Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Mendoja se e njihja feminizmin, pastaj fillova punën në burgun e grave

QIKA 30.6.2021

Kam menduar se njoh feminizmin. Fjalën “Feministe” e kam pasur të shkruar me ngjyrë të zezë në ballinën e ditarit tim kur isha 15 vjeçe, së bashku me një letër ngjitëse kundër luftës dhe një figurë të një keku që ishte në papajtueshmëri me këto dyja. Kisha kaluar nga “fuqia e vajzave” në shkollën fillore, tek leximi i Germaine Greer në fakultet, e ulur mbi një shilte në bibliotekën e shkollës. Ndihesha keq për vajzat që bënin depilime braziliane, të cilat, ndryshe prej meje, nuk kishin njohuri se depilimi është një mjet i shtypjes patriarkale. Kam studiuar teori feministe, shkoja në takime feministe dhe dëgjoja podkaste feministe. Kisha kaluar netë të tëra, e ulur këmbë  kryq nëpër “mbledhi” të organizuara nga gra me arsimim të lartë që i përkisnin klasës së mesme ku flitej për gjithëpërfshirje dhe Frida Kahlon. Në periudhën kur diplomova në universitet, kisha përthithur një listë të ideve dhe fjalëve korrekte në mënyrë që të isha një “feministe e denjë” (por nuk isha dikush që do doje ta ftoje në një darkë shoqërore).

Në vitin 2015, dy vite pas diplomimit, fillova të punoj në burgun e sigurisë së lartë me gra të burgosura. Kisha lexuar mjaft statistika dhe raporte të politikave, para se ta dija se gratë e burgosura kishin nevojë urgjente për fuqizim. Por, kuptova shumë shpejt se edukimi im feminist kishte mungesë të madhe të informatave; sidomos sa i përket përvojave të grave që ishin krejtësisht të shtypura për shkak të gjinisë së tyre. E ndodhur përballë një gruaje, të cilës i ishte mbushur qafa e mitrës me katër qese me kokainë sipas porosisë së të dashurit të saj kontrollues në mënyrë që të zhvaste fitimet, e kisha shumë të vështirë të kuptoja se si bluza ime me Frida Kahlon dhe radari im për mansplaining (term që përdoret kur një burrë i shpjegon një gruaje diçka në mënyrë patronizuese dhe poshtëruese) do të më ndihmonin me këtë çështje.

Statistikisht, gratë në burgje kanë më shumë gjasa të jenë të rritura në zona të privuara dhe të jenë viktima të shfrytëzimit seksual që në fëmijëri, të dhunës seksuale dhe dhunës në familje, të vrasjeve dhe të jenë të pastreha. Gjysma e grave nëpër burgje ndodhen aty për shkak se kanë kryer një krim për të mbështetur varësinë e drogës se dikujt tjetër – gati çdoherë të një burri.  Për disa kjo nënkupton shitjen e trupit për seks nëpër trotuare, ose duke kërkuar lëmoshë, për shumë të tjera është vjedhja nëpër dyqane, e njohur me termin “shartim”. Kjo nënkupton grabitjen e çkadoje nga filetë e mishit apo maskarave në mënyrë që t`i rishesin rreth shtëpive ku banojnë. Në muajt më afër Krishtlindjeve, listat e blerjeve mblidhen nëpër lokalet e natës, për vjedhjen e lodrave dhe dhuratave që pastaj të shiten me çmime më të ulëta. Gratë dërgohen në këto misione të “shartimit” pasi që ato bien më pak në sy sesa burrat.

Isha shumë e papërvojë në muajt e parë në burg. Punoja në mes departamentit të edukimit dhe atij të faltores dhe shumicën e kohës organizoja leksione të artit, në mënyrë që t`i ndihmoja gratë të zhvilloheshin personalisht dhe ta shprehnin veten.

Kisha ndihmuar të krijoja një kuzhinë ku shpërndanim supë dhe kisha jetuar në një shtëpi komuniteti, ku të pastrehëve u ofrohej një strehim emergjent në dhomën tonë rezervë. Pra kisha menduar në mënyrë naive se do t’i njihja problemet e burgut. Ishte shumë ndryshe kur të gjitha problemet si: banimi jo i qëndrueshëm, varësia dhe abuzimi me drogë, përmblidheshin në një klasë apo në qelitë tri me dy (metra).

Në njërin nga sesionet, i kërkuam grave të bëjnë një hartë në formatin A3 për jetën e tyre, duke shkëputur pjesë nga revistat e grisura. Kolazhi do të na tregonte rrugën gjarpërore nga përvojat e kaluara drejt qëllimeve për të ardhmen. Gati të gjitha rrugët fillonin me një shishe vodka, shiringa dhe karaktere te dyshimta, dhe përfundonin me shtëpi simetrike, fustane nusërie dhe divane nga Laura Ashley.

