Kosova ka 858,043 vajza dhe gra në popullatën e përgjithshme. Rreth 591.150. prej tyre i takojnë grupmoshës 10 deri 54 vjeç. Nëse e llogarisim numrin total të grave që kanë menstruacione me vlerën mesatare të shpenzimeve mujore që është 3 euro, i bie që gratë e Kosovës shpenzojnë mesatarisht rreth 21,281,400.00 euro në vit për blerjen e produkteve menstruale. Prej tyre 3,246,315.25 euro shkojnë për TVSH.
Sot i sollëm pecetat menstruale dhe leckat me ngjyrë të kuqe para dyerve të qeverisë. Me produkte menstruale zaptuam shkallët e hyrjes së këtij institucioni për t’iu bërë me dije qeveritarëve që varfëria menstruale ekziston.
Blerja e produkteve menstruale është një barrë që rëndon mbi gratë padrejtësisht. Për shkak të kushteve të rënduara ekonomike, shumë gra nuk mund të përballojnë blerjen e pecetave, tamponëve apo produkteve të tjera menstruale. Në pamundësi të përdorimit të mjeteve të duhura, gratë detyrohen të përdorin materiale të pasigurta për shëndetin në mënyrë që të menaxhojnë menstruacionet.
Në Kosovë nuk ka pasur asnjë iniciativë të institucioneve publike për të zbutur varfërinë menstruale, përkundrazi pecetat menstruale sipas Ligjit për TVSH nuk bëjnë pjesë në produktet esenciale dhe si të tilla taksohen 18%.
Shteti po i takson gratë për diçka që është krejtësisht jashtë kontrollit të tyre; higjiena menstruale nuk është zgjedhje dhe nuk mund të taksohet. Pasojat ekonomike të këtij taksimi prekin drejtpërdrejtë gratë, e sidomos ato nga familjet e varfra të cilat janë veçanërisht të goditura. Në thelb kjo taksë është seksiste sepse ne po taksohemi për menstruacionet tona; pra taksë veç për faktin që je grua.
Duke vërejtur refuzimin e Qeverisë tash e sa kohë për të shtyrë përpara këtë çështje, QIKA fton deputetët e Kuvendit të Kosovës, që t’i bashkohen iniciativës sonë dhe të bëhen bashkë e të ndërmarrin nismën legjislative përmes së cilës pecetat menstruale dhe tamponët, lirohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe kategorizohen si mall i liruar nga tatimi doganor.
Foto: Egzon Musliu