Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Si të mbështesësh dikë që ka përjetuar sulm seksual

QIKA 28.4.2026

Thuaji që i beson dhe falënderoje që të ka besuar

-Duhet guxim për t’i treguar dikujt për sulmin seksual që ke përjetuar. Sigurohu ta pranosh këtë duke u thënë se i beson, që je aty për ta dhe që do ta mbash sekret këtë informacion. 

– Shoqëria, organet e zbatimit të ligjit, dhe sistemi ligjor kanë krijuar praktika të dëmshme që mund të vënë në dyshim viktimat dhe përvojat e tyre. Kjo shpesh krijon mosbesim dhe frikë tek shumë njerëz që kanë përjetuar trauma seksuale për t’u hapur me të tjerët. Duke i thënë dikujt “të besoj” i jep atij/asaj ndjenjë sigurie të menjëhershme dhe mbështetje nga ti. 

Gjëra që mund të thuash 

“Nuk ishte faji yt”
“Duhet shumë guxim për të ndarë këtë me dikë, dhe jam mirënjohës/e që më beson”
“Të besoj dhe nuk je vetëm”
“Jam këtu për të të mbështetur në çdo mënyrë që mundem”
“Si mund të të ndihmoj tutje?”

Jini plotësisht të pranishëm dhe të gatshëm për të dëgjuar. 

-Lërini të flasin. Kjo mund të jetë gjëja më e vështirë që kanë kaluar ndonjëherë, dhe sigurisht që nuk është e lehtë për t’u folur. 

-Ata mund të qajnë dhe mund të kenë nevojë të bëjnë pauza. Mos i ndërprisni dhe mos bëni shumë pyetje. 

-Njerëzit kanë nevojë ta përpunojnë dhe ta ndajnë traumën e tyre në mënyrat e veta, dhe ju duhet t’i lejoni ta bëjnë këtë në çfarëdo mënyre që ata ndihen rehat. Ata kanë ardhur tek ju për një arsye. 

Gjërat që nuk duhet të thuhen 

“Je me fat që nuk ndodhi diçka më e keqe. Mund të ishe vrarë!” Kjo mund ta minimizojë atë që ata tashmë kanë përjetuar. Ajo që u ka ndodhur është serioze, e vlefshme dhe meriton kujdes. 

“Çfarë po bëje…? Pse e bëre…?” . Të mbijetuarit shpesh i vënë në dyshim veprimet e tyre, dhe duke i pyetur kështu, mund të forcohet ndjenja e fajit dhe turpit. 

“E di si ndihesh.” Edhe nëse keni kaluar diçka të ngjashme, kjo mund të zhvendosë pa dashje fokusin te ti, kur ajo që u duhet më shumë atyre është të dëgjohen në përvojën e tyre.

“Po të isha në vendin tënd…” Përveç nëse kërkojnë këshillë, kjo mund të duket sikur po merrni ju përsipër kontrollin. Të mbijetuarit kanë nevojë për hapësirë për të marrë vetë vendimet e tyre, dhe roli juaj është të mbështesni autonominë e tyre. 

Pyetni se si mund t’i mbështesni më së miri. 

-Ka shumë mënyra për të mbështetur të mbijetuarit. Mund t’i ndihmoni të gjejnë burime profesionale tek të cilët mund të kërkojnë ndihmë. Por, mbani mend se të gjitha vendimet duhet ti marrin ata, edhe nëse nuk përputhen me atë që ju mendoni se është më e mira. 

-Një nga pyetjet më të mira që mund të bëni është: “Si dëshiron të të mbështes? Dëshiron të të dëgjoj, të të ndihmoj apo thjesht të të përqafoj?”. Këto u japin të mbijetuarve mundësinë të zgjedhin dhe mund t’ua lehtësoj marrjen e vendimeve. 

Dëgjoji – Lëri të shfryhen, të bërtasin, të qajnë. Ndonjëherë kemi nevojë thjesht ta nxjerrim jashtë vetës. Edhe nëse përsërisin veten, edhe nëse nuk po “bëjnë” diçka konkrete, vetëm ta shprehin hapur është terapeutike. 

Ndihmoji – Ofroji një listë me ndihmat lokale, strehimoret, grupet mbështetëse, si dhe ndihma aktive për të kërkuar këshillues/terapistë. Mund t’i ndihmoni gjithashtu të informohen për të raportuar në polici. 

Motivoji – Gjithkush ka nevojë për motivim për të vazhduar aktivitetet ditore, qoftë edhe ato më thelbësoret, si për të ngrënë ose fjetur. Relaksohuni dhe largojeni mendjen nga ajo që ka ndodhur, bëni çfarëdo që sjell rehati. 

Tregojini që kërkimi i ndihmës mjekësore mund të jetë i dobishëm. 

-Të mbijetuarit duhet gjithmonë të kenë mundësinë të marrin vetë vendimet për mënyrën se si e trajtojnë përjetimin e tyre, por ju mund t’i inkurajoni të kërkojnë ndihmë mjekësore, sidomos nëse kanë ardhur tek ju brenda 24–36 orëve nga ngjarja. Një person që ka përjetuar sulm mund të ketë lëndime serioze të brendshme dhe/ose të jashtme për të cilat mund të mos jetë në dijeni. 

-Ofroni të shkoni me ta nëse zgjedhin të kërkojnë ndihmë. 

Vazhdoni bisedën dhe mbështetjen. 

-Vazhdoni të mbani kontakt dhe t’i pyesni si janë. 

-Sigurohuni që ata ta dinë se mund të vijnë tek ju kur kanë nevojë. 

-Shërimi është një proces, dhe nëse një i mbijetuar ju ka zgjedhur juve të jeni pjesë e tij, kjo është sepse ju ka besuar. 

Kujdesuni për veten 

-Njihni kufijtë tuaj dhe pranoni që jo gjithmonë mund të dini çfarë të thoni. Të dëgjoni një përvojë të sulmit seksual mund të jetë e vështirë dhe mund t’ju bëjë edhe juve të ndiheni të tronditur ose të mbingarkuar. 

-Ndjenjat e zemërimit dhe trishtimit janë normale, dhe është në rregull të keni edhe ju reagimet tuaja. Pikërisht për këtë arsye ekzistojnë profesionistë të trajnuar për të punuar me të mbijetuarit. 

-Inkurajoni të mbijetuarit të kërkojnë një këshillues për traumën për t’i ndihmuar të fillojnë rrugëtimin e tyre të shërimit, por edhe ju mund të konsideroni të flisni me një këshillues. Kjo mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë reagimet tuaja dhe si ta mbështesni më mirë mikun/miken tuaj.