Në grumbullin e revistave të mija kisha mbledhur revistat e hekurudhave të të dashurit tim si dhe revista shumëngjyrëshe me shpresë se do inspirohesha për diçka më ndryshe- një punë të re, një hobi interesant, ndoshta edhe udhëtime? – por pak të padobishme. “Çka tjetër do të bësh në të ardhmen?” e pyeta Cathy-n*, duke shikuar drejt skenave shtëpiake qe ajo aspironte. “Ke shkruar poezi te bukura lidhur me përvojën tënde” i thashë. “Mund të ndihmoj që t’i publikosh si pjesë e kampanjës për reformën e burgjeve”.

Cathy ishe moshatare e imja (29), por pas largimit nga sistemi i kujdesit ajo njihte vetëm kontrollin nga shteti apo nga një burrë. Ajo, si shumë të tjera ishte një grabitëse nëpër dyqane dhe shpesh ishte në burg për vjedhje apo për mbajtje të substancave. “Duhet të gjejë ‘të duhurin’ që të më largoj nga kjo rrëmujë” u përgjigj ajo. “Ai, do të kujdeset për mua dhe do t’i largoj ata të cilët më afrohen për të shitur heroinë përsëri”.

Cathy kishte një histori që përsëritej shpesh. Asaj iu ishte ndaluar t’i vizitonte fëmijët e saj nga shërbimet sociale sepse nuk ndalej së takuari partnerin e saj abuzues. Ai vazhdonte të shfaqej dhe ajo i hapte derën.

Doja të thosha që ajo nuk kishte nevojë për një burrë që të ja drejtonte jetën, ajo kishte “çdo gjë që i duhej brenda saj” (këshilla tipike mbi jetën që zakonisht shfaqen në fotot e Instagramit të një vajze të bardhë dhe të hollë që ecë përgjatë perëndimit të diellit).

Me kohën kuptova se ajo me siguri kishte të drejtë. Ambicia dhe pavarësia kishin vlerë më të madhe në hierarkinë e nevojave sesa siguria. Është goxha realiste të supozojmë se mënyra më e shpejtë për të shmangur një burrë detyrues dhe abuzues është të gjesh një burrë tjetër, i cili është më i sjellshëm dhe më i fortë për t`i qëndruar përballë.

Burgu, ndryshoi edhe qëndrimin tim drejt industrisë së seksit. Në burg u emërua gruaja e parë drejtore e cila ishte e gatshme të vendoste feminizmin në agjendën e saj për Ditën Ndërkombëtare të Gruas atë vit. Projektet e mia (më parë kisha organizuar një ligjëratë nga një astronaut jo-binar i Marsit, kisha drejtuar një punëtori mbi përemrat neutral gjinor dhe formova një kor që këndonte këngë protestash) që më parë hasnin në rrotullim të syve, tani ishin vendosur me entuziazëm në program: shfaqja e filmit Made in Dagenham u ndjek nga një debat për dallimin gjinor në pagë. Departamenti për zhvillim të të mësuarit dhe të aftësive kishte organizuar një vizitë bashkëvepruese, duke shfaqur artefakte nga lëvizja e grave për të drejtën e votës.

Isha përfshirë më parë në debate ideologjike mbi temën e punës në industrinë e seksit. E dija që të vija në pyetje se nëse puna në seks ishte si çdo punë tjetër do të dukesha si një feministe e frikësuar radikale përjashtuese ndaj punëtorëve seksual dhe njësoj si patriarkati –një përpjekje për të kontrolluar gratë mbi atë se çfarë bëjnë me trupin e tyre. Njerëzit nuk kanë nevojë për shpëtim, ata kanë nevojë për të drejta dhe sindikata.

Kam menduar se puna në industrinë e seksit paguhet mirë. Shumica e grave mund të merrnin vetëm 10% të pagesës.  Phoebe ishte e para që komentoi pasi që unë kisha paraqitur temën e pagesës së barabartë dhe seksizmit në punë. Ajo si shumica e grave në burg ishin në këtë lojë. Ajo kishte punuar si eskorte, kishte menaxhuar biznesin e saj online, në mënyrë qe t’i vendoste vet çmimet dhe nuk kishte nevojë të mbështetej në një shef. Ishte goxha e re në burg dhe ishte transferuar nga burgu i një qyteti të madh, duke i bezdisur të burgosurat tjera me manikyrin e saj dhe papuqet me diamante. “Unë nuk mendoj që gratë e kanë më keq” tha ajo. “Neve na hapen dyert, na blihen dhurata, ne kemi çdo gjë që na duhet për të marrë atë çka dëshirojmë. Këtë nuk mund ta bësh nëse je burrë”- tha ajo duke lëvizur duart përgjatë trupit të saj.

