Kosova ka pasur tri gra presidente, por sa ka ndryshuar jeta e grave? Për greminën e qelqtë, kufijtë e përfaqësimit politik dhe qeveritë që barazinë gjinore e kanë vetëm në letër.
Gjermania, një ndër demokracitë më të fuqishme në botë, në janar të vitit 2027 mund të zgjedhë për herë të parë një grua presidente. Ilse Aigner, politikania 61-vjeçare nga Bavaria, është kandidatja që gëzon mbështetje të gjerë politike për zgjedhjet presidenciale të 30 janarit. Nëse zgjidhet, ajo do të jetë gruaja e parë në krye të shtetit gjerman, pas 12 presidentëve burra që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Për një vend që ka pasur Angela Merkelin në krye të qeverisë për gjashtëmbëdhjetë vjet, zgjedhja e presidentes së parë grua me padyshim se do të ishte një moment historik dhe simbolik.
Ndërkohë, Kosova, një shtet shumë më i ri dhe me institucione demokratike ende në konsolidim, tashmë ka pasur tri gra presidente: Atifete Jahjagën, Vjosa Osmanin dhe Justina Shiroka-Pulën. Pra, po që se barazia gjinore do të matej vetëm me numrin e grave në krye të shtetit, Kosova do të dukej shumë më përpara Gjermanisë. Realiteti, megjithatë, nuk është i tillë sepse prania e grave në pozitat më të larta shtetërore nuk është domosdoshmërish tregues i barazisë gjinore.
Pyetjet thelbësore që do të duhej të bëjmë si shoqëri janë, nëse gratë janë të sigurta në Kosovë? A kanë pavarësi ekonomike? A kanë qasje të barabartë në pronë? Dhe, a është përkthyer përfaqësimi dhe vullneti i tyre politik në përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre?
Përgjigjet në këto pyetje e vënë në dyshim narrativen e suksesit të përfaqësimit politik të grave në Kosovë.
Gratë në krye, e pabarazia në themel
Raporti vjetor i Qendrës për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), mbi drejtësinë dhe barazinë gjinore në Kosovë gjatë vitit 2025, tregon se gratë vazhdojnë të përballen me pengesa serioze strukturore, pavarësisht kornizës ligjore që garanton barazinë gjinore. Sipas raportit, vetëm 21.2% e grave në Kosovë ishin të punësuara, ndërsa pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje vazhdon të jetë e kufizuar. Edhe qasja në pronë mbetet thellësisht e pabarabartë. Të dhënat e Agjencisë Kadastrale, të cituara në raport, tregojnë se në korrik të vitit 2026 gratë përbënin vetëm 21.36% të pronarëve të regjistruar, krahasuar me 76.72% burra.
Këto të dhëna janë tregues të marrëdhënieve gjinore brenda shoqërisë kosovare, dhe po na informojnë se kush ka kontroll mbi burimet e jetesës, e rrjedhimisht kush ka mundësi të marrë vendime të pavarura, e kush mbetet ekonomikisht i varur nga të tjerët. Pabarazia ekonomike ua kufizon shumë grave lirinë për të vendosur për jetën e tyre.
Pra, tri gra edhe mund të bëhen presidente, ndërkohë që mijëra të tjera duhet me pyet babën ose burrin nëse guxojnë me dalë prej shtëpisë.
Tri gra mund të gëzojnë pushtet politik, ndërkohë që mijëra të tjera nuk kanë para me ble peceta menstruale.
Tri gra mund të ulen në karrigen e presidentes, ndërkohë që gra të tjera nuk kanë ku të strehohen kur jeta e tyre rrezikohet nga dhuna në familje.
Kontradikta qëndron pikërisht këtu. Gratë mund të jenë të pranishme në majat e institucioneve, por kjo nuk do të thotë se kanë ndryshuar strukturat ku përqendrohet pushteti real.
Në teoritë politike kjo shpjegohet përmes dallimit ndërmjet përfaqësimit përshkrues dhe atij substancial, teori që i atribuohet teoricienes politike Hanna Pitkin dhe librit të saj “Konceptet e përfaqësimit”(1967).
