Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drejtime si agrobiznes, hortikulturë, financa, hoteleri, automekanik, saldator tekstil, transport rrugor, gjeodezi, ndërtimtari, teknik/e i farmacisë, teknik/e i fizioterapisë etj. Këto institucione, në përputhje me Ligjin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, janë përshtatur me ndryshimet ekonomike dhe teknologjike, duke reflektuar kërkesat e tregut të punës dhe nevojat individuale drejt zhvillimit ekonomik.
Qëllimi kryesor i këtyre shkollave është të përgatisin nxënësit për tregun e punës. Për të arritur këtë, përdoret një kombinim i mësimeve teorike dhe praktikave profesionale.
Megjithëse arsimi profesional ka treguar se mund të pajisë të rinjtë, përfshirë djemtë dhe vajzat, me aftësi të nevojshme për tu integruar në botën e punës, vërehet se këto shkolla nuk konsiderohen ende si një perspektivë tërheqëse nga shoqëria jonë, sidomos për vajzat. Kjo mund të shpjegohet pjesërisht nga ndikimi i stereotipeve gjinore që kultivohen qysh në fëmijëri. Fëmijët shohin modele të ndryshme për burrat dhe gratë në role shoqërore, duke ndikuar në perceptimin e tyre për profesionet.
Statistikat tregojnë se numri i vajzave në shkollat profesionale është shumë më i vogël krahasuar me numrin e djemve, dhe numri i atyre që përfundojnë këto shkolla dhe janë punësuar në këto profesione është edhe më i ulët.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i vajzave në shkollat profesionale është 15,887, krahas djemve që është 21,971. Kështu, në përqindje i bie se 41.96% janë vajza dhe 58.04% janë djem.
Hulumtimet në Kosovë tregojnë se zgjedhjet arsimore bëhen shpesh bazuar në pikëpamjet stereotipike.
Nëpërmjet këtyre roleve të ndryshme gjinore, fëmijët mësojnë se si “janë” burrat dhe gratë. Nga vëzhgimi i sjelljeve të përputhshme me rolet gjinore të të rriturve dhe fëmijëve të tjerë, dhe reagimeve të të tjerëve ndaj kësaj sjelljeje, fëmijët (në mënyrë të pandërgjegjshme) përfshijnë karakteristikat tipike të grupit të tyre përkatës gjinor në pikëpamjen e tyre për veten.
Prandaj vajzat shpesh mund të besojnë se nuk janë të përshtatshme për profesione të caktuara dhe bëjnë zgjedhjet arsimore në bazë të stereotipeve gjinore duke zgjedhë profesione më të përshtatshme për gratë, kësisoj ato përpiqen të regjistrohen më shumë në gjimnaze. Kjo shpjegon edhe faktin që ka një numër më të lartë të vajzave në gjimnaze në krahasim me numrin e djemve, siç tregon statistika e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020/21, ku numri i vajzave në gjimnaze ishte 18,863 ndërsa i djemve ishte 14,021.
Një dukuri tjetër që mund të pengoj vajzat të ndjekin shkollat profesionale është edhe stagmatizimi i shkollave profesionale Ka shumë pikëpamje të gabuara në lidhje me karrierat e aftësimit profesional duke i dhënë atyre një imazh të keq.
Prindërit kanë ndikim të madh në orientimin e karrierës së fëmijëve të tyre. Megjithatë, shqetësimi kryesor është se prindërit nuk janë mjaftueshëm të informuar rreth trendeve të tregut të punës dhe profileve të profesioneve të ndryshme. Kësisoj, ata shpesh riprodhojnë normat tradicionale dhe perceptimet e tyre rreth karrierës, duke përjashtuar mundësi dhe perspektiva të reja për fëmijët e tyre. Kjo mund të kufizojë horizontet dhe zgjedhjet e tyre të ardhshme profesionale.
Për të adresuar këto sfida, është e rëndësishme që shoqëria të përqendrohet në ndryshimin e stereotipeve gjinore dhe destigmatizimin e shkollave profesionale. Ministria e Arsimit ka ndërmarrë hapa duke ofruar bursa për nxënësit e drejtimeve deficitare dhe për drejtimet teknike për vitin shkollor 2023/2024, me synimin e rritjes së numrit të nxënësve në këto profile, sidomos të vajzave.
Ndërhyrja për të destigmatizuar arsimin profesional është thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe shumë e rëndësishme për të luftuar rolet tradicionale gjinore.