ishte zgjedhje dhe jo pasojë e një sistemi të pasigurt dhe abuziv. Për të tjera, turpi i lidhur me punën shtëpiake ose të kujdesit jashtë vendit – e perceptuar si punë me status të ulët në vendin e origjinës – bëhet pengesë për riintegrimin, sepse plot fqinjë dhe të afërm i shmangin ato gra që kthehen.
Dëshmitë nga Etiopia dhe Bangladeshi tregojnë se punëtoret shtëpiake të kthyera përballen me përjashtim social – të shtyrë nga normat gjinore dhe mungesa e mbështetjes së përshtatur për riintegrim. Në Etiopi, gratë që kishin përjetuar abuzim jashtë vendit raportuan se u etiketuan si ‘migrante të dështuara’, ndërsa në Bangladesh, gratë që kishin qenë të trafikuara ose të shfrytëzuara në punë shtëpiake u akuzuan se kanë turpëruar familjet e tyre. Këto gjykime e thellojnë izolimin dhe e bëjnë rikuperimin dhe riintegrimin edhe më të vështirë.
Disa komunitete po gjejnë mënyra më të mira për të reaguar. Në Filipine, qeveritë lokale dhe organizatat e grave ofrojnë këshillim, trajnime profesionale dhe mbështetje për punëtoret shtëpiake të kthyera, duke i ndihmuar të rindërtojnë besimin dhe jetën e tyre. Por iniciativa të tilla mbeten të rralla. Në shumicën e vendeve, gratë që kthehen përballen të vetme me stigmën, pa mbështetjen financiare ose psikologjike që u nevojitet për të filluar nga e para.
Si mund ta mbështesim të gjithë migrimin më të sigurt për gratë?
1. Mësoni dhe sfidoni mitet për gratë migrante dhe shpërndani informacione të sakta. Ndani udhëzime të besueshme për migrim të sigurt, që gratë të kenë informacionin e nevojshëm për të migruar në mënyrë të sigurt.
2. Sfidojeni racizmin. Flisni hapur për racizmin dhe seksizmin që përjetojnë gratë migrante, dhe ngrini zërin kundër dhunës dhe shfrytëzimit sa herë që jeni dëshmitarë.
3. Promovoni rekrutim të drejtë dhe etik. Kundërshtoni praktikat mashtruese të punësimit dhe mos harroni se ndryshimi fillon edhe në shtëpi, sidomos kur gratë migrante punësohen në sektorin e punëve të shtëpisë dhe të kujdesit.
4. Kërkoni kushte më të mira të punës. Kërkoni që punëtoret migrante në sektorin e punëve të shtëpisë dhe kujdesit të kenë paga të drejta, kujdes shëndetësor dhe mbrojtje ligjore, pavarësisht statusit të tyre të migrimit.
5. Përmirësoni qasjen në njohuri ligjore. Mbështetni iniciativat që u japin grave migrante informacione të qarta rreth të drejtave të tyre, shërbimeve që u takojnë dhe vendeve ku mund të kërkojnë ndihmë – para, gjatë dhe pas migrimit.
6. Siguroni që gratë të kenë qasje në mbështetje. Mbështetni organizatat që ofrojnë hapësira të sigurta, këshillim, ndihmë ligjore dhe forma të tjera të mbështetjes praktike. Shërbimet e bazuara në komunitet luajnë rol thelbësor në ndihmën për gratë migrante që të rindërtojnë jetën me dinjitet, veçanërisht për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore.
7. Kërkojuni qeverive lokale dhe kombëtare të zbatojnë politika që mbrojnë dhe respektojnë të drejtat e grave migrante dhe përmbushin angazhimet për të drejtat e njeriut. Rrugët e sigurta dhe të rregullta të migrimit, standardet etike të rekrutimit, mbrojtjet e punës dhe trajnimi i zyrtarëve e bëjnë migrimin më të sigurt – këto janë vetëm disa nga masat që qeveritë mund të ndërmarrin. Disa qeveri janë gjithashtu pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare, si Pakti Global për Migrim të Sigurt, të Rregullt dhe të Rregulluar, si dhe Konventat e ILO-s për Punën Shtëpiake (Nr. 189) dhe atë për Dhunën dhe Ngacmimin (Nr. 190).
UN Woman
E përktheu: Erjona Thaqi
Artikullin origjinal e gjeni këtu.