Sipas Pitkin, përfaqësimi përshkrues ka të bëjë me atë se kush i zë pozitat, ta zëmë: sa gra janë presidente, ministre, deputete, apo drejtuese institucionesh. Dhe kjo nuk është e parëndësishme, sepse përfaqësimi politik shndërrohet në platformë të njohjes së identiteteve gjinore. Mirëpo, Pitkin thekson se përfaqësimi substancial, është ai që lidhet me ndikimin që ky përfaqësim ka në politikat publike, në shpërndarjen e burimeve dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së grave.
Në maje të pushtetit e në buzë të greminës
Në maj të vitit 1978, Marilyn Loden, atëherë punonjëse e departamentit të burimeve njerëzore në AT&T, mori pjesë në një panel ku mungesa e përparimit të grave në karrierë shpjegohej kryesisht me sjelljen dhe vetëbesimin e tyre. Loden e kundërshtoi këtë qasje me metaforën e “tavanit të qelqtë”: pengesat që i mbajnë gratë larg pozitave udhëheqëse nuk janë thjesht individuale, por të rrënjosura në strukturat dhe kulturën e institucioneve. Metafora e tavanit prej xhami e Loden, do të shndërrohej në bazën e një prej koncepteve më të diskutuara sa i përket përfaqësimit të grave në politikë dhe ekonomi, konceptit të glass ceiling, që në thelb përshkruan pengesat e padukshme që ua vështirësojnë grave arritjen në pozita udhëheqëse.
Mirëpo, çfarë ndodh kur gratë arrijnë ta thyejnë këtë tavan?
Në vitin 2005, studiuesit Michelle Ryan dhe Alexander Haslam zhvilluan konceptin e glass cliff, apo greminës së qelqtë. Sipas këtij koncepti, gratë mund të kenë më shumë gjasa që të emërohen në pozita udhëheqëse në kohë krizash, pasigurie apo rreziku të lartë për dështim.
Me fjalë të tjera, gratë mund të arrijnë në krye të institucioneve pikërisht atëherë kur këto institucione janë në krizë, kur legjitimiteti i tyre është i lëkundur apo kur nevojitet një figurë kompromisi. Në këto rrethana, ato mund të marrin përgjegjësi të mëdha politike, pa trashëguar domosdoshmërish mekanizmat, mbështetjen apo hapësirën e nevojshme për të ushtruar ndikim të plotë. Megjithatë, zgjedhja e një gruaje gjatë krizës nuk mjafton vetvetiu për të dëshmuar greminën e qelqtë; rëndësi kanë edhe kushtet në të cilat ajo e ushtron mandatin.
Historia e zgjedhjes së presidenteve të Kosovës e ofron një terren interesant për ta shqyrtuar këtë koncept.
Në vitin 2011, Atifete Jahjaga u zgjodh presidente pas një krize politike dhe si rezultat i një marrëveshjeje ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar PDK, LDK dhe AKR, vetëm pasi zgjedhja presidenciale e Behxhet Pacollit u shpallë antikushtetuese. Jahjaga ishte propozim nga jashtë strukturave tradicionale partiake dhe u prezantua si figurë konsensuale.
Në vitin 2021, Vjosa Osmani u zgjodh presidente në një kontekst tjetër, pas ndryshimeve të mëdha elektorale dhe bashkëpunimit politik ndërmjet LVV-së dhe Listës Guxo. Vendimi për këtë bashkëpunim kam drojë se kërkon analizë të veçantë nga perspektiva gjinore. Mirëpo, të paktën në dukje, zgjedhja e Osmanit dallon sepse ajo veçse kishte ndërtuar një bazë të konsiderueshme të mbështetjes politike dhe elektorale. Prandaj, zgjedhja e saj nuk mund të trajtohet në të njëjtën mënyrë si një emërim kompromisi në kohë krize.
Ndërsa, Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente në tetor të këtij viti pas një bllokade të gjatë politike dhe institucionale që nisi nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025. Zgjedhja e saj në prag të një afati kushtetues, shmangu mbajtjen e zgjedhjeve të tjera të parakohshme.
Pra dy pyetje besoj janë thelbësore këtu: a po bëhen gratë ma të pranueshme për udhëheqje pikërisht kur partitë politike po kanë nevojë për kompromis, dhe rikthim të besimit publik? Apo ka tendencë reale për të rritur barazinë në vendimmarrje?
