Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Pandemia ka vënë në pah dobësitë e burrave të fortë

QIKA 28.8.2021

Kë do zgjidhnit si luftëtare kundër koronavirusit? Angela Merkel nga Gjermania dhe shpjegimin e saj me shumë qetësi për shkallën e infeksionit COVID-19? Skocezen Nicola Sturgeon me strategjinë ndihmuese të qeverisë së saj? Apo Jacinda Ardern të Zelandës së Re me adresimin e saj empatik në sesionet e saj live në Facebook dhe vendimin për ta karantinuar vendin që nga fazat e hershme?

Duket se të gjitha këto tingëllojnë të zakonshme për ju. Të flasim për Katland Jakobsdóttir të Islandës, e cila ka ofruar testime falas për koronavirusin për të gjithë qytetarët e vendit? Apo për Erna Solberg nga Norvegjia, e cila mbajti një konferencë shtypi vetëm për fëmijë, duke u thënë atyre se frika që ndjenin ishte më se normale?

Analiza e kësaj liste na josh drejt nxjerrjes së përfundimit që gratë janë më të mira në përballimin krizës për shkak të gjinisë së tyre. Një diskutim i ngjashëm ka qenë edhe në vitin 2008, atëherë kur ndodhi kolapsimi financiar. Një  botë e sunduar nga gratë konsiderohej më e butë, më pak agresive. Nëse ‘Lehman Brothers’ (Vëllezërit Lehman) do të kishin qenë ‘Lehman Sisters’ (Motrat Lehman), ky kolaps nuk do të kishte ndodhur fare. Kësaj radhe komentuesit po lavdërojnë përsëri “empatinë dhe kujdesin” e drejtuesve gra. “Duket sikur krahët e tyre po dalin nga videot për të na përqafuar e për të empatizuar me ne”, argumentoi Avivah Wittenberg-Cox nga Forbes.

Kjo linjë komentimi, megjithatë është e gabuar dhe potencialisht e rrezikshme për përparimin e grave në politikë. Nuk është se gratë udhëheqëse janë më të mira. Thjesht burrat e fortë po performojnë më keq.

Le të fillojmë me shembullin më të thjeshtë: Donald Trump. Përgjatë mandatit të tij të presidentit ka zbuluar që shumica e lojërave të tij politike janë të padobishme përballë një sëmundjeje të frymëmarrjes. Ndryshe nga shtypi, koronavirusi nuk mund të mposhtet me bullizëm. Ndryshe nga personat qe e akuzojnë atë, koronavirusi nuk mund të pushohet nga puna ose të ulet në detyrë. Virusit nuk i intereson patriotizmi.

Ajo se çka bëjnë të fortit të cilët përparojnë si udhëheqës është dhënia e premtimeve për siguri në kohët e pasigurta. Shpesh ofrojnë një armik dhe paraqiten si hero i vetëm i po këtij armiku. Sa më shumë kontroll të kenë, duke delegjitimuar udhëheqësit e opozitës dhe shtypin, aq më mirë funksionon kjo strategji. Megjithatë, koronavirusi nuk mund të deligjitimohet. Njerëzit do të vazhdojnë të kolliten dhe të vdesin, pavarësisht se çfarë Trump shkruan në Twitter në lidhje me virusin.

Xi Jinping e zbuloi këtë problem në fillim të shpërthimit të virusit, kur shteti kinez u përpoq t’i shtypte shqetësimet e mjekëve në lidhje me sëmundjen e re që u shfaq në Wuhan. Sidoqoftë, sëmundja vazhdoi të përhapej. Irani duket se po minimizonte dëshpërimisht shkallën e infektimeve. Braziliani Jair Bolsonaro e hodhi poshtë koronavirusin si “një grip i vogël ose pak ftohje” dhe mori pjesë në një protestë kundër bllokimit në prill. Ndërkaq, sekretari i tij i shtypit tashmë ishte i infektuar me këtë sëmundje. Qyteti më i madh i Amazonës, Manaus, veçse kishte filluar të gërmojë llogore për të akomoduar të vdekurit dhe numri zyrtar i vdekjeve të Brazilit kishte tejkaluar atë të Kinës.

Kjo çështje në të vërtetë na kthen në thelb të çështjeve gjinore mbi udhëheqjen. Gjykimi i “grave udhëheqëse” si grup, është një detyrë e mundimshme kur ato janë ende pakicë. Sa herë që Merkel ka marrë pjesë në takimet e G20 përgjatë 14 viteve të saj si kancelare e Gjermanisë, rrallë herë është përballur më linjë të gjatë në tualetin e grave. Ajo aktualisht është e vetmja grua që udhëheq një nga 20 ekonomitë më të mëdha në botë. Nëse do të ndodhte ndonjë takim fizik, e vetmja grua me të cilën ajo do të takohej tek tharësja e duarve do të ishte Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Pra çdo bisedë për “gratë udhëheqëse” vuan nga një numër i vogël i mostrës. Në kohët moderne, Kina nuk ka pasur kurrë një të tillë, as Rusia, Arabia Saudite, Italia, apo Shtetet e Bashkuara. Në fillim të vitit, vetëm 15 nga 193 vendet e Kombeve të Bashkuara u udhëhoqën nga gratë dhe ky numër tani ka rënë në 13. Kjo do të thotë që udhëheqëset gra në mënyrë të pashmangshme krahasohen me njëra -tjetrën dhe me paraardhëset e tyre të rralla gra edhe kur ky krahasim nuk është i përshtatshëm.

