Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën: Pak përparim dhe shumë ngecje në barazi gjinore

QIKA 28.10.2021

Javën e kaluar Komisioni Evropian ka miratuar Raportin e Progresit për Vendet e Ballkanit Perëndimor the Turqinë. QIKA sjellë gjetjet e raportit për Kosovën të cilat njohin disa nga sukseset shtetërore dhe institucionale lidhur me barazinë gjinore, mirëpo kryesisht theksojnë vështirësitë, ngecjet, dhe sfidat që lidhen me barazinë gjinore, mundësitë e barabarta dhe dhunën në baza gjinore.

Raporti thekson që në përgjithësi korniza ligjore dhe mekanizmat institucional lidhur me barazinë gjinore janë në përputhje me standardet e BE-së. Raporti lavdëron masat specifike për gratë që janë përfshirë në pakon e rimëkëmbjes ekonomike ndaj pandemisë nga Qeveria dhe Kuvendi. Theksohet edhe që përqindja e grave që kanë pronë të regjistruar në emër të tyre është rritur, një trend që vazhdon tash e sa vite. Raporti po ashtu ri-thekson rëndësinë e shoqërisë civile drejt avancimit të barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave.

Megjithatë, edhe pse kanë ndodhur disa përparime në fusha të caktuara, rekomandimi i ofruar në vitin paraprak që të “Forcohet implementimi i Ligjit për Barazi Gjinore dhe të sigurohet funksionimi i duhur i sistemit të mbrojtjes, parandalimit, dhe gjykimit të të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore”, nuk është përmbushur tërësisht. Raporti rithekson që gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuara dhe të hasin diskriminim në treg të punës. Ndër faktorët kontribuues në diskriminim gjinor në treg të punës përmenden mungesa e çerdheve të mjaftueshme dhe financiarisht të përballueshme për kujdes të fëmijëve, mungesat e orareve fleksibile si dhe periudha shumë e gjatë e pushimit të lehonisë. Institucionet relevante vlerësohet se performojnë dobët kur flitet për hetimin e rasteve të diskriminimit, përfshirë rastet e dhunës seksuale dhe diskriminimit gjinor në vendin e punës dhe gjatë rekrutimit.  Raporti vlerëson se gratë vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuara edhe në institucione publike, posaçërisht në pozita vendim-marrëse. Një kritikë që përsëritet vazhdimisht në raportet e progresit të viteve të fundit është dështimi i institucioneve publike të mbajnë dhe të përdorin të dhëna të ndara sipas gjinisë në të gjithë sektorët, gjë që e pamundëson integrimin e perspektivës gjinore në politika publike.

Raporti i Progresit për vitin 2021 po ashtu thekson problemet institucionale dhe ligjore drejt hetimit të rasteve të dhunës në baza gjinore. Edhe pse korniza ligjore në përgjithësi është e përputhur me standarde të BE-së, Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje ende nuk është përputhur me Kodin e ri Penal, dhe as me Konventën e Stambollit. Po ashtu theksohet që edhe pse Strategjia dhe Plani i Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje ka skaduar në vitin 2020, Kosova ende nuk e ka një Strategji të re.