Në krye të shtetit por jo të Qeverisë
Në Kosovë, presidentja është kreu i shtetit dhe ushtron kompetencat që ia përcakton Kushtetuta. Megjithatë, ajo nuk e drejton qeverinë, nuk e harton buxhetin dhe nuk kontrollon drejtpërdrejt funksionimin e përditshëm të policisë, prokurorisë, gjykatave apo shërbimeve sociale. Këto përgjegjësi u takojnë institucioneve të ndryshme. Prandaj, një grua mund të jetë në pozitën më të lartë shtetërore, pa pasur kontroll të drejtpërdrejtë mbi politikat dhe burimet që ndikojnë më së shumti në jetën e grave. Kjo nuk do të thotë se presidentet janë krejt pa ndikim. Ato kanë kompetenca kushtetuese, rol përfaqësues dhe mundësi për të ndikuar në debatin publik e në agjenda institucionale, vetëm se ky ndikim nuk bën të ngatërrohet me kontrollin ekzekutiv mbi politikat dhe burimet. Do të ishte mendoj një tjetër padrejtësi gjinore që grave presidente t’u kërkohej të zgjidhnin të vetme problemet strukturore, dhe qëllimi i këtij shkrimi nuk është ky.
Përgjegjësia për politikat publike, ndarjen e burimeve dhe funksionimin e shërbimeve mbrojtëse i takon, në radhë të parë, Qeverisë dhe institucioneve përkatëse.
Në këtë kontekst, vrasja e Arlinda Sylaj Zekajt nxjerr në pah pyetje të rënda për përgjegjësinë institucionale. Përfaqësimi i grave në Kuvend dhe Qeveri nuk mund të shërbejë si përgjigje ndaj dështimeve në mbrojtjen e grave nga dhuna. Përgjegjësia duhet të matet me vendimet, buxhetet, zbatimin e masave mbrojtëse dhe llogaridhënien, jo vetëm me numrin e grave në pozita.
Fundja çfarë vlere kanë ligjet, strategjitë, zotimet publike nëse nuk zbatohen kur jeta e grave është në rrezik?
Më 25 tetor 2026, Arlinda Sylaj Zekaj, 49-vjeçare, u vra në Vitomiricë të Pejës. Ajo kishte raportuar vazhdimisht dhunën në familje dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet e Kosovës. Sipas gjetjeve preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës, ekzekutimi i urdhrit mbrojtës të 7 shtatorit nuk ishte dokumentuar, ndërsa urdhri i 16 tetorit ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë, më 22 tetor. Për vrasjen u arrestua ish-kunati i saj, i dyshuar për kryerjen e veprës. Ndërkaq këtë javë u arrestuan edhe katër persona të tjerë në lidhje me vrasjen e Arlindës, dy prej të cilëve dyshohen për “Ndihmë në vrasje të rëndë”, ndërsa dy të tjerë për “Dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.
Këto rrethana kërkojnë hetim dhe përcaktim të qartë të përgjegjësive institucionale.
Rasti i Arlindës nuk është vetëm një tjetër vrasje e një gruaje në Kosovë. Ai ngre pyetje serioze për mënyrën se si institucionet e trajtojnë rrezikun ndaj grave dhe për hendekun ndërmjet të drejtave që u garantohen me ligj dhe mbrojtjes që marrin në praktikë. Arlinda kishte kërkuar ndihmë. Institucionet ishin në dijeni për rrezikun që i kanosej. Megjithatë, masat e ndërmarra nuk arritën ta parandalonin vrasjen e saj. Protestat në Kosovë, që po kërkojnë llogaridhënie qeveritare, janë të drejta. E slogani i Ministrisë së Drejtësisë në 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, që po kërkon nga viktimat që të “raportojnë dhunën”, është i padrejtë, ofendues, i padinjitetshëm, dhe ka potencial për ta kthyer barrën e përgjegjësisë tek viktimat e jo shteti.
Arlinda ishte gruaja e tretë e vrarë në Kosovë gjatë vitit 2026 vetëm nga janari deri më 26 tetor. Nga viti 2010 deri në atë datë, në Kosovë ishin vrarë 67 gra nga familjarët e tyre, kryesisht partnerët. Përmasat e dhunës bëhen edhe më të qarta kur shikohen statistikat e rasteve të raportuara.