Ajo i drejtoi komentet e saj tek gruaja që ndodhej pranë saj. Lesley ishte një punëtore seksi që shpesh e shohim në burg, e njohur si “punëtore e seksit për mbijetesë”, që ende është në ‘lojë’ pasi nuk ka rrugëdalje tjetër. Lesley kryente seks oral për 6 funta në qoshet e rrugicave në mënyrë që të siguronte të holla për varësinë e saj dhe të partnerit të saj për heroinë, prej të cilës i vëreheshin pasojat në fytyrë, kishte faqe te zbrazura dhe dhëmbë të zverdhur. Para se të punoja në burg, kam supozuar që puna e seksit paguhej mirë për një orë- ku edhe ato të cilat kishin një shef mund të ndanin lirshëm fitimet 60:40. Kjo ishte gabim. Edhe pse ka shumë gra sikur Phoebe, gjasat janë të vogla për t’i takuar në burg dikush si unë. Shumica e grave që kam takuar fitonin rreth 10%, ose paguheshin me kompensime: drogë dhe strehim në vend të parave.  Pothuajse gjithmonë shefat burra kanë të punësuara një grup të grave dhe grabisin përfitimet e tyre në emër të mbrojtjes. Me fjalë të tjera, i shantazhojnë. Puna e seksit për mbijetesë ka hendekun më të madh gjinor nga të gjitha industritë. “A ka dikush që nuk pajtohet me Phoebe?”- i pyeta. Kishte një qetësi, pastaj Lesley u ngrit. “Unë nuk e shoh të nevojshme futjen në ‘lojë’ të të dashurve të askujt” tha ajo. Phoebe rrotulloi sytë “ Askush nuk të detyron, e dashur. Dhe askush nuk është duke t’i vendosur ato çmime aq të ulëta”. Fillova të kuptoj se kishte një lloj diskutimi që po zhvillohej këtu, që unë nuk isha e vetëdijshme dhe po drejtohej në maskën e një lufte çmimesh. “Ti, po ndihmon në uljen e çmimeve tek të gjitha, me çmimet e tua nëpër rrugica, lavire”. Në këtë pikë të dyja u ngritën në këmbë. “Ne punojmë të njëjtën gjë” bërtiti Lesley, “mos mendo se je më e mirë se unë”. Në këtë pikë humba kontrollin e dhomës. Punëtorët e sigurimit kishin arritur. Pyetjet e planifikuara rreth bashkimit dhe solidarizimit të grave ishin fundosur nga shqetësimet spontane.

Nuk ishte Dita Ndërkombëtare e Gruas që unë kisha planifikuar. Por, siç më kishte ndodhur edhe më parë përgjatë kohës sime në burg, teoritë dhe besimet e mia me të cilat kisha ardhur nuk përkisnin me realitetin. Shumica e punëtoreve të seksit që i kam takuar në burg, që kishin ardhur me mavijosje dhe shenja nga shiringat, më parë do të punonin diçka tjetër. U duhej mbrojtja e të drejtave, sigurisht, por gjithashtu ju duhej një rrugë dalëse. Realiteti nuk ishte i thjeshtë. Rrallë herë është i tillë. 

Kam mësuar se idealizmi im më ka bërë ta trajtoj feminizmin si një klub, në vend se ta trajtoj si një rrugëtim. Feminizmi im i vet-lavdëruar me qëndrim këmbëkryq nuk ishte mjaftueshëm fleksibil për të akomoduar volumin e përvojave, mendimeve dhe ndjenjave konfliktuoze të grave në burg.

E vërteta është se disa gra kanë dëshirë të fillojnë ndonjë biznes, të tjerat t`u japin kontrollin ndonjë burri të besueshëm për mbrojtje dhe siguri, së paku tani për tani. Disa punëtore të seksit dëshirojnë të jenë pjesë e sindikatave, disa të tjera dëshirojnë të largohen nga kjo industri. Në mënyrë që feminizmi të jetë i dobishëm duhet të jetë i parehatshëm. Duhet të përfshijë njerëz që më lehtë lihen anash: gra që deklarojnë se nuk janë feministe; që mendojnë se u nevojitet një burrë për t’i shpëtuar, ose ato që adhurojnë Piers Morgan.

Puna në burg ka turbulluar idetë e mija se si duhet të jetë feminizmi. Kjo përvojë nuk bëri zhvlerësimin e ideve për të cilat kisha mësuar dhe luftuar, thjesht prishi linjat e qarta, duke më lënë me tensione të pazgjidhura dhe me më pak opinione. Shkova në burg me idenë se mund të përdorja feminizmin për të ndihmuar fuqizimin e grave dhe të reformoja sistemin. Në vend të kësaj takova gra që më mësuan për feminizmin, dhe vërejta veten duke ndryshuar.

*Emrat e grave janë ndryshuar.

Mim Skinner

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/lifeandstyle/2019/oct/17/feminism-working-womens-prison-inmates-sex-work-marriage