Nofka e Merkelit është “Mutti” (nënë), megjithatë ajo  është një nënë disiplinore, jo një nënë e ndjeshme. Stili i saj i udhëheqjes ndikohet më shumë nga prejardhja e saj shkencore sesa nga kromozomi i saj i dytë X. (Megjithëse, natyrisht mënyra se si ajo perceptohet dhe trajtohet ndikohet patjetër nga gjinia e saj.) Mënyra se si qeveris Merkel nuk është ndryshe nga Ardern e cila është më shumë si Justin Trudeau i Kanadasë sesa si çdo udhëheqëse tjetër grua. Ardern dhe Trudeau shesin veten shumë në vetëdijen e tyre shoqërore dhe mjedisore dhe aftësinë për të komunikuar me ndjeshmëri me grupet e pakicave dhe të dy janë përballur me akuza për vetë-përkushtim ndaj devotshmërisë.

Pra çfarë mund të themi për gratë udhëheqëse? Përsëri është e vështirë të nxirren përfundime nga hulumtimet e përgjithshme, sepse lloji i personit që bëhet politikan i lartë është sipas definicionit, i pazakontë. Ai ose ajo ka nevojë për talent, ambicie, nxitje dhe rrethana të favorshme të jetës. Në vendet që nuk janë të mësuar me udhëheqjen e grave, çdo grua që arrin sukses ka të ngjarë të jetë jashtëzakonisht e ashpër dhe e vendosur për të ngritur gradat.

Një zbulim që mund të ketë ndikim në këtë debat është se gratë, madje edhe gratë në role drejtuese, duket se janë më shumë të rrezikuara se burrat. Hulumtimi për këtë është ende larg përfundimit, por shoqëria me siguri mendon se gratë janë më të përgatitura ndaj rrezikut dhe kështu udhëheqëset gra e kanë më të lehtë të mbrojnë dhe komunikojnë politika të kujdesshme siç janë mbyllja e shkollave ose mbajtja e detyrueshme e maskave. Më 3 mars, kryeministri britanik Boris Johnson mburrej se: “Unë isha në një spital ku kishte disa pacientë me koronavirus dhe shtrëngova duart me të gjithë.” Javë më vonë, ai ishte në kujdes intensiv.

Po në lidhje me argumentin se edukimi dhe kujdesi për fëmijët janë ato për të cilat njerëzit kanë nevojë? Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj argumentit se gratë udhëheqëse janë më të mira sepse janë “empatike”. Ky është një stereotip mbi gjininë, burrat janë X, gratë janë Y, i cili historikisht ka pasur tendencë të mbajë gratë prapa. Vetëm mendoni për viktorianët të cilët argumentuan se gratë ishin “engjëlli në shtëpi”, krijesa delikate, të ndjeshme dhe të bukura, të cilat ishin shumë të shenjta për të shqetësuar veten me biznesin e keq për të fituar jetesën, për të shkuar në universitet ose për të pasur të drejtën e votës. Ky argument gjithashtu injoron faktin se shumë udhëheqës të suksesshëm burra janë vlerësuar për ndjeshmërinë e tyre: Aftësitë e njerëzve janë një pasuri në një demokraci funksionale, ku fitimi i votave ka rëndësi.

Shpjegimi përfundimtar i mundshëm pse vendet me udhëheqëset gra duket se kanë dalë më mirë në këtë krizë globale me virus është më provokuesi. Gratë e shohin marrjen e pushtetit në “një kulturë politike në të cilën ka një mbështetje dhe besim relativ në qeveri” si më të lehtë, tha Kathleen Gerson, një profesoreshë e sociologjisë në NYU për The Guardian. Një vend që zgjedh një burrë të fortë ose ku një burrë i fortë mund të mbajë pushtetin, sapo të bëhen mashtrime në zgjedhje, ai vend është tashmë një vend i trazuar.

Pra të mos e përmbysim skriptin e vjetër seksist. Pas shumë shekuj të dogmave se burrat janë më të përshtatshëm për udhëheqje, e kundërta nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Gratë udhëheqëse nuk janë shkas për qeverisje më të mirë. Ato janë shenjë e saj.

Helen Lewis

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theatlantic.com/international/archive/2020/05/new-zealand-germany-women-leadership-strongmen-coronavirus/611161/?fbclid=IwAR1DzQFOJ54_0DlaLRmhZdJt74TcXedyJuHW9WxZBgUVsAXz7jdLkuPNKfM