Sipas raportit të QIKA-s për vitin 2025, tri në katër viktima të dhunës në familje janë gra, ndërsa 84% e kryesve të dhunës janë burra. Të dhënat e GLPS-së, të cituara në raport, tregojnë se bashkëshortët, partnerët bashkëjetues dhe ish-bashkëshortët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të kryesve në rastet e analizuara. Këto të dhëna e theksojnë nevojën për vlerësim të hershëm të rrezikut, mbrojtje efektive dhe koordinim ndërinstitucional. Rasti i Arlindës nuk mund të trajtohet i shkëputur nga funksionimi i sistemit të mbrojtjes së grave. Kosova ka pasur tri presidente gra, por vazhdon të përballet me dhunë të përhapur ndaj grave, me pabarazi ekonomike dhe me pengesa serioze në qasjen në drejtësi.
Kjo nuk i bën presidentet përgjegjëse për vrasjet e grave. Përgjegjësitë për parandalimin, hetimin dhe ndëshkimin e dhunës u takojnë institucioneve me kompetenca konkrete ligjore. Por rasti i Arlindës tregon pse përfaqësimi i grave në krye të shtetit nuk mund të trajtohet si dëshmi e mjaftueshme e barazisë. Një gjë është që gratë të kenë të drejtë ta përfaqësojnë shtetin, e krejt tjetër që shteti të jetë në gjendje t’i mbrojë ato.
Dhe Kosova nuk është rast i izoluar. Në Bashkimin Evropian, ku barazia gjinore është pjesë e kornizës ligjore dhe politikave publike prej dekadash, dhuna ndaj grave vazhdon të jetë e përhapur. Sipas një ankete të përbashkët të Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA), Institutit Evropian për Barazi Gjinore (EIGE) dhe Eurostatit, rezultatet e së cilës u publikuan në shkurt të vitit 2026, një në tri gra në BE ka përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale. Studimi, i mbështetur në më shumë se 114 mijë intervista, tregon gjithashtu se vetëm 6.1% e grave që kishin përjetuar dhunë fizike apo seksuale nga partneri e kishin raportuar atë në polici. Ndërkaq, 29.9% e grave kishin përjetuar dhunë psikologjike nga partneri, përfshirë kontrollin, kërcënimet dhe poshtërimin. Këto të dhëna tregojnë se edhe në shtetet me institucione më të konsoliduara, ekziston një hendek ndërmjet të drejtave të garantuara dhe sigurisë reale të grave. Një raport tjetër, i publikuar nga Shërbimi Kërkimor i Parlamentit Evropian në maj të vitit 2026, evidenton se mbi një mijë gra vriten çdo vit në Bashkimin Evropian në rrethana që shpesh tregojnë motive gjinore, kryesisht nga partnerët ose familjarët.
Raporti thekson se rastet e femicidit kanë nxjerrë në pah dështime sistematike në parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave, duke nxitur reforma ligjore në disa shtete anëtare.
Pra, Gjermania mund ta zgjedhë presidenten e parë grua në vitin 2027, ndërsa Kosova ka pasur tashmë tri në dekadën e fundit. Por as prania e grave në pozitat më të larta dhe as mungesa e tyre në një pozitë të caktuar nuk e përshkruajnë plotësisht gjendjen e të drejtave të grave. Në fund të fundit, çështja nuk është se cili shtet ka pasur më shumë presidente gra, por sa kanë arritur shtetet t’i transformojnë institucionet dhe marrëdhëniet e pushtetit që prodhojnë dhe mirëmbajnë pabarazinë gjinore.
Kur zotimet për barazi gjinore nuk përkthehen në buxhete të mjaftueshme, shërbime funksionale, mbrojtje efektive dhe llogaridhënie, përfaqësimi politik nuk mund të paraqitet si dëshmi e mjaftueshme e suksesit. Barazia duhet të matet jo vetëm me atë se kush e përfaqëson shtetin, por edhe me atë nëse shteti i mbron të drejtat dhe jetën e grave. Nuk guxojmë të pranojmë merita të suksesit me numrin e grave në pozita, përderisa nuk ka llogaridhënie për pabarazinë e pasigurinë me të cilat po përballen gratë në Kosovë përditë.