Kabineti i ri qeveritar, i votuar dje në Kuvendin e Kosovës, ka shkelur Ligjin për Barazi Gjinore, për shkak të përfaqësimit të ulët të grave në pozitat ministrore. Vetëm 5 gra janë emëruar në 19 pozita ministrore, respektivisht Donika Gërvalla, Saranda Bogujevci, Fitore Pacolli, Mimoza Kusari dhe Artane Rizvanolli, që përbejnë vetëm 26% të kabinetit.
Kjo përbërje e qeverisë bie ndesh me Ligji për Barazi Gjinore (Nr. 05/L-020), i cili kërkon përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave në institucionet publike dhe obligon organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore që përputhje me nenin 6, paragrafi 7, të ndërmarrin masa të veçanta për të siguruar përfaqësim të barabartë gjinor.
Sipas paragrafit 8 të nenit 6 të këtij ligji përfaqësimi i barabartë gjinor nënkupton “përfaqësimin minimal prej 50% për secilën gjini në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, si dhe në të gjitha institucionet e tjera publike.”
Përfaqësimi i pabarabartë në qeveri është dëshmi e mungesës së vullnetit politik për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë dhe përbën vazhdimësi të një praktike të kahershme të partive politike, të cilat edhe në listat zgjedhore gjithmonë e anashkalojnë frymën e Ligji për Barazi Gjinore dhe mjaftohen vetëm me respektimin minimal të kuotës prej 30% për përfaqësimin e grave sipas Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke dëshmuar qartë shkallën e ulët të prioritetit me të cilin e trajtojnë barazinë gjinore. Kjo qasje redukton barazinë në një detyrim formal numerik, duke përjashtuar gratë nga qendrat kryesore të vendimmarrjes dhe nga proceset ku formësohen politikat publike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.